Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
VETËM ZGJEDHJA E Z.ADEM DEMAÇI PRESIDENT I KOSOVËS, E SHPËTON KOSOVËN NGA ZGJEDHJET E JASHTËZAKONSHME DHE NGA KAOSI!
Publikuar më 02 prill, 2011 në orën 11:16 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
BAROMETRI DIPLOMATIK

*** Ky, do të duhej të ishte konsensusi politik, kombëtar dhe parlamentar historik i pozitës dhe i opozitës në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe, do të vazhdojë pjesa e dytë e “cirkusiadës politike” për zgjedhjen e presidentit të “kontraktuar” të Kosovës, sipas Marrëveshjes politike (PDK+AKR). “Asgjë të re në Perëndim”, veç RISHKELJES së Kushtetutës së Republikës së Kosovës sipas “tekave” klandistine dhe partiake provincialiste dhe karrieriste të disa liderëve të dëshmuar, të etshëm për pushtet.

Zgjidhja e krizës presidenciale në Kosovë, nuk mund të bëhet duke e shkelur Kushtetutën dhe parimet demokratike, për hir të “interesave madhore” të koalicionit ndërpartiak (PDK +AKR).

Kryeministri Hashim Thaçi pa të drejtë e akuzon opozitën se kinëse ajo “është fajtore” për shkak të braktisjes së sallës së Kuvendit, gjë që sipas tij, “një bojkotim” i tillë çoi në shkeljen e Nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, ku bën fjalë për kriteret e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Nuk duam të spekulojmë se në cilat argumente dhe fakte valide, është mbështetur kryeministri Hashim Thaçi, kur e akuzon opozitën për shkeljen e Kushtetutës, me rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit President të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2011, në Seancën e Jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mirëpo një akuzë e tillë në adresë të opozitës, nuk figuron në Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka shfuqizuar Vendimin antikushtetues të zgjedhjes së Behgjet Pacolli President të Republikës së Kosovës.

Ç’është e vërteta, në asnjë paragrafë të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk thuhet se për shkeljen e Nenit 86 të Kushtetutës, “është përgjegjëse opozita”, e cila në çastin e votimit të presidentit, e kishte braktisur sallën e Kuvendit.

Edhe, sipas konstatimit interpretues të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Kushtetuta nuk është shkelur as nga Behgjet Pacolli e as nga opozita e deputetëve të Kuvendit, por nga vendimarrësit, të cilët me në krye Jakup Kransiqi, Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi etj., e kanë miratuar një vendim të tillë antikushtetues, me qëllim që të përmbushnin obligimin e marrëveshjes së arritur politike me partnerin e koalicionit qeveritar (AKR).

Pra, këta e kanë shkelur Kushtetutën si pasojë e objektivit politik, të imponuar dhe të diktuar nga AKR-ja (që me çdo kusht, Behgjet Pacolli, të mirrte postin e presidentit të Kosovës), jo pse kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, Kryeministri i qeverisë, Hashim Thaçi dhe Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ( i cili është edhe jurist i shquar) nuk e kanë ditur se ç’thotë përmbajtja e Nenit 86 të Kushtetutës.

Në rastin konkret, shkelja e Kushtetutës, nuk është bërë për shkak të mosnjohjes së materies së Nenit 86 (ose, për më tepër, pse ai “ishte i paqartë”), por për shkak të kalkulimeve dhe kombinimeve të inetresave të ngushta politike ndërpartiake (PDK+AKR), që me çdo kusht, t’i ndanin postet e tyre qeveritare sipas nomeklaturës së ministrive, duke përfshirë, pikësëpari, postin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht nga interesat komplementare të një kombinatorike të tillë politike të PDK-së dhe AKR-së për ta qeverisur Kosovën ( pa përfshirjen e shumicës dërrmuese të partive politike opozitare: LDK, AAK dhe Vetëvendosja, të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës), procedura e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president i Kosovës, ishte antikushtetuese dhe jodemokratike, ngase ai u zgjodh pa praninë e kuorumit 2/3 të deputetëve dhe, pa kundërkandidat.

Politizimi i Kushtetutës nuk ndihmon në zgjidhjen e ligjshme dhe demokratike të presidentit të Kosovës, por e ngatërron dhe e mjegullon edhe më shumë (sipas shijeve dhe interesave meskine të grupeve të ndryshme të interesit dhe të akraballëkut lokalist dhe provincialist, që dikush, ta ketë marrë me “tapi” udhëheqjen e Kosovës).

Duke qenë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës me aktvendimin e saj, e “rrëzoi” presidentin Behgjet Pacolli si president jolegal, shtrohet pyetja, cila do të jetë zgjidhja kushtetuese dhe demokratike, e qëndrueshme me rastin e zgjedhjes së ardhshme të presidentit të Republikës së Kosovës?

Që të mos përsëritet më ajo “cirkusiadë” politike në “amfiteatrin” legjislativ të Kuvendit të Kosovës, pozita dhe opozita janë të obliguar moralisht, ligjrisht, demokratikisht, kombëtarisht dhe juridikisht, që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, jo vetëm për kuptimin e interesave të tyre politike brenda dhe jashtë parlamentit, por para së gjithash dhe, mbi të gjitha, ajo zgjidhje, të jetë e pranueshme për shumicën dërmuese të popullit në Kosovë.

Nëse, vërtet, aq shumë na dhemb zemra dhe na qanë shpirti për qytetarin dhe për Kosovën shqiptare, atëherë, deputetët e Kuvendit të Kosovës (pozitë – opozitë), duhet ta kenë të qartë si dielli se, zgjedhja e presidentit të Kosovës, nuk mund të bëhet vetëm “ sa për sy e faqe”, duke i vënë në plan të parë interesat individuale, grupore dhe partiake mbi interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar dhe të Kosovës.

Presidenti të zgjedhet nga radhët e popullit dhe për popullin, jo nga nomenklaturat dhe nga strukturat e partive politike dhe, për partitë politike!

Pavarësisht nga interesat dhe fërkimet politike të pozitës dhe të opozitës, si dhe nga “shpjegimet justifikuese” të disa liderëve të tyre me ambicie të “sëmura pushtetore” se gjoja pushteti shtetëror, “është i rezervuar” vetëm për “partiashët”, zgjedhja e presidentit të Kosovës, duhet të jetë jashtëpartiake, sepse do të ndikonte pozitivisht në arritjen e pajtimit, të bashkëpunimit dhe të ekuilibrimit të marrëdhënieve dhe të interesave vitale politike, demokratike , kombëtare dhe shtetërore të vendit.

Nëse duam të dëshmohemi para popullit dhe para botës demokratike se, vërtet e duam popullin, e duam lirinë, e duam pavarësinë, e duam drejtësinë, e duam demokracinë, e duam paqen, si dhe të tregojmë se jemi të pjekur politikisht dhe demokratikisht, atëherë, duhet t’i tregojmë edhe popullit, edhe botës demokratike perëndimore se, ne i njohim dhe, dijmë t’i çmojmë dhe t’i respektojmë vlerat tona emblematike kombëtare shqiptare, siç është Z. Adem Demaçi, i cili është një ndër figurat më madhështore dhe më meritore kombëtare dhe atdhetare shqiptare, që të vihet president në ballë të Republikës së Kosovës.

Nëse askujt nga deputët e Kuvendit të Kosovës (qoftë pozitës, qoftë opozitës), nuk do t’i binte në mend se zgjidhja e problemit të presidentit të Kosovës, tanimë, është e zgjidhur, nëse kandidohet Z. Adem Demaçi, atëherë, këtë PROPOZIM, duhej ta bënte deputeti i nderuar i PDK-së, Z. Hydajet Hyseni (një nga bashkëidealistët dhe bashkëveprimtarët më të ngushtë dhe më të afërt të Bacës Adem Demaçi), të cilin do ta mbështetnin të gjitha partitë politike-përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës (PDK, LDK, AAK, Vetëvendosje, AKR).

Ja, ky është konsensusi. Kjo është zgjidhja e drejtë e problemit të institucionit të presidentit, që është në favor të interesit të përgjithshëm të popullit dhe të Kosovës, e jo vetëm të partive, të cilat, fatkeqësisht (kush më shumë e kush më pak), Kosovën e kanë sjellë në një krizë institucionale politike.

Edhe pse, jemi shumë në vonesë (me mosnjohjen e meritës së Bacës Adem Demaçi, që të jetë figura NUMËR NJË e Kosovës, si para, ashtu edhe pas përfundimit të luftës), këtë herë, deputetët-përfaqësuesit legjitimë të popullit kanë nderin dhe shansin historik, që Z. Adem Demaçi, ta nominojnë dhe ta votojnë për president të Republikës së Kosovës, pavarësisht se çfarë thonë dhe, çfarë ëndërrojnë kundërshtarët ose armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës.

Kjo është zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë, që shpie drejt sundimit të ligjit, të drejtësisë, të demokracisë, të qëndrueshmërisë, të sigurisë dhe të paqes në Kosovë, dhe më gjerë në rajon.

Fundja, disidentët, revolucionarët, çlirimtarët, demokratët dhe patriotët shqiptarë si në parlament, ashtu edhe jashtë parlamenti, duhet të ngrejnë zërin e tyre të drejtësisë dhe të kombëtarizmit në nismën dhe në mbështetjen e Z. Adem Demaçi për president të Republikës së Kosovës, sepse (edhe sipas Kushtetutës në fuqi) është figura më e dashur, më e respektuar, më kredibël, më unifikuese dhe më pajtuese e gjithë spektrit politik (pozitë – opozitë) dhe e pranueshme për mbarë popullin liridashës dhe atdhedashës në Kosovë dhe në mbarë Shqipërinë.

Pra, nëse triumfon drejtësia, që Z. Adem Demaçi të jetë në krye të Kosovës, atëherë, jo vetëm se do të mbrohet kushtetuta, ligji, drejtësia, barazia, liria dhe pavarësia e Kosovës, por edhe do të shpëtojë Kosova nga copëtimi dhe nga ndarja e saj (jug – veri, apo lindje – perëndim), ashtu siç po kërkon Serbia dhe aleatët e saj me Rusinë në krye.

Sikur të isha anëtar i Kuvendit të Kosovës, do të ndjehesha i lumtur dhe krenar, që Bacën Adem Demaçi, ta propozoja dhe ta votoja për president të Republikës së Kosovës. Kjo do të ishte kënaqësia dhe dëshira ime më e madhe jetësore.

Të gjithë ata, që nuk i njohin dhe i përbuzin vlerat e këtilla kombëtare shqiptare, janë të dyshuar, edhe para Zotit, edhe para kombit, edhe para atdheut.

Vetëm për “miopët faktet dhe argumentet janë të vdekshme”!

Boston, më 2 prill 2011

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 68 vizitorë
Lexuar: 1,185 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi