Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me çështjen e bisedimeve të kosovës me Serbinë
Publikuar më 07 mars, 2011 në orën 14:49 ( ) Lajme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Nuk është problemi që bisedimet e paralajmëruara nuk kanë agjendë, por që agjenda e bisedimeve nuk është publike. Nuk do të ishte e mundur të thuhej që bisedimet nisin nesër, pra me 8 mars, sikur të mos dihej fare agjenda. Agjenda dihet, por ne nuk e dimë atë, ne si qytetarë dhe si deputetë.

Agjenda e bisedimeve po mbahet fshehtë në mënyrë që bisedimet të nisin mbarë përkundër agjendës së mbrapshtë. Agjenda e këtyre bisedimeve i sillet rrotull 6 Pikëshit famëkeq të Ban Ki-moon-it prandaj edhe mbahet e fshehtë. Këto bisedime e cenojnë vetë qenien tonë sepse Kosova është edhe palë në bisedime por edhe temë e bisedimeve.

Bisedimet u pranuan pa u biseduar fare për to. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u emërua si kryenegociatore pa vendim zyrtar a institucional për bisedime dhe pa debat publik e parlamentar. Për çështje si këto jo vetëm që duhet të vendos Kuvendi por është shumë normale që të organizohet edhe referendum gjithëpopullor.

Gatishmëria për bisedime nënkupton gatishmëri për kompromis. Lehtësia me të cilën Qeveria e Kosovës i ka pranuar këto bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh, paralajmëron lehtësinë me të cilën ajo do ta pranojë kompromisin në fund. Për çkado që Qeveria e Kosovës do të bisedojë me Serbinë ajo do të pranojë që ajo gjë nuk i takon Kosovës, që ajo çështje është e diskutueshme. Me këto bisedime nuk do të gjejmë përgjigje për pyetjet, por çështje të brendshme të Kosovës do të vihen në pikëpyetje.

Pavarësia formale e Kosovës njëmend na solli shumë pak si shtet, por me këto bisedime pa agjendë publike dhe me një kryenegociatore pa platformë për negociata gjithçka është e rrezikuar. Agjenda përcakton se çka është e negociueshme dhe çka është e panegociueshme. Duke e mbajtur agjendën të fshehtë, Qeveria e Kosovës na e ka dëshmuar që e vetmja gjë e panegociueshme për të janë vetë negociatat.

Me këtë mënyrë të të bërit politikë, Republika e Kosovës nuk është më Republikë parlamentare por është Republikë qeveritare. E, nëse politika e Republikës vazhdon të mbetet pa Parlament atëherë edhe qeveria e shtetit shpejt do të mbetet pa Republikë.

Këta qeveritarë kanë deklaruar se do ta përfshijnë edhe opozitën e shoqërinë civile në bisedime me Serbinë. Së pari, ata po orvaten që ta shmangin vëmendjen nga bisedimet e pranuara te biseduesit ende të papranuar. Dhe, së dyti, ata duan ta mbajnë pushtetin për vete e ta ndajnë fajin me gjithë të tjerët. Problemi me këto bisedime nuk është te përfaqësimi i pamjaftueshëm në bisedime por te pronësia e pamundshme mbi këto bisedime.

Ne s’jemi të lirë që të bisedojmë lirshëm me Serbinë. Serbia është shtet me ushtri e polici të veten dhe me institucione shtetërore që janë sovrane pa instanca ndërkombëtare mbi kokën e tyre. Kurse në Kosovë është KFOR-i mbi FSK-në, është EULEX-i mbi policinë e Kosovës dhe janë Pieter Feithi me dy kapelat e tij e ambasadori amerikan Dell pa kapelë përmbi të gjitha institucionet e Kosovës. Neve jo vetëm që nuk na njeh e pranon Serbia por edhe ndërmjetësi, pra Bashkimi Evropian, e njeh Serbinë që s’na njeh neve dhe nuk na njeh neve porsi Serbia. Kjo pabarazi drastike është padrejtësi elementare që doemos është reflektuar edhe në agjendën e fshehtë dhe s’ka se si sjell rezultate të mira për neve.

Përderisa ne ndodhemi nën protektorat ndërkombëtar Serbia vazhdimisht do të kërkojë negociata me Kosovën. Sepse ajo fiton koncesione të reja dhe në fund s’ka nevojë ta pranojë tërësinë e atyre koncesioneve pasi që e din që sundimi ndërkombëtar në Kosovë do t’ia imponojë Kosovës zbatimin e njëanshëm të atyre koncesioneve. Të gjithë e mbani mend që Serbia e dëshiroi decentralizimin etnik në Kosovë, të drejtën e vetos për serbët në këtë Kuvend për të gjitha ligjet për çështjet jetike, shuarjen e TMK-së, pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, zonat e veçanta për trashëgiminë kulturore ortodokse që i nënshtrohet serbizimit etj.etj. por ajo nuk e pranoi tërësinë e këtyre koncesioneve që u quajt Paketa e Ahtisaarit pasi që e dinte që Qeveria e Kosovës duke qenë përfundi sundimit ndërkombëtar do t’i implementojë të gjitha këto. Duke qenë josovranë, në bisedime me Serbinë vetëm sa zvogëlohet perspektiva për bërjen tonë sovranë.

Këto negociata njëmend kanë të bëjnë me integrimet evropiane, por ama me integrimin e Serbisë në BE dhe jo me integrimin e Kosovës në BE. Këto bisedime nuk kontribuojnë fare në integrimin e Kosovës në BE. Përkundrazi, me këto bisedime ne bëhemi si Bosnja të cilën BE-ja nuk e pranon pikërisht pse është tepër e decentralizuar për të qenë sovrane. Dhe, për shkak se Serbia do të hyjë para nesh në BE, ajo do të na kushtëzojë pastaj ngjashëm siç bën Greqia me Maqedoninë.

Kryeministri tha sot që në fund do të kemi njohje reciproke me Serbinë, mirëpo konsolidimi dhe cilësia e shtetit tonë përbrenda është shumë më e rëndësishme sesa njohja nga jashtë. Mos harroni që Milosheviqi e njohu dhe pranoi Bosnjen jashtë Serbisë vetëm atëherë kur Alija Izetbegoviqi e njohu dhe pranoi Serbinë brenda Bosnjes në formën e republikës serbe atje. Plani i Ahtisaarit e ka hedhur farën e bosnjëzimit të Kosovës të cilën tash po e shpie më tutje kjo qeveri përmes bisedimeve me Serbinë.

Në fillim të shekullit XX Serbia e pat okupuar Kosovën kurse në fund të shekullin XX Serbia kreu gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Përgjatë këtij shekulli populli ynë aq shumë u shtyp e u diskriminua kurse pasuritë e vendit tonë aq egër u shfrytëzuan saqë mund të themi se pikërisht shqiptarët janë e vërteta e Serbisë. Mirëpo, në takimin e nesërm në Bruksel, znj. Edita Tahiri do ta maskojë këtë të vërtetë. Ajo do të mundësojë që Serbia të duket ashtu siç nuk është – të duket e mirë me shqiptarët (ndaj të cilëve nuk lëshon asnjë shans që t’ua nxijë jetën) dhe të fitojë poena për fqinjësinë e mirë karshi Kosovës (brenda së cilës i financon dhe dirigjon strukturat e saj ilegale).

Milosheviqi, Koshtunica dhe Tadiqi kanë dallime kur shihen nga Brukseli, Nju Jorku apo Uashingtoni, por jo edhe kur shihen nga Prishtina. Ata i kanë qëllimet e njëjta, kurse mjetet iu ndryshojnë kryesisht vetëm në masën në të cilën rrethanat kanë ndryshuar. Serbia i ka shumë borxh Kosovës dhe shqiptarëve. Borxhi që na e ka Serbia duhet të jetë kusht për bisedimet me të. Bisedimet pa kushte me Serbinë janë falje ndaj saj pa na kërkuar ajo njëherë falje neve.

Kosovës nuk kanë se çfarë i duhen këto bisedime. Këto bisedime po i nevojiten kryeministrit Thaçi për pushtet e jo Kosovës si shtet. Politikanët e korruptuar e të shantazhuar si puna e Thaçit po i pranojnë negociatat në mënyrë që korrupsioni dhe shantazhi i tyre të bëhet të negociueshëm. Në kohën kur kemi gjithnjë e më pak bukë e vende pune dhe gjithnjë e më shumë premtime që nuk i rrisin pagat por çmimet, qeveria ka vendosur tinëz për spektaklin nga Brukseli të cilin do ta paguajmë shumë shtrenjtë.

Neve na duhen bisedime me Tiranën e jo me Beogradin. Ne duhet të koordinohemi si komb dhe t’i harmonizojmë hapat strategjikë që të bëhemi komplementarë e jo të jemi konkurrentë. Ne duhet t’i kthehemi vetes: ne duhet ta lidhim sistemin energjetik të Kosovës me atë të Shqipërisë; ne duhet t’i përafrojmë sistemet fiskale drejt integrimit në një zonë tatimore dhe doganore etj.etj. Ta realizojmë shtetndërtimin si sovranitet dhe zhvillimin ekonomik si prodhim. Asnjëra prej këtyre nuk bëhen nga bisedimet me Serbinë. Secila prej këtyre bëhet shumë më kollaj përmes bisedimeve me Shqipërinë.

Prishtinë, 7 mars 2011

Duke e pasur parasysh vullnetin politik të popullit të Kosovës të deklaruar historikisht përmes mënyrave të ndryshme, që përfshijnë, por që nuk kufizohen në: demonstratat popullore të viteve 1968, 1981, 1989-1990, 1997-1998, 2004 e 2007; referendumi i vitit 1991 dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator të vitit 1991; lufta çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës 1997-1999, për çlirim dhe shkëputje nga Serbia,

Duke e marrë parasysh rolin tejet të rëndësishëm të Kuvendit ne rregullimin republikan të shtetit, si përfaqësues i vullnetit të popullit dhe mbrojtës i interesave të tij,

Duke u nisur nga neni 1.1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili e përkufizon Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe të pandashëm; si dhe duke u nisur nga neni 2.1 i cili e definon popullin si burim të sovranitetit dhe ia njeh atij të drejtën e demokracisë së drejtpërdrejtë përmes referendumit,

Duke i pasur parasysh kompetencat e Kuvendit të Republikës së Kosovës të përkufizuara në nenin 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Duke e pasur parasysh mandatin e Deputetit si përfaqësues i popullit i cili, sipas nenit 70.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk i nënshtrohet asnjë mandati tjetër detyrues,

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nxjerrin këtë

R E Z O L U T Ë

1. Subjektiviteti politik e as pandashmëria territoriale e Kosovës nuk mund të jenë objekt negociatash me asnjë shtet a organizatë mbikombëtare.

2. Çfarëdo procesi bisedimesh me cilindo shtet duhet të paraprihet nga marrëveshja politike.

3. Bisedimet me Serbinë nuk duhet të ndodhin pa u plotësuar 4 parakushte kryesore:

a. Njohja dhe respektimi politik e faktik i pavarësisë së Kosovës – Serbia duhet ta njoh Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshojë Kushtetutën e vet që e konsideron Kosovën si pjesë të pandashme të integritetit territorial dhe sovranitetit politik e juridik të Serbisë, si dhe duhet ta tërheq përkrahjen politike dhe financiare për strukturat e saja ilegale që e cenojnë drejtpërdrejtë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe jetën dhe pronën e qytetarëve të Kosovës,
b. Vënia në vend e drejtësisë për viktimat – Serbia duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet e kryera në Kosovë përgjatë viteve sa e ka mbajtur nën okupim vendin tonë, si dhe duhet t’i kthejë pa kurrfarë kushti dhe pa vonesë rreth 1800 trupat e pajetë të shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftë ë fundit, t’i dorëzojë kriminelët e luftës për t’iu nënshtruar procesit gjyqësor në Kosovë si dhe ta nis procesin e dënimit të kriminelëve të luftës të cilët janë të lirë në Serbi,
c. Reparacionet dhe dëmshpërblimi për shkatërrimet materiale të pronës – Serbia duhet t’i paguajë dëmet e luftës dhe okupimit, ta kthejë fondin e grabitur pensional, depozitat bankare e qytetarëve të Kosovës, librat kadastralë dhe mbi 1200 eksponateve kulturore,
d. Të drejtat reciproke – Serbia duhet ta ndërpresë shtypjen e shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe shkeljen e të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare, por edhe ndaj shqiptarëve të tjerë që jetojnë në Serbi. Serbia duhet të garantojë për shqiptarët me kushtetutë të drejta dhe liri të nivelit të njëjtë me ato të serbëve në Kosovë.

4. Edhe pas plotësimit të këtyre kushteve Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të negociojë me Serbinë rregullimin e brendshëm territorial dhe institucional të vendit.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Ekzekutivi dhe institucionet tjera përkatëse ndërprerjen e bisedimeve të përgatitura që të fillojnë më 8 mars 2011, dhe t’i nisë përgatitjet për grumbullimin dhe hartimin e dokumenteve dhe materialit tjetër të nevojshëm për argumentimin e kushteve të sipërpërmendura.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 55 vizitorë
Lexuar: 1,569 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
URIME KOSOVE, TE PRIFTE E MBARA!
E diel, 04 prill 2021 - 20:37
.
EPOPEJA...!
E diel, 07 mars 2021 - 00:08
.
Lufta e UÇK-së bashkon tre shtete
E premt, 27 nntor 2020 - 23:25
Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ush...
K O M U N I K A T Ë
E premt, 20 nntor 2020 - 14:59
SHOQATA “YJET QË NUK VDESIN & OJQ “YOUTH FORUM PERSPEKTIVA” K O M U N I K A T...
Marrëveshja Kosovë-Serbi
E premt, 04 shtator 2020 - 20:59
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshje ekonomike me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washingt...
më shumë nga - Lajme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi