Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARSISË SË SHQIPËRISË
Publikuar më 19 nntor, 2012 në orën 20:09 ( ) Isuf B. Bajrami | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Epoka e Rilindjes Kombëtare, që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë ishte epokë e zgjimit kulturor të shqiptarëve. Shtratin e përgjithshëm ideologjik të këtij zgjimi e përbënte ai koncept i përparuar për kulturën që e përpunuan rilindësit. Për ta kultura ishte para së gjithash, një vizion i ri për botën,një mënyrë e re e konceptimit të jetës, të historisë dhe të perspektivave të saj. Ajo ishte një lëvizje e fuqishme intelektuale që rivlerësoi gjithë vlerat, që i pasuroi botën shpirtërore të shqiptarit në frymën e saj kritike, që rrëzoi idhujt dhe mite të vjetra dhe formuloi kërkesa për vlera të reja kulturore. Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një ideal i ri shoqëror, politik, moral që barte me vete projektin e madh të krijimit të një realiteti të ri, projektin e Shqipërisë së pavarur e të lirë.

Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kuptonin rëndësinë e dijeve për kulturën. Ata ishin pishtar të flaktë të iluminizmit dhe besonin në forcën e dijeve. Thelbin e këtij koncepti iluminist për kulturën e shprehu Naim Frashri me moton e tij të famshme: "Dhe drit'e dirturisë, përpara do na shpjerë ". Por kultura për ideologët e Rilindjes Kombëtare nuk ishte vetëm një depozitë dijesh,ajo ishte në radhë të parë aftësia për qëndrime aktive krijuese në histori,në jetë. Akti dhe veprimi më i rëndësishëm i popullit si forcë kulturore, për rilindësit, ishte vetëm lufta për liri e pavarësi, qëndresa e tij e pamposhtur, kundërshtimi i shtypjes dhe i robërisë.
Shpirti i gjallë i kulturës së re ishte ideja e shqiptarizmit, që përfaqësonte aktin më kryesor të emancipimit të kulturës shqiptare. Ideja e shqiptarizmit ishte vatra nga shpërndaheshin gjithë erërat e reja ideologjike të kulturës së Rilindjes Kombëtare. Lufta për kulturë u bë, para së gjithash, luftë për kulturë kombëtare, për një sistem dijesh, vlerash dhe veprimesh që rrënjosnin unitetin e jetës materiale e shpirtërore të kombit shqiptarë, që i ruanin atij vetëqenien e origjinalitetit. Kultura është gjithmonë shprehje e vetëdijes së njeriut e të popujve. Pa kulturë kombëtare të Rilindjes shqiptarët në shekullin XIX nuk do të kishin mundësi të dallonin veten, si komb të formuar, nga gjithë të tjerët, të kuptonin gjendjen dhe rreziqet që u kanoseshin, të kuptonin ku të mbështeteshin e përse të luftonin.
Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një zbulim i madh. Ajo zbuloi botën shqiptare me gjithë madhështinë dhe tragjizmin e historisë së saj, ajo zbuloi një të kaluar sa të lavdishme e heroike aq edhe të dhimbshme e të përvuajtur, ajo zbuloi ekzistencën në mjerim dhe prapambetjen e popullit, por edhe aftësitë e një populli që qëndronte i pamposhtur, i papërkulur përballë rrebesheve dhe furtunave më të rënda të historisë: ajo zbuloi jetën, traditat, zakonet, psikologjinë e një populli liridashës, luftëtar e punëtor, trim e guximtar të ruante shpresën dhe besimin në një të ardhme të ndritur, Kultura Kombëtare e Rilindjes zbuloi shpirtin dhe u dha një emër të përbashkët, emrin e Shqipërisë, trojeve ku nga kohët parahistorike kishin jetuar brez pas brezi gjyshërit e stërgjyshërit. Kjo kulturë ishte faktor zgjimi i vetëdijes kombëtare, i përgjegjësisë për faktet e kombit, ajo i dha një kuptim krejt të ri jetës së shqiptarit, i kultivoi krenarinë kombëtare, i dhuroi dinjitetin e përkatësisë kombëtare, së cilës Naimi i këndoi: "Ti Shqipëri më jep nderë, më jep emrin Shqipëtar!". Kultura Kombëtare e Rilindjes solli ditën e madhe të daljes në arenën e historisë botërore të një kombi të ri, të kombit shqiptar dhe shprehu para botës aspiratat dhe idealet e tij për liri dhe pavarësi.
Nën regjimin otoman kultura jonë kombëtare ndeshej në çdo hap me pasojat e robërisë dhe me atmosferën mbytëse të obskurantizmit mesjetar. Duke i zgjuar ndjenjat kombëtare shqiptarit, kultura e Rilindjes e bënte atë t'i rëndohej edhe më shumë shtypja t'i bëhej më e padurueshme robëria, të ndiente thellë zymtësitë e palirisë. Kultura e rilindjes zgjoi interesimin e shqiptarëve për historinë e kulturës, për traditat e tyre kulturore. Ajo sillte emancipimin e popullit nga fanatizmi, intoleranca e ndasitë fetare, duke fituar karakter laik mbifetar.
Ideja e shqiptarizmit u bë ai bosht kulturor rreth të cilit mund të bashkoheshin shqiptarët pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Konceptit të kulturave fetare iu kundërvu koncepti i qytetërimit.
Një akt tjetër i madh emancipimi i kulturës së Rilindjes sonë Kombëtare ishte shkëputja që ajo sillte nga ndikimet e tyre "antikulturave"që synonin për rolet dhe hegjemoni zonale apo botërore dhe që përbënin një kërcënim të madh për kulturën dhe për vet ekzistencën e kombit tonë. Kultura e Rilindjes Kombëtare guxoi të ngrihej kundër "shkëlqimit" të rremë të këtyre kulturave, duke iu bërë një sfidë të madhe. Kjo ishte një luftë e vështirë, sepse ndikimet e këtyre kulturave ishin ende të fuqishme në shtresa të caktuara të prapambetura të popullsisë, madje ajo ishte e vështirë.,sepse bëhej edhe para vetes së secilit shqiptar, që nuk ishte i çliruar ende prej këtyre ndikimeve. Kultura e re e Rilindjes kishte vitalitet t'u kundërqëndronte forcave kulturore reaksionare, sepse i kishte rrënjët thellë në tabanin kombëtar, në popull. Me karakterin e asaj kombëtar kultura jonë e rilindjes i mbyllte portat për rrymat ideologjike shkombëtarizuese dhe në të njëjtën kohë ajo shënoi një hapje, më të madhe hapje që kishte parë kultura jonë deri atëherë, ndaj erërave të kulturës përparimtare botërore që mund ta pasuronim. Koha e Rilindjes u bë kohë kur kombi ynë vendosi e hyri në lidhje intensive me kulturën përparimtare botërore, kur përfitoi më shumë se çdo herë tjetër nga thesaret e saj, nga ajo e perëndimit, por edhe e lindjes, nga antikiteti dhe nga ajo e Rilindjes evropiane, nga klasicizmi, iluminizmi e romantizmi.
Përmes përpjekjesh e një lufte të vështirë e të gjatë, plot sakrifica, nga fundi i shek XIX, kultura e re kombëtare s'ishte më aspiratë, por përbënte një realitet, i cili kishte provuar katërçipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar, por edhe vitalitetin, forcën krijuese kulturore të tij. Në këtë kohë përfundonin veprën e tyre kulturore prijësit e Rilindjes Kombëtare dhe largoheshin nga skena historike njëri pas tjetrit - Abdyli, Naimi, Samiu, Pashko Vasa, Jani Vreto, De Rada, etj. por ata largoheshin kur fara që patën mbjellë kishte lëshuar rrënjë të thella, mandej kur ishte afruar koha e të korrave. Një brez i ri mendimtarësh e veprimtarësh shoqërorë merrnin në duar veprën kulturore të Rilindësve dhe e shpinin më tej- Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Petronin Luarasi, Çajupi, Mjada, Sotir Peci, Mihal Grameno etj. e midis tyre shquhej Ismail Qemali, simbol i lidhjes dhe i vazhdimësisë në lëvizjen çlirimtare.
Tiparet themelore, që karakterizonin kulturën shqiptare të epokës së Rilindjes Kombëtare qëndruan në themel edhe të lëvizjes për kulturë kombëtare në fillim të shekullit XX. Megjithëkëtë, në kapërcyellin e shekujve XIX-XX kishin ndodhur ndryshime historike që e kishin futur Lëvizjen Kombëtare për kulturë në një fazë të re, më të lartë, në kuadrin e së cilës spikatën edhe tipare dhe vlera të reja, të cilat e rritën forcën vepruese të kësaj kulture dhe kontributin e saj në luftën për pavarësi kombëtare.
Në këtë kohë lëvizja për kulturë u fuqizua vatra e saj u zhvendos nga kolonitë shqiptare të mërgimit, brenda vendit.
Lëvizja për kulturë kombëtare u mpleks përherë e më tepër me luftën politike të popullit për liri e pavarësi. Gërshetimi i shumanshëm i veprimtarisë kulturore arsimore me veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë më qenësore të kësaj faze të lëvizjes për çlirimin kombëtar.
Nga gjithë pjesët përbërëse të kulturës kombëtare në këtë fazë mori përparësi dhe zhvillim më të madh kultura politike, e cila u bë bërthama kryesore që u dha tonin e frymën e saj gjithë komponentëve të tjera të saj. Kjo veçori ishte pasojë e përparësisë që morën problemet politike, ushtarake e diplomatike. Nuk duhet menduar se idetë iluministe të rilindësve në këtë fazë u shuan, por aspekti iluminist i kulturës u ngushtua dhe u përforcua aspekti i saj politik. Ky politizim i kulturës u shpreh në pasurimin e vlerave të kulturës politike me vepra të tilla siç ishte libri i Sami Frashrit: "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të jetë", një testament i vërtetë politik i rilindësve dhe një platformë që frymëzoi gjithë luftën politike kulturore për liri e pavarësi të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Të kësaj kohe e rëndësie kanë qenë platformat politiko-kulturore të shqiptarëve në revolucionin xhonturk, vendimet e Kongresit të Manastirit dhe programet memorandume të kryengritësve shqiptarë. Këto dokumente provojnë qartë sa kërkesat kulturore kombëtare u nënshtroheshin tashmë programeve politike të autonomisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Politizimi i kulturës u shpreh edhe në lidhjen e ngushtë të veprimtarisë së vatrave kulturore me aktivitete politike. Shoqatat e Stambollit, e Rumanisë, e Egjiptit në shek. XIX. kishin më tepër karakter kulturor, kurse shoqatat kulturore, klubet që u krijuan në vitet e para të shek. XX, në Shqipëri kryenin një veprimtari jo vetëm kulturore, por edhe drejtpërdrejt politike. Mjafton të kujtojmë klubet, që u krijuan gjatë revolucionit xhonturk, të cilat ishin sa organizime kulturore aq edhe politike. Ato vepronin në lidhje të ngushta me komitetet e fshehta të kryengritësve dhe funksionin si forma të një partie ose të një organizimi politik. Klubet dhe shoqëritë kulturore, krahas përpjekjeve për hapjen e shkrimit dhe të shkollave shqipe, zhvillonin edhe një aktivitet të shumanshëm politik për organizimin e lëvizjes çlirimtare dhe bashkimin politik të popullit, për krijimin e një qendre drejtuese politike e kulturore të kësaj lëvizjeje në shkallë kombëtare. Këto synime u konkretizuan në veprimtarinë e klubit"Bashkimi"të Manastirit, në Kongrese e Manastirit (1908-1910), të Elbasanit (1909), të shoqërisë qendrore shkollore "Përparimi"(1909) në Korçë etj.
Pavarësisht nga masat represive që ndërmori qeveria gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, vrulli i lëvizjes kulturore e arsimore erdhi duke u rritur e pleksur me luftën e armatosur për liri. I bënë nder inteligjencës shqiptare, që përfaqësuesit e shquar të kulturës së kësaj kohe-mësues, gazetarë, shkrimtarë etj.,- gjendën në radhët e qetave dhe të formacioneve kryengritëse si Çerçiz Topulli e Dervish Hima,Petro Nini Luarasi e Mihal Grameno, Themisitokli Gërmenji e Hil Mosi, Risto Siliqi e Luigj Gurakuqi etj.
Në rritjen e ngarkesës politike të kulturës në fillim të shek. XX, një rol të veçantë luajti shtypi, sidomos publicistika, jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit, por edhe me përmbajtjen e tyre kryesisht politike. Po të krahasonim organin "DRITA"(1903-1910)të Shahin Kolonjës, "Kombi"e "Dielli"(SHBA)ose "Liria"(Manastir),etj, do të vinim re se në këto të fundit mbizotëroi publicistika politike.
Politizimi përfshin edhe letërsinë artistike. Mendimi shkencor pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka dhënë një përcaktim të plotë e të drejtë të vlerave të letërsisë sonë të kësaj periudhe. Ajo meriton të rivlerësohet për të njohur vlerat e qëndrueshme të saj. Politizimi më i thellë i poezisë së kësaj kohe nuk ishte kufizim i saj në betejat e luftërave politike të kohës. Këtë frymë kryengritëse bartnin vjershat e Çajupit, Mjedës, Asdrenit,etj. Le të kujtojmë marshin e Asdrenit: "Jo, s'duam tjatër nuk, veç armë e ca bukë.", ose këngën e pavdekshme " Për mëmëdhenë!" të Mihal Gramenos, që bartë mesazhe të fuqishme të frymës liridashëse të popullit shqiptar. Forcimi i karakterit politik të kulturës kombëtare në fillim të shek. XX luajti një rol shumë të madh për fatet e të ardhmen e lëvizjes për çlirim kombëtar. Me tendenciozitetin e saj të veçantë politik, kultura kombëtare ndihmoi për një kuptim të ri të problemeve të jetës politike të kombit, për një qëndrim të ri të masave të gjera ndaj politikës, sidomos, ndikoi në formulimin e një politike shqiptare, si veprimtari që shprehte dhe mbronte interesat kombëtare, që afirmonte ekzistencën dhe të drejtat e kombit shqiptar, që sillte emancipimin politik e kulturor të popullit. Me frymën e saj politike militante kjo kulturë zgjeroi aktivizimin e shqiptarëve në jetën politike, forcoi ndërgjegjen patriotike, i aftësoi si forcë më vete. Ajo i bindi shqiptarët se ata s'kishin nga e prisnin shpëtimin e tyre përveçse nga vetvetja. Duke njohur interesin kombëtar dhe duke vendosur në themel të saj politikën shqiptare, kjo kulturë e përgatiti popullin për ditën e lumtur të 28 nëntorit 1912.

Vendi i Lekës: 17 nëntor 2012

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Isuf B. Bajrami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 46 vizitorë
Lexuar: 5,224 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi