|
Krismat e Prekazit dërguan në mbarë botën mesazhin e një populli të robëruar që herët e vonë do të ngrihen me armë në dorë për lirinë e tij, kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi me rastin e përkujtimit të 32-vjetorin e rënies së atdhetarëve Tahir dhe Nebih Meha në Betejën e Prekazit të Epërm. Ndërsa thirrësi i kësaj seance, deputeti i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka thënë se pushteti i atëhershëm jugosllav arriti që rrëzonte Kullën e Mehajve, por sipas tij me këtë rast pësoi humbje, ku mbetën të vrarë 24 pjesëtar të policisë.
Kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi ka thënë se me 13 maj 1981, forcat speciale të policisë jugosllave të shoqëruar edhe me trupa ushtarake të blinduara dhe me helikopter gjuajtës janë mësynë Prekazit legjendar të Drenicës për të zhbërë familjen kryengritëse të Tahir Mehës.
Sipas tij kjo ditë u zgjodh pikërisht në ditën e festës së policisë, e cila dëshironte të shënonte në Prekaz, duke vrarë atdhetar e provokuar Drenicën dhe mbarë Kosovën.
Por Tahir Meha bashkë me babain e tij dhe familjen të modifikuar në kullën e tyre vendosën të qëndronin sipas amanetit të Emin Latit dhe Ahmet Delisë, të Kamer Loshit e Azem Galicës, duke rezistuar me armë në dorë.
Krasniqi ka thënë se gjatë tërë asaj dite u zhvilluan luftime, ku mbetën të vrarë babë e birë, por siç ka thënë ai rënia e tyre ishte shembull për të gjithë të tjerët se si duhet të i kundërvihet armikut.
“Shembulli i Tahir e Nebih Mehës edukoj brezat vijues të Kosovës për të ja kthyer pushkën armikut pavarësisht fuqisë së tij. Krismat e Prekazit dërguan në mbarë botën mesazhin e një populli të robëruar që herët e vonë do të ngrihen me armë në dorë për lirinë e tij. Kryengritja e vitit 1981 dhe qëndresa e Prekazit u bënë forcë shtytëse e zhvillimeve në procesin e çlirimit të Kosovës, nga sundimi serbo madh dhe pararendës të luftës për liri, të kulmuar në epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar Adem Jashari”, ka theksuar Krasniqi.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ramiz Lladrovci, ka thënë se në ngjarjet e vrullshme të vitit 1981, Serbia shfrytëzoi pikërisht të ashtuquajturën ditën e policisë së Jugosllavisë për të sulmuar familjen Meha, heroin Tahir Meha, babin e tij Nebihun dhe gjithë bashkë familjarët e tyre.
“Një ushtri, një polici dhe një makineri e tërë u thye atë ditë në Kullën e Mehajve në çerdhen njëshekullore të rezistencës ndaj të gjithë kralëve. Rrethimi prej tre rrathësh i kullës së Mehajve nga njësi speciale, ushtria jugosllave dhe pjesëtarët e policisë rezervë nuk e thyen assesi Tahirin, Nebihun dhe familjen Meha. Ata qëndruan deri në fundin e natës duke lënë tre të vrarë, 24 pjesëtar të njësiteve speciale të Jugosllavisë dhe shumë të plagosur, përkundër faktit që zyrtarisht ishin deklaruar vetëm 4 policë dhe tre të plagosur”, është shprehur Lladrovci.
Për më tepër deputeti Lladrovci ka thënë se është detyrë dhe privilegj i secilit prej deputetëve që të nderojnë dëshmorët e kombit, heronjtë e mëdhenj ata që duke tejkaluar veten u bënë themel i lirisë, i institucioneve të cilat tash po ndërtohen.
|