Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DITA E FLAMURIT – 28 NËNTORI
Publikuar më 26 nntor, 2010 në orën 23:22 ( ) Ramadan PLLANA | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Fjala e mbajtur, për nder të 28 NËNTORIT – DITËS SË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHTETIT SHQIPTAR, më 26 nëntor 2010 në Gjenevë).

Demonstrues para Selisë së OKB-së në Gjenevë në vitet e 90-ta
Të dashur motra e vëllezër,
Të dashur veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashur familjarë të dëshmorëve,
Bashkatdhetarë të nderuar, të të gjitha trojeve etnike shqiptare,

Së pari ju përshëndes, në emër të grupit nismëtar për këtë festë kombëtare, veprimtarëve të dëshmuar për çlirim e ribashkim kombëtar, si dhe në emrin tim personal, duke ua uruar nga zemra, të gjithëve :

GËZUAR 28 NËNTORIN: DITËN E FLAMURIT DHE TË PAVARËSISË!
GËZUAR 29 NËNTORIN, DITËN E ÇLIRIMIT TË SHQIPËRISË!
GËZUAR DITËLINDJEN E KOMANDANTIT LEGJENDAR, ADEM JASHARI!
GËZUAR TREMBËDHJETËVJETORIN E DALJES PUBLIKE, PARA POPULLIT, TË UÇK-së!


Sot, për të gjithë shqiptarët, kudo që gjenden, festojnë pa dallim feje, ideje e krahine, sepse, kjo është ditë feste gjithëkombëtare, ditë gëzimi e krenarie, ditë e shënuar me shkronja të arta, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, ku plaku i urtë Ismail Qemali ngriti Flamurin Kuq e Zi, me shqiponjën dykrenore. Në këtë ditë të bardhë, pas shumë e shumë përpjekjesh të pandërprera, me pushkë e pendë, ndër shekuj, u ringjall qenja jonë kombëtare, populli ynë ringjalli historinë, ringjalli të ardhmen tonë, ringjalli synimin për ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri Etnike. Bashkë me Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin, do t’i kujtojmë gjithë heronjtë e e heroinat; dhe dëshmorët e dëshmoret tona, do t’i kujtojmë të gjithë ata dhe ato që kontribuan për mbrojtjen, për çlirimin dhe për ribashkimin kombëtar. Figura të paharruara në shekuj, si: Teuta e Agroni, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Abdyl Frashëri e Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni e Mic Sokoli, Haxhi Zeka e Isa Boletini, Ismail Qemali e Hasan Prishtina, Bajo e Çerçiz Topulli, Dedë Gjo Luli e Tringë Smajli, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, Azem Bejta e Shotë Galica, e shumë e shumë patriotë të tjerë të të gjitha trojeve etnike shqiptare. Këto figura shembullore të paharruara në kujtesën tonë kombëtare frymëzuan e frymëzojnë gjithmonë gjenerata të reja duke mbajtur të gjallë ndjenjën, dashurinë dhe vetëdijen kombëtare.
Kurdoherë, do ta kujtojmë edhe heroin tonë të pavdekshëm, Komandantin legjendar Adem Jasharin, dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së heroike. Adem Jashari nuk e ka njohur vdekjen, ai ka vetëm një Ditëlindje - 28 Nëntorin 1955 - Ditën e Flamurit!
-Të dashur motra e vëllezër, bashkatdhetarë të nderuar,
Edhe pse u shpall Pavarësia, më 28 Nëntor të vitit 1912, në Vlorën heroike,çështja jonë kombëtare nuk u zgjidh. Më tepër se gjysma e Atdheut mbeti nën pushtimin e serbëve, grekëve, malazezëve e sllavomaqedonasëve. Armiqtë tanë shekullorë, mbi popullin shqiptar ushtruan dhunë, gjenocid e shfarosje; në Toplicë, në Kosovë, në Malësinë e Madhe, dhe në Çamëri.
-Gjysma e kombit u vra, u shpërngulë e u largua nga trojet e veta stërgjyshore. Një fatkeqësi të tillë, të dëbimit e ikjes nga dhuna e patëm edhe që jemi në mërgatë, në shtetet e zhvilluara perëndimore. Mërgata shqiptare kurrë nuk e harroi Atdheun e vet, por, kurdoherë u organizua, luftoi, me pushkë e pendë për ta çliruar e ribashkuar Shqipërinë Nënë, që t’ ia bashkoi bijat e veta, Kosovën, Çamërinë, Iliridën, Malësinë e Madhe; Ulqinin, e Kosovën Lindore, të cilat iu kishin marrë me të padrejtë, dhe, fatkeqësisht, edhe sanksionuar nga Kongreset legale e traktatet e fshehta, Shën Stefan,Berlin, Londër e Versajë, etj. Në çdo përvjetor të ditës së Pavarësisë u kujtua, si në Atdhe, u përkujtua e do të përkujtohet përgjithmonë ngritja e Flamurit shqiptar, kur Skënderbeu e ngriti në Krujë, më 1443,përkujtohet me mburrje e krenari shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912, dhe kujtojmë e festojmë daljen publike, para popullit, të UÇK-së heroike, më 28 Nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës, datë që simbolizonte Ditën e Flamurit e të Pavarësisë si dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. Me luftën heroike të UÇK-së dhe me ndihmën e forcave të NATO-s, do të shporret edhe okupatori shekullor serb nga kjo pjesë e Shqipërisë Etnike. Këtë zinxhir flakadan kombëtar do ta kurorëzojë me shkronja të arta plejada e Epopesë së lavdishme e heroike e UÇK-së, emrat e të cilëve janë me qindra e qindra nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe mërgata ia fali Atdheut dëshmorët e vet, qysh nga pishtarët e bashkimit të forcave organizative në mërgatë, me të tre yjet e pashuara, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Nën udhëheqjen e tyre do të organizohen me dhjetëra demonstrata e protesta anembanë Evropës. Edhe bashkëveprimtarët e tyre do të organizojnë pandërprerë demonstrata për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, sidomos do të shquhen për ndihmën e luftës nëpërmes Fondit « Vendlindja Thërret ». Me këtë rast vlen të theksohet se nga 19 Maji deri me 2 qershor të vitit 1990, LPRK-ja, organizoi demonstratat më të mëdha në Gjenevë. Ato zgjatën dy javë pa ndërprerje. Ditën e fundit morën pjesë 100 mijëmërgimtarë. Nga protestuesit, OKB-së iu dërgua një peticion për njohjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi me 26 mijë nënshkrime. Lejën për këto demonstrata nga policia Zvicerane e kishte marrë veprimtari Basri Misini, bashkë me Fazli Veliun, udhëheqësin e atëhershëm të LPRK-së. Demonstruesit, ishin veshur me ngjyrë kuq e zi, me besa-besë, me plot flamuj kombëtar, këto demonstrata kishin qenë shumë dinjitoze, pa asnjë problem.

VETËM RRETH FLAMURIT KUQ E ZI, ME SHQIPONJËN DYKRENORE TË BASHKUAR, MUND TA BËJMË SHQIPËRINË E RIBASHKUAR!

"Rreth flamurit të përbashkuar
Me nje dëshirë e një qellim
Të gjithë atij duk' j' u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim."


-Ashtu siç shkruan Asdreni në poezinë e vet “Betim mbi Flamurin” duhet të mendojnë, të frymojnë e të punojnë të gjithë shqiptarët, kudo që gjenden.
Politikanët e sinqertë, parlamentarë, nga partitë e majta dhe të djathta, mbarë populli, intelektualët atdhedashës, gazetarë e subjekte të varura e të pavarura, duhet ta dinë të gjithë se pa i lënë bindjet subjektive, individuale, të një partie, si dhe interesat personale nuk mund të ecim si duhet kah bashkimi kombëtar, megjithëse, kjo rrugë është e pashmangshme, derisa, të jetë populli ynë i pranishëm në këto troje, dhe i gjallë në Ballkan. Them këtë, sepse vetëm kështu mund të reflektojnë politika e diplomacia shqiptare në bashkëpunim me diplomacinë ndërkombëtare, në radhë të parë me SHBA-te e Unionin Evropian, duke u bazuar në të drejtat e popujve për Vetëvendosje.
Një Referendum për Vetëvendosje, për një Shqipëri Etnike do të jetë e vetmja e drejtë natyrore, politike, juridike e diplomatike, e drejtë e cila është e sanksionuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara. Kjo aspiratë e kombit duhet të kërkohet e të realizohet patjetër.
Vetëm kështu të bashkuar, duke dhënë betimin para flamurit do të ecim përpara dhe dita e ngadhënjimit të Shqipërisë Etnike dhe ajo ditë e kam bindjen e patundur se, do të vijë e sigurt!
RROFTË 28 NËNTORI – DITA E FLAMURIT KOMBËTAR!
RROFTË FLAMURI YNË KUQ E ZI ME SHQIPONJËN DYKRENORE!
RROFTË POPULLI SHQIPTAR!

Ramadan PLLANA

Gjenevë, më 26 nëntor 2010


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Ramadan PLLANA
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 249 vizitorë
Lexuar: 17,598 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi