Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Politikanët e “Dolinës” dhe tri komunat e Kosovës Lindore
Publikuar më 11 janar, 2013 në orën 02:47 ( ) Ahmet Qeriqi | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Sintagma serbe, “Preshevska Dolina”, që nënkupton tri komunat në lindje të Kosovës, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tashmë është bërë pjesë e deklaratave të të gjithë politikanëve shqiptarë të kësaj pjese të Kosovës, ende të mbetur nën robërinë e Serbisë. Emërtimi historik, Kosova Lindore, i specifikuar sidomos nga dr. Muhamet Pirraku në monografinë e tij, “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore”, i pasuar edhe nga rinia militante e kësaj pjese përbërëse të trojeve etnike të Shqipërisë, tashmë ka krijuar një ndarje edhe në qasjen politike të çështjes së pazgjidhur të këtyre tri komunave shqiptare.

Në kohën e luftës së UÇPMB-së, në fund të vitit 2000, një analist rus i emisionit të Radio-Moskës në gjuhën serbe, kërkonte që me të gjitha format e mundshme të përjashtohej termi “Kosovë Lindore”, me qëllim për të mos lejuar madje as edhe gjuhësisht paragjykimin se kjo pjesë i ka takuar dikur Kosovës. Analisti bënte thirrje se tri komunat të përkufizoheshin si pjesë të Luginës së Preshevës, edhe pse fshatrat e komunës së Medevegjës dhe të Bujanovcit shtrihen shumë larg nga Presheva.

Shumica dërrmuese e medieve shqiptare dhe të gjithë politikanët tanë pa dallim, madje edhe ata që angazhohen politikisht për zgjidhjen e çështjes së tri komunave shqiptare në Lindje, përdorin sintagmën serbe, “Preshevska Dolina” përkthyer në gjuhën shqipe si “Lugina e Preshevës”, edhe pse Lugina e Preshevës nuk përfshin Bujanocin as Medvegjën madje nuk përfshin as edhe një të pestën e territorit gjeografik, ku shtrihen këto tri komuna denbabaden shqiptare. Po ashtu dihet botërisht se këto tri komuna, Jugosllavia e kohës së Rankoviqit, qysh në vitin 1956 ia kishte amputuar Kosovës, e cila ishte shpallur krahinë autonome në kuadër të Serbisë.

Politikanët shqiptarë të “Dolinës”, në vazhdimësi i kanë ikur termit, “Kosovë Lindore” sepse Serbia shfaq një averzion të pakëndshëm ndaj këtij emërtimi dhe nuk e kanë parë të arsyeshme që për një diçka të tillë, sipas tyre pa asnjë peshë, të japin shkas për t’ u kritikuar nga Beogradi, i cili madje shqiptarëve të kësaj ane u ka siguruar edhe vendin e një deputeti të përjetshëm në Kuvendin e Serbisë, qysh nga koha e Titos dhe Rankoviqit.

Insistimi i shqiptarëve militantë në përdorimin e termit, Kosova Lindore nuk është vetëm qasje politike, por edhe historike e gjeografike. Në analogji me këtë term ne përdorim sintagmën, Kosova e Veriut, e cila nënkupton komunat në veri të vendit, të cilat qysh prej qershorit të vitit 1999 i ka aneksuar Serbia dhe vazhdon t’ i mbajë nën okupim, pavarësisht se qeveritarët tanë tërë pompozitet dërdëllisin se Qeveria e Kosovës e ka shtirë autoritetin në çdo metër katrorë të vendit.

Emërtimi, “Preshevska Dolina’, i pranuar nga shumica e politikanëve shqiptarë, nuk bëhet nga mos dija, apo nga rutina e përditshmërisë gjuhësore, por thjesht spikatet me qëllim për të krijuar bindjen, se atje diku në lindje përtej kufirit të Kosovës ekziston një rajon që quhet Lugina e Preshevës, ashtu sikur Lugina e Muqivercit apo lugina e çdo fshati malor.

