|
Dje nga mediet morëm lajmin se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar në një drekë pune krerët e partive dhe subjekteve politike në Kosovë për t’i njoftuar ato për konkluzionet e dala nga takimi i fundit i Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën. Edhe si shumë herë më parë, drejtues dhe përfaqësues të PDK-së mirëpo edhe të partive tjera gënjyen gazetarët duke ju thënë që edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte e ftuar në këtë takim, por ne gjoja kishim refuzuar që të shkojmë.
Duket qartë arsyeja se përse nuk na kanë ftuar. Në fakt, nga konkluzionet që vijnë nga ky takim më mirë edhe që nuk na kanë ftuar. Aty u kërkua nga partitë politike që të nënshkruhet një deklaratë që do të ishte një mesazh gjoja konsensual se ka mbetur edhe pak kohë deri në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe se partitë mbështesin përmbushjen e obligimeve nga Pakoja e Ahtisaarit. Ky konsensus, gjithsesi dashakeq në këto rrethana, kërkon pajtim paraprak kolektiv për atë që do të ndodh në vitin 2012. Dhe atë pa e thënë publikisht se çfarë po ndodh.
Në fakt e vërteta është se, qeveria e Kosovës po përgatitet për aktin e fundit të shitjes së Kosovës, në nivelin politik dhe atë ekonomik. Pas koncesionit të fundit antikushtetues për të hequr dorë nga Republika dhe për të mos paragjykuar statusin final të Kosovës, të pranuar duarhapur nga Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi, tanimë janë shtuar zërat për paqëndrueshmërinë e situatës në veri, dhe janë shtuar propozimet për statusin special të veriut në Kosovë. Tanimë po diskutohet edhe propozimi katërpikësh i presidentit Tadiç për Kosovën duke shtuar prapë se në asnjë mënyrë nuk do të pranohet pavarësia e Kosovës.
Duke marrë parasysh marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Serbinë dhe këmbënguljen e qeverisë që këto të mos ndalen me asnjë kusht, duke marrë parasysh decentralizimin në baza etnike, duke marrë parasysh propozimet për statusin special për veriun, si dhe ligjet Antikushtetuese për Prizrenin, Hoçën e Madhe etj. atëherë është e qartë se mbikëqyrja ndërkombëtare në Kosovë do të largohet vetëm kur të betonohet mbikëqyrja e Serbisë mbi Kosovën.
Këto koncesione, si dhe vendimet për privatizimet e shpejta të distribucionit dhe pjesëve të tjera të KEK-ut, privatizimin e shpejtë dhe me çdo kusht të PTK-së si dhe likuidimin e përshpejtuar të gjigantit metalurgjik Trepça, Hashim Thaçi nuk mund t’i bëjë me përkrahjen që kjo qeveri tani e gëzon në popullatë si dhe me numrat e pakicës që i ka në Kuvend. Për këto koncesione i nevojitet një konsensus i rrejshëm i faktorit politik kosovar i cili do të thirret sa herë që të tjerët të kërkojnë që ne të heqim dorë nga shteti dhe pasuria jonë.
Prandaj edhe e thamë që më mirë që nuk jemi ftuar. Por në të njëjtën kohë edhe po e kuptojmë pse nuk jemi ftuar. I bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, si dhe deputetëve dhe anëtarëve të partive pjesë të koalicionit që mos të bëhen pjesë e konsensusit të rrejshëm për ta shitur Kosovën edhe në rrafshin politik edhe në atë ekonomik.
Në këtë tentim dhe synim të Hashim Thaçit për të shitur Kosovën dhe për t’i bërë edhe të tjerët pjesë të saj, po i ndihmon edhe miku i tij i ngushtë dhe strukturat ilegale të cilat ata që një kohë të gjatë po thonë q nuk ekziston pra Kadri Veseli dhe SHIK-u i PDK-së . Javëve të fundit para dhe gjatë protestave të 14 dhe 22 janarit aktiviteti i SHIK-ut është shtuar dukshëm si në përcjellje, përgjime ashtu edhe në propagandë për të mjegulluar përkrahjen që po e gëzon kundërshtimi ndaj qeverisë në popullatë.
Kjo strukturë duke e parë se i ka ardhur fundi, qoftë në forcën që ka brenda vendit ashtu edhe në përkrahjen ndërkombëtare, me çdo kusht ka tentuar dhe po tenton qe të dalë nga joformaliteti dhe të futet në institucionet shtetërore. Këtë së pari e bëri në kuvend duke populluar listat për deputetë të PDK-së dhe duke u ulur në bankat e Kuvendit me proces të vjedhur dhe manipuluar zgjedhor që e kanë orkestruar vetë.
E së fundi, kjo e njëjta strukture po tenton që të futet edhe në qeverinë e Kosovës përmes procesit të riformatimit të qeverisë duke përfshirë këtu edhe udhëheqësin e SHIK-ut, Kadri Veselin i cili tanimë është e qartë që me vjedhje të votave, dhe me manipulime tenton që të legalizojë të gjithë atë aktivitet të SHIK-ut.
Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të ndalet në përpjekjet për të hetuar dhe zbardhur aktivitetin e kësaj organizate. Kjo organizatë duhet t’i tregojë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës përgjigjet në këto pyetje:
Kush e ka themeluar SHIK-un?
Kush e financon SHIK-un?
Kush e mbikëqyr SHIK-un?
Kujt i raporton SHIK-u dhe Kadri Veseli
Çfarë aktiviteti zhvillon Kadri Veseli dhe SHIK-u?
Lëvizja VETËVENDOSJE!
28 janar 2012
|