|
Pranvera shqiptare sapo ka filluar, ka paralajmëruar kryesuesi i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj i cili ka kërkuar nga shqiptarët organizim, qetësi, durim, vendosmëri dhe qartësi politike. Ai u ka bërë thirrje për protestën e radhës, që sipas tij, duhet të jetë më masive, më e organizuar dhe më e rregullt.
“Anëtarët e Listës për Shqipëri Natyrale, duhet të punojnë me besimtarët, kur ata shkojnë në Xhami, të tregohen të duruar me ata, t’i bindin disa prej tyre se Dashuria për Kombin është Kryebesim. Ti bindin ata me durim, që duke respektuar besimin e tyre, të fitojnë zemrat e atyre. Ti bindin ata se për myslimanin, katolikun, ortodoksin, bektashiun shqiptar, Kryefeja e tyre është Shqiptaria”, ka thënë Danaj, i cili ia ka tërhequr vërejtjen anëtarëve të BDI dhe PDSH që të mos bëjnë sehir, por të marrin pjesë në protestë.
Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptare Amerikane, Joe DioGuardi ka kërkuar edhe njëherë nga shqiptarët që gjatë protestave të tregojnë dinjitet dhe vlera demokratike, duke shpalosur kërkesat e tyre kombëtare. Ai ka fajësuar partitë politike shqiptare në Maqedoni, të cilat sipas tij, janë shkëputur nga populli. “Partitë fare janë shkëputur nga populli dhe ato shikojnë vetëm mashtrimet se si të arrijnë rezultate për të qeverisur. Partitë atje kanë retorikë boshe dhe shumë demagogji dhe mungon aktiviteti i tyre i drejtëpërdrejt me popullin”, ka theksuar ish-kongresisti DioGuardi. Sipas tij, nuk janë mirë të menduara lobimet e disa shqiptarëve në Qeverinë e Gruevskit të cilët thonë se sapo të hyjë Maqedonia në NATO dhe BE, atëherë do të zgjidhet çështja shqiptare. Në vijim, Dioguardi ka parashtruar nevojën e ndryshimeve rrënjësore kushtetuese në Maqedoni, meqë siç u shpreh ai, Marrëveshjes së Ohrit i ka skaduar validiteti.
|