Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
PA TAKTIZIME (II)
Publikuar më 17 maj, 2012 në orën 14:07 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E DYTË

15. FORMIMI I QENDRËS EKZEKUTIVE NË LUDWIGSBURG

Si është quajtur organi më i lartë i Lëvizjes nga 15 janari 1983 e gjer më 3 mars 1984?
Është quajt Qendër Ekzekutive dhe ka pasë 5 anëtarë.
Kur është themeluar ky organ, në cilin vend dhe në banesën e kujt?
Është themeluar më 17 janar në banesën e Hafiz Gagicës.
Kur ka ardhur koha e përvjetorit të parë të 17 janarit, është organizuar demonstratë në Shtutgart më 15 janar 1983. Pas demonstratës, jemi tubuar në banesën e Hafiz Gagicës në Ludwigsburg unë, Xhafer Shatri, Hasan Mala dhe Ibrahim Kelmendi. Ka qenë e paraparë me marrë pjesë edhe Faridini, por ai ishte ato ditë në spital. Me propozim të Xhafer Shatrit u vendos që të formohet forumi i quajtur Qendra Ekzekutive, e përbërë prej 5 vetave, pra ne të katërve në mbledhje dhe Faridin Tafallari. Po ashtu me propozim të Xhafer Shatrit janë ndarë këto detyra: Xhafer Shatri me gazetën Zëri i Kosovës, Hasan Mala lidhjet me Kosovën, Faridin Tafallari me çështjet financiare, Ibrahim Kelmendi lidhjet me organizatat e huaja dhe unë me çështjet organizative jashtë e sidomos ndërtimi i relacioneve me klubet shqiptare. Kah fundi i këtij tubimi, i cili nuk ka qenë i gjatë, në të cilën është bërë marrëveshja për themelim, andaj edhe nuk ka pasur se për çka të diskutohet aq, me kërkesën e Xhafer Shatrit kemi hyrë vetëm unë dhe Xhafer Shatri në një veturë të një bashkatdhetari për të biseduar pak. Xhaferi më tha se pas ndarjes së këtyre detyrave do të ishte mirë që makina, Stilografi i Jusufit, me të cilën përgatitej Zëri të bartet tek ai në Zvicër, pasi sipas tij (Xh. Sh.) kanë ardhur disa vërejtje të forta e perfide në adresën e Zërit në Biel-Bienne, prapa të cilave mund të qëndroj diplomacia shqiptare. Për këtë arsye duhet ta masim çdo fjalë në peshë të arit, e kjo punë është vështirë të bëhet nëse makina e Jusufit mbetet në Gjermani, por kjo do të ishte shumë më e lehtë të bëhet nëse makina kalon në Zvicër.
Unë, pa u konsultuar me askend tjetër jam pajtua me këtë propozim të atij dhe më është dukur i arsyeshëm. Qysh prej tetorit 1982 pjesa kryesore e shkrimeve të botuara në Zëri kanë qenë edhe ashtu të Xh. Shatrit, e puna ime në thelb më shumë ka qenë teknike se sa ideologjike.

Ka qenë praktikë e asaj kohe që kur formohej një forum, anëtarët e atij forumi të merrnin pseudonime të cilat i dinin vetëm ata anëtarë. Në vazhdën e kësaj praktike pseudonimet që janë nda gjatë kësaj mbledhje kanë qenë:
Xhafer Shatri ---- - Xhema
Ibrahim Kelmendi ---- - Ilazi
Hasan Mala ---- -Plaku
Faridin Tafallari ---- -Fehmiu
Xhafer Durmishi ---- -Salihu.
Ndokush mundet me thënë se çka na nevojiten me i mbajtur në mend pseudonimet në këtë kohë. Mjaftojnë vetëm emrat (mos qofshin edhe ata të tepërt). Kjo është e drejtë por këto pseudonime janë sqaruese për ata që duan t'i lexojnë letrat që janë këmbyer në mes veti në kuadër të këtij forumi. Pra të gjitha letrat që janë këmbyer në kuadër të këtij forumi janë nënshkruar me pseudonimet e lartpërmendura.
Kjo Qendër Ekzekutive (QE) ka ekzistua prej 15 janarit 1983 (kur është themelua në Ludwigsburg) e deri më 3 mars 1984 (kur është shpërbërë, në një mbledhje të mbajtur në Gjenevë pas demonstratës së organizuar po atë ditë në atë qytet).

16. PA TAKTIZIME

Shoku I. (Ibrahim Kelemndi)
24 prill 1983

..Unë mora vesh nga Xhema kur ishim së bashku atje herën e fundit. ... Morali i dobët dhe patriotizmi mund të bashkudhëtojnë por me bashkjetuar nuk munden dhe ky është një lixh i vërtetuar me mijëra herë dhe që vlen për çdo kend. Pra si për fillim dhe që është hera e parë që po të drejtohem me letër nuk po mund të zgjatem më shumë në këtë drejtim. Po shfrytëzoj nga rasti që të drejtohem për disa probleme si të përgjithshme ashtu edhe konkrete.
Nuk është nevoja që shumë gjëra t'i përsëris apo të shkruaj siç thua ti, fraza rasti. Në bazë të kontakteve dhe vendeve që jemi takuar mund të them se relativisht njihemi mirë. Kemi vendosur me luftuar se bashku dhe këtë do ta bëjmë. Ku kanë qenë punët para një viti dhe ku janë sot e ke ditur e edhe sot e dinë se ku janë qoftë në planin e përgjithshëm qoftë në atë konkret të relacioneve në mes kuadrove. Është mirë edhe me e paramenduar se në çfarë situate do të ndodhemi pas një ose dy vitesh. Kjo mvaret në masën më të madhe prej nesh.
Ne njihemi vetëm sa na ka kontaktuar puna dhe vetëm puna e asgjë tjetër. Në bazë të saj do të njihemi edhe në të ardhmen. Këto kohët e fundit më ka rënë rasti të vizitoj pothuaj të gjitha rrethet kryesore në RFGJ. ... Opinioneve të ndryshme u intereson lidhja jote me Lëvizjen e mjaft të tjera. Prandaj me aq sa mund të gjykoj është me një rëndësi tejet të madhe studimi i rrethanave sepse sot operacione të ndryshme po zhvillohen shumë shpejt. Në këtë letër po të flas më posht më konkretisht mbi mbresat që kam gjatë takimit ... në rrethin e Dyseldorfit ku isha para disa ditësh, ku në mes të tjerëve ishte edhe vëllau yt... Ti e dinë se çfarë na intereson ne për çdo mjedis dhe nga ky qëllim e zhvillova bisedën sidomos fillimin e saj në Dyseldorf. Tonin ia prishi mjaft Mustafa me pyetje të ndryshme se kjo nuk duhet t'ju interesoj juve, se unë vetëm ia paguaj qiranë klubit, pastaj a e ke pyet Ibrahimin etj. Është mirë me i sygjeruar se kam të drejt të takohem me një rreth në çfarëdo kohe që duket e nevojshme. F. më patë treguar se ke shkuar atje ku je dhe unë nuk kisha mundësi me të takuar. Është mirë të ndikosh te ai sepse me të tilla pyetje në radhë të parë të dëmton ty. ... Qëllimi kryesor ishte të dija sa më shumë për klubin, pastaj përgatitja e terenit për koncertin. Ne diskutuam qartë në Gjenevë për statusin e tyre, andaj në atë rreth të ngusht e shtrova edhe problemin e anëtarësimit me njerëz të rinj e së bashku me këtë problemi të qonte edhe te fotoja e satrapit. Diskutuam në atë rreth të ngusht prej pesë vetash....
Të fala S. (Salihu=Xhafer Durmishi)

17. ÇDO HAP TJETËR MUND TË KETË PASOJA TË KËQIJA

Të dashur shok të Qendrës Ekzekutive,
4 maj 1983
Kaloi një kohë e gjatë e ngjarje të reja po zhvillohen vazhimisht, kurse ne nuk po jemi në korent në mes veti jo vetëm nëpërmes ndonjë takimi po këtë nuk po e bëjmë as në nivelin më minimal përmes letrave. Andaj me anë të kësaj letre u propozoj që pa u vonuar të mendoni për ndonjë datë takimi të mundshëm ku do të shikonim se si jemi duke ecur dhe çfarë është duke ndodhur.
Në takimin e fundit u diskutua edhe përpilimi i Programit Politik të LRSHJ me rastin e njëvjetorit të formimit. Deri më sot, kur jam duke e shkruar këtë letër, për diçka më shumë në këtë drejtim nuk jam i informuar. Poashtu mendoj që përmes letrash të vendoset se kush do ta bëjë një projektprogram i cili në rrethet e ngushta duhet të lëshohet në diskutim së bashku me projektstatutin. Përndryshe çdo hap tjetër në këtë drejtim është joserioz dhe mund të ketë pasoja të këqija.
Pra unë mendoj se koha është që të takohemi mundësisht sa më shpejt. Mendoni në këtë drejtim, programojeni kohën dhe shikojmë se në cilën ditë e në cilin vend mund të takohemi. Kjo shtrohet më problematike për mua dhe Ilazin (Ibrahim Kelmendin-shïn im), por unë për vete jam i gatshëm të vij në Zvicër, ndërsa për herë të tjera si dhe për rendin e takimeve dhe mënyrës së mbajtjes së kontaktit do të vendosim në takim.
Ju përshëndet S. (Xhafer Durmishi)

Shoku Llesh (Xhafer Shatri)
4 maj 1983
Së bashku me letrën e mësipërme po të dërgoj edhe këtë letër që sot ua dërgova dy shokëve tjerë të grupit përgjegjës për Gjermaninë. Lexoje dhe çfarë më propozon tjetër që të bisedoj e si të shkoj puna me ta. Pasi letrat nga Zvicëra po vonohen, po që se gjer në takim do të më mungoj fjala jote do të jem i detyruar të flas si ma merr mendja mua e në këtë drejtim jane serioze sidomos problemet rreth temës mbi fraksionizmin në radhët e Lëvizjes. Kjo është e rëndësishme kur të kihet parasysh se tani në Stuttgart që të tretë e firmës së tretë (ish-PKMLSHJ) të cilët përbëjnë kapitullin e veçantë të fraksionizmit në mes fraksionizmave tona. Për arsye të një kontakti të mundshëm me ta, ne duhet t’i informojmë shokët aq sa është e nevojshme sepse këtë e kemi për detyrë. (Xhafer Durmishi)

18. SA MË TEPËR TAKTIZIME ME TË PABESIN GJER NË FUND

Letër e Xhafer Shatrit, 7 qershor 1983.

Anëtarëve të QE

Të dashur shokë, para dy ditësh kam pasur rastin të bisedojë me disa shokë të Dyseldorfit dhe prej tyre jam informuar për shumë gjëra me rëndësi. Çka është kryesore atje Nuhiu me kompani nuk do të mund t'i fusë hundët, e kësaj unë iu kam frikuar jo pak, sepse ata së bashku me statutin e tyre po u çojnë njerëzve edhe letra në të cilat në emër të Komitetit Kryesues kërkojnë prej tyre që t'ia nisin organizimit të celulave dhe krejt kjo në emër të LRSHJ dhe të PK (ML) të Kosovës (Partisë Komuniste Marksiste Leniniste të Kosovës - shën i Xh. D.); Veç po e shpërndajnë edhe fletushkën e tyre me emrin simpatik "Punëtorët". Fletushkën e kam lexuar desha të them statutin, në të ka çdo gjë, por për të mirë pothuaj asgjë, ai ka për qëllim dezinformimin e njerëzve, njoftimin e armikut me format organizative të punës dhe një metodë e paparë e prepotencës (mendemadhësisë), për këtë çështje ne duhet të ndërmarrim diçka duhet të diskutojmë gjerë e gjatë dhe të ndërmarrim diçka sa më parë që të jetë e mundur, njëherë për njëherë është shpërndarë një takt që është parapërgatitje për demaskim. Natyrisht nëse vazhdon kështu kjo gjendje e nderë, atëherë ata do të mund të bëjnë shumëçka kundër nesh, sidomos në Gjermani nuk është puna hiç mirë... atë ditë ata shokët po më thonë se na ka thënë Musa Daka se ju nuk guxoni të shkoni atje, do të thotë në Gjenevë (sa i përket kësaj ardhjeje ju njoftoj se një natë më ka thirrë baca Zymer, ky s'e ka pasur numrin e telefonit tim dhe po më thotë se a mund të shkojë te ai (ata).
Unë ia tregova punën se nuk kam asnjë mundësi dhe u përpoça t'ia sqaroj punën e fotos, se ai nuk është ndonjë qëndrim i përgjithshëm për klubet, por shoku ua ka thënë me qëllim që të kqyrni dhe të mos i rrezikojmë shumë njerëz, fliste me tonë të lartë dhe shihej se është shumë i mëllefosur.... një natë aty kah ora tre e gjysmë pas mesit të natës, më telefonuan dhe më thanë se po nisemi. Thënë të drejtën nuk arrita të flasë me shumë me ta por u frikova se mos është në pyetje diçka shumë e madhe...) erdhën të nesërmen dhe po më tregojnë se si M. Daka u paska thënë se ju nuk duhet të shkoni pa e pyetur Xhavitin se ai qenka përgjegjës për Gjermani (kuptohet ata e treguan edhe rastin e fotografisë, mirëpo për këtë ne do të bisedojmë më gjerësisht) kjo gjë më brengosi shumë, sepse kjo formë e luftës, nëse kjo mund të quhet luftë është e palejueshme. Lëvizja është një organizatë ilegale që nuk guxon të dekonspirohet para masës, duhet të shihet puna e saj e jo fjalët. Tamam puna sikur ne të dilnim dhe të tregonim përgjegjësit që kemi, kjo metodë është së tepërmi e dëmshme. Lëvizja nuk është një shkop magjik që na i rregullon punët tona as qelës-kallauz që na i hap të gjitha dyert, ne kurrë nuk bënë të flasim në emër të Lëvizjes por me sjelljen tonë, me aftësitë tona duhet ta zbatojmë në masë politikën e Lëvizjes, se flasim në emër të Lëvizjes ne mund t'i themi vetëm shokut të organizuar, dhe një takim me celulën, kuptohet është krejtësisht i ndryshëm me një takim në masën e gjerë. Në këtë drejtim duhet të merren masa të menjëhershme përkatëse dhe të mos përsëriten kurrë më gafe të tilla. Ai i Bremenit ka njoftuar këndej se Xh (Xhaviti) ka shkuar dhe i ka thënë se unë jam përgjegjës për këtu, sepse punoj me 30 celula, prandaj Zërat e Kos.t'i jap unë. Në anën tjetër shkon një tjetër, ai Faz. (Fazli Memaj) dhe i thotë njeriut se jam kompetent të të pyes pse ti nuk je diçka i kënaqur... edhe një rast tjetër edhe më flagrant me rastin e shfaqjes së koncertit në Dys. shkon Engjëlli (Kolaneci, dimplomat shqiptar në Vjenë-shën i Xh.D.) dhe i merr Xh. Hyz dhe Faz. (Xhavit Ramabajën, Hyzri Rekën dhe Fazli Memajn-shën i Xh.D.) e u thotë: ku është Lëvizja, keni kujdes se aty është udba, mos u mashtroni, hapini sytë dhe kështu në këtë kuptim... diçka e pabesueshme dhe ata burrat e botës asnjëri s'e kanë njohtuar shokun me të cilin kanë kontakt. Çfarë njerëzish mund të jenë ata kur prej tyre ka pasur që kanë thënë në masë se nuk kemi bazë, Lëvizja nuk ka ndonjë bazë të sigurt dhe kështu në këtë kuptim. Shtoja kësaj edhe rastin flagrant të Ilazit atëherë shihet se sa metodë e dëmshme pune është kjo. Sot më shumë se kurrë po bindem se ne duhet të mbështetemi në njerëz të sigurt, sado pak qofshin ata, tre tre mjaftojnë por ama të jenë burra e shokë.
Me Ilazin (Ibrahim Kelmendin-shën i Xh.D.) mendoj se duhet ta lëmë kështu njëherë të mos i bëjmë zë fare, por ai njeri nuk guxon më kurrë të jetë aty ku e kemi zgjedhur, ai është njeri i papërgjegjësi dhe gjer në fund i pabesë. Unë ia kam shkruar një letër në këtë drejtim pa ia potencuar të gjitha këto drejtpërsëdrejti dhe nuk ka kthyer përgjegje, sepse fajtori kurrë nuk ka guxim të flasë, ai mbrohet me heshtjen, që do të thotë se është një pranim faji.
Të tregohen përgjegjësitë që i ka caktuar dikujt populli në një luftë ilegale dhe të dekonspirojë gjëra për të cilat shokët tanë i lënë veshkët e dhëmbët në qeli burgjesh pa qelë gojë, ky është një gjest i papresedan tradhtie e mospërgjegjësie.
Është edhe njërast tjetër, çështja e Shaqës. Në një letër aspak shoqërore Salihu më thotë se e urrej në masën më të madhe unitetin formal, dhe vazhdon pse nuk po ndalen thashethemet kundër Shaqës (Shaqir Shabanit-shën i Xh.D.). Dreqi e marrtë po Shaqa i ka nxitur vetë thashethemet me sjelljet e tij të poshtra udbeske, ai shkon dhe i thotë njeriut shko dhe organizoje filan fistekun në Lëvizje sikur L. të ishte kafene pastaj i mashtron dhe i frikëson se do t'ua qesë në Zërin e Kosovës, se ka kompetenca të mëdha e çka po di unë. Për këtë njeri unë nuk dua të harxhoj fjalë e kohë, por po them se ky është një element destruktiv puna e të cilit nuk ka asgjë të përbashkët me Lëvizjen. Ai ose është ambicioz i sëmurë, ose njeri i udbës, dhe unë më shumë droj se ky është i dyti. Tash po na dalin fakte se ai po u thotë shokëve në Gjermani që të kenë kontakt vetëm me Nuhiun... Pra puna ka shkuar larg. Ai njeri kurrë s'i ka shkëputur lidhjet me ish-padronin e vet....
Kohët e fundit kam qenë shumë i zënë, kam pasur shumë kontakte me shokë të brendshëm dhe besoj se ia kemi arritur të bëjmë shumëçka: atje do të shpërndahen trakte e do të kryhen aksione vetëm nga ana e LRSHJ dhe do t'ia arrijmë që veprimet e fëlliqura të këtyre fraksionistëve të evitojmë në një masë të madhe... por kjo do shumë punë, tmerrësisht shumë punë dhe nerva, prandaj do të ishte mirë që me organizimin jashtë të merreni të gjithë më shumë dhe sidomos Salihu që e ka përgjegjësi kryesore. Ai duhet t'i krijojë kuadrot tona të ardhshme dhe të gjithë frenjtë e organizimit t'i përqëndrojë në duartë të veta, por kuptohet me një punë dhe përgjegjësi në nivel me obligimin që ka. Në bisedë telefonike me të mbrëmë po më thotë s'kam të holla... ky nuk është një arsyetim bindës, fundja të hollat për kënd i kemi, për luftën e jo për sytë e zi. Sidomos në këtë kohë ai është dashur të jetë në mesin e punëtorëve në St. (Stuttgart) dhe ta rrokim punën përpara, sepse kemi të bëjmë me njerëz qe s'kanë fije burrërie, por që do të merren edhe me denoncime te armiku, për këtë jam i sigurt, por nëse ne punojmë, nëse ne e qesim shpesh dhe kualitativ ZK ata nuk kanë çka të bëjnë. Do të ishte mirë që në këtë drejtim t'i përqëndrojmë të gjitha forcat tona dhe ta lëmë në heshtje punën e tyre, kuptohet duke e qitur krejtësisht nën hije punën e tyre përçarëse e minuese, pra me punë.
Pastaj lidhur me ta t'i sqarojmë punëtorët sa më tepër jo vetëm gojarisht dhe duke e përqëndruar vëmendjen në qëllimet e tyre tamam armiqësore, e jo duke ndenjur nën hije, sepse ara pa i zhytur këmbët në dhe nuk mihet... Ka kuadro bile shumë, por ne nuk po punojmë sa duhet, po na mungojnë ata militantët që s'u shihen kurrë gjurmët por që u ushton puna, e Halimi duhet ta dini është talent i intrigave dhe mashtrimit të njerëzve, prandaj Salihu duhet ta ketë parasysh këtë dhe ta formulojë një formë të veçantë për t'iu kundërvënë. Në këtë drejtim të mendojmë edhe ne si t'ia bëjmë. Natyrisht pa një unitet mendimi e veprimi nuk do të kemi sukses. Mua s'më pëlqen ajo që para syve të luajmë rolin e unitetit e pastak kur të ftohet muhabeti të ndërrohet pllaka. Vetë nga toni i bisedës së Salihut mbrëmë unë kam kuptuar shumëçka. Edhe pse nuk jam ithtar i mbledhjeve të shpeshta, kjo më detyron të insistoj për një takim të ngutshëm. Ne i kemi marrë detyrat, prandaj çdonjëri prej nesh le të shkrihet për realizimin e tyre, le të duket puna. Natyrisht takimet janë të frytshme dhe mëse të domosdoshme, por po e shihni edhe vet se në çfarë kushtesh po veprojmë, pa dokumente, pa mjete materiale të bollshme, pa status të sigurt, si në vend të huaj më.
Vendin e Ilazit (Ibrahim Kemendit-shën i Xh.D.) mendoj se duhet ta plotësojmë, por pa e njohtuar njëherë përnjëherë, me të duhet të taktizojmë sa më tepër që të jetë e mundur....
Ju lutem të mendoni për këto dhe të vendosni diçka menjëherë. Për shkak të largësisë unë dhe plaku mund të dalim deri kah Baseli, në mënyrë që ta ndajmë përgjysmë rrugën e besa edhe shpenzimet.
7 qershor 1983
Xhema (Xhafer Shatri)

19. DISKUTO ME ATA TEK TË CILËT KE NDËRMEND TË MBËSHTETESH MË SHUMË

Shoku Ll. (Xhafer Shatri)
13 qershor 1983

... Lidhur me fraksionistët mendoj që përgjigja duhet t'u bëhet por jo në ZK sepse në këtë mënyrë mund t'u bëjmë shërbim, dhe kësaj t'i japim përmasa sepse aty ku shkon ZK, këtyre do t'u nevoiten vite të tana me mbërri, gjë që s'do të mbërrijnë kurrë. Kështu që përgjigja të dërgohet tani për tani vetëm në ato vende ku mbërrijnë ata. Në këtë drejtim unë kam menduar me e përgatitë një libër të tërë skeletin e të cilit e kam bërë dhe do ta dërgoj e nëse të duket i arsyeshëm e thellojmë punën në atë drejtim. Kjo s'do të thotë që mos me ua bërë edhe një përgjigje në një trakt dy faqesh, kurse në libër mendoj të jenë të rrahura shumë probleme më gjerë, dhe me llojet e tjera të fraksionizmit. Unë jam i kënaqur me atë skelet.
Lidhur me takimin rregullojeni si ta gjeni më të përshtatshme. Unë në të ardhmen sigurisht nuk do të mund ta bëjë atë që së paku është thënë teorikisht ta bëjë. Andaj se çfarë taktike do të përdoret dhe si është më mirë të zhvillohet lufta diskutoje më shumë me ata që e ke ndërmend të mbështetesh më shumë. . Unë do ta bëjë edhe në të ardhmen atë që më thuhet por jo, me hy deri në atë shkallë sa me i ngritë punëtorët grushtet kundër njëri-tjetrit siç ka ndodhë me vëllaun e Ilazit dhe Musa Dakën.
Të fala S. (Xhafer Durmishi)

20. QARKORE INTERNE LIDHUR ME RASTIN E ISH-PKMLSHJ

Qarkore e shkruar nga Xhafer Shatri në emër të Redaksisë së Zërit të Kosovës, qershor 1983

- Kohët e fundit ka nisur të shpërndahet nëpër Gjermani një broshurë me titull: Platforma Politike, Programi dhe Statuti i OS (organizatës sindikale) Bashkimi i Punëtorëve të Kosovës. Në këto 40 e sa faqe ka gjithëçka, prandaj kësaj radhe s'po e analizojmë fare përmbajtjen e saj, le ta bëjë këtë vet lexuesi, por po e analizojmë atë çka i parapriu kësaj: Në vitin 1981 në Kosovë për herë nisi të flitet për PKMLSHJ (Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi), ajo nisi ta nxjerrë organin e vet në dhjetëra kopje me titull "Revolucioni", njëherë tjetër Zërin e Atdheut, kjo e fundit është shpërndarë shumë pak, kështu që nuk dihet për të, ndërsa "Revolucioni" është më i njohur nga ajo se te lexuesi i pjekur që ka qenë në dijeni të organizimit ilegal në Kosovë, ka lënë pështypje me prepotencën e pashembullt të njërit prej numrave të tij, në të cilin autorët e tij pohojnë se gjoja ata qenkan ata që i kanë organizuar demonstratat e 81, dhe se për këtë sukses kryetari dhe sekretari gjeneral e kanë shpallur veten heronj të popullit. Këto gjëra i kanë indinjuar së tepërmi sidomos njerëzit që kanë vepruar në ilegalitet të thellë gati me dekada, por kurrë s'kanë nxjerrë zë, ata e kanë lënë të tregoj puna e tyre; kjo që thamë, niveli i ulët intelektual i shkrimeve të tyre, fjalori i konferencave jugosllave bënë që te shumë njerëz të fitohet përshtypja se kjo është vepër e UDB-së, në të vërtetë autori i shkrimeve ka punuar në SPB. Këtë organizatë në një masë e ka popullarizuar edhe regjimi duke shkruar për të në kohën kur ata kërkonin me pishë njëri për t'ia hudhur fajin për Pranverën e 81, sepse ishte qëndrim i organizata tjera ilegale që një shpërthim i tillë në opinion të paraqitet si vepër spontane e popullit pavarësisht nga ajo se kush ka kontribuar në atë drejtim, sepse kjo do të ishte shumë më akuzuese për armikun. Veç kësaj kjo org. në fjalë e ka përdorë me sukses luftën psikologjike, të gjitha shkrimet e veta së pari ua ka dërgua organeve krahinore, kuptohet duke i ngjitur vetes emra të mëdhenj e fjalë që me asnjë rast s'i ka përcjellë punë përkatëse. Kjo metodë është treguar e suksesshme sepse e ka popullarizuar këtë organ. Në të vërtetë kjo organizatë ka qenë, sikundër që edhe është vepër e një grupi të ngushtë familjar dajë, nip, dajë etj. Për herë të parë në Kosovë këta kanë lëshuar në "përdorim" një formë të vjetëruar organizative, të kohës së Leninit apo të tipit të sotëm të Perëndimit, do të thotë celulat dhejtëshe, gjë që për realitetin kosovar kjo është treguar si shumë e pasuksesshme, madje edhe e rrezikshme. Në këtë formë organizimi nuk ka pasur asfarë seleksionimi të njerëzve dhe të përfitimi i simpatisë së tyre, siç po mësojmë kohët e fundit, është përdorë me të madhe shantazhi në këtë stil: je i rrezikuar prej policisë, unë punoj në UDBë, ndaj e di mirë, pra eja të të strehojmë, dhe njëmend i kanë strehuar njerëzit viktimë e kësaj forme pune janë profesorët që u dënuan në procesin e fundit politik në Prishtinë. Ata, pa qenë fare, janë dënuar si njerëz të organizuar.
Një parantezë. Në prag të vrasjes tragjike të shokëve tanë Jusufit e Bardhoshit (kanë qenë siç dihet anëtarë të ish Lëvizjes nacionalçlirimtare...) dhe Zeqës (anëtar i ish-Organizatës Marksiste-Leniniste...) janë zhvilluar bisedime për bashkim. Bisedimet kanë qenë të suksesshme dhe sipas të gjitha gjasave natën e vrasjes ka ardhur gjer te bashkimi. Këto organizata kanë vepruar në mërgim sidomos dhe gjithmonë i kanë koordinuar aksionet, janë ndihmuar në mes veti me të madhe, ky është një fakt i padiskutueshëm. Pas rënies së tyre në popull u krijua një indinjim i pakufishëm e mjerisht edhe një huti e palejueshme... Në Kosovë u bënë burgosje të mëdha. Nga të gjitha organizatat u burgosën shumë njerëz, shumë të tjerëve iu deshtë t’ia mësyjnë mërgimit, ndër ta edhe udhëheqësi i PKMLSHJ. Në mërgim janë zhvilluar bisedime në mes tij dhe shokëve të ish LNÇ... ka ardhur te bashkimi, gjegjësisht formimi i LRSHJ, jo LRSSHJ. Përkundër kësaj nuk është zhvilluar kurrfarë aktiviteti, kjo ka mbetur anonime, çështje e tre-katër njerëzve. Në maj, më 14 e 15 maj janë zhvilluar bisedime edhe me përfaqësues të ish OMLK. Ka ardhur gjer tek bashkimi gjegjësisht formimi i LRSHJ. Për këtë ekzistojnë dokumente. Në bisedime kanë qenë dy përfaqësues të organizatave të mëparshme, si përfaqësues të organizatave të tyre.
Kur ka ardhur te botimi i komunikatës, përfaqësuesi i ish-OMLK-së ka insistuar që ajo të përpunohet pak, por në esencë të mbetet e njëjta, dhe i ka bërë ndonjë plotësim, ashru siç qe vendosur, dhe e ka dërguar në botim, mirëpo përfaqësuesi i ish-PK... ka insistuar në që në komunikatë të futet pasusi se prijëse ideolre e Lëvizjes do të jetë Partia Komuniste, gjë që në fillim tingëllonte fare padajllëzisht... Njeriu kur të bashkohet me dikend të luftoj për të njëjtin qëllim aty s'ka asnjë vend dyshimi, dhe thënë të drejtën sikur të mos ishte përfaqësuesi i LN... kjo do të bëhej, mirëpo ai duke i njohur mirë ua hetoi qëllimin, dhe kuptohet doli komunikata që thotë se LRSH është një organizatë unike e operative... U zgjodhën organet e përkoshme udhëheqëse, por në mbledhjet e tyre mungonte përf. i PK... ai insistonte rregullisht që të flasim vetëm në katër sy... Fillimi si çdo fillim nuk na mundësonte takime të shpeshta nisëm të letërkëmbejmë. Shoku i PK nuk përgjigjej në letra, më vonë njëri prej tyre shtroi në një letër të gjatë propozime të shumta që dukeshin të papranueshme, ndër të tjera insistonte të formohen organizata të brendshme si Fronti demokratik, organizata e gruas, e pionierëve etj. gjë që për realitetin kosovar kjo është e pamudur: në një shtet totalitar të tipit më fashist t'i shkapërderdhësh njerëzit kjo është vetëvrasje. Në të tjera kushte ka vepruar PKSH, ajo e ka pasur malin... ndërsa Kosovë është krejt diçka tjetër. Në këto shkresa kemi dhënë përgjegje të qarta dhe kemi shprehur mendimet tona. Kemi insistuar për një takim, sepse e pamë se veç ia kanë nisur t'i përçajnë radhët tona, të organizojnë edhe njerëzit e organizuar, duke u shërbyer me shpifje dhe dinakëri krijuan konfuzion të madh sidomos në rrethin e Shtutgardit. Kjo reflektohej keq te punëtorët. U përpoqëm të bisedojmë bashkarisht për këto probleme, por u iknin takimeve. Njëherë udhtuam me mija kilometra për t'u takuar, por ai burri i botës i iku takimit, vetë shoku i tij më i ngushtë ikjen e tij e çmoj si tradhti... Ky rast pati pasoja të mëdha. Herën e dytë i shkruam letër urgjente që të propozojnë se ku po shihemi dhe kur, bile morëm përsipër që të udhëtojmë 5000 kilometra, me rreziqe të shumta, por përgjegje morëm vetëm pas dy muajsh, kuptohet përgjegje negative. Shkruanin herë pas herë, nuk kthenin përgjegje, apo më mirë, shërbeheshin me arsyetime që s'ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra fare të paskurpullta. Duke e parë se çdo gjë është e kotë edhe ne e ndërpremë letërkëmbimin aty kah viti i ri duke thënë se kur të bëhen gati le të shkruajnë në ZK e ne do t'u japim përgjegje. Atë ditë e sot nuk kemi marrë letër. Gjersa marrëdhëniet nuk ishin aq të ftohura ata e shpërndanë një trakt disafaqesh me konglomerat idesh, por në të kishte edhe gjëra të mira. Për shpërndarjen e këtij trakti kemi marrë vesh pasi që na ka ra në dorë. Disa herë kanë premtuar se do të shkruajnë për ZK, këtë e kanë bërë shumë rrallë dhe punimet kanë qenë krejtësisht të dobëta, fare të papërpunuara. Kanë premtuar se do të dërgojnë informata për një dëshmor të ri, Afrim Abazin këtë s'e kanë bërë kurrë. Në një letër të mëparshme kur autorit të këtyre rreshtave i propozuan ta bëjnë "kryetar" të L. dhe kur ky propozim u injorua, si duket i humbën të gjitha shpresat se do të mund të luajnë me emrin e Lëvizjes, të cilës, duhet të themi, duke keqpërdorë sinqeritetin tonë ia imputuan emrin me ndajshtimin LR(S)SHJ, sepse në dokumentet e bashkimit përmendet vetëm LRSHJ, asgjë tjetër. Këtu është shkaku pse edhe sot e tutje në ZK përdoret vetëm në një vend LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në J.). Në këtë letër-informuese është vështirë që për një kohë fare të shkurtë të përfshihen të gjitha ato që na shtynë të bashkohemi, pastaj ato marrëdhëniet ngreh e mos e këput që për ne kanë qenë torturë, minimi i radhëve nga brenda, intrigat e ndryshme, mossinqeriteti total, dëshira e sëmurë për dominim etj. kanë qenë arsenal i tyre i përditshëm në marrëdhënie me ne. Për hir të unitetit ne jemi treguar së tepërmi tolarantë, apo për të thënë më mirë oportunistë. Me ta është dashur ta shkëpusim që në fillim. Me njerëzit që nga hija e vet nuk e shohin interesin e luftës e të popullit, ne s'na lidhë asgjë. Kjo broshurë më tepër është një konglomerat budallëqesh se sharlatanrie të pashoqe. Autorët (i) i saj nuk e njeh apo thënë më mirë se njeh fare realitetin e sotëm, apo thënë ndoshta nuk do ta njohë. Nisur nga kjo që në biseda verbale dhe në mbledhje të ndryshme duhet të plotësohet edhe me shembuj më të freskët e më të imët, tash për tash shtrohet si detyrë që të gjithë anëtarët e LRSHJ ta analizojnë këtë broshurë dhe të shprehin mendimin për të, pa kurrfarë mërie ose inati personal. Ne qëllimisht s'po e bëjmë këtë, sepse na nevoitet mendimi i të gjithë shokëve e pastaj nga ato do të marrim një vendim.
Një gjë është e qartë: ky është një fraksion që mund ta dëmtojë, por kurrë ta ndalë hovin e Lëvizjes. Këta janë njerëz që nuk kanë ndikim në masë, ata i frikohen takimit me të, nuk kanë kurrfarë aftësie intelektuale për të shkruar diçka të mirë, apo aftësi organizative që ta dëmtojnë armikun ashtu siç e kërkon populli sot dhe kushtet ekzistuese. Është dëshmuar se janë mendjemëdhenj të sëmurë, njerëz në të cilët nuk mund të mbëshetetemi kurrë, dhe s'mund të shohim asgjë të mirë. Sikur të ishin shokë, ata kanë mundur të kontribuojnë, sepse udhëheqësi i tyre ka punuar në çerdhen e armikut dhe ka mundur të na informoj e mësoj për shumë gjëra. Ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Mjerisht puna ka shkuar edhe më larg, ka fakte se po na i denoncojnë njerëzit e tyre shokët tanë më të mirë. Sidomos kjo po na dëmton shumë. Është edhe një e keqe tjetër: ekziston dyshimi i themelshëm se në mesin e njerëzve të tyre ka edhe njerëz që punojnë për armikun, fundja të gjitha veprimet e tyre çojnë ujë atje... ku s'duhet. Por megjithatë ne nuk guxojmë të jemi shpirtngushtë dhe t'i kualifikojmë si armiqë e tradhtarë, pavarësisht se puna e tyre është kokë e këmbë e tillë.
Lidhur me këtë nga shokët tanë kërkohet që gjithsesi ta studiojnë këtë broshurë dhe sa më parë t'i shprehin mendimet e veta. Gjatë leximit ta analizojnë së bashku çdo rresht dhe të vinë vetë në përfundime të drejta. Duam ta dimë poashtu se a mendojnë shokët t'i demaskojmë apo jo, t'i luftojmë haptas dhe ta bindim popullin se kush janë e çka duan apo ta lëmë për një kohë se si po zhvillohet situata. Por një gjë duhet ta kemi parasysh, këta njerëz mbjellin hutime e dezorientim te masat dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse kompromitohet emri i Levizjes, e ata do të vazhdojnë të veprojnë edhe në të ardhmen në emrin e saj, sepse ky është paravani më i mirë përmes të cilit ata i fshehin budallallëqet e veta. Ky është i vetmi shkak që na shtynë të merremi me ta, përndryshe ata janë fare të parëndësishëm. Do të mund të ishin të rrezikshëm vetëm nëse lidhen me ndonjë shërbim të huaj informativ, sidomos me atë bullgar, siç ka propozuar shefi i tyre njëherë, por e kemi kundërshtuar, mu për këtë duhet të jemi shumë e shumë vigjilentë, t'i sqarojmë masat, sepse ata kanë për qëllim të fusin konfuzion dhe në emër të saj të verbojnë Lëvizjen. Të aktivizohemi të gjithë në zbulimin e njerëzve që e shpërndajnë këtë manifest të budallallëkut dhe t'i sqarojmë punëtorët, por pa hyrë në detaje të marrëdhënieve tona me ta. Ata duhet t'i luftojmë me punë të përditshme dhe jo me thashetheme.
Presim mendim të menjëhershëm
Redaksia e Zërit të Kosovës (Qarkore nga Xhafer Shatri, qershor 1983)

21. KËRKESA IME (XHAFER DURMISHIT) PËR DORËHEQJE NGA QENDRA EKZEKUTIVE MË 10 KORRIK 1983

Pas 12 marsit 1983 e udhëtimeve të mia që i bëra me ndihmën e shokëve të Shtutgartit në München, Düsseldorf, Bielefeld e Hamburg në muajt prill - qershor 1983, unë vendosa me dhënë dorëheqje nga Qendra Ekzekutive. Shkaqet për këtë ishin këto: Unë nuk mund të kryeja atë detyrë që më ishte dhënë (marrjen me çështjet organizative jashtë) pasi me këtë punë merreshin tërë kohën vetë Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi. Ibrahim Kelmendi e trajtonte klubin "Emin Duraku" në Düsseldorf pronë shumë më private se sa hisen e tokës që mund t'ia ketë lënë baba i vetë apo ndonjë bakshish të dajës Ramë. Xhafer Shatri zhvillonte një korrespondencë të dendur edhe për çështje organizative me rrethe të ndryshme e me shokë që kisha kontakte personale në Shtutgart dhe kurrë nuk më njoftonte për ndonjë instruksion të tijin. Ai i kishte fshehë letrat e drejtuara për mua, që më kishin ardhë në adresën e Zërit të Kosovës në Biel/Bienne, për mos me m'i tregua me arsyetimin se "jeta e ka mësue mos me i besua askujt." Kur letrat e mia nuk m'i ka përcjellë, kërkesa për të më treguar ndonjë komunikim me të tjerët më duket se del sa absurde aq edhe qesharake. Xh. Shatri më thoshte se duhet t'ju afrohesh punëve ngadalë e t'ua rrëmihësh dheun të tjerëve nën këmbë. Kjo farë kopilie e rrëmihjes së dheut nën këmbë e kjo farë taktike nuk më interesonte dhe nuk më hynte në punë për ndërtimin e sa më shumë klubeve dhe bashkimit të bashkatdhetarëve në këto klube. Mua, shokë në Düsseldorf në verë të vitit 1983 më treguan se na ka thënë Bacaloku (Xh. Shatri), kur të vjen Skenderi i Shtutgartit (Xhafer Durmishi), ndiqeni me rrametë.

Aspekt tjetër ishte letra e tij e 7 qershorit 1983. Nga ajo që kisha dëgjuar për Xhafer Shatrin në Kosovë, dhe nën influencën e Sabriut, unë kisha pasur një respekt e nderim më të madh se sa ai e meritonte. Fillimisht qëndrimi im (përkundër keqkuptimeve fillestare të cilat i konsideroja të rastit) ndaj tij ishte pikërisht ai që kisha pasur ndaj Jusufit. Ai gjykoi dhe na vendosi në një forum së bashku me Ibrahim Kelmendin. Për këtë ai shpejt u pendua por kishte frikë me u ballafaque me të vërtetën dhe mirrej me taktizime të dobëta e pa asnjë princip, duke i vendosur në pozitë shumë të keqe pranuesit e letrave të tij (sidomos të asaj të 7 qershorit 1983).
Për këto shkaqe unë pata vendosë me kërkua dorëheqje në mënyrë të qetë që të shkëputem prej Xhafer Shatrit, Ibrahim Kelmendit dhe kleçkave të tyre. Xh. Shatri e kishte trashëguar një situatë delikate prej Kadri Zekës dhe rrethit të tij. Ata për të gjallë të Jusufit nuk kishin pranuar me e marrë e të mos flasim për shpërndarjen e Zërit të Kosovës. Tortura e tyre shpirtërore pas mbetjes së Zërit të Kosovës, Zërit të Jusufit si e vetmja gazetë, mundet vetëm me u marrë me mend. Në njëfarë mënyre unë i kuptoja kleçkat e kurthat e Xh. Shatrit si një lloj kompensimi me të cilin ai kishte nevojë me i ushqye shokët e vetë. Figura ime ishte tepër e lidhur me Zërin e Kosovës, andaj urrejtjen që e kishin pasur kundër kësaj gazete e kishin fokusuar në personin tim. Unë përpiqesha të kem mirëkuptim për vuajtjet e traumat e tyre dhe pata vendosur të jap dorëheqje. Me sakrifikimin e vetvetes mendoja se do ta forcoj pozitën e shokëve të Shtutgartit, pasi mendoja se urrejtja e tyre e madhe kundër meje nuk do të shkarkohej mbi ta. Pastaj mund të thuhet se në ato ditë edhe Xhafer Shatri edhe unë kishim të drejtë me qenë shumë të kënaqur: ai për arsye se brenda një viti, me mjeshtërinë dhe përvojën kolosale, kishte arritur të ngritet në krye të Lëvizjes, duke pasur maqinën e Jusufit, një adresë gazete në të cilin i vinin letra dhe një xhirollogari në të cilët bashkatdhetarët dërgonin ndihma. Unë në anën time, edhe pse niveli i ambicieve kishte qenë jashtëzakonisht më i vogël, përkundër aftësive të kufizuara dhe mospërvojës kisha dhënë kontribut vendimtarë për të ruajtur emrat "Lëvizje" nga Lëvizja e Jusufit, dhe "Zëri i Kosovës" nga Zëri i Jusufit. Unë nuk kisha ndonjë shpresë tjetër se jeta ka në fshehtësi detyra më të rëndësishme për mua.
Në bazë të poshtërsive që ishin bërë në drejtim timin unë kërkova dorëheqje nga një Qendër e tillë. Megjithatë unë isha i interesuar që puna t'i shkoj mbarë kësaj Qendre Ekzekutive edhe pa mua, sa edhe u propozova që vendin tim mund ta zenë Xhavit Ramabaja, aktivist në Bielefeld, Gjermani. Kërkesa ime për dorëheqje nuk u aprovua prej asnjërit. Unë e tërhoqa këtë kërkesë sidomos për hir të Faridin Tafallarit dhe Hasan Malës, duke gabuar kështu, pasi sikur të kisha qenë këmbëngulës në këtë pikë do ta kurseja veten prej shumë konflikteve artificiale e disa punëve të ulëta.

22. STATUT I LEVIZJES PER REPUBLIKEN SOCIALISTE SHQIPTARE NE JUGOSLLAVI (LRSSHJ)

Xhafer Durmishi: "Sa i përket Statutit të pregatitur nga ana ime kam këto vërejtje; duhet shtuar definimin e sakt se kush është, mund të quhet anëtarë i Lëvizjes, dhe një nen të ri që ka të bëjë me sjelljet e anëtarëve të Lëvizjes që veprojnë në shtetet e ndryshme, të cilët nuk guxojnë të bien në kundërshtim me ligjet e vendeve në të cilat veprojnë. Pastaj vërejtjen tjetër, në kapitullin e parë që ka të bëjë me datën e formimit të LRSHJ. Më 10 korrik 1983, Uka më tha se do të ishte shumë mirë në Komunikatë ta kishim shënuar vetëm 15 majin, pasi fraksionistët e PKMLSHJ nuk do të mund të qëndronin shumë, pasi kryesisht ata po thirren në 17 shkurtin. Duke u nisur vetëm nga ai qëllim dhe sidoms kur ka qenë në pyetje fraksioni që u shërbye me metoda shumë të ulëta mua më është dukur e arsyeshme dhe ky ka qenë shkaku kryesor që unë në atë statut e kam shënuar datën e 15 majit. Tani Mërgimi thirret në të njejtën mënyrë si Uka se qëllimi të shënohet 15 maji ka për qëllim ta devijoj vijën për Republikë për të cilën kemi vendosur më 17 shkurt. Unë nuk ju kam kushtuar vëmendje të duhur këtyre gjërave, sepse për natyrën time nuk më janë dukur gjëra të dorës së parë. Pasi çështja është shkruar kësisoji, atëherë pavarësisht se si do të shprehemi as 17 shkurti nuk mund të fshihet pasi është një fakt, kur janë bërë bisedime dhe është vendosur, çka është më kryesorja, emri i organizatës të cilës më 15 maj nuk iu ndryshua asnjë pikë dhe asnjë presje. Sido që të jetë unë nuk jamë për atë që të bëhet objekt diskutimi kjo çështje. Faktet historike mbeten fakte, unë jam për atë që me ato të merret historia." (Letër Qendrës Ekzekutive, 3 janar 1984)

I
Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi është përfaqësuesja e interesave të vërteta të popullit shqiptar në Jugosllavi. Aktualisht ajo është luftëtarja më e denjë për realizimin e këtyre interesave.
Lëvizja është një bashkim luftarak vullnetar patriotësh e revolucionarësh të popullit shqiptarë që jeton në Jugosllavi dhe i asaj pjese të tij që fati historik e detyroi të mërgoi nëpër shtete të ndryshme të botës, të cilët përpara interesit të përgjithshëm i kanë sakrifikuar të gjitha interesat tjera.
LRSSHJ u ngrit mbi bazën e organizatave LNÇKVSHJ, OMLK, FKP dhe PKMLSHJ.
"Zëri i Kosovës" është vazhdim i denjë, i përshtatur, për aq sa kanë lejuar të gjitha rrethanat që të përshtatet, i "Bashkimit", "Lajmëtarit të lirisë", "Lirisë" dhe i ndonjë botimi tjetër që nuk ka çuar shumë peshë në jetën politike të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, të tillë siç e njohin sot të gjithë shqiptarët, u themelua më 15 maj 1982, nga revolucionarët kosovarë, mbi bazën e lëvizjes patriotiko-revolucionare të organizatave patriotike.
Qëllim i Lëvizjes është që të grumbulloj aq forca rreth vetes, sa me atë forcë të grumbulluar t’i bëjë presion udhëheqjes federative, dhe me këtë t’ia imponoj kësaj të fundit një situatë të atillë në të cilën ajo do të detyrohet që popullit shqiptarë në Jugosllavi t’i njehë të drejtën për formimin e një republike siç janë gjashtë të tjerat në RSFJ.
Për të arritur gjer tek ky qëllim, Lëvizja do të shërbehet me metoda të ndryshme të luftës që ia lejon etika revolucionare dhe që janë të njohura në praktikën e luftërave të popujve për liri.

II
ANETARET, TE DREJTAT DHE DETYRAT E TYRE


1. Anëtarë të Lëvizjes mund të bëhen të gjithë shqiptarët në Jugosllavi dhe pjesa e tyre në botën e jashtme, të cilët kanë kaluar moshën 18 vjeçare dhe që pranojnë programin dhe statutin e Lëvizjes për Republikë.
2. Anëtarë është ai i cili pranon Programin e saj, që e ndihmon materialisht dhe që merr pjesë personalisht në një nga celulat e saj.
3. Anëtari ka për detyrë:
a) të ruaj dhe të luftoj për unitetin e Lëvizjes. Lëvizja nuk lejon ekzistimin e fraksioneve në gjirin e vet,
b) të zbatoj vendimet e Lëvizjes, të respektoj statutin e saj, të propagandoj traditat patriotike të popullit tonë. Ai gjithmonë duhet të veproj nga pozita revolucionare,
c) të ngritet teorikisht, të mendoj, punoj e jetoj si revolucionar dhe luftën për formimin e Republikës Shqiptare në Jugosllavi ta vej në plan të parë në të gjithë veprimtarinë e tij,
d) të forcoj lidhjet me masat, të jetë i drejtë, i ndershëm, i dashur për popullin, të jetë armik i mendjemadhësisë, karrierizmit, indifirentizmit dhe i frymës së komandimit kundrejt njerëzve,
e) të jetë propagandist, agjitator dhe mbrojtës i flaktë i qëllimit të Lëvizjes,
f) të jetë kritik, autokritik dhe të luftoj vetëknaqësinë,

4. Anëtari ka të drejtë
a) të marrë pjesë në diskutimin e problemeve të luftës së Lëvizjes,
b) të kritikoj sjelljet e anëtarëve dhe veprimet e padrejta,
c) të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet udhëheqëse
d) t’u drejtohet për çështje të ndryshme me pyetje, kërkesa dhe propozime organeve udhëheqëse të Lëvizjes

5. Pranimi në Lëvizje bëhet në mënyrë individuale, pas një njohje të gjatë dhe të hollësishme.

6. Lëvizja anëtarëve të vet nuk u shpërndan libreza.

7. Anëtari ka përgjegjësi të madhe për njerëzit që pranon në Lëvizje.

8. Kur anëtari tre muaj rresht nuk merr pjesë në mbledhje ose nuk paguan kuotizacionin a anëtarësisë, celula duhet ta shqyrtoj qëndrimin e tij në mbledhjen e vet.

9. Kalimi i anëtarëve prej një celule në një celulë tjetër bëhet sipas rastit me udhëzime të organeve udhëheqëse të Lëvizjes.

10. Anëtari i Lëvizjes që vepron në shtete të ndryshme të botës nuk guxon të bien me sjelljet e veta në kundërshtim me ligjet e vendeve në të cilat vepron dhe as nuk guxon në asnjë mënyrë të përzihet në punët e brendshme të atyre shteteve.

11. Për faje e gabime të palejueshme anëtari përjashtohet nga Lëvizja.

12. Nëse verifikohet se përjashtimi ka qenë jo i drejtë, atëherë kthimin mund ta bëjë vetëm celula që ka miratuar përjashtimin.

III
NDERTIMI


13. Parimi udhëheqës i ndërtimit organizativ të Lëvizjes është centralizmi demokratik. Kjo do të thotë:
a) të gjitha organet zgjidhen nga poshtë lartë, nëpër tubime të ndryshme, në forma që do të gjenden më të përshtatshme, ashtu siç na i imponon veprimtaria në ilegalitet,
b) organet udhëheqëse janë të detyruara që kohë pas kohe të japin llogari para celulave të Lëvizjes,
c) organet bazë japin llogari para organeve më të larta.

14. Lëvizja ndërtohet në bazë të territorit (lagje qytetesh e fshatra), baza prodhimi (fabrika e kombinate), në institucione të ndryshme (fakultete, shkolla të mesme, shoqëri kultorore etj.) dhe nëpër koloni të ndryshme shqiptare në mërgim.

15. Të gjitha problemet celulat i zgjedhin vetë por me kushtë që zgjedhja e tyre të jetë në vijën e Lëvizjes.

16. Lëvizjen e udhëheq Komiteti Qendror, nën vartësinë e të cilit veprojnë të gjitha komitetet e degëve si në atdhe ashtu edhe në mërgim.

17. Komitetet e degëve të LRSSHJ, janë organe të cilat koordinojnë aktivitetin e disa celulave dhe janë të lidhura me KQ të Lëvizjes.

IV
ORGANET


18. Organi më i lartë organizativ i Lëvizjes është Kongresi. Në kushtet ekzistuese të cilat Lëvizja i gjykon si të jashtëzakonshme nuk mund të flasim për intervale të caktuara kohe të thirrjes së Kongreseve. Aktualisht Lëvizja lidhur me këtë çështje do të thërras Kongreset në përputhje me zhvillimin e situatës.
19. Pas Kongresit, organ më i lartë është Konferenca e KQ.

V
CELULAT


Themel i Lëvizjes janë celulat e saj të cilat ngrihen në të gjitha vendet.
20. Celulat lidhin masat e qytetit dhe fshatit me organet udhëheqëse.

21. Detyrat e celulave janë
a) të zhvillojnë punë politike, ideologjike dhe organizative për zbatimin e programit të Lëvizjes, të vendimeve dhe direktivave të saj,
b) të bëjë shpërndarjen e shtypit, ta zbërthej atë dhe të forcoj influencën e Lëvizjes,
c) të raportojnë për punën e tyre para organeve më të larta,
d) të ngriten ideologjikisht dhe të ndihmojnë në ngritjen e rrethit ku veprojnë

VI
MJETET FINANCIARE


22. Të ardhurat financiare përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë.
23. Kuotizacionet mujore janë 5% e të të ardhurave mujore të anëtarit.
24. Anëtarët që nuk kanë rrogë të caktuar ndihmojnë sipas mundësive dhe u ndihmohet sipas mundësive.
25. Qarkullimi i mjeteve materiale nga poshtë-lartë dhe anasjelltas bëhet sipas rregulloreve që përpunohen për raste të veçanta.
26. Lëvizja pranon ndihma materiale e morale nëse ato janë të pakushtëzuara.

(Teksti i këtij Statuti, me ndonjë forumulin të ndryshëm nga dorëshkrimet e mia të vjeshtës së vitit 1983, është botuar nga Faridin Tafallari; Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 219- 222)
Pas konflikteve të mëvonshme (nëntor 1983) rreth 17 shkurtit e 15 majit 1982, këshillën e Xhafer Shatrit që ta përmendim vetëm 15 majin, për hir të unitetit e kam quajtur të padrejtë. E vërtetë tjetër është se ky Statut i shkruar nga unë Xhafer Durmishi, nuk u shpërnda për diskutim në rrethe, me përjashtim të shokëve të Shtutgartit, dhe në asnjë mbledhje të vetme nuk u vendos në rend të ditës me arsyetimin se për me u shkrua Statuti e Programi i Lëvizjes, Kosovës i nevoiten tre djem hallall që e don vendin më shumë se vehten. E në atë kohë djem hallall kanë qenë vetëm dy, djem dukat me nga 24 karatë.

XHAFER DURMISHI

Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 48 vizitorë
Lexuar: 1,350 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi