Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ramadan PLLANA: DËSHMI TË KOHËS (IV)
Publikuar më 26 qershor, 2010 në orën 00:06 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
KUJTIME NGA BURGU

(PJESA E KATËRT)

“Veç një qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue,
Mjer’ ai që nuk qindron!”

(Luigj Gurakuqi)

-Si u prite nga drejtoria e Burgut të Nishit, këtij burgu barbar për shqiptarë?

-Vërtetë, burgu i Nishit ka qenë një skëterrë fashiste.

Qysh në hyrje të oborrit të brendshëm të këtij burgu famëkeq, e pamë se kushtet ishin shumë të rënda dhe të padurueshme, kur na futën në një vrimë muri me grilla, si një kafaz majmuni, duke na kërcënuar edhe me jetë...

Pas gjysmë ore dy gardianë e morën Avdiun dhe e shtinë në një ndërtesë të madhe, pas një çerek ore erdhën dhe më morën edhe mua. –Shpejt, shpejt ! ulërinin dy gardianët, njëri ecte para meje kurse tjetri prapa, sa hapeshin e mbylleshin dyer e mëdha të metalta duke i përplasur me sa fuqi kishin. Kjo ishte e ashtuquajtura « Bela Kuça »(« Shtëpia e Bardhë »), e bardhë jashtë, e zezë brenda, me gardianët shpirtzi ; dhe pas kalimit të « nëntë rrathëve e Ferrit të Datës » u gjenda në zyrën e pranim të burgosurve me tretman të izoluar. Aty, më pritën, me provokime shoviniste, një epror dhe dy gardianë tjerë. – Ti je nga ata që e donë « Shqipërinë e Madhe », më shtronte pyetjen njëri nga ata. – Jo, ky do edhe Serbinë deri te Molla e Kuqe, -provokonte tjetri. – Na thuaj pse e mbanë mbiemrin Pllana, për të thënë se je me origjinë nga Toplica, ju jeni falsifikues të historisë, të gjithë shqiptarët jeni ardhacakë në tokat serbe gjatë kohës se sundimit turk, të gjithëve një ditë do t’ju përzëmë në Shqipërinë e Enver Hoxhës !...

– Nuk është e vërtetë se, ne jemi ardhacakë në trojet tona, e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe, ju jeni ardhacakë nga Karpatet në shekullin e VII-të, -iu përgjigja , sepse nuk munda të durohesha më me çmendurinë e tyre serbomadhe.

Pas pak minutash eprori i urdhëroi gardianët që t’ më vendosnin në një qeli. Gardianët më urdhëruan që t’i vishja teshat e burgut, një lloj uniforme e vjetër ushtarake, dhe më futën në një qoshe të zyrës. Pikërisht në çastin kur i desha teshat civile dhe i zgjata duart për t’i marrë rrobat e burgut, papritmas, në mënyrë tinëzare më qëlluan dy gardianë me shufrat e tyre prej gome, nuk më mbetej tjetër vetëm ta mbroja kokën që mos t’ më dëmtonin, më lënduan një lyth të madhe që e kisha në anën e djathtë të qafës…Pastaj, pas shfryrjes së tyre shoviniste, më urdhëruan që të vishesha dhe më dërguan në të njëjtën qeli me Avdiun. – Sa herë që të çelet dera, ju duhet të qëndroni, në këmbë, me shpinë nga ne e me duar të lidhura pas shpine, e qartë ! - U gërvall njëri gardian dhe ikën…

-Hë, Dan, të dëmtuan shumë, të rrjedhë edhe gjak në qafë !

– Po, kjo është « mikpritja » e tyre, kurse këtë të rrahur e kisha si « shpërblim » për llagapin tim « Pllana » që e mbajë, sepse kam origjinën nga një fshat i Toplicës, familje muhaxhire, të shpërngulur me dhunë, si familja jote, nga ushtria serbe më 1978… - Të çoroditur janë këta, ma ktheu Avdiu, edhe mua m’i dhanë disa grushta, për « arsye » se kisha qenë drejtor dhe i kisha lënë « të mirat » që kisha fituar!...Pas pak orësh na i prunë nga një pjatë alumini, nga një lugë, nga një peshqir dhe nga një letër e një laps për t’u shkruar familjeve. Kishim të drejtë një vizitë në muaj, vetëm nga anëtarët familjes, ato ishin të mbikëqyra nga gardianë që kuptonin shqip, gjithashtu bisedat regjistroheshin në shiritat e një magnetofoni. Na i dhanë edhe numrat e regjistruar në tesha dhe kur kishim vizita apo ndonjë ftesë zyrtare, na thërrisnin vetëm me numra të regjistrimit. Disa ditë më vonë filluan të na qesin edhe në shëtitje, duart i mbanim mbrapa, të cilat zgjatnin 15 deri në 20 minuta. Rojet e burgut na përcillnin nga karakolli duke na e ndaluar bisedën në mes veti, nganjëherë hynte në shëtitore edhe ndonjë gardian për t’ na përcjellë edhe më mirë…Me Avdi Kelmendin qëndruam, afërisht, një muaj në atë qeli. Bisedonim tema të njëjta që kishim pasur disa herë, si jashtë dhe në burg, dhe tani kishim kohë të ngjallnim edhe më shumë kujtimet historike të popullit tonë të shumëvuajtur ndër shekuj, pra bisedonim për Naissusin, dikur qendër e Dardanisë ilire, për Bizantin, për Toplicën, Sanxhakun e Nishit etj. etj….Sa shumë ishte tkurrur Iliria jonë e madhe, nga qyteti ilir, Trieste (Tergeste, vend tregu) -e përtej saj e deri te qyteti dardan, Byzance ( Buzë, anës), të cilin, për hir të perandorit romak, me origjinë dardane, nga Naissusi, Konstatinit i Madh , më 330 i vënë emrin Konstantinopol, Stambolli i sotshëm ; tani, nga Kongresi i Berlinit e këndej, po copëtohej e zvogëlohej edhe Shqipëria Etnike nga sulmet e grabitjet barbare, për ironi edhe me bekimin e Fuqive të mëdha evropiane që hartojnë , themelojnë e shlyejnë shtete të reja, sipas interesave të tyre politike, ushtarake, ekonomike, gjithmonë me synime hegjemoniste duke mos i përfillur aspiratat e drejta juridike e natyrore të popujve të shtypur…Kjo pjesë e Shqipërisë Verilindore, pavarësisht pushtimeve të pjesshme të saj, do të mbetet shqiptare deri me pushtimin nga Serbia, më 1878, me zbatimin e projektit famëkeq, të « Naçertanija » të Garashaninit, e cila i pushton 736 vendbanime shqiptare të rrethit të Nishit, Vranjës, Leskovcit, Prokuplës, Kurshumlisë etj.

Anton Duoda, më 1758, zëvendës konsull venedikas në Shkodër, dëshmonte se: Nishi, ishte qyteti më lindor i Shqipërisë. Ja pra, tani në kazamatet e këtij qyteti të pushtuar shqiptar, po vuanim si skllavët, të mbyllur e të persekutuar vetëm pse donim të jetonim të lirë në trojet tona që i kishim trashëgim nga stërgjyshërit tanë. Në këto kushte mizore, ku nuk kishte asnjë sjellje njerëzore, na mbetej vetëm një alternativë, o i fortë e i panënshtruar, o i ligë e i nënshtruar, rrugë të tretë apo të mesme nuk kishte…

Treguat se, me Avdiun qëndruat vetëm një muaj në të njëjtën qeli, ku të dërguan pas një muaji dhe me kë kishe rastin të bashkëvuaje burgun?

Po, neve të dënuarve për ndërgjegje kombëtare, na mbanin nëpër izolime, unë isha në kushte të tilla deri në fund të vitit 1984. Pasi na ndanë me Avdiun, më futën në një qeli me Murteza Nurën-Xajën, me Hysen Gegën dhe me Abdullah Lohajn. Kushtet ishin të njëjta, vetëm « cimerat » ishin tjerë. U gëzuam shumë që ishim të katërt shqiptarë në një dhomë. Në qeli kishte katër krevate, me dy kate, një WC, një dritare e vogël, në derë ishte një vrimë me kapak, e quanin « Spiunka », të cilën gardianët e hapnin shpesh sa për të na lëshuar ndonjë fjalë provokuese. Neve, na detyronin edhe ta pastronim korridorin e madh , me rend, sipas dhomave dhe nga « Spiunkat » , mund të shihnim të dënuarit tjerë duke pastruar me ruba të lagura korridorin e izolimit. Tani, do t´ua përshkruaj, shkurtimisht, personalitetet e bashkëvuajtësve të mi në qelinë numër 3, ishte e para, afër zyrës së gardianëve, afër shkallëve që qonin në shëtitore dhe në podrumin e burgut, ku kalonim shpeshherë në dënime edhe më të rënda…

Murteza Nura, i njohur si “Xaja”, i lindur më 1936 në Pejë nga një familje e njohur atdhetare. Kishte kryer shkollën fillore dhe të mesme në Pejë. Pas LDB, e kryen Shkollën Normale në Gjakovë dhe në Prishtinë. Kishte punuar dhe jetuar në Gjakovë deri më 1964, kur zbulohet dhe dënohet në « Komitetin e Gjakovës », në organizatën LRBSH të Adem Demaçit, bashkë me Kadri Kusarin, Asim Vulën, të cilin e kishte mik, Hyda Dobrunën, Avni Lamën, Nuredin Spahiun e Teki Dervishin. Pas daljes nga burgu, nga një amnisti e cunguar, me largimin e Rankoviqit, kishte vazhduar studimet në fakultetin juridik dhe kishte punuar si jurist në një ndërmarrje ekonomike. Aktiviteti i tij prej atdhetari, kishte ndikuar shumë në mesin shoqëror dhe ndikimi i tij shihej në çdo rreth ku punonte e jetonte. M´u për këtë edhe ishte i përcjellur nga udbashët shqipfolës kudo që lëvizte. Në vitet 80-ta, bashkë me shokë, kishin kontaktuar me « Komitetin e Deçanit » të LNÇKVSHJ-së që e kishte formuar Jusuf Gërvalla, e që udhëhiqej nga Smajl Haradinaj, dhe kishin formuar « Grupin e Gjakovës ». U zbuluan gjatë demonstratave të 81-it dhe u dënuan, nga Gjykata e Qarkut në Pejë, Murteza Nura-Xaja, me 9 vjet burg, Muhamet Rogova, me 9 vjet burg, Sokol Meta, me 6 vjet burg dhe Hysen Kusari, me 3 vjet burg. Ishte njëri nga intelektualët më të njohur që kishte organizata jonë.

Hysen Gegaj, i lindur më 1950 në Sallagrazhdë të Therandës, ish-Suharekë, nga një familje me tradita patriotike. Kishte punuar lloj–lloj pune, si punëtor krahu, për arsye se ishte djali më i madh në familje dhe kushtet ekonomike i kishte të rënda. Në vitet 70-ta, kishte shkuar në Gjermani, në qytetin e Shtutgardit, ku kishte rënë në kontakt me pjesëtarë të organizatave ilegale, si me Ibrahim Kelmendin etj, -dhe, më 1980 ishte njohur edhe me Jusuf Gërvallën. Edhe pse nuk kishte pasur mundësi të shkollohej kishte lexuar shumë dhe nuk mbetej mbrapa në shumë fusha të diturisë. Njihte mirë historinë kombëtare, letërsinë, artin dhe ishte shumë i afërt në biseda. Ishte arrestuar nga Organet e Sigurimit Shtetëror të Kosovës, në shtëpinë e tij, në Sallagrazhdë, më 31 dhjetor 1980, -në vigjilje të Vitit të Ri, kishte rënë në kurthin e përgatitur nga rrjeti i udbashëve me damkë, Selim Broshës dhe Jusuf Karakushi dhe nga veglat e tyre, Sadik Blakaj dhe Riza Salihu. Ishte torturuar në mënyrë shtazarake nga udbashët shqipfolës, Mehmet Lumi e Lorenc Antoni, kurse si hetues e kishte pasur edhe gazetarin e « Rilindjes », Jusuf Buxhovin, i cili ishte si korrespondent në Gjermani. U dënua nga Gjykata e Qarkut të Prizrenit, me 12 vjet burg të rëndë. Qëndresa e tij e papërkulur, përgatitja morale dhe fizike, edhe kur ishte me sëmurje të papërballueshme nga pasojat e torturave, ishte bërë shembull sakrifice e heroizmi për të gjithë të burgosurit që kishin pasë rastin të bashkëvuanin dënimin me të. Hyseni, ishte një legjendë e gjallë ! Në burgun e Nishit e kishin sjellë nga burgu « CZ » (Burgu Qendror) i Beogradit, bashkë me shokët, Gani Krasniqin, nga Caralluka e Malishevës dhe Muhamet Rogovën, nga Gjakova. Në « CZ » kishin mbetur edhe këta të dënuar : Fehmi Berisha, Gani Koci, Bajram Gashi, Merxhan Avdyli, Ramadan Bunjaku etj. Kishte bërë greva urie në « CZ », kjo qe, -e vetmja e drejtë e të burgosurve. Në Nish do të jetë njëri nga grevistët më të mëdhenj, çdoherë i gatshëm dhe i pari për t’u përballur me xhelatët e ferrit të burgut të Nishit. Për Hysen Gegën, këtë dëshmor të gjallë, meritojnë të shkruhen libra , të xhirohen filma e të thuren këngë…

Si kalove me këta bashkëvuajtës dhe sa qëndruat bashkë në të njëjtën qeli?

Koha e jetuar bashkërisht në të njëjtën dhomë, me kushte tejet të vështira, nuk harrohet kurrë, po datat nuk mund t’ na kujtohen, përveç ndonjë datë e veçantë festive apo historike që nuk të hiqet nga mendja. Ishte një kënaqësi të bisedoje me “Xajën” e me Hysenin. Ata, ishin shumë të këndshëm në biseda dhe mund të shtroje tema të shumëllojshme, pa u bërë të bezdisshme asnjëherë. Përveç ngjarjeve aktuale të kohës, si demonstratave, dënimeve e jetës familjare e shoqërore, të cilat i bisedonim, si gjithherë, me shokët që kishim rastin t’ ishim në të njëjtat qelia, gjithsesi bisedonim për historinë e kulturën shqiptare. Hyseni, interesohej për historinë e lashtë, për mitologjinë e popujve në përgjithësi, për këto tema, ai, nuk e lente të qetë, “ Xajën” duke i shtruar pyetje pas pyetjeve.- “Ore « lopar », i drejtohej nganjëherë duke e përqafuar, po ti qenke Homer e përtej Homerit, ku po i din ti personazhet nga « Iliada » e « Odiseja »?!... – “Baba Xajë edhe Baci Dan”, -na drejtohej shpesh të dyve, me pyetje interesante, -mua, nuk po më mbushet mendja se Homeri, Troja e lashtë, Aleksandri i Madh, e shumë personalitete e vende historike që janë nga historia greke, ata na e kanë marrë edhe historitë, bashkë me trojet ilire, pse nuk i çelin sytë historianët tanë e të dalin me zbulime shkencore për të argumentuar para botës se, ato janë tonat” ?!...

-Hyseni ishte i mahnitshëm me zgjuarsinë e vet. Mirëpo, këtë hormoni e këto biseda të përzemërta na i prishte, nganjëherë, Abdullahu i neveritshëm me ndërhyrjet e tij në bisedat tona, ai, pupuriste lidhje e pa lidhje, duke filluar t’na i tregonte taksiratet e tij prej aventurieri të rrezikshëm…

- O, kohëra, o zakone! Nuk besonim dot, se ka poshtërues të tillë në mesin e popullit tonë !...

Abdullahun, nuk e mbajtën shumë në qelinë tonë, një ditë e hoqën nga qelia jonë dhe në vend të tij e sollën Ali Selmanajn, student i Fakultetit Filozofik, dega e Historisë, nga Gllogjani i Deçanit i cili ishte dënuar me 5 vite burg, djalë i urtë dhe i sjellshëm, si anëtar i grupit të « Komitetit të Deçanit ».

A dinit se në këtë burg,- izolim, kishte edhe të dënuar të tjerë dhe si informoheshit?

Po, nga përvoja që kishim fituar vinim deri te informimi për shokët që ishin në qelitë tjera, madje dinim edhe për disa shokë të dënuar se në cilat kazamate serbo-jugosllave gjendeshin… Kishim « parullat » ritmike, me trokitje në mur « Parti - Enver, jemi gati kurdoherë ! Ndërsa, pas demonstratave të ´81-it edhe « parullën » e re « Republikë-kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë ! ». Pasi që u siguronim se ishin shokët tanë, atëherë bisedonim nëpërmes dritareve, njëri fliste, kurse të tjerët gjithnjë duke ndenjur në këmbë përballë « Spiunkës » që mos të diktoheshim nga gardianët. Nga shokët e mi nga ata të qelive tjera dhe nga shokët e qelive të përbashkëta, mbaj mend se, gjatë qëndrimit tim, në këtë burg kanë qenë edhe këta të dënuar politikë : Xhavit Hoxha, Nasim Haradinaj, Ismajl Smakiqi, Hasan Ukëhaxhaj, Sylë Mujaj, Ujkan Zeneli, Ramadan Nika, Daut Rashani, Enver Dugolli, Sejdi Elezi, Naim Statovci, Qerim Syla, Nagip Bllaca, Rifat Avdiu, Nexhat Tërstena, Naim Ramadani, Isuf Lipovica, Selim Zhubi, Afrim Qerimi, Naim Fetahu, Xhevdet Syla, Sejdullah Kadriu, Njazi Kadriu, Refik Kadriu, Eshref Jakupi, Kadri Batusha, Musli Kosumi, Bajram Kosumi, Nebih Sejdiu, Qenan Mehmeti, Asllan Dibrani, Nazmi Hyseni, Xhavit Nuhiu, Sali Sefa, Senad Rama etj. Në gjysmën e vitin 1985 i kishin sjellë aty, edhe këta të të dënuar për organizimin e demonstratave të 81-it, natyrisht në izolimin e tmerrshëm, Hydajet Hysenin, Gani Kocin, Sejdi Veselin, Fehmi Berishën dhe Rexhep Maqedoncin, -këtë të fundit nuk e mbajtën shumë në izolim. Më vonë, do të vinin edhe këta persona : Martin Çuni, Ali Lajçi, Gursel Sulejmani, Kadri Osmani, Emin Krasniqi, Myslim Dobruna, Saqip Zymberi etj., për të cilët nuk jam i sigurt se në cilën kohë…

Unë, i kam ndarë të mirën e të keqën, vëllazërisht, në të njëjtat qeli, përveç shokëve që i përmenda më lart, gjatë izolimit, edhe me këta shokë : Muhamet Rogovën, Salih Salihun, Berat Luzhën, Selim Gecin, Esat Ahmën, Hasan Abdullahun, Ramadan Gashin (atëherë quhej me mbiemrin, Dobra) dhe me Agim Bllacën.

Si trajtoheshit nga gardianët kur, nga padrejtë e mëdha aty, hidheshit në greva urie?

-E theksova më lart se, greva e urisë ishte e vetmja e drejtë, që nëpërmjet saj mund të shprehnim kundërshtimet dhe kërkesat tona për kushte më të mira apo trajtim të njerëzishëm, ne gjithnjë i kërkonim Drejtorisë së « KPD » të Nishit që të na çonin në Kosovë, ku edhe ishim dënuar. Megjithëse, Organet e Jurisprudencës së Kosovës informoheshin për maltretimet dhe kushtet e rënda jashtë çdo norme të rregullave e të një « shtëpive ndëshkuese përmirësuese », siç quheshin burgjet e tilla jugosllave, me fjalorin juridik, njoftoheshin nga familjarët tanë, ata nuk e merrnin mundimin kurrë, për t’na kthyer në Kosovë, bile-ble, asnjë vizitë nuk lodheshin të na e bënin…

-Trajtimet që na bëheshin nga gardianët, ishin tejet çnjerëzore.
-Po e përshkruaj vetëm grevën e përgjithshme të cilën e bëmë në fillim të muajit mars, të vitit 1984.

Kisha qenë një muaj i dënuar për shkak se shpalla grevë urie nga se ma ndërprenë një vizitë familjare, -preteksti qe, gjëja se nuk flisnim me zë të lartë për t’u regjistruar biseda jonë në manjetofon.

-Kisha pasur maltretime psiqike e fizike por më dukej se isha bërë më i fortë, moralisht e fizikisht, sepse u tregova barbarëve se nuk ua kisha frikën. Ditën që u ktheva në qeli, më duket se ishte një e diel marsi, shokët ishin marrë vesh, nëpërmes dritareve, që, ditën e nesërme të shpallnim grevë urie, me motivacionin kryesor : kërkesë për kthim në burgjet e Kosovës. Në mëngjes, pasi e refuzuam ushqimin; gardianët erdhën të tërbuar dhe , mua më morën të parin për t’ më çuar në vetminë e podrumit, kur hyra në korridorin e madh pashë kordonin e gjatë të gardianëve, ishin rreshtuar aty, 15 deri 20 xhelatë të zinj, të cilët vërsuleshin mbi mua, si korbat mbi gjah, dikush me shkopinj gome, kush me shqelma e kush me grushte duke mos kursyer as kokën e as pjesët në herdhet… -Kjo është Serbi, këtu nuk ka Kosovë, as Shqipëri ! Nuk ke për ta parë më diellin me sy ! « Udari ! »(Mëshoi), ulurinte njëri, « Sunce ti … » (Diellin ta…)…, e të tjera sharje rrugaçërie…

-Orvatesha që t’u shmangesha disa gardianëve boksierë, të gjatë gati dy metra, po më në fund njëri më qëlloi në hundë dhe më plasi gjaku, ata, sikur nuk u ngopën me gjakun e derdhur, më qëllonin prapë derisa më shtrinë për dysheme prej çimentoje. Nuk më kishte mbetur më fuqi, dhe po t’ më qëllonin edhe më tutje, mund të vdisja…-« Dosta ! »(Mjaft), u dëgjua zëri i eprorit të tyre, i cili më urdhëroi që të hyja në vetminë që ishte afër, përballë oborrit të burgut…- A po e di se ku gjendesh - më tha me një zë cinik eprori, kur më futën në qelinë e podrumit. – Këtu, nuk është Shqipëri !- vazhdoi ai, - duke më dhënë dackën e fundit…

Pas meje i merrnin edhe të tjerët, i shikoja nga vrimat e « Spiunkës » shokët duke i rrahur, sikur mua, -shokët rrëshqitshin mbi gjakun tim të njomë, mbi çimenton e korridorit, disa i njihja, si Beratin Luzhën, Hysen Gegën, Sylë Mujën, Gani Krasniqin, Salih Salihun, Kadri Batushën, Esat Ahmën, -të cilin e quaja, “Kushë”, Muhamet Rogovën dhe të tjerët që nuk i njihja…

-Dikur filloi të më sillej koka vërdallë, isha gjysmë i alivanosur, pothuaj, gati i paralizuar, u afrova afër çezmës, piva pak ujë, e lava fytyrën dhe e freskova trupin, pastaj u shtriva në dysheme prej çimentos…Katër ditë e kam refuzuar ushqimin, pastaj e pranova sepse, nuk kisha fuqi që të rrija pa ngrënë, isha i dërrmuar,(me nder lexueseve), urina dhe jashtëqitja ishin të përziera me gjak…

- Edhe shokët tjerë ishin dëmtuar rëndë nga torturat, sidomos Sylë Mujaj, Hysen Gegaj, Gani Krasniqi e Berat Luzha, por as të tjerët nuk kishin shpëtuar lehtë…Plaga që e mora në lythin e qafës mu shndërrua në tumor. Vetëm kur u lirova nga burgu u bëra operacion, më 1986, nga dr. Abdyl Krasniqi, me librezën shëndetësore të Xhemalit, vëllaut tim, dhe u rrezatova, për ta sosur rrënjësisht tumorin, te dr. Xhavit Bicaj, të cilëve u jam mirënjohës përjetë!...

Kur të larguan nga izolimi, me ato biruca kaq mizore, dhe me kë të ka rënë që të kalosh vuajtjet në kushtet, të themi kushtimisht, pak më të mira?

