Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SHQIPJA STANDARDE
Publikuar më 25 mars, 2012 në orën 01:27 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
-Ese gjuhësore-

Për formimin e gjuhës standarde shqipe ose gjuhës letrare shqipe, siç quhej atëherë, u punua me ngulm që nga koha e Rilindjes sonë kombëtare e këndej... Rilindësit tanë të ndritur në kapërcyellin e shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, bënin përpjekje të pareshtura për afrimin e dy krye dialekteve të gjuhës sonë, duke bërë përpjekje që t'i ngjisnin ata drejt një norme të përbashkët të gjuhës letrare... Menjëherë pas Naum Veqilharxhit, i cili në "Enciklikën" e vet e quante plagë të madhe paditurinë, që shkaktohej nga: "Lënia pas dore e lirimit të gjuhës kombëtare.", ishte Konstantin Kristoforidhi ai që shquhej në këto përpjekje dhe të cilit i takon, me të drejtë, epiteti i themeluesit të Letërsisë sonë për fëmijë, me tregimin mjaft të bukur e domethënës "Gjahu i malësorëve" dhe me vjershën "Ylli i vogël nalt (lart) në qiell". Tregimin "Gjahu i malësorëve" Kristoforidhi njëherë e shkroi në motërzimin e dialektit gegë e pastaj e shkroi edhe në motërzimin e dialektit toskë. Kjo është koha kur Rilindësit tanë filluan t'i bënin hapat e parë drejt formimit të gjuhës letrare shqipe. Por në kalim nga shekulli i nëntëmbëdhjetë drejt shekullit të njëzet, mundësitë për formimin e mirëfilltë të një gjuhe të përbashkët letrare ishin të pakta.

Një lulëzim a pjekuri më të madhe gjuha jonë e arriti me ardhjen e Naim Frashërit në letrat shqipe, që me meritë e mori edhe epitetin: Bilbili i gjuhës sonë. Naimi e shkroi një shqipe të kulluar, duke e "herrur" atë nga fjalët e shumta të huaja. Dhe, duke e begatuar me fjalë, shprehje e fraza të reja nga gurra e pashtershme popullore, që në kohën e Naimit e kishte mbuluar pluhuri i harresës. Në "Mësimet" Naimi shkruan: "E e par' e gjithë mbrothësivet, që i duhënë një kombi është gjuhë e Mëmëdheut. Se nga gjuhëtë e huaja s'mund të marrë njeriu kurrë dritat e diturisë si duhënë.

Gjuha bashkon kombin, e nxjerr nga errësira, shpirtin e mendjen e lartëson, vetijat i sbukuron, vetëdijën' e njohën' e shton dhe miqësinë e shumëzon.

Gjuha e një kombi s'është ndalur as mund të ndalet kurrë."

"Mjeda, Fishta, Lasgushi e Naimi kanë një gjuhë letrare që për bazë ka kodin dialektor njësoj, pavarësisht se mund të duket që Naimi e Lasgushi kanë më shumë tipare të përbashkëta me kodin e shqipes së sotme standarde."*

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912) e këndej, u bënë përpjekje të pakta për afrimin e dy krye dialekteve të gjuhës sonë drejt normës standarde të gjuhës shqipe. Në këtë kohë u shqua Migjeni (poet e prozator).

Koha pas Luftës së Dytë Botërore, këndej e andej kufirit, po sidomos në Shqipëri, shquhet me përpjekjet serioze në drejtim të formimit të normës standarde të gjuhës shqipe. Pa u thelluar këtu se cilat qenë kriteret që për themelimin e normës standarde të gjuhës shqipe, u mor për bazë dialekti jugor-toskë, hapat e parë konkret u bënë me projektin për diskutim publik "Rregullat e drejtshkrimit të shqipes" (1968).

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë nga 20-25 nëntor l972, miratoi "Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe" - me të cilin drejtshkrim iu vunë themelet Gjuhës së njësuar shqipe dhe normës standarde të saj, që u bënë normë, të themi kushtimisht, e detyrueshme për të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata...

Janë sa të pashpjegueshme, aq edhe të pajustifikueshme përpjekjet e disave që, sot, pas 30-viteve të bashkëjetesës të normës standarde të përbashkët të gjuhës sonë të njësuar, që u bë bashkudhëtarja jonë e pandarë në jetën tonë të përditshme në shkolla, në institucione të ndryshme, në radio, në televizion, në gazeta ditore, javore e mujore dhe në revista të ndryshme - të synohet e të punohet për hedhjen poshtë të këtij brumi të përbashkët, që shpreh unifikimin e dy krye dialekteve të gjuhës sonë, që u ngritën në normën standarde për shqiptarët kudo që ata jetojnë e gjallojnë: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovën Lindore, në Çamëri, në Arbëreshët e Italisë e të Zarës, në Mërgatën shqiptare e kudo..., që kalojnë, të themi shprehimisht, nëpër bankat shkollore a që kryejnë ndonjë veprimtari me interes shoqëror.

Në disa gazeta periodike hasën aty-këtu artikuj dialektor, që i shmangën normës standarde të gjuhës sonë të përbashkët...

Është detyrë jona e përhershme, e të gjithëve së bashku dhe e çdonjërit veç e veç që të punojmë pareshtur në zhvillimin dhe në pasurimin e normës standarde të gjuhës sonë, se kështu e begatojmë dhe e çojmë përpara gjuhën tonë të bukur, për të cilën u derdh aq djersë e mund...

E kam thënë edhe një herë dhe këtu po e përsëris prapë se gjuha letrare shqipe është norma standarde e gjuhës sonë të përbashkët, por e gërshetuar me kodin dialektor sipas tipizimit gjuhësor të personazheve letrarë. Dallimi në mes normës standarde të gjuhës shqipe dhe gjuhës letrare shqipe është fare i vogël, po megjithatë ky dallim hetohet: gjuha standarde shqipe është norma e përbashkët për të dy krye dialektet të "shkrirë" e të bërë njësh, kurse gjuha letrare shqipe është, siç e theksuam më lart, norma standarde e gjuhës plus kodi dialektor i dy krye dialekteve dhe kodi gjuhësor sipas profesioneve nga vijnë personazhet letrare, për të thelluar tipizimin e tyre si personazhe letrare...

Prof. Ejup Ceraja

_________

*) Dr. Rexhep ISMAILI: "Shqipja standarde dhe shkolla" - "Koha për kulturë" - nr. 135, e shtunë, 25 janar 2003, fq. 2

Shkurt - 2003

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 67 vizitorë
Lexuar: 5,864 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi