Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SHERADIN BERISHA: TË THËNAT JOHISTORIKE PËR PRESIDENTIN 'HISTORIK' IBRAHIM RUGOVA
Publikuar më 03 shkurt, 2013 në orën 22:49 ( ) Sheradin Berisha | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Ai që e kërkon shpëtimin e jetës me indiferencë ndaj jetës së të tjerëve, nuk do ta jetojë me nder!”
Ukshin Hoti).

Tashmë është bërë normale, që në përvjetorët e vdekjes së presidentit "historik" Ibrahim Rugova, lidershipi politik e institucional i Kosovës, thurin fjalë lavdie për të "bëmat" historike të tij… Në të gjitha ato ceremoni përkujtimore thuhej se, Ibrahim Rugova ishte: ”Ndërtues i strukturave të qëndrueshme të shtetit të Kosovës”, se ishte “Ismail Qemali i Kosovës“, “profet i shqiptarëve“, “Skënderbe i dytë“, “burrështetas i madh dhe arkitet i pavarësisë së Kosovës“, “politikan, që i ndërroi rrjedhat e historisë“, “…shpëtues i substancës shqiptare nga shkatërrimi i planifikuar nga regjimi fashist i Beogradit“, “profet i shqiptarëve“, “Engjëll i Kosovës”, “forcë e ndryshimit”, “udhëheqës shpirtëror i një populli”, “…vigan i pamposhtur…“, “simbol i ndryshimeve në Ballkan“, “vizionar i rrallë…“, “…mishërim i aspiratave kombëtare…“…. e për më tepër u theksua se “Rugova është pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj” - citat i marrë nga monografia "Presidenti Rugova“, që u botua me rastin e një vjetorit të vdekjes së Rugovës, nën përkudesjen e mikut të tij Sabri Hamiti, e shumë e shumë epitete tjera mbersëlënëse por gjithësesi johistorike! Pra, për presidentin "historik" Ibrahim Rugova, u tha - e çka s´u tha se ishte, edhe për ato veti që kurrë në jetë, s´i kishte...!

Më 21 janar 2013 u përkujtua 7-vjetori i vdekjes së kryetarit të parë të LDK-së dhe të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Në këtë përvjetorë, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike të Kosovës, Atifete Jahjaga, Isa Mustafa, Fatmir Sejdiu, Ramush Haradinaj, Nexhat Daci, Behgjet Pacolli etj., fillimisht bën homazhe te varri tij në Velani dhe pastaj disa prej tyre vizituan edhe familjen Rrugova. Gjatë ditës u mbajtën edhe dy akademi përkujtimore, njëra e organizuar në Teatrin Kombëtar nga presidentja, Atifete Jahjaga, (në orën 11:00) dhe tjetra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, (në orën 13:00). Në këto manifestime politikanët tanë e vlersuan lartë figurën dhe sakrificën e Dr. Ibrahim Rugovës.

Presidentja Jahjaga në akademinë përkujtimore, theksoj se Ibrahim Rugova në Kosovë "së bashku me partitë e tjera krijoi jetën shumëpartiake për shtet ndërtim duke iu kundërvënë me shumë sukses sistemit okupues", ndërsa filozofinë politike të tij e cilësoj "si një politikë aktive paqësore", madje atë e quajti edhe "strateg të shtetit të Kosovës". "Kur filloi lufta, dr. Ibrahim Rugova pa as më të voglin hezitim në Konferencën e Rambujesë ia kaloi udhëheqjen e delegacionit dhe rolin prijës përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” - ka thënë presidentja Jahjaga.

Ndërsa në akademinë përkujtimore të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Presidentin Rugova, e quajti lider të "rezistencës aktive" i cili sipas tij e paska rritur "lirinë shpirtërore dhe vepruesve të shqiptarëve, duke u shndërruar kështu vetë në emblemë të lëvizjes politike dhe të rezistencës të kombit tonë." Madje z.Sejdiu, shkoi aq larg saqë Lidhjen Demokratike të Kosovës e krahasoi me lidhjen e Lezhës, me Lidhjen e Prizrenit dhe Lidhjen e Pejës…!!! Fatmir Sejdiu, bëhet sikur nuk e njeh historinë, se krerët e këtyre lidhjeve, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Ymer Prizreni, Abdyl Fashëri e Haxhi Zeka, ishin në krye të organizatave politike - ushtarake, që luftuan edhe me armë në dorë për çlirim Kombëtar, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kreu i saj Ibrahim Rugova nuk i kishin këto veti, prandaj një krahasim i tillë është i paqëndrueshëm dhe johistorik!

Ndërkaq kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar lart figurën e ish-presidentit Rugova, duke thënë se ai "ishte lideri që vulosi fundshekullin e kaluar dhe këtë fillim shekull me konkretizimin e pavarësisë së Kosovës..." Me vdekjen e Rugovës, Kosova ka humbur njeriun që krijoi idenë e madhe të lirisë dhe pavarësisë, idenë e shtetit të lirë dhe shtetit demokratik të Kosovës." - ka nënvizuar I. Mustafa.

Edhe kryetari i AAK-dë, Ramush Haradinaj, pas homazheve që ka bërë pranë varrit të Ibrahim Rugovës, ka çmuar lart rolin e tij si një president historik, duke thënë se përulemi pranë veprës së tij. “Në përvjetorin e ndarjes fizike nga ne, të Presidentit historik të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, bëjmë nderim, e përkujtojmë rrugën e gjatë të popullit tonë deri këtu, veçanërisht rolin historik të Presidentit Rugova në arritjen e popullit tonë. Pra, përulemi me respekt para veprës së tij, një veprës historike për ne”, ka thënë Ramushi para gazetarëve. Në këtë përkujtim ka munguar prezenca e Kryeminstrit Hashim Thaçi, i cila atë ditë (më 21 Janar) ndodhej në Turqi.

(...21 Janar 2011...)



















(...21 Janar 2011...)























Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në të gjitha përvjetorët e vdekjes, ka bërë homazhe të Varri i presidentit "historik" Ibrahim Rugova dhe ka vizituar edhe familjen e tij në Velani. Në 6-vjetorin e vdekjes, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zv/kryeministra e ministrat: Bujar Bukshi, Hajredin Kuçi, Behgjet Pacolli dhe Memli Krasniqi, ka vendosur lule dhe ka bërë homazhe para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova. Në një deklaratë për media, pas homazheve, kryeminsitri Thaçi u shpreh: “Sot jemi këtu për të bërë nderimet shtetërore për presidentin Rugova, për të bërë vlerësimin dhe nderimin më të lartë shtetëror për jetën, veprën, personalitetin dhe kontributin e presidentit Rugova për Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane, për perspektivën e Kosovës evropiane”. Jeta dhe vepra e presidentit Rugova, siç tha Thaçi, do të vlerësohet dhe do të respektohet me pietet të lartë. Në 5 vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, Kryetari i PDK’së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi (i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij Hajredin Kuçi), pasi ka bërë homazhe dhe është përkulur tek varri i ish’presidentit dhe ish’kreut të LDK’së, Ibrahim Rugova, e ka vlerësuar lartë figurën e tij në bërjen e Kosovës shtet të pavarur dhe të lirë, dhe ka shprehur kënaqësinë që ka pasur fatin të punojë me të, në kohë të rëndësishme për Kosovën.“ (Burimi: Kosovapress, 21.01.2011). Ndërkaq në Akademinë Përkujtimore, që u organizua atë ditë Hashimi e përshkroi Ibrahim Rugovën si një nga figurat më të rëndësishme shqiptare të shekullit XX!! (Shikoni disa foto më poshtë)

GËNJESHTRAT "HISTORIKE" TË HASHIM THAҪIT TE VARRI I IBRAHIM RUGOVËS!

Në dy vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 Janar 2008 kryeministri Hashim Thaçi, pas homazheve që bëri te varri i tij, deklaron: „Kosova po ndërton traditën e respektimit të bartësve të institucioneve të vendit. Është vlerësim për punën në vazhdimësi të presidentit Rugova për realitetet që ka kaluar Kosova andaj ne do të vazhdojmë përkushtimet tona për të përmbyllur procesin për shtet të pavarur dhe demokratik të bashkuar si politikë, institucione dhe si popull". Për më tepër ai ka thënë se, ka punuar “bashkarisht…", me Ibrahim Rugovën, pa e qartësuar se në cilën periudhë ka bashkëpunuar me të!

Këtë "histori" Hashimi e ka qartësuar më 24 shkurt 2008 (vetëm një javë pas shpalljes së pavarësisë), po në të njejtin vend para varrit të presidentit “historik” Ibrahim Rugova. Kryeministri Thaçi më 24 shkurt ka theksuar se: ”Me rastin e pavarësisë kam bërë nderim shtetëror për personalitetin e ish-presidentit Rugova, për angazhimet në kontinuitet në procesin e pavarësimit dhe demokratizimit të vendit”. Thaçi pastaj ka theksuar se "një pjesë të këtyre angazhimeve i ka bërë bashkë me Rugovën, në procesin e para Rambujesë dhe pas ardhjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë.”( Gazeta Express, E hënë 25.02.2008, fq.5).


















Edhe më 21 janar 2009 (në 3 - vjetorin e vdekjes së I.Rugovës) pas ceremonisë së nderimit te varri i tij, kryeministri Hashim Thaçi ka pohuar se “kemi punuar gjatë me të, në një periudhë kohore për këtë që sot e kemi”, duke shtuar se do të vazhdojmë me përkushtimet më të mëdha si institucione, për të pasur sukses edhe më të madh, për të respektuar të kaluarën e të gjitha përkushtimeve që kanë ndodhur në Kosovë. “Presidenti Rugova do ta ketë vlerësimin historik, një vlerësim, i cili do të respektohet prej institucioneve dhe qytetareve të Kosovës”, ka thënë Hashim Thaçi.

A është i vërtet ky konstatim i Hashimit?!
Të gjitha zhvillimet politike ushtarake para dhe gjatë viteve 1998 - 1999…, dëshmojnë, se Hashim Thaçi si pjestar i UÇK-së, më vonë shef i drejtorisë politike, as para Konferencës së Rambujesë, as gjatë mbajtjes së konferencës, por, as pas mbajtjes së kësaj konference, deri në vitin 2004, nuk ka pas kurrfarë bashkëpunimi të mirëfillt me Ibrahim Rugovën. Përkundrazi Ibrahim Rugova e ka sfiduar në mënyra të ndryshme Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, Hashim Thaçi duket qartë, se para varrit të Rugovës ka gënjyer, dhe natyrisht gënjeshtrat në asnjë mënyrë nuk mund të merren si fakte historike - ato janë johistorike, dhe si të tilla ato janë dhe mbeten vetëm gënjeshtra! Me këto deklarata Hashimi po ia bënë shërbimin me të keq historisë sonë më të re!

AKUZAT E IBRAHIM RUGOVËS NË ADRESË TË UҪK-së

Ibrahim Rugova, edhe pse dinte gjithçka për UÇK’në, ai shpeshherë e mohonte ekzistimin e saj, dhe nuk hezitonte ta akuzonte këtë ushtri çlirimtare me lloj-lloj akuzash e epitetesh të çuditshme. Për të argumentuar këtë gjë, po i referohem disa deklaratave të tij, të botuara në shtypin e kohës.

Më 22. 06. 1996, në gazetën „Rilindja“ Ibrahim Rugova deklaron: “Ne nuk kemi informata se ekziston një organizatë e tillë dhe letrat që dërgohen (aludonte në ato për marrjen e përgjegjësisë) janë pa kurrfarë identiteti dhe pa kurrfarë rëndësie, pos që ta rëndojnë situatën në Kosovë dhe të pengojnë zgjidhjen politike të çështjes në Kosovë. Unë mendoj se nuk ekziston një organizatë e tillë“.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur më 1 nëntor 1996, në pyetjen e gazetarit, për marrjen e përgjegjësisë nga UÇK’ja, të një vrasjeje në Surkish të Podujevës, Ibrahim Rugova përgjigjet: ”Ne nuk jemi në dijeni se në Kosovë veprojnë forca të tilla, por ata kanë për qëllim të keqësojnë edhe më shumë gjendjen në Kosovë dhe të krijojnë tensione të reja”. (Lexo “Bota Sot” 2 nëntor 1996).

































































Kah mesi i janarit 1997 kur UÇK’ja kreu një atentat kundër rektorit famëkeq të UP-së Radivoje Papoviq, në konferencën me gazetarë, të mbajtur më 24. 01. 1997, Ibrahim Rugova lidhur me këtë rast deklaron (po citoj): „Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK’je. Dënojmë edhe njëherë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë, si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI dhe INTERPOL-i, të shihet se çfarë ishte ai shpërthim mjaft i sofistikuar. Po ashtu dënojmë edhe rastet e vrasjet që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre“ - përfundon citati. (Më gjerësisht: Gazeta “Rilindja”, 25. 01. 1997). Dhe këto "shpërthime terroriste" siç i cilëson presidenti "historik" Ibrahim Rugova, ato ditë do t'i hulumtojë FBI-ja serbe dhe më 31 janar 1997, rreth orës 16.30 minuta, gjatë rrugës për një mision të veçantë, siç kishte bërë të njohur Komunikata nr.30 e Shtabit Qendror të UÇK-së, në afërsi të fshatit Pestovë, vriten tre luftëtarët e UҪK-së, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha!

Në një intervistë që u botua më 9 shtator 1997 në gazetën „Frankfurter Rundshau“, (në të njejtën ditë e publikoi edhe QIK-u), në pyetjen e gazetarit mbi UÇK-në, e cila që nga prilli i vitit 1996 kreu disa atentate ndaj policisë serbe, Ibrahim Rugova do të përgjigjet, se: ”Nuk di se kush është prapa asaj lëvizjeje." dhe ai mendon që këto atentate po i "kryejnë shërbimet serbe me qëllim që në këtë mënyrë ta diskreditojnë çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në mënyrë „që të duket se shqiptarët janë terroristë“. Madje në një gazetë tjetër gjermane “Faz”, Ibrahim Rugova, pa hezitim thotë se: ”Krahas UÇK’së, serbët kanë sajuar edhe frontin e çlirimit kombëtar dhe një lëvizje për çlirimin e Kosovës” (!!!) (Më gjerësisht: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Dokumente dhe artikuj), botimi dytë, prill 1998, faqe 181)

Më 1 dhjetor 1997 Ibrahim Rugova gjatë qëndrimit të tij në Bruksel dha një intervistë për gazetën belge “Le Soire” dhe në pyetjen e gazetarit Eduard Van Velthem, lidhur me sulmet kundër policisë serbe në Kosovë, siç thotë ai „të një ushtrie misterioze e quajtur UÇK“, Ibrahim Rugova thekson me bindje, se “nuk ka asnjë informacion për ekzistimin e një organizate të tillë. Disa spekulime flasin për krijimin e saj (UÇK-së) nga shërbimet sekrete serbe, për të pasur pretekst për një intervenim brutal dhe për të diskredituar imixhin tonë joviolent.”

Në një tjetër intervistë dhënë të përjavshmes zvicrane „Facts“ (botuar edhe në gazetën „Rilindja“, më 15. 12. 1997), Ibrahim Rugova pasi konsideron si të pamundur konstituimin e organizatës "UÇK", pjestarët e saj i quan si "individë të frustruar" dhe për më tepër sipas tij: "Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund t’i shërbejë regjimit serb si pretekst për një fushatë të re represive në Kosovë. Elementet me papërgjegjësi shoqërore regjimi serb i përdorë për qëllimet e veta.”- konstastonte presidenti "historik" Ibrahim Rugova.

SATANIZIMI I UÇK’së NGA PRESIDENTI “HISTORIK” IBRAHIM RUGOVA!

Në nëntor 1998, derisa po shqyrtohej Drafti (plani) 3 i ambasadorit amerikan Hill, ku parashikohej edhe krijimi i policisë lokale, presidenti “historik” Ibrahim Rugova, ndonëse prej kohësh ishte përcaktuar kundër luftës çlirimtare të UÇK’së, më 19 nëntor me një vendim të veçantë krijon komisionin për ”HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS” dhe ky komision atë kohë e shtriu aktivitetin e vetë gjithandej nëpër Kosovë ku ishin degët dhe degëzat e LDK-së. Këtë komision e përbënin: EQREM KRYEZIU (Kryetar) aktualisht deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, HAJZER KRASNIQI, AGIM KRASNIQI, FARUK SPAHIU(tashmë i ndjerë), REXHEP GJERGJI, RAMË MARAJ, FATMIR REXHEPI, EDI SHUKRIU dhe ALUSH GASHI.

Lexo dokumentin e “presidentit historik” Ibrahim Rugova






















Pas përfundimit të luftës, qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së LDK’së të mbajtur më 05. VII. 1999, Eqrem Kryeziu në cilësinë e kryetarit të Komisionit për “hulumtimin e krimeve të luftës”, propozon (po citoj): “Eqrem Kryeziu: Propozoj që të rihapen zyrat e LDK’së në të gjitha qendrat për hulumtimin e krimeve të kryera nga serbët por edhe UÇK-ja“.

Lexoni faksimilin e shkëputur nga procesverbali i mbledhjes së parë të Kryesisë së LDK-së, të mbajtur më 05.VII.1999.















IBRAHIM RUGOVA, "UDHËHEQËS TRIM E I GUXIMSHËM", GANDI I BALLKANIT", "POLITIKAN I UNITETIT", "ISMAIL QEMALI I KOSOVËS", "PROFET I SHQIPTARËVE", SKENDERBE I DYTË", "ENGJËLL I KOSOVËS", "VIGAN I PAMPOSHTUR" ETJ.,ETJ!!!

Ashtu sikurse në vitin 2008 edhe në vitin 2006 kur vdiç Ibrahim Rugova (21 - 26 janar 2006), por, edhe me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij (më 21.01.2007), gjatë tubimeve përkujtimore u thanë në mënyrë rituale fjalë e epitete johistorike për figurën e tij.

Me këtë rast po i shkëpusim disa prej tyre:
- U tha se Ibrahim Rugova ishte „udhëheqës trim e i guximshëm...”, ndërsa mbahet në mend, si politikan, që mbillte frikë e defetizëm në popull, me deklaratat e çuditshme, se : “Serbia është e fortë...”, ”se nuk mund të luftohet me Serbinë..”, ”se për 24 orë na bënë rrafsh me tokë...”, ”se, do të mund të na shkatërronin të gjithëve si popull...“ etj., etj.

- U tha se Ibrahim Rugova ishte “Gandi i Ballkanit”, “Gandi i Kosovës“…, ndërsa veprimet e tija politike s´kishin asgjë të përbashkët me rezistencën gandiste. Derisa Gandi bënte rezistencë aktive e sakrifikuese duke e sfiduar regjimin kolonialist anglez në çdo fushë të jetës, me bojkotimin e çdo gjëje që ishte angleze, nga produktet ushqimore deri te dokumentet e lëshuara nga ky regjim, „Gandi i Kosovës“ Ibrahim Rugova nuk lëvizte nga vendi për ta kundërshtuar regjimin gjakatar serb. Madje, edhe kur organizonin të tjerët protesta (studentët e UP-së, nxënësit e shkollave të mesme, sindikalistët etj.) kundër regjimit pushtues të Millosheviqit, Ibrahim Rugova i pengonte në forma të ndryshme ato. Ibrahim Rugova duke i ikur përballjes me regjimin serb, pëlqente rezistencën pasive, krejt pasive (vetëm me fjalë boshe gjatë konferencave të të premteve me gazetarë), pra e pëlqente mosveprimin aktiv. Duke qenë i tillë ai s´i bojkotonte as produktet serbe, madje ai s´i bojkotonte as dokumentet e regjimit serb, sepse të gjitha udhëtimet, me karakter „kombëtar“ jashtë vendit i bënte me pasaportën e Serbisë. Madje kur i dilte afati pasaportës shkonte vet në sportelet e sekretariatit të Punëve të Brendshme (UDB-së) për ta vazhduar këtë dokument udhëtimi. (Për këtë fakt lexo më tepër te libri „Pa protokoll“ Bisedë me Adnan Merovcin, „Zëri“, Prishtinë 2003, faqe.37.) Adnan Merovci për dhjetë vjet rresht ishte shef i sigurimit dhe i prokollit i kryetarit Ibrahim Rugova.

- U tha se Ibrahim Rugova ishte “politikan që kultivonte unitetin…“, ndërsa veprimet e tija politike dëshmonin në vazhdimësi të kundërtën e unitetit. Rugova, deri në shtator 2005 kur dha kumtin publikisht se vuante nga kanceri në mushkëri, nuk mbahej mend se ka mbajtur ndonjë takim gjithëpërfshirës me lidershipin politikë e institucional shqiptar, për ta kultivuar këtë unitet që po e thonë politikanët e sotëm gënjeshtarë. Përkundrazi Ibrahim Rugova njihej si prijës autokrat, dhe nuk i përfillte as këshillat e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

FADIL HYSAJ: RUGOVA NUK NJEH KËSHILLË QE I VJEN NË GJUHËN SHQIPE!
Regjisori i njohur Fadil Hysaj, njëri nga bashkëpunëtorët shumëvjeçarë i presidentit "historik“ Ibrahim Rugova, në një intervistë dhënë revistës “Kombi“, flet shumanshëm për politikbërjen e Rugovës, gjatë viteve kur ishte pjesë e oborrit të tij politikë.
Në pyetjen e gazetarit: “Kuluareve politike flitet se Rugova në fakt nuk ka këshilltarë të mirë dhe se as që di çfarë ndodh rreth tij. A mendoni se është e vërtetë kjo?”
Fadil Hysaj përgjigjet (citoi):

“Rugova nuk njeh këshillë që i vjen në gjuhën shqipe. Ai nuk njeh këshillë që i flitet në shqip. Është kjo një sindromë e çuditshme. Ai të njëjtën këshillë mbase mund të dëgjojë nga dikush i cili nuk i flet shqip, por shqip jo. Ai nuk ka sens, nuk ka nerv dhe nuk mund të të dëgjojë që t´ia thuash mendimin deri në fund nëse i flet shqip. Unë e kam këtë përvojë të komunikimit me të. Ai bëhet nervoz kur të dëgjon sepse i flet shqip. Në të njëjtën kohë e kam dëgjuar se kur t´i vijë një administrator i huaj dhe ky ka pasur durim që ta dëgjojë me orë të tëra, edhe pse nuk ka thënë asgjë, ka folur bosh. Ndërsa nga ana tjetër edhe sikur Robert Doll t´i fliste shqip, Rugova kurrë nuk do ta dëgjonte. Unë pandeh se këtu ekziston një kompleks historik. Ai nuk e beson se ekziston shqiptar në rruzull që do të dinte këtij t´i jepte këshilla. Sepse ai mendon se është i vetmi shqiptar që di. Por, për të qenë fatkeqësia më e madhe, ka edhe mjaft shqiptarë që mendojnë se ky është shqiptari që di ndërsa shqiptarët tjerë nuk dinë asgjë. Kjo do të thotë se ne jemi viktimë e një koncepti injorant në politikë, të një mazohizmi në këtë plan, sepse ne mendojmë se jemi të mjerë dhe dikush tjetër duhet të na lëkundë e të na rrisë si jetimë. Pra, është ky kompleksi i jetimit”. - përfundon citati. (Burimi: revista “Kombi”, Viti IV Nr. 29, datë 05. 08. 2000, faqe 30). Mos t´ju vjen çudi, ky është Ibrahim Rugova i vërtet ai "presidenti historik", sipas bashkëpunëtorëve të tij më të afërt!

- Në tubimet përkujtimore është thënë se, Ibrahim Rugova ishte “i pathyeshëm përballë regjimit serb të Millosheviqit“, ndërsa nuk mund të fshihen nga kujtesa jonë: Marrëveshja për arsim Millosheviq-Rugova (01.09.1996), takimet dhe buzëqeshjet e tij me Millosheviqin më 15 maj 1998 dhe të gjitha takimet me këtë kriminel, gjatë muajve prill-maj 1999, të zhvilluara në Beograd.

- U tha se Ibrahim Rugova ishte “pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj.”, “luftëtar i denj i lirisë…“..., ndërsa dihej botërisht se asnjëherë nuk i kishte zënë në gojë tri shkronjat e arta UÇK, dhe luftëtarët e vërtet të lirisë, s´e ka vizituar asnjë familje të dëshmorëve. Për më tepër ky „luftëtarë i denj i lirisë“ s´e kishte vizituar asnjëherë Prekazin historik, familjen e jasharajve. Ky njeri që i thoshte vetes president nuk ishte përkulur as njëherë para varrit të komandantit të UҪK-së Adem Jashari (edhe pse disa herë ka gënjyer duke thënë se së shpejti do të shkonte në Prekaz), ndërsa përpara varrit të Adem Jasharit dhe të dhjetra varreve të familjes Jashari shkuan dhe me respekt u përkulën, shumë burrështetas, diplomatë dhe ushtarakë të huaj.

- Në të gjitha ato ceremoni përkujtimore u tha se Ibrahim Rugova ishte:
- ”Ndërtues i strukturave të qëndrueshme të shtetit të Kosovës”, se ishte
- “Ismail Qemali i Kosovës“,
- “profet i shqiptarëve“,
- “Skënderbe i dytë“,
- “burrështetas i madh dhe arkitet i pavarësisë së Kosovës“,
- “politikan, që i ndërroi rrjedhat e historisë“,
- “…shpëtues i substancës shqiptare nga shkatërrimi i planifikuar nga regjimi fashist i Beogradit“,
- “profet i shqiptarëve“,
- “Engjëll i Kosovës”,
- “forcë e ndryshimit”,
- “udhëheqës shpirtëror i një populli”,
- “…vigan i pamposhtur…“,
- “simbol i ndryshimeve në Ballkan“,
- “vizionar i rrallë…“,
- “…mishërim i aspiratave kombëtare…“…. e për më tepër u theksua se “Rugova është pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj” - citat i marrë nga monografia "Presidenti Rugova“, që u botua me rastin e një vjetorit të vdekjes së Rugovës, nën përkudesjen e mikut të tij Sabri Hamiti, e shumë e shumë epitete tjera mbersëlënëse por gjithësesi johistorike!

Pra, për presidentin "historik" Ibrahim Rugova, u tha - e çka s´u tha se ishte, edhe për ato veti që kurrë në jetë, s´i kishte...!
==============================
Edhe një Shtojcë: Në tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës

SKANDALOZE: HASHIM THAÇI PËRKULET TE VARRI I IBRAHIM RUGOVËS!, POR JO EDHE TE VARRET E GJENERALËVE TË UÇK’së JASHAR SALIHU E XHELADIN GASHI - PLAKU!

Me rastin e përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2011), Hashim Thaçi (si gjithmonë) bëri homazhe te varri i Ibrahim Rugovës, dhe pastaj ka vizituar në shtëpi edhe familjen Rugova. Hashimi, përpara varrit të Rugovës, përveç tjerash ka deklaruar, se: ”sot kur shënohet trevjetori i pavarësisë, kujtohet e kaluara jonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës…”!!, ndërsa vetëm, 100 apo 150 metra më poshtë nga varri i Ibrahim Rugovës, janë varrezat e dy gjeneralëve të luftës së lavdishme të UÇK’së: Gjeneral Jashar Salihut dhe gjeneral Xheladin Gashit - Plakut, dhe ai nuk i ndau të paktën 5 minuta, për t'i nderuar këta burra të vërtetë, që sakrifikuan çdo gjë për lirinë e shqiptarëve!

Përkulja e pakurrizorëve (butakëve) te varri i Ibrahim Rugovës, ndërkohë që anashkalohen varrezat e gjeneralëve të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës!



















Shikoni, në çfarë gjendje janë varrezat e gjeneralëve të UҪK-së: Jashar Salihut dhe Xheladin Gashit - Plakut
































Autori është Kryeredaktor i pashtriku.org

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sheradin Berisha
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 72 vizitorë
Lexuar: 3,049 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi