Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Tash është në përgjegjësinë e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të marrin një vendim rreth të ardhmes së Kosovës
Publikuar më 21 gusht, 2012 në orën 01:58 ( ) Isuf B. Bajrami | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në duart e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tashmë është një propozim i adresuar nga ish-kryetari finlandez, Marti Ahtisari, që i është bashkëngjitur dokumentit me të cilin ai ka vënë kornizat e statusit të Kosovës, ka përmbledhur garancitë për pozitën e pakicave, veçanërisht atë serbe në Kosovë dhe ka përshkruar modalitetet për praninë relativisht të theksuar ndërkombëtare në Kosovë, me fuqi ekzekutive dhe të interpretimit të mandatit të vet, edhe pas vendimit për statusin e ri të saj, që edhe ashtu, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës do t'i bënin me shume formale se sa faktike.

Serbia ka ndërmarrë një ofensivë diplomatike për të ndikuar te anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB - së që të pamundësohet ndrrimi i Rezolutës 1244 dhe nxjerrja e një rezolutë të re , me arsyetimin se, me propozimin e Ahtisarit, Serbisë "po i merret një pjesë e territorit të shtetit" dhe se "po i hiqet sovraniteti mbi Kosovën" dhe se e tërë kjo, sipas përfaqësuesve të Beogradit,"është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar". Kjo është arsyeja që, anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të theksoj, në vija të përgjithshme, një numër argumentesh dhe faktesh historike, politike e juridike,të cilat, në mënyrën më bindëse, flasin se Kosova është vendosur nën pushtimin serb, në formë arbitrare jo legjitime edhe pse shqiptarët, si popull shumicë në Kosovë, duhet të gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes, qoftë si e drejtë e një popullate në një territor të individualizuar, qoftë si e drejtë kombëtare. Nëpërmjet të argumentimit dhe faktimit të kësaj të vërtete, se janë plotësisht të papranueshme përsiatjet dhe projektet serbe për krijimin e dy entiteteve në Kosovë ose për ndarjen e saj.

Kosova është aneksuar nga Serbia në formë arbitrare jolegjitime

Pavarësia e Kosovës në asnjë mënyrë nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. C'është e vërteta, pavarësia e Kosovës përpara se të kualifikohej si "një rast klasik i secesionit të një pjese të një shteti sovran", siç shprehen serbët, do të duhej të kundrohej, në fakt, si një "anulim aneksimi ilegjitim".

Në të vërtetë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar kishte rënë vetë Serbia, e cila më 1912 e aneksoi Kosovën nëpërmjet pushtimit ushtarak, pas një agresioni të saj në Perandorinë Osmane,"edhe pse qysh prej kohësh Kosova kishte identitetin e vet historik dhe etnik, të shoqëruar me legjitimitetin e çlirimit të vet, qoftë nga pushtimi osman (1912), qoftë nga pushtimi fashist (1944), edhe pse kishte integritet gjeografik, demografik dhe kulturor të saj". Së këndejmi, në vend se të pranojë veprimin e saj ilegal që ka bërë duke shkelur "me të dyja këmbët" ligjin ndërkombëtar, me aneksimin e Kosovës, Serbia tash përdor një argument të paqëndrueshëm shkencërisht, historikisht dhe aktualisht, për të "ruajtur sovranitetin mbi Kosovën" të cilin, siç dëshmojnë faktet, e mbajti në mënyrë arbitrare jolegjitime për një periudhë shumë të gjatë, pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin .

Shqiptarët ishin kundër përfshirjes së tyre në shtetin serb, përkatësisht jugosllav

Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike (1912-13),në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1878-1912. Kështu, Serbia, edhe pse "mori legalitetin ndërkombëtar" për pushtimin e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk mundi ta arsyetojë legjitimitetin e veprimit të saj. Përveç kësaj, qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë janë dyfish të pathemelta.

Së pari, janë të pathemelta në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit, meqë po të merrej historia si kriter, me gjithë realitetet nacionale-territoriale bashkëkohore, Hungaria do të kishte të drejtë të vinte dorë mbi pjesën jugosllave të Panonisë, Bullgaria dhe Hungaria do të rivalizonin rreth Beogradit, Shqipëria mbi Janinën, Suedia mbi Norvegjinë dhe Finlandën, Gjermania mbi pjesët e rajoneve të Shlezisë dhe të Sudeteve, Danimarka mbi Shlezvikun, Iraku mbi Kuvajtin,etj.

Së dyti,qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës janë të pabaza edhe në aspektin e së vërtetës materiale, meqë Kosova, përkundër pohimeve me karakter të tillë, nuk është as djep i popullit serb, as djep i shtetit serb. Më në fund, ambiciet imperialiste me "të drejta historike"nuk kanë mundur t'i mbrojnë Anglia, Franca, Spanja, Portugalia, Holanda,etj. që, siç është e njohur, "me shekuj kanë mbajtur vende e popuj të shumtë". Prandaj,me shkatërrimin e perandorive koloniale, janë krijuar mbi 120 shtete të reja.

Argumentet historike flasin bindshëm se serbët janë vendosur në Kosovë me rastin e zgjerimit të shtetit serb në këtë drejtim nga Nemanjiqët. Në territorin etnik shqiptar, për pasojë pushtimesh, në Mesjetë dhe në kohën e Perandorisë Osmane, janë vendosur pakica sllave,turke dhe rome. Pakica sllave është shtuar ndjeshëm me kolonizimin e dhunshëm në mes të dy luftërave botërore, megjithatë, kurrë nuk ka arritur të jetë mbi 10% të popullatës në tërësi. Mbi bazë të këtyre fakteve, konkluzioni është shumë i qartë: ishin pikërisht agresioni, pushtimi dhe aneksimi serb i Kosovës që shkelen ligjin ndërkombëtar, e jo e kundërta, që pavarësia e Kosovës "dhunon të drejtën ndërkombëtare".Historia është dëshmitare për politikën shkombëtarizuese; për krimet e mëdha ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1918; për planet gjenocidale serbe për shfarosjen e shqiptarëve; për shpërnguljen e shqiptarëve në mënyrë të dhunshme në Turqi dhe për shpronësimin e fshatarësisë dhe për kolonizimin serbo-malazias e tjera.

Periudha 28 shkurt 1998 deri me 10 qershor 1999 vetëm sa i ka tejkaluar rastet e veçanta dhe ka marrë përmasat më të përgjithshme të gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve.

Me identitet politiko-territorial, me kushtetutë të vetën, Kosova ishte njësi konstitutive-federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë

Vendimi mbi të ardhmen e Kosovës nuk mund të injorojë pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, me gjithë faktin se ajo nuk gëzonte statusin e republikës por, ç'është e vërteta, ishte pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë, me territor dhe kufijtë e vet,të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj. Kosova ishte drejtpërsëdrejti e përfaqësuar në Federatën e ish-Jugosllavisë, po sikurse republikat e saj, e jo nëpërmjet Serbisë, sepse ashtu do të kishim një situatë paradoksale "të inkuadrimit të Serbisë në Serbi dhe të tri Serbive me tri vota në Federatë", ndërsa njësitë tjera "do të kishin nga një votë". Mosnjohja e statusit të republikës për Kosovën nuk mund të anashkalojë faktin e origjinës jo sllave të popullatës të saj shumicë shqiptare.

Se Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë dëshmojnë edhe këto fakte historike dhe juridike:Kosova nuk ishte në përbërjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Serbisë me subjektivitet juridik ndërkombëtar të pranuar në Kongresin e Berlinit (1878);Kosova nuk ishte në përbërjen e Serbisë në Kuvendin e Dytë të AVNOJ-it (1943); Kosova nuk ishte në përbërjen e Serbisë gjatë konstituimit të saj si njësi federale në Këshillin Antifashist të Çlirimit Popullor (1944);Kosova nuk ishte pjesë përbërëse e Serbisë në strukturën e Asamblesë Kushtetutëdhënëse të Jugosllavisë me rastin e shpalljes së Republikës Federative të Jugosllavisë (1945); Kosova nuk u inkuadrua në Serbinë sovrane, veçse në përbërje të "Serbisë Federale në kuadër të Jugosllavisë Federative", gjatë pushtimit ushtarak në Kosovë (1945. Më në fund, vlen të përmendet edhe rrënimi i autonomisë së Kosovës me Amendamentet në Kushtetutën e Serbisë, akt ky që ndodhi me 28 mars 1989, u bë në mënyrë arbitrare jolegjitime. Edhe po të mos ekzistonin mangësitë esenciale rreth deklarimit në Kuvendin e Kosovës, mangësi këto që janë dëshmuar, mosekzistimi i vullnetit të lirë, si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme politike, "e bën edhe deklarimin mbi ndërrimin kushtetues-jokushtetues".

E ardhmja e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa nga vendet e botës

Këtë duhet ta kenë parasysh ato shtete që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë së Kosovës. Ato do të duhej që t'i kërkojnë dhe t'i gjejnë "pikat e përbashkëta" të Kosovës me disa vende të botës që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi territore të tjera. Kështu, raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë, për shembull, të krahasueshme me ato ndërmjet Indonezisë dhe Timorit Lindor. Siç dihet,Timori Lindor ka qenë i pushtuar dhe aneksuar nga Indonezia në vitin 1975 dhe atë kundër vullnetit të Portugalisë si sovran i jashtëm, fakt ky që e ka bërë aneksimin e Indonezisë të jetë ilegal. Me 1988 , qeveria indoneziane ia njohi të drejtën e vetëvendosjes popullit të Timorit Lindor. Singapori është një shembull tjetër që duhet marrë parasysh. Ky vend u nda nga Malajzia me 1965. Edhe shembulli me Eritren është domethënës për rastin e Kosovës. Ishte qeveria etiopiane ajo që në vitin 1991 i njohu të drejtën e vetëvendosjes Eritresë.Rasti i Kosovës ka ngjashmëri edhe me atë të Namibisë. Ndarja nga Afrika e Jugut dhe pavarësia e Namibisë ndodhën më 1991.Prandaj, pavarësinë e Kosovës nuk duhet krahasuar me secesionizmin në disa anë të tjera të botës, ku lëvizjet secesioniste nuk janë duke vepruar në territore të aneksuara që në mënyrë të njëanshme (kundër vullnetit të popullit dhe të sovranëve të mëhershëm) u janë bashkuar shteteve aktualisht ekzistuese, por ato janë duke operuar në territore që kanë qenë pjesë e këtyre shteteve në kohën kur këto shtete kanë filluar së ekzistuari. Kështu është edhe me lëvizjet separatiste në Transdnjestrovle (Moldavi), në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi (Gjeorgji) që nuk kanë bazë etnike çfarë ka Kosova dhe që nuk kanë pasur status autonom ose federal kur u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik, siç ka pasur Kosova kur u shpërbë ish-Jugosllavia. Më në fund, shqiptarët e Kosovës nuk janë të krahasueshëm as me katalonët, uelsianët, baskët, skocezët, korsikanët, sepse ata nuk u përballën, sikur shqiptarët e Kosovës, me dëbim masiv, nga shtetet që i kontrollojnë.

Kosova i përmbush të gjitha kriteret e qenies shtet i pavarur dhe sovran

Ekzistimi i Shqipërisë si shtet shqiptar, nuk mund të qëndrojë si pengesë për statusin shtet i pavarur dhe sovran të Kosovës, po sikurse që, të sjellim shembuj nga historia e krijimit të shteteve,"as ekzistimi i Rumanisë nuk qe pengesë për krijimin e shtetit të Moldavisë ose që ekzistimi i Francës nuk paraqiste pengesë për kantonet-shtete në Zvicër". Më në fund, edhe sikur Kosova të konstituohej si shtet i shqiptarëve,"ekzistimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan "do të ishte më parë hendikep, se sa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan". Nëse bëhet fjalë për territorin, në OKB janë të anëtarësuara 34 shtete me territor më të vogël se sa Kosova. Nëse bëhet fjalë për popullatën, në OKB janë të anëtarësuara 58 shtete me popullatë më të vogël se sa Kosova. Nëse bëhet fjalë për pranimin ose jo të shteteve të reja në OKB, në periudhën prej 1990-2002, në OKB janë pranuar 34 shtete të reja.

Për Kosovën janë të papranueshme përsiatjet dhe kërkesat serbe për krijimin e dy etniteteve ose për ndarjen e Kosovës

Ato përsiatje injorojnë faktin për kuantume dhe proporcione relative demografike dhe kombëtare, shprehimisht të ndryshme në Kosovë. Më në fund, theksojmë edhe faktin tjetër se Kosova nuk paraqet "territor diversifikativ etnik të karakterit enklavë". Prandaj, izolimi i dhunshëm politik i një pjese të territorit të Kosovës, përkundër kompromiseve shumë të dhimbshme që ka bërë Delegacioni i Kosovës me decentralizimin, zonat e mbrojtura për rreth “trashëgimisë serbe” dhe procedurat favorizuese legjislative për minoritetet, do t'i kundërvihej drejtpërsëdrejti entitetit burimor politik të atij territori dhe do të ishte në diskordancë të drejtpërdrejtë me të. Mbi bazën e argumenteve dhe fakteve që u theksuan, në vija të përgjithshme, statusi i ri politik, juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës duhet të jetë ekuivalent, pa asnjë mëdyshje, me pavarësinë dhe sovranitetin, me subjektivitet të njohur ndërkombëtar, në gjithë territorin e saj, pra të sigurojë zbatimin unik të ligjit, përfshirë pjesën veriore të Kosovës dhe të ashtuquajturat komuna me shumicë serbe që në propozimin e ambasadorit Marti Ahtisari kanë fituar shumë kompetenca shtesë, në emër të një projekti të decentralizimit asimetrik, territorial dhe etnik, që përkundër qëllimit më të mirë që mund të jetë menduar, kërcënon me rrezikun që të jetë i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës dhe integritetin territorial te saj.

Është kohë e fundit që Kosova të dalë nga një "rreth i mbyllur" në të cilin ndodhet për më shumë vjet

Kosova është në pritje të një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilën do të duhej ta karakterizonin:

1.Qartësia ndërkombëtare,politike dhe juridike e statusit të Kosovës që do të mënjanonte ambiguitetet në lidhje me të.
2.Subjektiviteti i plotë ndërkombëtar i cili Kosovës do t'i hapte mundësinë e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtare, përfshirë aty edhe OKB-në.
3.Integriteti territorial i vendit që do të siguronte shtrirjen e qeverisjes së institucioneve të Kosovës dhe zbatimin unik të ligjit në gjithë hapësirën e saj.
4.Shteti funksional i Kosovës që do të mund të pengonte invalidimin e mundshëm të tij.

Gjilan,20 Gusht 2012

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Isuf B. Bajrami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 16 vizitorë
Lexuar: 781 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi