| SHTËPIA E VOGËL PËR MIQ TË VËRTETË |
| Publikuar më 19 maj, 2013 në orën 01:19 ( ) |
Beqir Elshani | Kulturë | |
|
|
|
Në fillim të pranverës unë dhe Fadil Shyti në Malme të Suedisë vendosëm të vizitojmë shokun tonë, Xhemil Zeqirin, matanë detit - në Kopenhagë. Atje shkohet me tren, herë mbi urë, e herë nën ujë, dhe sakaq duket në qendër të Kopenhagës. Kjo urë e madhe me harqe të mëdha e me rrjeta që kacavaren porsi rrezet e diellit prej majës së shtyllave dhe shtrihen në drejtim të detit, lidh dy vende me tradita miqësore: Suedinë me Danimarkën, ndërkohë që serbët, malazezët dhe maqedonët një shekull me radhë ndërtojnë mure diplomatike anekënd truallit shqiptar, vetëm se vetëm për të penguar bashkëpunimin kulturor dhe ekonomik të popullit shqiptar, të copëtuar sipas diplomacisë së mbrapshtë, në të gjitha shtetet sllave e greke. Në televizionin suedez dhe danezë, shpeshherë shfaqen filma artistikë e dokumentarë danezë e suedezë, sa që qytetarët e dy vendeve fqinje e kanë vështirë të dallojnë se cila qendër televizive është.
Miqësinë e frytshme, si në fushën kulturore ashtu edhe në atë ekonomike, e tregon lidhja baltike e Suedisë me Danimarkën prej 16 km me urë e me tunel që është ndërtuar për pesë vjet me radhë dhe ka kushtuar rreth 2 miliardë euro. Prandaj parashtrohet pyetja diplomatike: sa mjete duhet t’i kushtojë Bashkimit Europian për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë tonë, të cilën Konferenca e Ambasadorëve në Londër 100 vjet më parë e ndau me dhunë dhe ia dha Serbisë, që si pushtuese nuk ka asnjë shtet më gjakatare se kjo? Në krahasim me kohën, kur perandoria turke atdheun e shqiponjave – Shqipërinë Etnike, e mbajti të robëruar për pesë shekuj me radhë, megjithatë Serbia ia kalon Turqisë. Jo vetëm kaq, sepse Serbia ia kalon edhe Gjermanisë Fashiste, kur të kihet parasysh që ishte një shtet shumë i madh po aq edhe i fuqishëm, mirëpo sot është pa asnjë pëllëmbë vend të huaj të pushtuar. Në vazhdim, kolonizatorët francezë e mbajtën Algjerinë mbi një shekull, megjithatë në vitin 1962 u tërhoqën, për të cilën ish-kryetari i Francës, Nikolas Sarkozi, mbarë popullit algjerian i kërkoi falje. Përkundrazi në tokat shqiptare që i pushtoi Serbia, jo që nuk u çliruan për bashkimin e tyre me Shqipërinë, por edhe më keq, tokat shqiptare ende vazhdojnë të mbeten të copëtuara në katër shtete ortodokse: duke filluar prej Serbisë, Mali të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë. Kur është fjala për kërkimfalje shtetërore, këtë kryevepër fisnike ende Serbia nuk e bëri për masakrimin e 15 mijë shqiptarëve të Kosovës, megjithatë Bashkimi Europian në dëm të Kosovës i mbyllë sytë dhe shpejton për ta anëtarësuar Serbinë kriminale në parlamentin e saj.
Xhemili nga Tetova ishte i ndjekur nga organet e pushtetit jugosllav për shkak të pjesëmarrjes në Demonstratat Shqiptare të vitit 1981, ndaj detyrohet të emigrojë jashtë vendit. Miqësia e madhe e Xhemil trimit më së miri mund të lexohet në poemën “Miku im me shpirt floriri” që ia kushtoi poeti i lavdishëm - Hysni Milloshi. Xhemili është themelues i faqes elektronike diplomacia.dk, të cilën unë dhe Fadil Shyti e furnizojmë me lajme dhe ngjarje diplomatike për gjendjen e mbarë popullit shqiptar. Prandaj faqja jonë diplomatike është mbështetëse e flaktë e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, është kulla e fenerit për bashkimin e Shqipërisë Etnike me pamfletin revolucionar “Një komb – një shtet kombëtar”.
Sapo filluam të pimë kafe në dhomën e pritjes te Xhemili, Fadili tregoi për një bisedë që kishte pasur me të atin. I ati, minator, e kishte pyetur Fadilin: “Im bir, sa shokë ke?” I biri kishte thënë se ka me dhjetëra… Në shenjë mosmiratimi babai kishte lëkundur kokën. Fadili kishte menduar se babai po e qortonte për numrin e paktë të shokëve, përkundrazi babai i kishte thënë se me të vërtetë kishte shumë shokë, për të cilën edhe Fadili ndihej krenar. “Jo im bir, unë kam më pak shokë se ti, me të cilët jam miqësuar një kohë të gjatë dhe atë, siç thotë populli, në ditët më të vështira”. Ky njoftim e kishte habitur të birin, Fadilin, gjithashtu disi edhe i kishte pëlqyer vendimi me pak shokë, por, siç thuhet shokë besnikë, të sprovuar në të gjitha fushat e jetës, sepse të kesh një mik të vërtetë do të thotë të kesh dy zemra në trup.
Më pastaj, shoku im, Fadili, tregoi se gjatë jetës kishte vërtetuar se më mirë paska qenë të kishim pak shokë e shoqe, por mbi të gjitha të jenë besnikë e besnike, që të dallohen për nga cilësia dhe jo për nga sasia. “Padyshim që babai kishte të drejtë, kur më tha se më të mirë janë ata pesë shokë, që janë si yje të vërtetë, se disa shokë të pabesë që mashtrohen pas lakmive dhe që shiten pas interesave të huaja”. Atëherë unë ndërhyra, duke treguar se ka trima shqiptarë që tërë jetën e tyre kanë pasur vetëm një shok, të cilët i kanë ndihmuar njërit-tjetrit më shumë se disa të tjerë që kishin me dhjetëra shokë, siç thuhet shokë të duhanit e të rakisë, që zakonisht takohen nëpër kafene, pastaj shokë të punës, të udhëtimit e të shërbimit ushtarak, por që nuk janë shokë të vërtetë e të sinqertë. Për shokët apo miqtë e vjetër dijetarët thonë se janë si këpucët e vjetra që nuk na vrasin këmbët, do të thotë se janë më të vendosur.
Sipas librave filozofike, tregohet se kur disa njerëz e kishin pyetur filozofin grek, Sokratin, pse shtëpinë e kishte të vogël, ai ishte përgjigjur se dëshironte të mbushte me miq të vërtetë, që do të thotë me një numër të vogël shokësh. Pikëmbështetje e këtij mendimi është edhe këshilla e tij kur thotë se më shumë se mik i Platonit është mik i së vërtetës. Këtë bindje të dijetarit antik - Sokratit, e përforcon edhe legjenda e kreshnikut “Gjergj Elez Alia”, që vuante në shtratin e vdekjes, me motrën pranë, që nëntë vjet me radhë ia lante plagët në trup me anën e së cilës simbolizonte qëndresën e popullit shqiptar. Ndërkohë bajlozi, që papritur ka dalë prej detit, kërkon dyluftim në fushën e betejës, i cili si pushtues i vendit, i vë kushte të rënda e të vështira Gjergjit dhe popullit të tij, kërkon vasha, kërkon bagëtinë, kërkon vrasjen e kreshnikëve shqiptarë dhe djegien e krahinave, ndaj Gjergjit i është sosur durimi dhe përgatitet për ta vrarë përbindëshin e zi. Prandaj ditën vendimtare Gjergji Elez Alia e dërgon të motrën te nallban vëllami në qytet për ta mbathur gjokun me patkonj çeliku për dyluftim me bajlozin, mirëpo vëllami, që dikur miqësinë e kishin lidhur duke pirë një pikë gjaku nga njëri tjetri, në ditën kritike del tradhtar, dhe nuk do t’ia di për ndihmën që kërkon Gjergji, për mbrojtjen e popullit shqiptar që vuan nën thundrën e bajlozit gjakatar, ndaj në ditët e vështira kur vendit i kërcënohet rreziku i zhdukjes, kërkon dashuri me motrën e kreshnikut, i cili përgatitet për luftë kundër bajlozit gjakpirës, që dhunon, që shtyp dhe plaçkit të gjitha të mirat e vendit. Atëherë motra e mallkon nallban vëllamin, siç thotë këngëtari popullor, këtë magjup, dhe shkon te nallbani tjetër që ishte shok i vëllait – Gjergjit, i cili pa humbur kohë ia mbathi gjokun me patkonj çeliku. Duket qartë, që nallbani i dytë kishte qenë shok i natyrshëm, që në rrethana të vështira për mbrojtjen e trimit Gjergj, për atdheun u bë më i shtrenjtë.
Ngjarja tregon se në ditët më të vështira Gjergjit iu gjet shoku besnik që t’i ndihmojë për ta mbathur atin për luftë kundër bajlozit - dhunuesit të popullit shqiptar dhe të vendit. Që ngjarja historike e Gjergj Elez Alisë është e vërtetë, këtë e argumenton folklori se në shtratin e sëmundjes nëntëvjeçare nuk i ndihmonin orët e zanat mitologjike të malit, por i ndihmonte motra e tij që ishte sakrifikuar për kujdesin e vëllait pas vdekjes së nënës deri në ditën e dyluftimit që bajlozi i zi ia kërkonte. Prandaj motra më shumë dëshiron vdekjen për mbrojtjen e nderit dhe atdheut se të bie në dorë të armiqve gjakatarë të vendit. Forca e këngës qëndron në atë se Gjergji me të motrën nuk kishin asnjë synim tjetër para jetës së tyre, pos që Gjergji një ditë të shërohet nga plagët e rënda në trup, dhe menjëherë të dalë në fushën e betejës dhe me shpatë t’ia heqë kokën bajlozit të zi, në mënyrë që atdheu përgjithmonë të çlirohet nga tirania e pushtuesit të ardhur nga malet e thella që shtrihen mbi Detin e Zi.
Suedi, 9 maj 2013
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 34 vizitorë |
| Lexuar:
799 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
| Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|