|
TIRANE- Kanë mbërritur nga Italia 3 dëshmi për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, 15 vjet më parë.
Letërporositë me dëshmite e ish-punonjësve të ish Shërbimit Informativ Kombëtar ( sot SHISH) të Lezhes janë paraqitur në seancën e sotme në procesin gjyqësor në ngarkim të 4 të pandehurve për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.
NEWS24 bën të ditur se ende nuk dihet përmbajtja e 3 dëshmive pasi leterporositë kanë ardhur në gjuhën italiane. Trupi gjykues kërkoi thirrjen e një përkthyesi në mënyrë që të ketë mundësi të njihet me përmbajtjen e 3 dëshmive. Bëhet fjalë për dëshminë e shefit të SHIK të Lezhës, në kohën kur u torturua dhe u zhduk Remzi Hoxha si dhe të ciftit Flora dhe Gjokë Hasanaj, punonjës të SHIK në bazën Vain të Lezhës, ku u mbajt u torturua dhe më pas u zhduk ka lënë gjurmë biznesmeni shqiptaro- maqedonas. Në seancën e sotme nuk është dhënë asnjë inforrmacion në lidhje me letërporosinë që autoritetet shqiptare duhet të dërgonin në Kosovë për të pyetur shtetasin Avdyl Loshaj, I rrëmbyer dhe ky në tetor 1995 bashkë me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin.
Të pandehur në Për “torturimin” dhe “rrëmbimin me pasoja të rënda” për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, janë të akuzuar Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK në Drejtorinë Qendrore, Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit. Arben Sefgjini ndodhet në Tiranë dhe në gjyq përfaqësohet nga avokat mbrojtës.
I pandehuri Ilir Kumbaro jeton në Angli. Pak ditë më parë ai u arrestua me një urdhërarrest ndërkombëtar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në Tiranë. Ndërsa më dy shtator Gjykata e Apelit në Britani vendosi ta lërë të lirë pas pranimit të garancisë pasurore të lënë prej tij prej 10 mijë paund.
Familjarët e Remzi Hoxhës vazhdojnë bëjnë apel për të gjetur eshtrat e njeriut të tyre si dhe ndjekin me vëmendje procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda që prej majit 2008.
(s.g/BalkanWeb)
|