Dallimi mes emërtimit “Kosova Lindore” apo tri komunat e Kosovës Lindore me emërtimin zyrtar serb, Lugina e Preshevës, në radhë të parë ka peshë politike, historike dhe gjeografike. Andaj është e pafalshme që ta përdorim përkthimin zyrtar serb, ashtu sikur është edhe më e pafalshme, që afër 14 vjet pas luftës në Kosovë dhe pas dëbimit të forcave okupatore serbe nga vendi ynë, politikanët tanë dhe shumica e medieve ende të përdorin trajtat sllave si: Podujevo, Suvareka, Istog, Obiliq, Novobërdo, Kamenica e Kosovës e të tjera.

Shumica e politikanëve të "Luginës së Preshevës", duket se janë pajtuar me realitetin ekzistues, të cilin e ka vendosur me dhunë Serbia, andaj edhe janë zbehur kërkesat për bashkim me Kosovën, edhe pse në vitin 1992, shqiptarët e kësaj ane përmes një Referendumi janë përcaktuar që Medvegja, Bujanoci dhe Presheva t’i bashkohen Kosovës. Në vend të insistimit në Referendum, në kërkesën e ligjshme dhe të natyrshme të shqiptarëve shumicë të këtyre trojeve për ribashkim me Kosovën, politikanët shqiptarë jo vetëm të “Dolinës” por edhe të Kosovës e Shqipërisë, në fjalorin e tyre të matur dhe të balancuar politik, të gjithë pa dallim, përdorin termin, “Lugina e Preshevës”. Natyrisht se shqiptarët e atyre tri komunave nuk kanë mundësi që vetë ta bëjnë realitetet këtë aspiratë nëse Tirana dhe Prishtina nuk e mbështesin edhe me punë aspiratën e ligjshme për bashkim me Kosovën, ashtu sikur e mbështesin me parulla politike, gjithnjë e më demagogjike.

Mbase dikujt do t’ i duket se nuk qon peshë çështja e emërtimit në këtë mes, kur situata në Preshevë e më gjerë përditë po bëhet edhe më dramatike, por duhet pasur para sysh edhe faktin se kudo në botë emërtimi përcakton formën, përmbajtjen, brendinë, në këtë rast edhe historinë e gjeografinë tonë kombëtare.

Serbët vazhdojnë që vendin tonë ta quajnë, “Kosovo i Metohija” dhe këtë sintagmë e përfillin të gjitha mediet e politikanët e Serbisë, ashtu sikur dikur e kanë përfillur shpirtshiturit e shqipfolësit e Krahinës autonome Socialiste të Kosovës e Metohisë.

Mendësia miope politike, e shprehur me gojën e politikanëve të “Dolinës” se nuk duhet ta kopjojmë Serbinë dhe nuk duhet t’ i përgjigjem me dhunë dhunës së mundshme nga Daçiqi, është pjellë e fatkeqësisë tonë historike, e vasalitetit të lindur e të trashëguar nëpër shekujt e gjatë të robërisë.
Lapidari i UÇPMB-së, në Preshevë do të ruhet me çdo kusht, madje edhe me kundërvënie, madje edhe me masa reciprociteti në tërë Kosovën, ku ngrenë kokë pllakat përkujtimore të shqiptarë-vrasësve serbë.
Nëse, në rastin e shkatërrimit të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, shkatërrohen më shumë se dhjetë monumente serbe në Kosovë, ashtu sikur në vitin 2004, atëherë zëdhënësi i gjallë i Milosheviqit të vdekur, Ivica Daçiq do të zgjohet nga jermia jetësore e para 14 viteve dhe do të kuptojë se nuk mund të ngjallet më Milosheviqi, as edhe me bekimin e 10 mijë popave e popadicave serbe.

Kosova Lindore do të qëndrojë para kësaj sfide dhe kjo çështje dashur pa dashur do të bëhet pjesë e dialogut lidhur me statusin e ardhshëm në marrëdhëniet me Serbinë. Nëse BE-ja vendos autonomi për veriun e Kosovës, dhe kjo me siguri se do të ndodh, atëherë edhe Kosova Lindore duhet dhe patjetër ta ketë autonominë e vetë substanciale. Në të kundërtën nuk mund të garantojë askush sigurinë në rajon, tashmë të brishtë dhe me konflikte të vazhdueshme.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Ahmet Qeriqi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 55 vizitorë
Lexuar: 1,281 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi