Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Doli nga shtypi libri më i ri me titull: “Lirikat e fjetura” me autor Mehmet Bislimi
Publikuar më 21 maj, 2013 në orën 01:58 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Fjala e redaktorit prof. asoc. dr. Begzad Baliu

... «Bota femërore» është frymëmarrje e kësaj jete e megjithatë ngulfaten të drejtat e saj! Ajo i jep nuanca shumëngjyrëshe përditshmërisë sonë dhe përjetëson jetën mbi glob e megjithatë globalisht jetën ia errësojnë! Më shumë këngë, më shumë respekt, më shumë liri, më shumë përkushtim, më shumë dashuri... për «Botën femërore».
- Autori

Ironia e tekstit
Mehmet Bislimi, Lirikat e fjetura, Prishtinë, 2013


Dy dekadat e fundit letërsia shqiptare ka pasur prurje të pazakonshme në fushë të saj, si me numrin e autorëve ashtu edhe me numrin e veprave të shkruara dhe, madje edhe me numrin e veprave të përkthyera. Arsyet e këtyre prurje janë thënë jo njëherë dhe mund të tipologjizohen edhe më tej, si për modelin e ardhur nga radhët e shkrimtarëve ashtu edhe për prirjen semantike të veprave të shkruara a të përkthyera.

Shkrimtari Mehmet Bislimi është njëri prej krijuesve të dekadës së fundit, i cili shquhet për trashëgiminë jetësore të biografisë së tij, për modelin se si ka hyrë në letrat shqipe dhe për prurjet estetike të krijimtarisë së tij. Në letërsinë shqipe ai hyn me konceptet intelektuale të krijuesit, që në shoqërinë shqiptare ka sjellë më parë se sa mendimin kritik për letërsinë, mendimin kritik për lirinë e të qenit shqiptar. Duke i takuar radhës së atyre krijuesve që mendimin dhe angazhimin e tyre jetësor e konsideronin mision, ai la mënjanë për shumë vjet anën shpirtërore subjektive deri në fund të Luftës çlirimtare të Kosovës. Por, kur misionin e tij si shumë pjesëtarë të Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës e konsideroi të përmbyllur, së paku si një akt të dramës së madhe kombëtare, Mehmet Bislimi hapi portën e madhe shpirtërore dhe pse jo edhe mjeshtërinë e tij prej analisti, hulumtuesi, studiuesi, poeti dhe para se gjithash krijuesi letrar. Në këtë rrjedhë ai krahas poezisë botoi monografi për dëshmorët, vëllime me prozë të trashëgimisë popullore, vëllime me analiza politike të karakterit nacional etj. A mund të thuhet se kjo është arsyeja pse krijimtaria e tij letrare është pasuruar me veçori të letërsisë gojore dhe struktura të veçanta gjuhësore e semantike të lirikës së saj. Dhe pse të mos thuhet se kjo mund të jetë edhe premisa e një shtrese të përhershme etike me bazë në të menduarit tradicional, me të cilën shquhet gjithashtu një pjesë e poezisë së tij.

Vëllimit me poezi Lirika të fjetura, ju prinë një Hyrje jo shumë e zakonshme në fushë të letrave shqipe. I kujdesshëm që të mos trazojë zemrat e lexuesve të poezive të tij të fjetura ndër dorëshkrime zemre, ai bën një hyrje shpjeguese me të cilën dëshmon se këto poezi i janë kushtuar gjinisë tjetër, botës së urtë dhe të veçantë të saj, si dhe kujtesës që e përcjell respektin për të.
Vëllimi poetik me titull Lirikat e fjetura, është strukturuar nga një numër ciklesh dhe poezish, të cilat përveç me ndonjë esencë motivuese nuk shquhen për ndonjë nuancë tjetër stilistike, gjuhësore a metrike, prandaj ashtu sikur rrinë të ndara në cikle të shumta, ashtu edhe do të mundë të shquheshin si një tërësi tematike, stilistikore dhe perceptuese. Le të shohim në fillim vetëm strukturën motivore të fjalësit a togfjalëshit, me të cilët është bërë ndarja e cikleve poetike: Ndjenjë e vakët, Aromë ftoi, Thyerje në pasqyrë, Epikë e përflakur, Lirikë shpirtërore, Falni lirikat, Atje ku nuk bie borë, Autorë të sakrifikuar, Hijet e shpirtit, Zanoret e bardha, Lirikat e fjetura dhe Kumbim kambanash. Prej titujve të vënë nuk është vështirë të shihet jo vetëm mesazhi poetik por edhe simbolika e trashëguar e tabanit tradicional, qoftë e letërsisë popullore qoftë e letërsisë së shkruar, kryesisht rustikale, në njësitë leksikore: vakët, ftua, epikë, shpirt, përflakje, bardhë, fjetur, falje, kambanë; po edhe largim nga ajo: pasqyrë, sakrificë, zanore, hije shpirti etj., të cilat mjeshtri ynë i ka strukturuar me kujdes dhe me përkushtim të rrallë, si pak krijues të brezit të tij.

Diskutimi i poezisë së tij qoftë brenda cikleve, qoftë më vete, do të mundë të sillte një ide më të plotë për tërësinë estetike e konceptuar jo vetëm për një poezi, po edhe për tërësinë e saj. Ato marrin nismë që nga kujtesa për sytë e një fëmije të mbushur dashuri, te rinia e mbarsur me ëndrra djaloshare e që fluturojnë mbi horizont dhe përmbyllen me ‘marrëzitë’ e moshës së bardhë. Poezitë e identifikuara kryesisht me përemra, ëndrra, përkushtime personale, ndjenja të përziera, moshë, plagë zemre të ringjallura thellë në ndjenjat e një moshe të shtyrë etj., janë ato që e përcaktojnë përbërësin e motiveve, temave, ideve dhe mesazheve të përcjella me një pasuri shenjash dhe etiketash etike të traditës sonë. Të kësaj natyre janë poezitë Asaj, Fotografia, Ka vite, Plagët, Brengë e vjetër, Kujtime, Moshë e vite, Pa dashje (një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi), Ëndërr e vjetër, Sorkadhes etj., ., si këto, me të cilat identifikohen jo vetëm motivet dhe ciklet e poezive, por edhe tërësia tematike dhe estetike e këtij vëllimi. Janë vargje të mallit dhe të kujtesës me të, për të cilat autori ynë që në fillim kërkon ndjesë, sepse:

“nuk dua t’ia lëndoj
ëndrrat e saja të bardha
me ndjenjat e mia të mallit të parë”,


thekson në një nga poezitë e para, si për të plotësuar Parathënien e shkruar në hyrje të këtij vëllimi.

Krijues me dhunti të theksuar për përdorimin e humorit tradicional dhe sarkazmës letrare, Mehmet Bislimi është shquar në mënyrë të veçantë për përshtrirjen e saj edhe në letërsinë artistike, në të vërtetë edhe në poezitë e kësaj përmbledhjeje. Si në pak vëllime të poezisë sonë këta përbërës letrarë të veshur në të shumtën e rasteve me vlera etike, të dala kur nga formulimet popullore e kur nga gjedha e shkruar filozofike, zënë vend të rëndësishëm, për të mos thënë, bëhen simbolika e strukturës poetike në poezinë e tij. Pa satirën, me të cilën e ka veshur pothuajse gjithë sistemin poetik të tij, vështirë se do të mundë të shquhej në këto përmasa universi vetjak i poezisë së Mehmet Bislimit, përkundrazi. Janë pikërisht këto vlera, të cilat e cilësojnë edhe Lirikën e fjetur, poezinë e kujtesës së vonuar a të rishfaqur dhe lirikën besoj më sublime të poetit të zbardhur ndër vite:

“muzat e mesnatës me joshje
në befasi i zura
më lusnin që t’i falja
jo
nuk i fala
në poezi i vura”


Në të vërtetë, poezi të kësaj natyre a të këtyre motiveve, as nuk janë shkruar për herë të parë as nuk janë shkruar vetëm në gjuhën shqipe. Por poezitë e krijuesit tonë janë të veçanta, sepse ato zhvillohen paralelisht në dy rrafshe: rrafshi i parë përshkohet përgjithësisht nga marrëzia e të qenit njeri i dashuruar, me vitet dhe me aktin dashuror, si një dukuri e përjetshme dhe më në fund si një faktor fiziologjik, që e bënë të qenësishme edhe sarkazmin; ndërsa rrafshi i dytë që zhvillohet pothuajse paralel me të parin, është vetëdija për ‘bëmat’ e narratorit dhe ndërdijen për kodin etik të kësaj bëme. Janë dy përmasa e paralele të dala mrekullueshëm nga ky krijues, për të cilat shpresoj të shkruaj një herë tjetër më gjerësisht.
Le të jetë prandaj kjo edhe vetëm njëra prej arsyeve pse sot mund të thuhet se autori i këtij vëllimi bën një hap cilësor në poezinë shqipe, në të vërtetë në afrimin e parametrave të traditës së poezisë shqipe me vlerat estetike të poezisë moderne të saj.

Prof. asoc. dr. Begzad BALIU
Prishtinë, shkurt 2013

Dy poezi nga kjo përmbledhje

Pritje

me çiltërsinë e shpirtit
pritën ato
kthimin e burrave
nga syrgjyni
kurbeti
burgu e mali

me flokun mbi supe
si petkat e bardha larë
në lotin e kripur
kristal pritje ngrirë
në gjoksin e tyre pesha e pritjes
kallë
si prapa derës së hekurt
përnjëherësh
dashuri e vuajtje
ndryrë
nga malli i pritjes
kallë

Portret

në galerinë e qytetit tim
atë ditë
mungonte portreti yt
kryq e tërthorë i rashë gjithandej
askush s’të ngjante
as në portret

fytyrë zbehur ika nga aty
me frymën e këputur
në vesh
zanat butësisht më thanë
o njeri i mirë
portreti portretit
nuk i ngjan

Mehmet Bislimi

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 611 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi