Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Popullin tonë e udhëheqin jokoshientët
Publikuar më 05 shkurt, 2013 në orën 21:28 ( ) Isuf I. Bytyçi | Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Bashkëbisedim me Gjetë Kadelin, internim e burg i ka mbajtur 24 vjet në kohën e komunizmit – në Shqipëri

Kush është Gjetë Kadeli?

Gjetë Kadeli është ish-i burgosur politik në sistemin komunist të Enver Hoxhës. Brenda familjes ishte brezi i tretë i cili përjetoi burg e internim, gjatë asaj kohe. Më 29 qershor 1946 arrestohen nga komunistët Mark Kadeli dhe Zef Kadeli, për motive politike. Më 20 gusht 1949 arrestohet Pjetër Kadeli, gjithashtu për motive politike.Më 10 shtator të 1949 internohen 17 pjesëtaë te kësaj familjeje në kampin e telave me xhemba në Tepelenë. Kjo familje për 20 vet rresht përjetoi gjatë gjitë periudhës komuniste burg e internim. Nga viti 1928 deri në vitin 1939, Mark Kadeli ka shërbyer si ushtarak në Monarkinë Shqiptare. Mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Mark Kadelit i ofruan detyrë ushtarake, por ai nuk e pranoi, me motiv “Nuk i shërbej pushtuesit”, por se arsyetimi ishte: se ishte betuar një herë në kohënn e Zogut. Të njejtën pergjigje ua ka dhënë edhe gjermanëve, por edhe Komunistëve.

Gjetë Kadeli
Gjetë Kadeli kishte kalue 24 vjet në tela me xhemba, 17 prej të cilave burg për motive politike. Për këtë arsye ai nuk e kishte pasur fatin që të arsimohej, por ishte i paisur me një edukatë e kulturë të përgjithshme, sa që të befasonte kur besedoshe me te për mendimet e tij të sakta e të qarta.

Bac, sa është prezente; besa, bujaria, morali dhe trimëria tek ne shqiptarët?

Gjetë Kadeli: Mjerisht, në shkallë të ultë. Ne shqiptarët, jemi duke menduar se liria edhe demokracia, na lejojnë të bëjmë çdo gjë që na kaënda. Nuk është demokraci, të knaqesh në dëmin e të tjerëve, pra, duke i penguar të tjerët e duke u prishur qetësinë, nuk është demokraci ta vjedhësh popullin tënd, por as të huajin. Nuk është demokraci të bësh krime, mik i nderuar.

Ae di ti bac, sa kënga, sa poezia e sa historia janë krijuar rreth trimërisë, besës e bujarisë?

Gjetë Kadeli: E vërtetë është. A e di ti se pse janë gjithë ato këngë e poezi rreth këtyre virtyteve? Për arsye se ato janë në masë e nivel të ultë të prezentuara në popullin tonë. Sikur të ishin në pozitë mirë burrëria, besa, morali, trimëria e bujaria, nuk do të kishim kaq shumë këngë e poezi rreth tyre.

Mendimtari ynë i madh, Rexhep Qosja shkruan në librat e tij publicistike se ne shqiptarët, në raport me pushtuesin serb, jemi një popull i civilizuar, respektues e tolerant

Gjetë Kadeli: Ai shkruan për popullin tonë në raport me serbët, sepse ata janë barbarë. Unë mendoj se ne jemi më tolerantë e respektues si popujt tjerë në Ballkan, por jo edhe si ata në Europë. Sikur të mos e mbikqyrin Ballkanin europianët edhe amerikanët, do të bëhej luftë qytetare në Ballkanin Perëndimor edhe s`do të ndalej. Sa jemi më të mbrapambetur se europianët, aq jemi më të përparuar se arabët. E, mund të jemi më të civilizuar se shumica e popujve të Ballkanit, por jo edhe „ të civilizuar“. Termet: „më i civilizuar“ edhe „i civilizuar“ dallojnë, për ata që logjikojnë.
Për R. Qosjen, në burgun e Burrelit kam thënë: „ Nëse më pyet dikush; se sikur të bëhet Shqipëria Natyrale, kë do ta kishe propozuar për kryetar të saj? Unë do të kisha thënë; Rexhep Qosjen. Atëherë kam thënë, por tani nuk pendohem, sepse figura e R. Qosjes është heroike. Adem Demaçi është kryegjenerali i Pavarësisë së Kosovës, kurse Ukshin Hoti e Adem Jashari ishin krahët e tij.
Ndërsa tani flitet e përflitet se Rexhep Qosja e lavdëron sistemin e Enver Hoxhës. Nëse me të vërtetë është kështu, jo vetëm se nuk do të pajtohem me te, por me forcën e gjuhës dhe të mendjes do ta kundërshtoj atë. Por nuk e besoj se i këtij mendimi do të ishte R. Qosja, sepse regjimi komunist e përuli, e nënqmoi edhe e degjeneroi popullin tonë për një gjysëmshekulli.