Po, më larguan me dhunë, në pavijonin « B », një ish-kazermë turke, me tre kate, aty, gjeta shokë të mrekullueshëm, djem të rinj, trima si petrita që nuk i kishin shokët, secili më i dashur se tjetri, më dukej se po ripërtërihesha në praninë e tyre. Aty, gjeta Xhevdet Sylën, profesor i fizikës, lindur më 1950 në Kopernicë të Dardanës, ish Kamenicë, nga një familje me tradita patriotike. Babai i tij, Shabani, jurist, kishte qenë shok e bashkëpunëtor i Metush Krasniqit. Xhevdeti, ishte dënuar me katër vite burg të rëndë, i takonte OMLK-së, grupit të Hydajet Hysenit. Për qëndrimet e tij vetëmohuese në burg kishim dëgjuar gjatë vuajtjeve tona në izolim ; madje edhe baca Shaban, babai i tij, gjatë vizitave që i bënte djalit të vet, ishte grindur shpesh me drejtorinë e burgut për keqtrajtimin e Xhevdetit dhe shokëve të tij, saqë, njëherë, e kishin kërcënuar se do ta burgosnin edhe atë…Qysh nga dita e parë, kur u njohëm edhe për së afërmi, me të lidhi një dashuri vëllazërore e cila nuk do t´ na shterronte, kurrë përjetë. Përvoja jetësore, sjelljet e tij parimore dhe të matura, me shokë të idealit kombëtar, përvetësimi i njerëzve, sidomos i të rinjve, ishin mësim udhërrëfyes për çdo shqiptar që bashkëvuante me të, në atë burg famëkeq. Qysh në ditët e para, kur kishte dalë në këtë pavijon, ishte provokuar nga një serb, në sallën katit të parë dhe në grindje e sipër serbi, provokator i dirigjuar nga inspektori i burgut, Nasha, -ia shanë nënën shqiptare. Xhevdeti, duke mos e duruar këtë ofendim, ia jep një dackë të fortë serbit, dhe i gatshëm që të përballet edhe më tej me kriminelin. Serbët, që ishin shumicë, e rrethojnë Xhevdetin për ta sulmuar, por, pa një pa dy, i dalin në mbrojtje petritët shqiptarë, Nagip Bllaca, Naim Statovci, ishin nga ata të rinjtë, që kishin çarmatosur njësitet speciale të Serbisë në Besi; Halit Shabani, i dënuar për vepra tjera, një djalë skifter, nga Beci i Gjakovës, i mposhtën me turp, serbët, të cilët ikën dhe nga ky rast, “e kishin ulur bishtin” dhe u druheshin shqiptarëve…Burgu, pos "Shtëpisë së Bardhë » kishte tre pavijone, « A », « B » dhe « C », ishte edhe shtëpia e pleqve dhe atyre që nuk punonin, kishte shumë reparte, fabrikën e shporeteve dhe të bojlerëve « Deligrad », repartin e përpunimit të drurit, repartin e rrobaqepësisë, sallën e rrobalarjes, etj. Mua, më dërguan në repartin e drurit, në sektorin e kornizave, ku ishte edhe Dedë Krasniqi, i dënuar 20 vite me gjithë motrën e vet, Marijen, që kishte vrarë një fqinj serb i cili i kishte provokuar e ofenduar në baza kombëtare. Deda, ishte shumë i ndershëm, kishte respekt për ne, por druhej të shoqërohej me ne, gjë që e kishim kuptuar, por sa herë kishte probleme, vinte e këshillohej me ne. Në pavijoni « B » , gjatë kohës së qëndrimi tim , ishin edhe këta shokë : Musli Kosumi, student i Fakultetit Ekonomik, nga Turgjevci i Dardanës, (vëllai i Bajram Kosumit), Sejdullah Kadriu, arsimtar nga Ramabuqa e Bujanovcit, Salih Salihu, nga Besiana, (ish-Podujeva), student i Shkollës së Lartë Pedagogjike, Naim Ramadani, nga Ferizaji, Milaim Krasniqi, nga Kolovica e Prishtinës, Qerim Syla, nga Rimanishta, i dënuar për çarmatosjen e njësive speciale të Serbisë në Besi, më vonë kishte ardhur edhe Muhamet Rogova, profesor i Gjuhës Shqipe etj.. Me ne, vuante dënimin dhe shoqërohej edhe Jakup Sulejmani, nga Gjilani, komercialist, i akuzuar për tregti me drogë, ishte shumë i sjellshëm dhe i dashur. Ushqeheshim në mensën e burgut, e cila gjendej afër pavijonit « A », ku kishim rastin të shiheshim edhe me shokët e pavijoneve tjera. Kohën e lirë e kalonim në shëtitje, në sallë duke lexuar e luajtur shah, shkonim edhe në kinemanë e burgut, ku skajoheshim në një qoshe e bisedonim me shokët e pavijoneve tjera, pa i penguar, të pranishmit. Aty, shiheshim e kënaqeshim duke biseduar me Bajram Kosumin, Sylë Mujën, Xhavit Nuhiun, me karrocën e vet, (ishte i hendikapuar nga një fatkeqësi komunikacioni), pastaj, vinin shokët e pavijonit « A », si Hasan Ukëhaxhaj, profesor i Gjuhës Shqipe, Njazi Kadriu, arsimtar nga Ramabuqa e Bujanovcit, bashkëvendasit e mi, të dënuar për demonstratat e 81-it, Nebih Sejdiu, familja e të cilit kishte miqësi familjare me familjen e Shaban Polluzhës, Nazmi Hyseni, nga Vushtrria, me origjinë nga Popova, nip i Hys Popovës, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës, me të cilët nuk ngopeshim së biseduari…

-Desha të shtoja pak më shumë disa fjalë për Xhavit Nuhiun. I lindur në Caravajkë të Preshevës. Ishte për tu admiruar, sidomos qëndrimi krenar dhe i paepur i tij. Ky trim, ishte i dënuar për se kishte shkruar parulla « Kosova Republikë ». Ky ishte invalid, ndoshta rast unik në botë që, ishte dënuar për politikë, ecte me karrocë sikur një hero i vërtetë, e rrihte gjoksin dhe as që i kërkonte mëshirë apo çfarëdo lloj kërkesë adniminstratës së burgjeve, të cilën e përbuzte haptas.

Përmendët inspektorin e burgut, çfarë kërkonte ai nga ju, pasiqë, tashmë, ishit të dënuar?!

-Shumë pyetje me vend dhe interesante.

Inspektori i burgut, quhej Nesha, ishte katalizatori kryesor i provokimeve, përçarjeve, spiunimit, rrahjeve, deri te krimet që mund të ndodhnin në mes të dënuarve në burgun e Nishit. Sa ishim në izolim na merrte, nganjëherë, në të ashtuquajturat « biseda informative », edhe mua më ftoi dy herë, duke më shantazhuar e kërcënuar për veprimet e mia, të pazbuluara etj… Edhe të tjerët që i merrte i shantazhonte, mirëpo, as ne nuk i përkuleshim për asnjë çast.

- I vetmi ishte Rexhep Maqedonci që ka pirë kafe me të dhe ka vazhduar bisedat me të për shumë kohë, për këtë arsye edhe e kishte humbur besimin te shumë shokë të dënuar, për çështje kombëtare…



-Gjatë izolimit, në « Shtëpinë e Bardhë » ai Nesha -bir bushtre, sillte kriminelë ordinerë nëpër qeli, për t’ na provokuar e dëmtuar fizikisht.

Dëme më të mëdha, nga një kriminel serb, -pati Sylë Muja, i cili ishte sulmuar, tinëzisht, dhe nga pasojat e këtij sulmi, kishte qëndruar disa ditë në spitalin e burgut. Edhe Berat Luzha ishte dëmtuar nga një kriminel i tillë. Hydajet Hysenit, ia kishin futur në qeli, një të krisur. Mua, që isha në një qeli me Agim Bllacën, ma sollën vrasësin e njohur, quhej Faruk, ishte nga Novi Pazari (Tregu i Ri) -i cili ishte në gjendje që ta mbytë njeriun për dy fjalë, ai pastaj nëpër burgjet serbe, kishte therrur disa të dënuar serbë, prej tyre, -dy për vdekje, dhe, për këto vepra –ishte dënuar me vdekje.

-Për fatin tonë, sillej mirë me ne dhe fitoi një respekt dhe m´u për këtë shkak e larguan… Më vonë na e sollën një të dënuar për vrasje, nga rrethi i Pejës, O.SH., i cili ishte dërguar për t’ na spiunuar.

-Nga shpifjet e tij u dënuam nga 30 ditë vetmi….

-Ky farë inspektor, Nesha na përcillte, me anë të shërbëtorëve të tij, edhe në pavijone dhe në reparte të punës. Kishte siguruar edhe një rrjet spiunësh shqipfolës. Meqenëse, nuk ka pasë shumë pasoja dhe që ua kemi falur për maltretimet që na i sollën, -nuk po ua përmendi emrat konkretë, por, po i marrë disa nofka të sajuara. « Fytyrëzymti », i dënuar për vrasje, kishte marrë instruksione nga Nesha, për t’ na përcjellur neve që ishim për politikë në pavijonin « B ». Në fillim kishte bërë orvatje për të fituar besimin te ne, si një atdhetar që ishte i gatshëm të bashkëpunonte me ne…Deri diku ia kishte arritur që ta mashtronte Salih Salihun, mirëpo me vërejtjet tona; të Xhevdetit e të miat, Salihu, u rezervua ndaj tij… Tani, nga dështimi për t’u futur në mesin tonë, inspektori ia jep detyrën « Fytyrëzymtit » për aksion konkret, u kishte siguruar mjete, thikë e shufra hekuri, për t’ na sulmuar tinëzisht, Xhevdet Sylën dhe mua. « Zvarraniku », kushëriri i tij e kishte marrë urdhrin për ta sulmuar Xhevdetin dhe posa të kryhej sulmi, të lajmërohej , « Fytyrëzymti» , nëpërmes lidhjes së « Dhunuesit » në mënyrë që t’ më sulmonin edhe mua, që gjendesha larg repartit të Xhevdetit. Vigjilenca dhe shkathtësia e Xhevdetit e detyron të dorëzohet dhe të tregon gjithë planet e përgatitura… Xhevdeti, i lajmëron shokët që t’ më ruajnë dhe i thotë « Zvarranikut » - Dëgjo mirë! O, të mjerë, vetëm një gërvishtje ia bëni Ramadan Pllanës, asnjë i gjallë nuk keni për të dalë nga reparti, me ditë t´sotme e treguat veten, se jeni tradhtarë!...

Aksioni i Neshës, dështoi me turp!

-Këso lloj planesh e dinakërish kishte pasur edhe në pavijonet tjera, në pavijonin « A » një kriminel , i gjatë gati dy metra, e kishte provokuar Nexhat Tërstenën, ky, ia kishte futur një grusht të furishëm serbit, të cilin e kishte palosur përtokë, pastaj njëfarë Lajqi, nga Novi Pazari, i njohur si provokator, i kishte provokuar e sulmuar edhe fizikisht shokët e pavijonit « C », Eshref Jakupin, Refik Jakupin dhe Enver Dugollin etj…

Si e përjetuat ( e pritët) vdekjen e Enver Hoxhës?

Vdekjen e Enver Hoxhës, e konsideronim një humbje të madhe për krejt kombin shqiptar. Ne, të burgosurit politikë, e morëm lajmin nga radio stacionet jugosllave, me dhembje të madhe shpirtërore, ditën e enjte, më 11 prill të vitit 1985. E ngushëllonim njëri tjetrin dhe bisedonim për personalitetin e tij, për ne Enver Hoxha ishte Skënderbeu i dytë që e kishte mbrojtur e shpëtuar Shqipërinë nga gllabërimet imperialiste, sidomos nga pretendimet tinëzare të Jugosllavisë së Titos. Të shtunën, më 13 prill të atij viti, ne të burgosurit politikë mbajtëm një mbledhje përkujtimore për vdekjen e tij, në kopshtin e oborrit të pavijonit « B », me ç´rast, unë, i ftova shokët që të mbanim një minutë heshtje për vdekjen e tij. Të gjithë folëm me rend, kush aq sa dinte dhe përfunduam me një kushtrim qëndrese apo motoje të përbashkët:
– Lavdi e përjetshme, jetës dhe veprës së shokut Enver!

Në fund, të lutemi, - na trego pak se si e kalonit kohën e lirë, si e sa merreshit me lexime, shkrime a ndonjë aktivitet tjetër?

-Po, në radhë të parë ne lexonim literaturë me tematikë të ndryshme, si romane nga shkrimtarët shqiptarë e të huaj, histori kombëtare e ndërkombëtare, filozofi, psikologji etj. Sidomos, gjenim libra të mira kur punonte në bibliotekën e burgut Xajë Nura. Të dënuarit politikë shqiptarë, që kishin qenë para neve kishin lënë libra të shumta, nga literatura shqiptare dhe të shkrimtarëve më përparimtarë botërorë. Mirëpo, Drejtoria e burgut, duke parë se ne po lexonim shumë, i hoqi nga biblioteka të gjitha librat e botuara në Tiranë, madje edhe shkrimtarët rusë, francezë, amerikanë, etj.

-Disa shokë merreshin me muzikë dhe këndonin këngë të bukura, si Musli Kosumi, Naim Statovci, Halit Shabani etj.

Me poezi merreshin, Xajë Nura, Bajram Kosumi, Berat Luzha, Salih Salihu etj. Më vonë kur erdhi Hydajet Hyseni na i dërgonte poezitë dhe pikturat e veta. Mua më dërgoi, në shenjë respekti, figurën e dëshmores gjakovare, Ganimete Tërbeshi, të cilën e gdhendi në dru, Muhamet Rogova.

Me pikturë dhe me poezi merrej edhe Sylë Mujaj. Pastaj, me ardhjen e shokëve të tjerë, shtohen radhët e poetëve e piktorëve tjerë, si Martin Çuni, Gursel Sulejmani, tani dëshmor i kombit, -e të tjerë…

I nderuar atdhetar, a mund të na tregosh për lexuesit si veproi kur doli nga burgu shoku yt i devotshëm Xhevdet Syla, pasi atij ia bënë një provokim të keq, udbashët shpirtzinjë?!

-Eh! Thonë, ore të nderuar se “pushka e trimit dhe dora e dorëlirit ( të gjymertit), nuk ndalet kurrë, - kurdoherë dhe kudo që gjendet?!

Për këtë rast shumë shokëve dhe shoqeve tona u ka treguar vet Xhevdeti; por, meqë ju po kërkoni, përsëri po iu përgjigjem:

-Ishte një epilog interesant pas daljes sime nga burgu i Nishit, Xhevdet Syla, shoku im syshqiponjë, -lirohet nga burgu, një muaj pas meje, inspektori Nesha e thërret në zyrën e tij dhe, pos tjerash, e pyet, -a do të shkosh për ta vizituar Ramadan Pllanën, -ky, pa hezituar i thotë, po. Atëherë, udbashi i burgut i thotë: “Nëse ke ndërmend të shkosh te Ramadan Pllana, dije se ke për ardhur, së shpejti, prapë në këtë burg”!

-Xhevdeti, i përgjigjet rreptë duke i thënë: “Shiko, sipas traditës sonë kombëtare, shoku im, Ramadani, duhet të vijë i pari të më vizitojë kur të shkojë në shtëpi, dhe jam i bindur thellësisht, se, ai do të më vizitojë gjithsesi, pastaj, edhe unë do ta vizitoj atë dhe familjen e tij, ndër të parat nga miqtë e shokët e mi.

–Ju, nëse vërtetë keni marrë këtë vendim, atëherë mos më lëshoni fare, shantazhit tuaj nuk i frikësohem aspak”!...

Falënderime sa malet tona, për intervistën!
Falënderimet janë reciproke! Unë, pata kënaqësinë të dëshmoja të vërtetën para gjeneratave të tashme e të ardhshme!
Intervista, “Dëshmi të kohës” – Kujtime nga burgu; përfundon me kujtimet e autorit nga burgjet, kjo do të vijoj pastaj me kujtimet e veprimtarisë së autorit pas daljes nga burgu dhe në mërgim, -gjatë luftës dhe qëndrimet e tij për rrethanat e sotme.

Intervistuan: Fadil Shyti –Kristina Rasi.


Zvicër, 25. 06. 2010.


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 101 vizitorë
Lexuar: 5,772 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi