|
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi të mërkurën kundër bastisjes nga ana e EULEX-it të shtëpisë së ish-komandantit të UÇK-së, Azem Syla.
“Të indinjuar e të pakënaqur me këto veprime të padrejta, ne konsiderojmë se këto janë shkelje të dinjitetit të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së”.
“Kjo bastisje e bërë me akuza të fabrikuara nga njerëz me të meta mendore, si dhe në koordinim me Prokurorinë e Serbisë, tregon se ky mision ka degraduar plotësisht, në një mision të njëanshëm dhe si i tillë është i panevojshëm për Kosovën”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së të nënshkruar nga kryetari Muharrem Xhemajl
Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e EULEX-it ka bastisur të mërkurën shtëpinë e ish komandantit të UÇK-së, Azem Syla. Kjo bastisje është e lidhur me hetimet në rastin Bllaca. Në njoftimin e EULEX-it thuhet se bastisja është autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Pas përfundimit të bastisjes të shtëpisë së ish komandantit të UÇK-së, Syla i është dorëzuar ftesa për të u paraqitur në Prokurorinë Speciale, një javë nga data e dorëzimit të ftesës.
|