| Përgjigjja e Ministres së Administratës Publike |
| Publikuar më 26 korrik, 2010 në orën 23:03 ( ) |
Abdullah Prapashtica | Opinion | |
|
|
|
Përgjigjja në Përgjigjeje, në: “ Letër Ministres së Administratës Publike, Edita Tahiri “ – 20 06.2010
Mbi fatin e mërgimtarëve nuk munden të hartohen as të zbatohen ligje pa mërgimtarët
(insert nga përgjigjja e Ministrsë së Administratës Publike - Data: 22.07.2010 - 08:37:49 në “ Letër Ministres së Administratës Publike, Edita Tahiri të 20 06.2010 në temën e regjistrimit të populsisë në emigracion)
"...I nderuar z. Abdullah Prapashtica,
Po ju shkruaj në emër të Ministres së Ministrisë së Administratës Publike, znj. Edita Tahiri.
Ne e kemi pranuar letrën tuaj, me titull “Kush po ua ndalon mërgimtarëve pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë?”, drejtuar Ministres znj. Edita Tahiri.
Pasi e lexuam me kujdes letrën dhe shqetësimet tuaja të përmendura në letër, ju përgjigjemi me sa vijon:
Regjistrimi i Popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave në Republikën e Kosovës është njëri nga projektet më të rëndësishme që po planifikojnë ta zhvillojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo, për faktin që e keni cekur edhe ju, se ka një vakum tejet të gjatë, prej gati tre dekadash. Kjo ka ndikuar që ne të mos e dimë numrin e saktë të qytetarëve të Kosovës dhe aspekteve tjera që ndërlidhen me të. ....
....
Duke ju falënderuar për letrën tuaj, ju ftojmë që ta mbështesni këtë proces, duke e dhënë kontributin tuaj.
z. Dren Zeka
Këshilltar kryesor politik i Ministres
Ministria e Administratës Publike
Qeveria e Republikës së Kosovës..."
____________________________________________________________________
Përgjigjeje për
z. Dren Zeka
Këshilltar kryesor politik i Ministres
Ministria e Administratës Publike
Qeveria e Republikës së Kosovës
I nderuar zotëri! z. Dren Zeka,
Ju falënderohem për letrën tuaj dhe për përpjekjen tuaj që të përgjigjeni në çështjet që i kam shtruar në letrën time publike, drejtuar Ministres znj. Edita Tahiri .
Nga përgjigja e juaj e pash se pajtohemi sëbashku me atë sa ju përket shkaqeve dhe motiveve pse regjistrimi i popullsisë në Kosovë është shtyre nga viti 1981 e deri me 2011.
Të them në fillim se nuk e kam të qartë pse përgjigjen e nënshkruani ju , pasi supozoj se Ministrja znj. Edita Tahiri, din shkrim-lexim. Për këtë nuk po ju fajësoj juve, sepse ju keni bërë detyrën që ju ka dhënë Ministrja znj. Edita Tahiri, apo qeveria. Prandaj edhe kjo përgjigje e imja nuk ka të bëj me juve, por me Ministren, znj. Edita Tahiri dhe me qeverinë!
- Së pari të them se letra ime nuk ka qenë për zgjedhje të çështjeve të mija personale, por për çështje me interes nacional, ku i shoh edhe interesat e mija personale e familjare si pjesëtar të këtij populli. Prandaj ju sugjeroj që atë ta analizoni edhe një herë.
- Fjala është për 1/3 e popullit shqiptar që është në mërgim me punë, dhe
- kufizimi kohor prej 1 deri me 15 prill 2011 është jo real dhe me tendenca negative për Kosovën, andaj atë duhet ndryshuar sa ju përket mërgimtarëve. Mërgimtarët mund të regjistrohen me një afat të zgjeruar e fleksibil brenda një viti, kur ata vijnë në pushim ose përmes të internetit.
Desha t'ua bëj me dije se përfundimisht duhet ta heqni nga mendja se mërgimtarët mund të trajtohen në mënyrë arbitrare, burokratike e diskriminuese si deri me tani. Ata janë pjesë e kombit dhe atdheut dhe i kanë të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi në shtetin e vet. Mbi fatin e mërgimtarëve nuk mund të hartohen as të zbatohen ligje pa mërgimtarët.
- Prandaj, edhe propozova që të hapet diskutimi mbi krijimin e Ministrisë për Integrim Kombëtar dhe të Ministrisë për Emigracion të cilat do të merren me të gjitha çështje specifike rreth integrimit kombëtar dhe emigracionit. Ndoshta do të jetë e detyrueshme që mërgimtarët të organizohen në një Subjekt (parti) Politik që të marrin fatin në duar të veta që më të mos lejojnë të diskriminohen si deri me tani!
Më duhet të them se në këtë përgjigjeje të ministrisë tuaj nuk morra përgjigjeje të qarta për çështjet e shtruara në letrën time!
Të them menjëherë se është pritë dhe pritet nga kjo Ministri që të emërojë ata që janë përgjegjës, nga përbërja e kaluar e Ministrisë së Administratës Publike, pse u shty regjistrimi nga 1999 deri me 2011. Ata të sjellën para përgjegjësie juridike e politike dhe ndaj tyre të ndërmerren masa që së paku kurrë më të mos kenë rast të vazhdojnë me diversione e sabotime të tilla. Në të kundërtën edhe pse kjo ministri e kjo qeveri aktuale nuk ka faje, do të bëhet bashkëpjesëmarrëse në përgjegjësinë e tyre!
Duhet ta dini se detyra:
- e parë e çdo shteti është regjistrimi i popullsisë, dhe detyra e
- dytë pastaj është organizimi i zgjedhjeve të lira demokratike, sepse vetëm atëherë dihet numri i banorëve me të drejtë pjesëmarrje në zgjedhje e votime dhe përqindja e votave të fituara te secilit subjekt.
- Subjekti që i fiton zgjedhjet merr mandatin legal edhe
- për hartimin e akteve juridike të cilat pastaj i miraton populli në referendum, dhe kështu e kemi një rrjedhje normale të funksionimit të shtetit.
Kjo nuk ka ndodh në Kosovë prandaj, nuk ka as legjitimitet të mirëfilltë të mandatit të institucioneve dhe as të akteve që këto institucione i kanë sjell dhe miratuar vet, pa pjesëmarrjen e popullit dhe nën trysninë e sundimit të huaj. Kjo tregon se institucionet dhe liderët e pas 1999 nuk kanë qenë serioze dhe kompetentë për të realizuar detyrat e veta ndaj shtetit dhe popullit.
Pos temës së regjistrimin të popullsisë, unë i kam shtruar edhe disa çështje konkrete që kanë të bëjnë me këtë Ministri dhe natyrisht se secila nga ato kërkon përgjigje konkrete. Do të kishit bërë mirë që ato çështje konkrete të trajtohen publikisht në Kuvendin e Kosovës, sepse ato mund të zgjidhen, dhe të mos lejohet anarkia e plaçkitja e tillë e administratës të dokumenteve personale, plaçkitja e mërgimtarëve nga mafia e sigurimeve të automjeteve, për automjete me sigurim të paguar ndërkombëtar dhe mbi kontrollin e çmimeve plaçkitëse të agjensive turistike që është kah ndodh me lejen dhe pjesëmarrjen e shtetit. A dini ju se sa i kushtojnë të gjitha këto plaçkitja një familjeje mërgimtare? A jeni ju të interesuar që mërgimtarët të kenë sa më pak interes për të ardhur dhe për të investuar në vendin e vet? Ku qon kjo politikë diletante shkurtpamëse?
- Konkretisht taksat plaçkitëse “urgjente” për nxjerrjen e dokumenteve për mërgimtarët duhet anuluar në tërësi dhe zyrat për mërgimtarë të funksionojnë me urgjencë si në kohën e UNMIK-ut kur kjo taksë nuk ka ekzistuar.
- Bandat e mafisë së plaçkitësve e sigurimeve për automjete të mërgimtarëve, me sigurim të paguar ndërkombëtar, duhet të hiqet nga doganat menjëherë. Sepse me këtë po shkelet e drejta ndërkombëtare e komunikacionit dhe të drejtat e njeriut! Ky diskriminim nuk bëhet për Serbi, por bëhet vetëm ndaj mërgimtarëve shqiptarë!
- Që çmimet e biletave të udhëtimit të mafisë të plaçkitësve agjensive turistike të vihen në kontroll, që ato të jenë me standardet evropiane. Sepse më shtrenjtë kushtojnë biletat për Kosovë apo nga Kosova për në vendet e Evropës, se sa biletat për të shkuar në SHBA. Shteti e di mirë se si duhet me u sjell me ata që i thyejnë rregullat e tregut të lirë dhe që kalojnë në anarki!
Ju në tërë letrën tuaj me çështjen regjistrimit të popullsisë merreni vetëm një herë kur thoni:
“...Ministrja znj. Edita Tahiri, gjatë takimeve që ka realizuar lidhur me çështjen e regjistrimit e ka deklaruar vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të pasur një regjistrim të standardeve ndërkombëtare, por ka theksuar çështjen e mërgatës, si specifikë e shtetit tonë të ri dhe si pasojë e rrethanave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë...”.
Së pari, regjistrimi i popullsisë nuk ka pse të varet nga “standardet ndërkombëtare”, sepse po supozojmë se më nuk jemi koloni e UNMIK/EULEX-it, por vend që deklaron se është shtet i pavarur. Pra, “standardet ndërkombëtare” mund të merren si variantë e mundshme, por jo si diktat!
Ju thoni se “...Lidhur me këtë, në plotësim ndryshimet e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë , i cili pritet të miratohet nga Kuvendi së shpejti, është paraparë që fletëregjistrimit t’i bashkëngjitet një listë suplementare, në të cilën familjarët në Kosovë deklarohen për anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit. Kjo është parë si një zgjidhje e pranueshme për rrethanat specifike të Kosovës, pa shkelur standardet ndërkombëtare...”! Deri kur më me diktatin e “standardeve ndërkombëtare” për çështjet që i përkasin vetëm jetës së brendshme të Kosovës!? Deri kur më me mentalitetin e robit?
Ky “...plotësim ndryshimet e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë..” në vend se t'i regjistrojë mërgimtarët si anëtarë të familjeve brenda vendit, ai parasheh që“... familjarët në Kosovë të deklarohen për anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit...”! Ndërsa për serbët kolonistë vlen e kundërta! Ata mund të regjistrohen në Kosovë edhe nëse kurrë nuk kanë qenë në Kosovë!
A nuk është kjo vazhdim i tentativave për zvogëlimin e numrit dhe për pastrimin etnik të shqiptarëve, të filluar në kohën e Serbisë. Ai që e ka hartuar këtë “plotësim” me siguri se nuk është shqiptar, por ndonjë ndërkombëtar pro sllavo-grek! Kjo është një zgjidhje e pa pranueshme për rrethanat specifike të Kosovës, dhe i shkel rënd standardet ndërkombëtare! Sepse askund në botë nuk mundet një shtet të heq dorë nga 1/3 e popullsisë së vet, siç po provohet me këtë Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, i cili ku me ditës se me çfarë manipulimesh serbe ka ardhur me paketë të Ahtisarit në Kosovë.
Unë bëra përpjekje që të komunikoj me respekt me këto institucione aktuale, ashtu çfarë janë, me gatishmëri që të bashkëpunojë në të mirën e përgjithshme, sepse konsideroj se vendi ka nevojë për angazhimin e secilit shtetas të vet. Gjuha e drejtë, e ashpër dhe e sinqertë mbase do të ndikojë në zgjimin nga amullia e improvizimeve kuazi shtetërore, që më në fund seriozisht të merremi me bërjen e shtetit. Besoj se me këtë angazhim publik jam duke dhënë kontributin, dhe se kjo është mbështetja e ime më e mirë e këtij procesi.
Me konsideratë të lartë!
Abdullah Prapashtica
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 34 vizitorë |
| Lexuar:
2,029 herë
|
|
|
|
|
|
|