Bac, si është duke funksionuar politika në trojet shqiptare?

Gjetë Kadeli: Politika kombëtare edhe ajo ndërkombëtare është në favor të shqiptarëve, por nëse ne ecim në hap me kohën, e kapim atë. Gjithë ato troje, aty ku flitet gjuha shqipe në shumicë, do të jënë nën administrimin shqiptar, herët a vonë. Momentalisht, politikanët shqiptarë, janë duke e vonuar atë, që e pret populli shqiptar, BASHKIMIN KOMBËTAR. Shqiptarët presin nga politikanët, atë që u takon brenda mundësive, që i kanë. Ata pra, politikanët i kanë mundësitë për ta ndryshuar politikën e ditës.

Pse bac, nuk e bëjnë politikanët tanë këtë, të cilën kanë mundësi ta bëjnë e që populli i tyre e kërkon?

Gjetë Kadeli: E, kjo është thembra e Akilit! Pyetje e vështirë është kjo. Nuk e bëjnë këtë politikanët shqiptarë për shumë arsye, por ajo kryesore është interesi i ngushtë ekonomik. Ata nuk janë më udhëheqës të kombit të tyre, ata janë bërë matrapazë të çështjes shqiptare, pra! „Pashallarët e kuq“ të Kadaresë s`e kishin asnjë lek, ndërsa këta pashallarët e sotëm, pra të larëm, janë bërë feudalë e kaluar feudalëve. Latifondistë janë bërë.

Deri kur do të shkojë kështu, bac?

Gjetë Kadeli: Afati kohor 1992 – 2012, 20 vjet demokraci me emërtesën Tranzicion, është e paimagjinueshme, për popullin tonë. Në qoftë se kërkohet një politikan tolerues e cilësor, ishte Fan S. Noli.
Ish-kryetari i Francës Sarkozi pat thënë: „unë jam vetëm 8 orë në ditë kryetar i Francës, kurse në pjesën tjetër të kohës qytetar i saj“. Këta tanët janë bërë perandorë!
Europa i ka disa gjëra, të cilat bien ndesh me psikologjinë tonë. Shqiptari thot: „Shtëpia ime është shtëpia e mikut dhe e Zotit“, ndërsa europianët nuk mendojnë kështu.

Cila është kultura e shqiptarëve, bac?

Gjetë Kadeli: Asgjë të mos prehet si me thikë. Në jëtë e punë bëhen gara. Më i miri le të jetë i pari. Ç`ka këtu të keqe?

Bac, çka duhet bërë ne shqiptarët, që të jemi të respektuar nga ndërkombëtarët?

Gjetë Kadeli: Duhet të imponohemi me punën tonë dhe sjellje njerëzore. Mendimtari ynë i madh, Rexhep Qosja thotë diku; „Puna, të cilën e bëjmë ne, na çon drejt Zotit“. Së pari, ne duhet respektuar veten tonë edhe njëri tjerin, pastaj të jemi këmbëngulës në punën dhe synimet tona, që rol të rëndësishëm luan vendimmarrja. Ne duhet të jemi të vendosur edhe në udhëheqje. Politikanët tanë së pari duhet reformuar dhe, kërkesat, të cilat i bëjnë para ndërkombëtarëve, duhet t`i përgatisin mirë, t`i analizojnë e, pastaj t`i parashtrojnë para tyre, sepse ata s`kanë kohë të merren përditë me punët tona. „Një herë vjen vera nga dera“, thotë populli.
Nëna Terezë thotë diku: Duane njëri - tjetrin, se kështu e duani Atdheun edhe Zotin. Derisa e vrasim vëllau të vëllanë për motive të ulta, për kufi arash, për parti apo tendera, të tjerët doemos se do të na injorojnë edhe nënçmojnë. Ata edhe do të na urrejne, pra!

Çka mendon bac, për globalizmin?

Gjetë Kadeli: Internacionalizmi edhe globalizmi janë dy gjëra të njëjta, por u takojnë kohëve edhe sistemeve të ndryshme.

A do të kemi pasoja nga globalizmi?

Gjetë Kadeli: Jo. Shqiptarët i shpëtuan asimilimit. Atëherë kur nuk shkruhej gjuha shqipe, shqiptarët kanë qenë të rrezikuar nga asimilimi. Ne do të jemi pjesë e këtij globalizimi.

Çka mendoni për identitetin shqiptar në raport me Europën?

Gjetë Kadeli: Ne e kemi identiteti tonë kaherë. Jemi një komb, kemi një gjuhë, e kemi një flamur dhe teritor kompaktë. Jemi popull me dy fe – krishtere edhe muslimane, por kjo nuk na pengon. Ne duhet t`i respektojmë ato edhe jemi duke i respektuar, por të mos bëhemi robë të tyre, sepse kombi tek ne qëndron mbi fetë. Ne e kemi dhënë provimin për këtë edhe nuk diskutohet kjo punë.

Por, tani na del edhe një komb me një gjuhë, pra, kombi kosovar me gjuhën kosovarishte, madje një shkrimtaruc nga Shkodra na e do „gjuhën shkodrane purane“!

Gjetë Kadeli: Ata shkrimtarucët e gazetarucët, që u thua ti, vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, por për fat të mirë janë të paktë në numër edhe të dobët nga forca mendore. Nëse krijohet kombi kosovar me gjuhën kosovarishte, tani edhe atë shkodranishte, do të na duhet një taborr përkthyesish, prej presidence e deri tek organizatat më të vogla tregtare e ndërtuese. Kjo nuk qëndron, edhepse nuk është aq e parrezikshme. Pastaj edhe figura e Gjergj Kastriotit nuk do të ketë vlerë, sepse ai ka luftuar për çështjen shqiptare e jo kombin kosovar. Gjuha Standarde shqipe do përsosur e, jo rrënuar. Këtu investojnë organizatat e huaja, të cilat investojnë për t`i degjeneruar popujt e vegjël e, sidomos neve.

Çka mendoni për ato pantollonat e shkurtra edhe shamitë te shqiptarët brenda ish-trojeve jugosllave?

Gjetë Kadeli: Kjo është një modë e përkohshme. Edhe këtu investohet për ta degjeneruar popullin tonë. Por mos harro, shqiptarët nuk janë aq të dhënë pas ideologjive, kjo është eufori! Si të ndalen investimet nga shërbimet sekrete sllavo-arabe edhe të rehabilitohen ekonomikisht familjet shqiptare, i heqin brenda nate pantallonat e shkurtra edhe shamitë.

Mirëpo, ne kosovarët e kemi tani edhe flamurin tonë, flamurin kosovar.

Gjetë Kadeli: Flamuri juaj simbolizon shtetin, jo kombin. Ne do ta nderojmë edhe atë, por flamuri ynë kombëtar është; ai i ndërtuar nga gjaku i ynë me shqipen dykrerëshe. Gjergj Kastrioti me flamurin e tij është simbol i bashkimit kombëtar dhe jo i krijimit të kombeve të reja brenda kombit shqiptar.

Pse shqipen e kemi për simbol, ne shqiptarët?

Gjetë Kadeli: Shqipja është mbret i shpezëve, e cila fluturon lartë e, sa më lartë fluturon, aq më haptë e kontrollon terenin, sa më haptë që e sheh terenin, aq më gjerë e ka sundimin. Momentalisht ne shqiptarët, jo që nuk jemi duke fluturuar lartë, por zhag për toke jemi duke shkuar. Mometalisht janë duke u kujdesur SHBA-të, për ne edhe, deri diku Bashkimi Europian e, ne jemi duke menduar se çdo gjë u kry. Jo. Tash jemi ne fillimin e misionit, në hapin e parë. Tani është momenti, të mos flejmë as natën, duke i kryer detyrat tona se askush nuk i kryen më mirë se vetë ne.
Emërtimi Kosovë, nuk do të mund të quhet komb, as Dardania. Ne do të bëhemi , tani si kombi boshnjak - gjaku e gjuha serbo-kroate (sllavë). Humbën identitetin e gjakun duke e mbajtur ideologjinë fetare (kombi musliman).

Çka duhet bërë shqiptarët mbas 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë?

Gjetë Kadeli: Shqiptarët duhet të jenë vegjilentë e, t`i kthehen komunikimit e bashkëpunimit, le t`i nderojnë figurat kombëtare, të gjalla e të vdekura, sepse më të përçarë kanë qenë shqiptarët vetëm në kohën e paspavarësisë së Shqipërisë - 1912. Tani është momenti, për komunikim e bashkëpuim, në mënyrë që t`i kthehen trojet e ndara padrejtësisht nga trungu shtetit shqipta, ng fuqitë e mëdha.

Cila është këshilla juaj për ne?

Gjetë Kadeli: Duhet të reformohemi, të gjejmë miq, në mënyrë që të futemi ndershëm në familjen e madhe europiane. Delja që ndahet nga kopeja e ha ujku!
Me të drejtë e pat thënë Abdyl Frashëri në Kongresin e Berlinit, më 1878 „Shqiptarët kërkojnë të hyjnë në gjirin e familjes europiane, pjesë e së ciles janë“.

Çka mendon bac, për etikën e elitës politike të Kosovës?

Gjetë Kadeli: Korrupcioni edhe krimi i organizuar janë në shkallë të lartë kudo në trojet shqiptare, por në Kosovë nuk duhej të ndodhte kjo, pas humbjes së të gjithë atyre luftetarëve e familjarëve. Mjaft na ka vjedhur Serbia e, tani nuk duhet të na vjedhin tanët. Serbi na ka vjedhur edhe na ka vra e, politikanët tanë nuk po na vrasi por po na vjedhin, edhe kjo në një mënyrë mund të jetë një vrasje. As kjo nuk është e ndershme, por më e dëmshme ishte politika gjenocidale serbe. Kosova po konselidohet, është duke e forcuar ligjin, ligji duhet ta zbatojmë, sepse nëse nuk e zbatojmë atë nuk mnd të jemi të civilizuar. Sëpari duhet ta respektojnë e ta zbatojnë deputetët e, jo të shahen e të rrahen si fëmija e këqinj para kamerave e syve të botës.

Çka mendon për akademitë e shkencave të Kosovës edhe asaj të shqipërisë?

Gjetë Kadeli: Më vjen keq se ato janë në gjendje të mjerë financiare, varen nga politikanët e, politikanët janë të varur nga beznismenë të pasuruar nga parat ë pista, që dotë thotë se më së shumti më vjen keq nga akademikët. Edhe ata, që jo të gjithë i mbajnë familjet me ato paratë e pista.

Cili është mesazhi i juaj, bac?

Gjetë Kadeli: Kombi është si familja. Familja është e shenjtë, institucionet shtetërore e fetare janë udhëheqëse e edukuese, ndërsa familja e kombi qëndrojnë mbi to. Ndërsa politikanët tanë janë kripë e prishur.

Nuk e kuptoj bac. Çka do të thuash me këtë kripë të prishur?

Kjo është fraza Ungjillore. Jezu Krishti u ka thënë apostujve të tij: „ Ju jeni kripa e Tokës e drita e Botës“. Në qoftë se prishet edhe kripa, me çka do të kripet?
Pyet figura madhështore dhe shpirti i madh prej shqiptari e mbi të gjitha, njeriu - Promethe, Gjetë Kadeli, i cili u nda përzemërsisht e vëllezërisht nga unë.

Bashkëbisedoi: Isuf I. Bytyçi

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Isuf I. Bytyçi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 130 vizitorë
Lexuar: 1,959 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi