Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
XHEMIL ZEQIRI - VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
Publikuar më 22 korrik, 2010 në orën 14:48 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
.
Xhemil Zeqiri
1. Kohëve të fundit në të gjitha hapësirat shqiptare, po zhvillohen ca ngjarje ”të reja”, sa je në rrjedhat e këtyre situatave?

-Po, ke të drejtë, kohëve të fundit po zhvillohen ngjarje ”të reja” , për faktin se, politika shqiptare është në defensivë në radhë të parë andej nga Tirana, po ndodhin ngjarje tejet të pakëndshme për çdo shqiptar, fjala vjen rreth atyre zgjedhjeve të para një viti, po bëhet aq problem hapja e atyre kutive sikur opozita të kërkonte të hapej toka!!!

-Në fillim qarqet ndërkombëtare, nuk e morën shumë seriozisht këtë kërkesë, mirëpo, vendosmëria e opozitës me protesta e greva, bëri që për këtë të internacionalizohet tej-mase. Pastaj, filloi ndërhyrja e ndërkombëtarëve që të stabilizohej situata, kjo u bë si mbulesë për përkrahjen që ia dhanë ato, S.Berishës, pra, të mos komprometohen edhe ato qarqe evropiane. E faktoj këtë, me një shembull: e keni parë disa herë në ekranet televizioneve se, sa herë që rrymat e djathta, pro-serbe në Evropë depërton t´i jep përkrahje forcave të saj në Tiranë, opozitën menjëherë e viziton ambasadori amerikan, -kujtoj që, kjo do të thotë se, amerikanët po e shohin lojëra të rrezikshme të këtyre forcave në Evropë, që po zhvillohen në Shqipërinë Londineze. Dhe, më tej nga kjo konstatoj se, fatkeqësisht, fuqitë e mëdha po tallen me politikanët shqiptarë.
-Sali Berisha dhe qeveria e tij si duket janë të interesuar vetëm t´i përçajnë shqiptarët dhe ta destabilizojnë Shqipërinë, për ta stabilizuar Ballkanin. Sipas “lojërave”, politike: sa më keq dhe më e destabilizuar që të jetë gjendja në Shqipëri, aq më shumë kjo u shkon përshtati armiqve që na rrethojnë. Bile, për këtë shërbim ndaj tyre, shumë forca anti-shqiptare e financojnë këtë qeveri anti-demokratike.

Ngjarjet tragjike në Kosovë, në Iliridë e gjetiu në trojet tona etnike, aspak nuk po e tundin ”fronin” e pushtetit berishjan, përkundrazi në sferën ndërkombëtare vetëm sa po e forcojnë më tej....

-Sa iritues është fakti kur, ministri i punëve të jashtme, Ilir Meta, pa menduar gjatë, shkoi në Beograd, për t´ua nderë dorën serbëve: dhe për më keq atje pranoi në heshtje absurdin se, kinse në Shqipëri paska një minoritet serb!!!

-Nga kjo kujtoj me keqardhje se, vërtetë me këtë vizitë, të tij atje, çështja shqiptare u dëmtua rëndë.

-Si mund të shpjegohet fakti që policia maqedonase pa gjyqe po i vret shqiptarët, siç qe rasti i komandant, Harun Aliut me shokë, ndërsa, Tirana zyrtare të mos ketë madje as një reagim, për ato vrasje mizore?! Ndërsa, krejt ndryshe po vepron qeveria e Beogradit.

2. Si i komentoni rrethanat e krijuara për shqiptarët në trojet e pushtuara kudo në Shqipërinë Etnike?

-Çfarë të them ore?!

-Jam i detyruar të pohojë se, vërtetë mjerim politik!

-Po filloj me ngjarjet tejet tragjikomike lidhur me gjyqin e të madhit atdhetar, Albin Kurti. Gjithë ajo furtunë për të mbuluar tragjedinë e shkaktuar nga policia rumune e UNMIK-ut. Dhe, më në fund, si i thonë fjalës: “Polli mali, bëri mi”; - ”Fajtori” u gjet dhe u dënua me 9 muaj!!! Qëllimi i ndërkombëtarëve dhe i politikanëve servilë ndaj tyre qe, vetëm t´i ndalohet hovi i protestave dhe demonstratave që kishin suksese në terren, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe politikës së saj të drejtë me orientime për zhvillime të reja vërtetë, në dobi të kombit shqiptar.

-Pastaj, ende pa u tharë gjaku i katër atdhetarëve të UÇK-.së, të vrarë nga policia maqedonase; këto ditë e dëgjova në lajme një takim të stilit ”vëllazërim-bashkimit” titist; që atje në malet e Sharrit, po mbahej në takim me ftesë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, nga kryetarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi; bile, aty o derdhën lot- të krokodilësh të “kombit jugosllav”; -pse nuk ishte në mesin e tyre edhe kryetari i Serbisë, ”paqësore”; -u bë kjo mbledhje kinse, për të ashtuquajturin, ”mini-shengenin” ballkanik.
-Sa shumë po i hidhet sy popullit shqiptar dhe të popujve tjerë në këto hapësira! Bëhet zhurmë, kinse shtetet e Ballkanit po e presin orën e madhe të bashkimit në Bruksel!! Pastaj, atje gjithçka do të zgjidhet drejt dhe gjithçka do të rrjedhë si vaj ulliri!!! -Duke bërë zhurmë kinse për integrime evropiane, po mbulohen qëllimisht problemet tejet të pazgjidhura të kombit shqiptar, po injorohet me cinizëm integrimi i shqiptarëve. -Mos të harrojmë se, shqiptarët i bën tri luftëra për t´u ribashkuar n´ mes tyre e jo për t´u ribashkuar me Evropën, -sepse, në Evropë ishim dhe jemi.
-Pastaj, hiç më e mirë gjendja nuk është në Maqedoni, atje politikanët shqiptarë, me në krye Ali Ahmetin, po tallen me çështjen shqiptare. Tani, shtroj pyetjen pse politikanët shqiptarë nuk e zgjidhin problemin e çështjes shqiptare, bile, as e shtrojnë këtë problem për zgjidhje; -ndërsa, Greqia përkundër problemeve të brendshme, si kriza ekonomike që e turbullon për më tepër se një vit, nuk lejon dot që, pa u zgjidhur drejt problemi i emrit të Maqedonisë, të ecën kjo përpara në BE.

3. Ku i shihni përparësitë e diplomacisë shqiptare dhe prapakthimet e kësaj politike?

-Po ç´ përparësi ore vëlla ka politika shqiptare?!

Kjo, politikë prapakthimi, në fakt ka vetëm një “përparësi”-e ka servilizmin e tejskajshëm ndaj ndërkombëtarëve të të gjitha ngjyrave. Po, me sa po mundem të kuptoi fakti qëndron aty se: që prej kur e mori pushtetin me mashtrime, hajni e dhunë; S.Berisha dhe bandat e tij; -Shqipërinë e mjerë , e dogjën e shkatërruan, popullin e në veçanti rininë e varfëruan, lanë rrugëve ; e “çliruan” të ikën e përjashtuar nëpër Evropë e gjetiu.

-Kujto, vj, 1997 kur popullit i erdhi zullumi në majë të hundës nga kjo qeverisje servile serbo-greke, gjendja shkoi deri aty, sa u detyrua të rebelohej për hajninë që e bëri me piramidat, njerëzit humbën shumë pasuri dhe pastaj, me pushkë në dorë e rrëzuan nga pushteti Sali Ramë Berishën.

-Pas asaj lufte qytetare, apo si ta quajmë; forca të vërteta demokratike shqiptare , mezi e qetësuan popullin; duke e detyruar për të dhënë dorëheqjen nga pushteti që e ktheu në anarki, me marrëzitë e tij vet, S. Berisha.

-Pastaj, u zhvilluan zgjedhje , dihet se, në ato zgjedhje fitoi PS-ja, dhe me te gjitha hallet që kishte Shqipëria dhe kombi shqiptar, përsëri dinte te drejtonte timonin nga ardhmëria, jo se, PS-ja e ishte aq shumë e angazhuar që të plotësonte amanetin e heronjve të gjakosur e burgosur për 100 vj, të fundit; -por, vërtetë bëri aq sa diti e mundi! Edhe në ato kushte tepër të rënda që ishin krijuar.

-Unë, mendoj se njëra ndër arritjet më të mëdha në fushën e politikës shqiptare gjatë asaj kohe, ka qenë dhe do të mbetet; aprovimi i Kushtetutës Shqiptare.
-Sot, Shqipëria e ka një Kushtetutë , vërtetë demokratike, mirëpo, si duket kësaj fitoreje armiqtë tanë si zagarët e nuhatën dhe i ranë në gjurmë dhe, pastaj kanë bërë çdo gjë që miqtë e tyre serbë, si Damir Fazlliqi e Viçër të tjerë sllavë që në pushtet të vijnë forcat e djathta me Berishën “në krye”, -sepse, vetëm në këtë mënyrë do të kishin terren nga përkrahja e tij që të rriten interesat serbo-greke në Ballkan.

-Dhe, ja argumenti; në zgjedhjet e parafundit politika e S. Berishës e pranoi statusin e Pavarësisë të Kushtëzuar, nga ministri i tij i jashtëm B.Mustafaj, që donë të thotë se, tani e më tej: -nëse realizohet kjo, pavarësi e gjymtuar, atëherë Kosova do të jetë e varur në shumë aspekte ( si tregtia, kontrabanda, enklavat etj) nga Serbia dhe më tej e pavarur nga Shqipëria.

-Më shtrove pyetjen për përparësitë!

Po çfarë përparësish ore?

-Edhe sot e kësaj dite shqiptarët janë të izoluar edhe pas gjithë kësaj zhurme të madhe, kur po trumbetojnë se, jemi në Evropën politike, se, do t´i heqim vizat, mirëpo, kur jemi këtu, kujtoj se, ne shqiptarëve vizat nuk na i heqin lehtë, por edhe nëse na i heqin, Evropa kurvë do t´i formoj disa rregulla, me kushte speciale për Shqipërinë.

Mos mendoni se, ata e futën Shqipërinë nën ombrellën e NATO-s, se iu dogjën zemrat dhe për të mirën tonë;- ata, duan që shqiptarët vetëm të jenë shërbëtorë të huaj; ndërsa, Shqipërinë nuk janë në gjendje ta mbrojnë nga askush.

-Fatkeqësia e madhe qëndron aty se, në të ardhmen ushtria shqiptare do të përdoret “mish për top” duke shkuar në vende të huaja, për t´i zgjidhur çështjet e pazgjidhura për botën, ndërsa, ende çështja shqiptare ka mbetur tejet e pasigurt!

Ja, në këtë farfuri që e ka futur Shqipërinë dhe këto borxhe që e ka zhytur Shqipërinë nga bankat e huaja, NATO-ja e detyron që atje ku ata e kanë humbur luftën te paguajnë popujt e varfër!

...Tani, Shqipëria duhet të rregullojë 5 shkolla dhe 200 studentë i shkolloi në Tiranë dhe shumë obligime të tjera... , me gjakun dhe shpenzimet e shqiptarëve, ndërsa, qe besa, kjo nuk ndodhi në kohën e socializmit, kujtoj këtu faktin që; me asnjë metelik BRSS-ja, nuk e shfrytëzoi nga Shqipëria; përkundrazi, -Shqipërinë, komunistët shqiptarë e bën një kala të pamposhtur!

-Por, megjithatë, mos nga ky anëtarësim a do të kemi ca përfitime?

-Lëri dhe injoroi tani, matrapazët dhe servilët se çfarë deklarojnë!

-Mendoj se, këto deklarata që janë “për t´i mëshiruar”, politikanët e sotëm; -i bëjnë nën trysninë e ambasadave të huaja që, tani janë bërë “zonja” shtëpie në Tiranë.

Gjithashtu, S. Berisha për t´i humbë gjurmët e tradhtisë së vet tani ka ngritur “në rend dite”, tragjedinë e Tivarit dhe, natyrisht që, po e harron tragjedinë e Gërdecit e të gërdecave te tjerë si Otranto dhe për më tepër e harron tragjedinë e shqiptareve gjatë tri luftërave shqiptare, por, është një ide gjeniale, që flitet se: “Sulmi, është mbrojta më e mirë”!

4. Çka iu ka nxitur më shumë në veprimtarinë tënde dhe çka iu stepë, në këtë rrugë, të shtruar jo kurdoherë me ”dafina” ?

-Ke të drejtë nuk ka qenë e shtruar me dafina, sepse çdo lëvizje takim e të tjera, në radhë të parë përmbante rreziqe, sepse jo më kot thotë populli se, “politika, shpesh është shpatë me dy tehe”-prandaj, të lëvrosh në hullitë e saj, nuk duhet vetëm trimëri por, kërkohet më shumë se gjithçka, shumë mençuri!

-Dihet fakti se, duke përfituar nga gjendja jonë e rëndë, qarqe të ndryshme ndërkombëtare, pa qoftë edhe ato përparimtare, nuk bëjnë dot ndonjë hap përpara pa i nxitur ndonjë individ apo faktorët tanë politikë, me takime , darka etj. Natyrisht se, të gjitha këto kërkojnë shpenzime materiale, dhe për t´i arritur objektivat tona, pothuaj tërë kohën është dashur që këto shpenzime t´i kam bëjë me djersën time, pra, me lekët e mia.

-Paramendoje faktin kur; në Këshillin për Politikë të Jashtme me ne, në Parlamentin danez, ka qenë nënkryetari i përgjithshëm LPK-së, Muhamet Kelmendi dhe pas shumë aktiviteteve të tjera intervistave e të tjera, u detyrova t´i them Muhametit që po kam probleme me këta “pehlivanët politikanë” shqiptarë këtu në mërgim, për faktin se po më sabotojnë dhe tani tutje nuk do të mundem t´ i njoftoj për veprimtarinë siç qe ky i sotmi.

Natyrisht, Muhameti ishte shumë i kënaqur për ato takime dhe me tha: “Ti, vazhdo punën, ndërsa, ata le të bëjnë çfarë të duan”!

-Po kështu dhe me, -po ashtu! Unë, gjithnjë kam dashur t´u imponohem institucioneve daneze.

...Dhe, nëpërmjet meje kanë qenë në Danimarkë, për punë politike dhe shtetërore, Bujar Bukoshi, pastaj me vonë përfaqësuesi i Zyrës së qeverisë së Kosovës në Stokholm, që e përfshinte dhe Danimarkën, është ftuar zyrtarisht, Dr. Shaqir Shaqiri, pasi e bëri vizitën e pa se, ç´mundësi kishte në Danimarkë. Atëbotë, Sh.Shaqiri e dha një vlerësim për punën time aty; të cilin vlerësim e kam të botuar në librin tim: ”Në mbrojtje diplomatike të çështjes shqiptare”.
-Gjithashtu, kam organizuar, disa Konferenca Ballkanike dhe debate publike, paramendojeni faktin që, në atë kohë; në Parlamentin danez, organizova një debat publik për situatën politike, pasi doli ne skenë e lavdishmja, UÇK dhe përfaqësuesit politikë u ftuan të vinë e të debatojnë në atë debat. Aty, pati ligjërues edhe nga Unioni i studentëve të Prishtinës, ishin të ftuar dhe disa të tjerë që, mjerisht nuk erdhën. Pati në debat dhe politikanë të pozitës dhe të opozitës , gazetarë edhe analistë dhe të tjerë që merrnin pjesë; shumë organizata që e përcillnin debatin; mirëpo përfaqësuesi i UÇK-së, nuk erdhi, sepse s´ pati kohë.

-Do të dëshiroja të theksojë faktin që , gjatë luftës sonë çlirimtare dhe bombardimeve të NATO-s, në Kosovë u krijua Qeveria e Përkohshme, nga delegacioni që përfaqësuan në Rambuje dhe kryeministër e bën H.Thaçin, në një takim të partisë së Social demokrate daneze ,me të cilën kisha një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, kërkova prej tyre dy gjera:

1 -Një të bëjnë përpjekje të dihet ku është Ukshin Hoti dhe të lirohet menjëherë.

2. Të organizohet një vizitë këtu në Danimarkë, për kryeministrin H.Thaçi.

-Sekretari gjeneral, Erik Bool që ka qenë dhe në Shkup, Tetovë Prishtinë, Tiranë etj...

-Ai, më tha : “Për z. Ukshin, ne nuk e kemi më ambasadën tonë në Jugosllavi, mirëpo, do të interesohem të dimë si është gjendja dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ta shpëtojmë nga burgu dhe pastaj, do ta sjellim për shërim këtu, në spitalet daneze”!

-Ndërsa, për kryeministrin tuaj, nuk e kemi lehtë ta sjellim këtu, sepse, Kosova nuk është subjekt-shtet i njohur ndërkombëtarisht, por ka ndonjë mundësi tjetër që do bëjmë dhe e kuptoj që, është shumë mirë dhe një hap shumë i fort diplomatik. Ti, bisedo me te dhe atje të caktojnë një datë kur donë ai te vizitoj Danimarkën, ne, ia bëjmë atij një pritje zyrtare dhe një takim zyrtar dhe me kryemintrin tonë që është kryetar i Partisë Paul N. Rasmusen; pastaj do ketë takim me ministrin e jashtëm danez,dhe atë te drejtësisë , do të ketë takime me gazetarë këto të gjitha unë i marr në përgjegjësinë time -tha z. Erik.

Unë, dëshiroja që kjo vizitë të ketë sukses, nuk e humba kohën, por menjëherë i telefonova Ibrahim Kelmendit dhe i tregova se, këtu është kjo mundësi; - ai, menjëherë e pranoi idenë dhe tha se, kjo është shumë punë e mirë! Atij i kërkova që, a ke mundësi që ju ta siguroni me Thaçin, sa më shpejt që të jetë e mundur. Dëshiroj, të jetë ky caktim bile, pas shtatë ditësh.

Ibrahim Kelmendi, si kurdoherë si një veprimtar i palodhur për çështjen kombëtare, aty, për aty ma ktheu: “Ja, ku e ke , bisedo vet”! Bisedova me H. Thaçin, atëbotë, unë kujtoja se ai është në luftë, por në fakt ai ishte në Bochum të Gjermanisë, atë ditë.

Ia shpjegova rastin për takimin me aq rëndësi të madhe dhe natyrisht që, pranoi; -mirëpo, më tha:- ja, ku e ke këshilltarin tim, Bilall Sherifin; merruni vesh me të, për datën e të tjera!...

-Bisedova me Bilallin, i shpjegova fort mirë, -por ai për çudi, sikur nuk besonte se do të mundem të organizoja një takim të një niveli të tillë dhe... hop, pa pritur më mbylli telefonin! -Mua, filluan t´më shkonin djersë të ftohta sepse, nuk më caktoi datën dhe as nuk më njoftoi që, do vinin apo jo?! Nga kjo sjellje e tij e kisha shumë vështirë pastaj, të njoftoja partinë, daneze.

Për tri ditë rresht e kam thirr në tel, bile, njëqind herë, po se po!!! Pas tri ditësh, aty nga ora 001 pas mesnate e hapi telefonin Bilalli, e thirra: ”O, ku jeni bre burra se jam mbytur duke telefonuar”?!

-Pse- tha Bilalli?!!!

-Po dua të merremi vesh o vëlla, se ç´do bëjmë, do vini vërtetë, apo mos më komprometoni me danezët, sepse, është shumë nivel i lartë takimi, prandaj, dua të jam i sigurt.

-Bilalli, më tha: -të treguam datën dhe me nuk ka nevojë të bësh telefon, sepse, atje e kemi kryetarin e LPK-së, Ibrahim Xhemajlin, Obobo..., -sa u dëshpërova! Pastaj, atij i tregova se, ai nuk din për këto punë more; -sa nga kujdesi prej UDB-ës, aq edhe për faktin që, ai nuk merr vesh në rrjetin politik e diplomatik të Danimarkës.

-Aty, për aty për një çast mendova t´i them: “Unë, do ta ndërpres këtë punë”! mendova kështu edhe për faktin që, unë atëbotë qëndroja shumë ftohtë me I. Xhemajlin, për shkak të një interviste prej meje, që bëri “bujë politike”, kur një gazetar danez e lëshoi një lapsus krejt kot, kur shkroi se, unë paskam deklaruar që: “Shqiptarët po mbledhin lekë për UÇK, dhe po përgatiten për luftë”! etj.

-Për këtë lëshim- “gabim të madh diplomatik”, -ndaj meje disa herë e pat ngritur tonin lart; -më bërtiste, pa lidhje, ashtu si të isha fëmiu i tij. Mirëpo, as unë nuk ia varja shumë veshin, pasi e dija se ai, nuk merr vesh shumë, në ato punë!...

-E dija se, gjuajtjet e mia me shigjeta në diplomaci në marrëdhëniet me miqtë danezë, vrisnin dhe vrasin larg, -e , këtë, ai nuk e kuptonte! Por, njëkohësisht më vinte keq prej tij, sepse e dija që kishte vuajtur shumë në burgjet serbe.

-Pasi u mora vesh me Bilallin, i njoftova danezët për datën dhe menjëherë i telefonova Shaqir Shaqirit, në Stokholm. E njoftova për këtë aktivitet të radhës, ai burrë, si njeri intelektual dhe patriot që është , e kuptoi drejt qëllimin tim; pastaj e ftova që të vinte dhe ta shoqëronte delegacionin e H. Thaçit. Unë, do ta presë biletën.

-Jo, -tha, ai! -Në Danimarkë vi, me lekë të mia, sepse jam i bindur që, vërtetë ke shumë miq, nëpër institucionet daneze, e të tjera...

Bile, me një rast u tha që z. këtu, ta ndërpresin këtë fushatë ndaj meje, sepse, s”Politika” ka shkruar ashtu, për ndihmë UÇK , ç´është e vërteta; gazetari i “Politikës”, Jens Hltsø , më pyeti: a mblidhni lekë për UÇK?

Po! - Ia ktheva!-Para pak ditësh, mërgimtarët këtu, vullnetarisht i dhanë mbi 1 milion kronor danezë për UÇK.

-Pyetja tjetër ishte; a bleni armë?

Jo! Jo! Sepse, keni ka vendosur embargo ndaj nesh, ndërsa serbët po prodhojnë armë dhe po blejnë sa po munden.

-Por, ne i kemi dhënë përkrahje morale politike dhe ekonomike UÇK-së, kështu vepruam dhe në demonstratat re vitit 1981, ashtu kemi vepruar për ndihma minatorëve , me partitë politike, kur u krijuan me 1990 dhe tani e ka radhën UÇK-ja.

Këtu, për lexuesit po e paraqes letrën që Shaqir Shaqiri ka njoftuar për vizitën e H. Thaçit gjatë asaj kohe në Danimarkë:
“Më 15 qershor të vitit 1999, falë angazhimit të veprimtarëve kosovarë në Danimarkë (mes të cilëve edhe veprimtarit shumëvjeçar, Xhemil Zeqiri), u realizua vizita e kryeministrit të parë të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës, zt. Hashim Thaci, në Danimarkë.
Kjo vizitë u realizua me ftesën e kryeministrit danez, Poul Nyrup Rasmussen me të cilin zt. Thaçi zhvilloi një bisedë të gjatë e të përzemërt.
Kryeministrin Thaçi e shoqëroi Përfaqësuesi Diplomatik i Kosovës në Suedi, dr. Shaqir Shaqiri, kurse kryeministrin Rasmussen një pjesë e madhe e ministrave të qeverisë së tij.
Përveç takimit me kryeministrin danez, zt. Thaçi mbajti edhe një ligjëratë në Institutin e Shkencave Politike dhe dha një intervistë për Televizionin qendror danez.
Ditën e dytë të vizitës së kryeministrit Thaçi në Kopenhagë, kryeministri danez Rasmussen shtroi drekë për delegacionin kosovar. Në këtë drekë pune morën pjesë edhe gjashtë ministrat kyc të qeverisë Rasmussen.
Përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Suedi, zt. Shaqir Shaqiri e përgëzoi zt. Xhemil Zeqiri për angazhimin e tij rreth kësaj vizite dhe për punën e tij të palodhshme shumëvjeçare për çështjen e Kosovës.

Jam i vetëdijshëm që, e zgjata ca më shumë se që kujtoja këtë ngjarje; mirëpo, rëndësi ka fakti të dihet që, atëbotë vizita e H. Thaçit në Danimarkë, pati jehonë të madhe në sferën e politikës shqiptare dhe në qarqe të ndryshme ndërkombëtare .

-Është tejet i habitshëm fakti që, as sot e mot , kryesia e LPK-së, nuk e din që atë takim e kam organizuar unë, Xhemil Zeqiri!!!

-Gjatë një bisede ca të “nxehtë” me Ibrahim Xhemajlin, se, ai “shoku” që “më këshilloi” dhe më tërhoqi vërejtjen për disa gjëra....,ai, më tha dhe një “njoftim” kinse, dikur, Kryesia e fondit ”Atdheu ne rrezik-Vendlindja thërret” paskan dashur të më shpallin si njeri të dyshimtë!!! Tani, këtë e “vërteton” në atë letrën; por, njëkohësisht në atë letër që e ka shkruar “shoku” jonë; -më jep këshilla që të mos shkruaj me emra e të tjera... Prandaj, me atë rast i thashë Ibrahimit, çfarë janë këto akuza pa bazë dhe, -pse nuk më keni treguar?! Ibrahim Xhemajli tani më thotë se, nuk më kujtohet.!!!

-Si mund të akuzohem unë ashtu, kur jam i pari që e kam ndihmuar dhe përkrahur luftën çlirimtare me të gjitha mundësitë; politikisht dhe moralisht dhe ekonomikisht, si njëri ndër veprimtarët më të hershëm këtu në Danimarkë. Këto që i them këtu, shumë lehtë mund t´i argumentoj jo vetëm unë por mund të argumentohen nga të gjithë ata me të cilët kam vepruar. Pastaj, dihet fakti që unë, kisha lidhje direkt me kryetarin e fondit, “Vendlindja Thërret”, të ndjerin Jashar Saliun. Me të kisha së paku 3-4 biseda telefonike çdo ditë dhe si të injorohet tani aq lehtë fakti që: atëbotë, gazetarët danezë me ndërmjetësimin tim; bënin intervista me të; ka dëshmi të forta që, atëbotë kisha lidhje edhe me z. Bardhyl Mahmutin, ish-zëdhënës i UÇK-së, për mërgatën që vepronte në Zvicër dhe më gjerë... Ky, më së miri e njeh si në dritën e diellit veprimtarinë time; dhe, për këtë paraqitje të çoroditur, nga kjo Kryesi e fondit; nuk din asgjë. Nga kjo kujtoj se, ky Ibrahim Xhemajli, sikur pajtohet!...

-Dua të theksojë këtu faktin që, unë as sot nuk e ndali dot, por, -edhe më tutje e vijoj veprimtarinë time me L.V, ua përkujtoj këtu lexuesve, rastin e vizitës të Albin Kurtit në vitin e kaluar në Danimarkë, kur ky djalë trim, u prit nga parlamentarë, qeveritarë dhe gazetarë danezë. Pas kësaj vizite të tij, pas disa muajsh një delegacion danezë e vizitoi Prishtinën, me ç`rast u njoftuan për gjendjen aspak të mirë që po mbretëron atje, përderisa popullit tonë po i mohohet e drejta e VETËVENDOSJES. Ata, u njoftuan gjithashtu, nga L.V, për padrejtësitë e mëdha që po i bëhen kombit tonë nga qarqe të caktuara anti-shqiptare, për persekutimet ndaj Albinit dhe të veprimtarëve të tjerë të L.V; dhe për servilizmin e pushtetarëve të Prishtinës, ndaj UNMIK-ut dhe EULEX-it. Këta, politikanë dritëshkurtër, e bënë lesharapi Kosovën , duke e ricopëtuar përsëri, si në kohën e satrapit Tito, kur titistët e ndanë Kosovën Lindore nga gjiri i Kosovës etnike; me decentralizimin e tyre “famoz”.

-Por, njëkohësisht tani e shtroj pyetjen po këta zotërinj që po më pengonin mua dhe po më këshillonin; çfarë janë duke bërë?

-Këtyre zotërinjve, iu mungojnë veprimtaritë në shërbim të kombit, por, jo nuk iu mungojnë për asnjë çast, rrahagjokset e kota. Unë nuk e harroj faktin kur këta “dai” nga njëra anë rrihnin gjokset me veprimtarinë time, ndërsa, në anën tjetër më thoshin: mos u deklaro ti, se po i bën këto veprimtari, por, kinse po i bën Këshilli i LPK-së, në Danimarkë.

-Mirëpo, me pak fjalë dua të sqaroj lexuesit se, këtij Ibrahim Xhemajlit që, aq shumë iu gjeta pranë në kohë të vështira për shqiptarinë , tani si nuk i vjen turp kur indirekt nuk donë ta pranojë faktin që unë e solla H.Thaçin në Danimarkë; por, kur ia argumentova këtë atij dhe jo vetëm atij; për një çast u zgërdhi dhe u tregua shumë i pacipë kur tha: “ ti, e solle po kush e ka kthyer?!!!

Unë, ia ktheva: “O, djalë i mirë, kryeministrin H. Thaçi e ka ftuar, Shaqir Shaqiri, unë i pata shkruar letër dhe i kërkova që, ky Shaqiri në cilësinë e diplomatit të Zyrës së Kosovës në Stokholm, t´i shkruante kryeministrit danez që të vinte, H.Thaçi në vizitë.

“Pallavra janë këto”! –tha, i revoltuar I. Xhemajli.

-Ndërsa, unë uroj që, tani janë gjallë Ibrahim Kelmendi, Bilall Sherifi, Shaqir Shaqiri, ky i fundit e ka argumentuar me një letër këto ditë; dhe të tjerët mund ta argumentojnë nëse duan dhe nëse nuk kanë harruar! Mirëpo, si thonë, “faji nuk mbetet jetim”, -as kjo “harresë”, nuk mundet të mohohet dot; them kështu sepse, nëse zotërinjtë kanë harruar; unë lirisht mund të shkojë dhe t´i hapi arkivat e Partisë Social Demokrate, e marr një kopje e botoj dhe pastaj do të binden ata, që nuk duan të dinë që, ky takim aq i rëndësishëm ka qenë pikërisht i iniciuar prej meje, ndërsa ju o bukëshkalë po më luftoni dhe akuzoni pa asnjë arsye as fakt konkret se, unë paskam vepruar në dëm të çështjes shqiptare, konkretisht në dëm të “Vendlindja thërret”!!!

Nuk dua të harrojë faktin që t´i njoftoj lexuesit, përse mua dhe shumë bashkëveprimtarëve të mi; kaq shumë iu drejtohen sulmet dhe kritikat qyqare nga disa prototipa ish- udhëheqës apo anëtarë të LPK-së sonë të lavdishme. Padyshim, për asgjë tjetër vetëm e vetëm; për “mëkatet” e tyre, që, as sot nuk po pajtohen dot, me prapakthimet që politikanët e sotëm e sollën Shqipërinë Etnike.

5. Cila Parti, Lëvizje apo Organizatë , që vepron sot në trojet shqiptare, konsideroni që, po vepron, - sipas motos ” nga fjalët në vepra”, me cilën prej tyre jeni i angazhuar pa rezerva?

Padyshim, Lëvizja Vetëvendosje, është një ndër Lëvizjet më të ndritura me një strategji të qartë, me një platformë shumë të kuptueshme për popullin shqiptar dhe një sfidë e fortë për armiqtë popullit tanë. -Është Lëvizje që ka arsyetuar dhe argumentuar publikisht, dhe botërisht idenë për ribashkim kombëtar. Personalisht, këtu në këtë Lëvizje kam gjetur veten, ( bashkë me Ty i nderuar vëlla ideali, Fadil) që prej fillimit të veprimtarisë së saj.

-Sa për ilustrim për lexuesit po e jap një fakt: më dat. 24 shkurt 1997 me një letër të hapur i drejtohem ministrit të punëve të jashtme të Danimarkës, Niels Helveg Petersen; me pyetjen: -Përse popullit shqiptar nuk I lejohet e drejta e vetëvendosjes ?!
Ajo letër u botua nga disa gazeta të përditshme këtu në Danimarkë. Këtë letër e kam botuar edhe në librin tim: “Në mbrojtje të diplomacisë shqiptare”, Prishtinë, 1985 faqe, 185.

-Pra, këtë kërkesë tonë tejet të ligjshme, e kam shprehur kurdoherë; në intervistat e mia , qoftë edhe në shkrimet për shtypin danez.

Këtë ide e kam theksuar shpesh dhe natyrisht që, shumë kishte dhe ka përkrahje; mirëpo, ky zë sado I fuqishëm por, “i vetmuar” në mërgim, sikur ngritet kot; përderisa politikanët tanë atje në Shqipërinë tonë, nuk e ngritin fuqishëm këtë kërkesë, para faktorëve me peshë në qendrat e vendosjes. Mirëpo, pafundësisht ende janë duke bërë politikë të marrë….

6. A jeni krenar apo jeni i zhgënjyer ndaj kësaj veprimtarie rreth 30 vjeçare?

-Po, si të të them: -kurrë nuk pendohem, por edhe krenar, jo se jo!

-Them kështu, sepse nuk e arritëm atë fitore që e dëshironim, Ribashkimin e kombit, ende nuk e arritëm as të drejtën e popullit shqiptar të vendosë për fatin e vet, pra që, me Referendum t´ i jepet e drejt apo të pyetet populli se, a donë të ribashkohet apo të ngelë kështu i ndarë dhe i përçarë si mos më keq.

-Sa për dëshpërim natyrisht se, jemi të dëshpëruar jo nga armiqtë, sepse, ata po luftojnë për interesat e veta, por, dëshpërohem kur kujtohem; po ne, çfarë jemi duke bërë?!

-Personalisht, kam vepruar në kuadër të LPK-së, dega në Danimarkë, dhe në fillim si të themi; - të legalizimit pati shumë te interesuar që te anëtarësohen bile patëm mjaft anëtar,dhe ishin mjaft te interesuar te jen aktiv. Aty, u formua dhe një Këshill që do merret dhe me organizatat daneze ,me gazetaret e të tjera. Në atë kohë nuk pranonin të bëhet kryetar ata që kishin vota me shumë dhe vullnetarisht pranoi, A .Kasami ndërsa, Ibrahim Xhemajli nuk pranoi të merrte postin e kryetarit.

-Unë, dëshiroja të kryhen punët që kishin të bënim me informimin e opinionit danez. Në Këshillin që u krijuar menjëherë filloj aktiviteti dhe natyrisht që, pati suksese, por siç e kam theksuar dhe më parë në shkrimet e mia, se për çudi; -udhëheqësia e LPK-së, i sabotonte aktivitet dhe në një mbledhje kërkova që , t´ i kemi vulat e degës së LPK-së, në Danimarkë; -por, në atë kohë Abdilhalim Kasami i sabotoi dhe ato u blenë me lekët e mia, duke thënë se: ” si duket, ti nuk e kupton rolin, sepse i ke ngatërruar postet, - unë, jam kryetar ”

-Kam dëshmi të mjaftueshme se jam përpjekur që t´ i ndihmoi, por këto ishin të kota, çdo përpjekje bile kam përshtypjen se, edhe Ibrahim Xhemajli sikur frikësohej , apo sepse, kurdoherë e merrte me inate me mua; bile, shpeshherë i ndërpritesha marrëdhëniet me të -mirëpo, kur dëgjoja se do lëvizin me ndonjë aktivitet, gëzohesha dhe iu ndihmoja.

-Kujtoj , do ishte mirë të kemi një debat të hapur, por si duket këta zotërinjtë, as që kanë kurajën për këtë, mundësi.

-Në fakt, unë jam i gatshëm ta bëjë këtë, me secilin prej këtyre që dëshiron, sepse kam mjaft dokumente, bile, shumë argumente që ende s´janë të botuara.

7. A konsideroni se keni bërë mjaft për çështjen kombëtare?

Jo, kurrë nuk jam i kënaqur se kam bërë , për aq sa kam dëshiruar dhe sa do të dëshiroja!
Personalisht, jam përpjekur t´u qëndroja besnik dy parimeve:
a. Motoja ime ishte dhe ka mbetur e patundur se, unë duhet të bëj për Shqipërinë dhe jo Shqipëria të bëjë për mua”! –
b. Pastaj, me këtë rast të kujtojmë të madhin atdhetar, Sulejman Vokshin , i cili ka thënë para gjyqit se: “Edhe tri jetë t´i kisha të tria, do t´i jepja duke luftuar për Shqipërinë, në luftë kundër pushtuesve turq”!

-Tërë kohën, që nga viti 1981, që jam në Danimarkë, jam përpjekur që, -jo vetëm njerëzit, -por edhe gurët – t´ i vë ne lëvizje për çështjen kombëtare, sa e sa herë kam ber përpjekje të bashkëpunojë me shqiptarët; mirëpo, mjerisht që në Danimarkë shumë herë më kanë penguar, nervozuar por, kjo më ka kushtuar shumë edhe ekonomikisht.

-I bënin ato pengesa me qëllim që t´ më dëshpëronin, apo ishin të nxitur nga armiqtë që tentuan dhe tentojnë dhe sot; ta bllokojnë veprimtarinë time në fushën diplomatike, nuk e kuptoi as sot e kësaj dite.

-Mos ishin dhe janë të nxitur nga të tjerët?

-Thua, i nderuar: - Mos ishin dhe janë të nxitur nga të tjerët?!

-Lëri ore, të tjerët!

-Për këtë, ata e dinë, më së miri nga kush!

-Por, për fatin e keq dhe vet udhëheqësit e këshillit të LPK-së, në Danimarkë - bile me kanë kërcënuar në një mbledhje siç ndodhi prezencën e Ibrahim Kelmendit, kur me atë rast, Ibrahim Kelmendi e ndërpreu Këshillin duke u thënë se, në Danimarkë nuk ka Këshill të LPK-së. As atëherë, e as deri tani Ibrahim Xhemajli nuk është distancuar nga ato kërcënime që u drejtuan kundër meje!

-Unë, e kuptoj qëllimin tinëzar të tij: Ky z. “i qetë”, e babaxhan, nuk dëshiron të prishet në shoqëri me askë, nuk donë të ketë pasoja, të çfarëdo natyre; -i vjen me mirë të pasivizohet siç ka qenë pasiv dhe pastaj të rrahë gjoks se sa punë ka bërë në Danimarkë.

Unë, personalisht i kuptoi fort mirë edhe aktivistët që kanë qenë të përkushtuar, sepse injorimi dhe përbuzja e aktivistëve, -këta të dytët janë dëshpëruar dhe janë izoluar dhe e them përsëri se, i kuptoi se vështirë e kanë.

–Por, prototipat si Ibrahim Xhemajli që nuk marrin së paku një nismë dhe natyrisht që, pastaj nuk kanë pse të gabojnë.

-Pra, sipas motos: “Ky e ka pas mirë, Ky e ka pas mirë, këtij “notuesi” në ujëra të qeta; po i shkon fort mirë “notimi”; - edhe me LPK-në, edhe me LDK-në, edhe S. Berishën dhe me I. Metën, vërtetë , ngjason me një tip kameleoni.

8. Po, përkrah teje a keni bashkëmendimtarë, -më shumë në mërgim, apo lidhjet i mbanë më shumë me veprimtarët në atdhe?

-Natyrisht, kam shumë bashkëmendimtarë, kjo me jep forca, për të mos u ndalur deri ne fitoren përfundimtare.

-Jo vetëm në Shqipërinë Londineze, por, edhe në Kosovën Heroike, në Iliridë të tjerë kam dhe mbaj kontakte të rregullta me intelektualë dhe organizata të ndryshme. Por, dhe në Evropë dhe më tej nëpër botë ,kontaktet nuk mungojnë. Do të dëshiroja të përkujtoja këtu një aktivitet, fort me rëndësi: këtej nga Danimarka, atje në Tetovë organizova një Tryezë -debatuese për te madhin politologun tonë, Ukshin Hoti. Hiç më pak se, 15. 000 kronorë danezë, ia dërgova Shoqatës të Burgosurve politikë, që këta, të mbajnë këtë tryezë dhe aty ishte dhe një përfaqësues i “PENIT”, ishte shkrimtar daneze -internacionale dhe mbajti fjalim, pastaj pati një shkrim shumë të fortë në gazetën daneze në “Fri Aktuelt”.

-Pra, jo vetëm në Danimarkë, por dhe ne atdhe jam përpjekur të veprojë. Me lekët e organizatave qeveritare daneze. Pastaj, kam financuar disa revista, që kanë kushtuar rreth 15. 000 kronorë danezë. etj.

I nderuar, atdhetar!

-Ishte vërtetë kënaqësi biseda me ty, uroj që ta arrijmë fitoren e madhe, Ribashkimin kombëtar, për të cilën kemi bërë dhe po bëjmë përpjekje!

-Gjithashtu! Nderimi qoftë mbi veprimtarët e lirisë dhe të ribashkimit, e në veçanti nderim dëshmorëve të atdheut!

Intervistoi: Fadil SHYTI

Kopenhagë, 17. Korrik, 2010


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 66 vizitorë
Lexuar: 2,590 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi