Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
FJALORI I LËVIZJES SË JUSUF GËRVALLËS (XI)
Publikuar më 17 qershor, 2013 në orën 00:56 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
SHTETI

Shteti (nga latinishtja status, rregullim i fort) është një grup institucionesh që janë autoritet, që kanë përgjegjësi, për të përcaktuar rregullat dhe qeverisur popullin në një apo shumë vende, dhe që ka sovranitet intern dhe ekstern mbi një rreth të caktuar gjeografik.

a) Një shoqëri e organizuar politike e pamvarun, me fjalë më të përafërta organizimi politik i pamvarur i një shoqërie të tillë, që është e krijuar përmes një sistemi të vetë juridik dhe një qeverisje qendrore, dhe që e ushtron sovranitetin mbi një territor të caktuar.
b) Sistemi i institucionave politike të cilat përmes strukturës së tyre autoritative ushtrojnë pushtetin sovran apo përfundimtar në një shoqëri.
c) Një aparat institucional i përmbledhur (centralizuar) i cili në një masë më të madhe ose më të vogël rregullon apo zotëron marrëdhëniet në mes individëve dhe grupeve në një shoqëri.
Kjo mund të kuptohet në mënyra krejtësisht të ndryshme:
– Si domosdoshmëri, por principialisht një instrument i kufizuar pushteti i paraparë që të siguroj një rend juridik që mbron lirinë e individit (liberalizmi);
– Si një pushtet ose aparat shtypës që krijon dallime në mes shtypësve dhe të shtypurëve në një shoqëri (anarkizmi);
– Si një pushtet ose aparat shtypës që i shërben klasës ekonomikisht dominuese në një shoqëri (marksizmi).

Në dy rastet e fundit (tek anarkizmi dhe marksizmi), shteti kritikohet nga një paramendim ideal për një shoqëri pa aparat shtetëror (në marksizmin klasik flitet për "shuarjen" e shtetit). Vetë aparati shtetëror institucional mund të bëhet objekt i luftës për pushtet në mes interesave (grupeve) të ndryshme në shoqëri. Kjo ka sjellur deri tek mendimi se shteti nuk është asgjë tjetër përveç proces në rrjedhje e luftës institucionale për pushtet në mes grupeve të ndryshme të interesit në një shoqëri (p. sh. A. F. Bentley, H. Lasswell). Kjo do të thotë se nuk ekziston diçka që mund të quhet e mirë e përbashkët të cilën shteti do ta mbronte.
d) Një njësi politike dhe sociale që qëndron mbi interesat e veçanta të individëve dhe grupeve të ndryshme, dhe me këtë shpreh pjesërisht unitetin e shoqërisë, pjesërisht përcaktimin e individit si esenca shoqërore (Aristoteli, Rousseau). Këtu shteti bëhet një çështje rreth të përgjithshmes, do me thënë rreth përcaktimit moral të njeriut. Ky kuptim merret në shqyrtim dhe riformohet nga Hegeli, i cili mendon se shteti është një tërësi mbiindividuale, në të cilin liria merr vërtetësi, liria vërtetësohet.
Qysh Aristoteli ka treguar se njeriu gjithmonë ka jetuar në shoqëri, por këtyre shoqërive tek popujt primitiv u mungon karakteri shtetëror i shkolluar. Shteti kërkon kontinuitet dhe rregullat e tij ligjore vlejnë në atë territor ku banojnë anëtarët e shtetit (nënshtetasit) pamvarësisht nga prejardhja e tyre. Kur personat e marrin ligjin në duart e veta, në kundërshtim me shtetin, në mënyrë individuale apo përmes ushtrive jo-shtetërore, kjo konsiderohet si shembje e shtetit
Në të drejtën ndërkombëtare, njohja e pamvarësisë së një shteti prej shteteve tjera konsiderohet si çelës për sovranitetin. Pasi një shtet ka shumë detyrime të cilat duhet të administrohen dhe të financohen, shtetet kanë të drejtë për vjeljen e tatimeve, dhe funksionojnë si punëdhënës (mendohet në sektorin publik).


Përmbajtja
1. Konventa e Montevideos
2. Zhvillimi i konceptit të shtetit
2.1 Lashtësia dhe antikiteti
2.2 Mesjeta
2.3 Koha moderne
2.4 Nacionalizmi
3. Shtetet e botës
4. Format shtetërore
5. Relacioni ndaj nështetasve (bashkështetasve)
6. Koncepti i shtetit në shkencë

1. Konventa e Montevideos

Një prej kritereve të cilat rëndomë citohen gjatë aspiratave shtetërore, për shkak të vështirësive për të fituar njohje ndërkombëtare, është Konventa e Montevideos. Kjo konventë është nënshkruar më 26 dhjetor 1933 nga SHBA, Hondurasi, El Salvadori, Republika Dominikane, Haiti, Argjentina, Venezuela, Uruguaji, Paraguaji, Meksikoja, Panamaja, Bolivija, Guatemala, Brazili, Ekuadori, Nikaragua, Kolumbia, Çile, Peruja dhe Kuba, por nuk është aprovuar nga të gjithë ndërkombëtarisht. Konventa e Montevideos i ka katër kritere të domosdoshme dhe të mjaftueshme në mënyrë që një entitet të ketë mundësinë për t'u njohur si shtet:
-një popullsi permanente
- një territor të definuar
- një qeveri
- kapacitet për të lidhur relacione me shtete tjera.
Këto kritere janë formulim i një praktike ndërkombëtare të aplikuar qysh më heret. Kjo Konventë është aprovuar në Ligën e Kombeve (League of Nations Treaty Series, vëll. 165, faqe 20-43). Për shkak se këto kritere janë relativisht të lehta për t'u arritur, Konventa e Montevideos nuk është aprovuar nga bashkësia botërore si një definicion i përgjithshëm dhe shumica e vendeve në vend të kësaj e përdorin teorinë konstruktiviste mbi statusin e shtetit si pikë fikse.

2. Zhvillimi i konceptit të shtetit
2. 1 Lashtësia dhe antikiteti

Burimet më të vjetra për konceptin e shtetit përmbajnë një teori shtetërore të qartë teokratike, se pushteti është i bazuar në një prejardhje hyjnore. Kështu ka qenë në rastin e Babilonisë, Egjiptit të lashtësisë dhe Izraelit të Dhiatës së Vjetër. Në Egjipt teokratizmi është shprehur në atë formë, që mbreti është konsideruar pasardhës i zotërave, dhe në të dy rastet tjera (Babiloni dhe Izrael) se mbreti e ka marrë autorizimin për të ushtruar pushtet nga zoti. Përmes krishterimit është përhapur pikëpamja teokratike hebreje nga Lindja në pjesët e tjera të botës. Një dëshmi e një trashëgimie të tillë është kurorëzimi (i mbretit). Si një konsekuencë e kësaj edhe ligjet janë konsideruar se kanë prejardhje hyjnore, me ç'rast çdo princip juridik është kuptuar si urdhër hyjnor.
Koncepti "shtet" rrjedh nga antikiteti dhe qytetet-shtete në Vendet Mesdhetare. Para së gjithash përmes veprave nga Platoni dhe Aristoteli, vështrimi mbi shtetin dhe synimet e tij janë ruajtur prej asaj kohe; në bashkangjitje të teorive politike janë rritur e zhvilluar edhe shtetet përmes një ndikimi reciprok, rritje e zhvillim i cili do të mund të bëhej edhe më i komplikuar me rezonimet ideologjike. Karakteristike për kuptimin e shtetit ka qenë trajtimi i tij si një rend, rregullim natyror.
Aristoteli e fillon librin e tij Politika me një definicion për shtetin: një shtet është një bashkim politik i ndonjë lloji, dhe bashkimi bëhet për shkak se njerëzit kanë një synim të mirë, të cilin duan ta arrijnë (përmes bashkimit). Se çka mendohet me "shtetin" në këtë rast, a mendohet sundimtari apo ka një kuptim më të gjerë, ka qenë çështje e diskutueshme qysh nga koha e Aristotelit. Luigji XIV i Francës, thuhet p.sh se është shprehur: "L'État, c'est moi" (Shteti jam unë). Aristoteli mendon se një shtet karakterizohet nga ajo se ai ka nënshtetas (bashkështetas); ata banojnë në një territor, kanë të drejta politike të ndryshme në forma të ndryshme shtetërore, por vetëm ata me të drejta politike janë nënshtetas (bashkështetas). Se çka mendohet me "shtet" mund të ketë shumë dallime në forma të ndryshme shtetërore: në një demokraci ata që kanë pushtet janë shumë dhe në bazë të kësaj pikëpamje edhe vetë organi shtetëror është më i madh. Një rreth me vetëm një sundimtar dhe skllevërit e tij, në bazë të kësaj pikëpamje të Aristotelit nuk është shtet. Ky konkludim ndahet edhe nga Platoni i cili në librin Shteti (II) mendon se shteti më i vogël përbëhet nga katër ose pesë individë, por ai vjen deri tek ky konkludim duke u nisur nga baza të tjera: minimumi për një shtet është që ai të ketë një bujk, një ndërtimtar, një endës tekstilesh, një këpucëtar dhe mundësisht ndonjë tjetër mjeshtër. Për Platonin, shteti konstituohet nga një ndarje e punës dhe jo nga instancat e pushtetit; primare është ndarja e punës dhe organizata, dhe jo vullneti, etja për pushtet tek një apo shumë individ: "Një shtet lind kur secili prej nesh veç e veç nuk është i mjaftueshëm për vetveten apo nuk mund të mbijetojë vetëm, por ka nevojë për shumë." Në bazë të idealit organik të shtetit të Aristotelit, shteti është mbi individin, pasi shteti krahasohet me trupin dhe individët me gjymtyrët e ndryshme të trupit: "nëse krejt trupi prishet atëherë nuk mbetet këmbë apo dorë" (I:II). Shteti, pra, thuhet se është konkret, vetë organi për pushtetin shtetëror (qeveria, administrata, si në kuptimin "shteti shqiptar"), por edhe diçka më shumë dhe më abstrakt se kjo (kushtetuta e tij).

Shteti është për Aristotelin i natyrshëm, dhe ai i konsideron hierarkinë, ndarjen e punës dhe delegimin në shtet si gjëra të natyrshme. Drejtësia, rendi juridik dhe administrimi i drejtësisë (funksionimi i aparatit juridik) i lidhë në mes veti individët me shtetin. Ky këndvështrim në shtetin natyror dhe raportit të tij me ligjin dhe të drejtën praktikohet të thuhet se paraqesin lindjen e të drejtës natyrore, dhe definicioni i tij në shkallë të lartë ka ndikuar në zhvillimin e konceptit të shtetit duke filluar nga mesjeta, kohë kjo kur janë themeluar shumë shtete Evropiane.
Në bazë të traditës aristoteliane, shteti duhet t'u ofroj njerëzve një ndarje të natyrshme të pasurive materiale, drejtësisë dhe mbrojtjes, por edhe kultivimin moral. Për t'u mbrojtur ndaj fuqive tjera, shteti duhet të ketë një armatë.
Një shtet pra ka një kushtetutë, e cila dallohet në bazë të formës (rregullimit) shtetëror dhe vendit. Por sipas Aristotelit, të gjitha kushtetutat i kanë tri elemente:
– Caktimi i një instance të pushtetit e cila vendosë për luftë dhe paqe ndërshtetërore, dhe që brenda shtetit shqipton dënime,
– Një rregullore mbi atë se cilët janë ata që kanë të drejtë të gjykojnë, dhe si vendosen njerëzit në këto poste,
– Një rregullore për atë se si pushteti juridik dhe ai gjyqësor duhet të organizohen.

2. 2 Mesjeta
Me daljen në skenë të Kishës, hyn në fuqi koncepti teokratik i shtetit duke filluar prej Konstantinit të Madh. Në të njejtën kohë, kisha katolike-romake fiton një pozitë si fuqi botërore, por në realitet papa ka qenë shpesh i mvarun prej atyre perandorëve (kajzerëve) të cilët i ka kurorëzuar, të cilët kanë themeluar shoqëritë feudale. Gjatë tërë mesjetës është zhvilluar një luftë për pushtet në mes kishës dhe shtetit, dhe palët rivalizuese kanë përfaqësuar dy teori të ndryshme teokratike, sepse si shteti ashtu edhe kisha kanë pretenduar se në shtetet e tyre, e drejta e zotit është në anën e tyre. Të dy këto teori teokratike mbi shtetin janë bazuar në të drejtën natyrore teokratike. Augustinus dhe Thomas Aquinas janë dy interpretuesit kryesor të teokratizmit kishtar. Gjatë tërë Mesjetës, Kisha luftoi për formimin e perandorisë romake botërore, një monarki universale, dhe krijimi i Perandoria e Shenjtë Romake (anglisht; Holy Roman Empire; gjermanisht: Heiliges Römisches Reich Deutscher Nation) mund të quhet një rezultat i kësaj lufte.

2. 3 Koha moderne
Me përfundimin e mesjetës, fitoi teokratizmi perandorak mbi atë kishtar, dhe shtetet legjitimohen nga Dei gratia, pra si mbretëri të mëshirës së Zotit. Këto mbretëri (anglisht: Divine right of kings) janë një princip legjitimiteti ku parimi themelor është se mbreti është i caktuar në detyrën e tij nga Zoti. Mbreti është përgjegjës vetëm para zotit. Në raport me shoqërinë, institucionet e saj dhe individët, mbreti ka pushteti absolut. Kjo teori është historikisht një prej atyre që kanë bërë motivimin e monarkisë absolute. Ky princip është i formuluar kështu në një prej fjalive themelore:
Nga Zoti e kemi mbretin, nga mbreti e kemi ligjin.
Me këto pretendime të pushtetit mbreti ka qenë krijues i vetëm i ligjit.
Në bazë të një mendimi, i cili është i diskutabil, është Nikolo Makiaveli ai i cili e ka lansuar fjalën shtet në kuptimin "një forcë sovrane territoriale" më 1532 në librin Princi. Më parë me "shtet" janë menduar qytetet-shtete, por prej kohës së Makiavelit kjo fjalë fillon të paraqet një vend dhe një udhëheqje krejt tjetër, në atë mënyrë që fjala kuptohet në përdorimin modern gjuhësor. Në kapitullin e parë (të librit Princi) paraqet qëndrimin se ekzistojnë dy lloj shtetesh: republika dhe principata. Në mënyrë pak të modifikuar ky klasifikim ka mbetur i qëndrueshëm, nëse me "principata" mendohen monarkitë.
Vepra e Jean Bodin mbi marrëveshjet në Paqen e Vestfalisë përgjithësisht praktikohet të konsiderohet si konstituese e konceptit shtet dhe të sovranitetit të shteteve, në atë mënyrë siç çoi zhvillimi kur perandoritë u shndërruan në shtete kombëtare. I ndikuar nga këto marrëveshje (pakte), Emerich de Vattel, një prej baballarëve të së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjeve të luftës, mendon se "shteti" ka dy kuptime të pandashme. Nga njëra anë shteti është një konstituim politik, dhe nga ana tjetër një shoqëri njerëzore në të cilën njerëzit janë të bashkuar në aspiratën e tyre që me forca të përbashkëta të arrijnë siguri të përbashkët dhe benificione të përbashkëta. Autoritetin (fjalën përfundimtare) në një shoqëri të tillë e ka konstitucioni politik, e ka sovrani që ka sovranitet mbi shoqërinë. Një shtet sovran (shtet i pamvarun) sipas Emerich de Vattel, është një bashkim i tillë, që është i pamvarun nga shtetet tjera dhe që qeverisë mbi vetveten. de Vattel i definon shtetet e tilla të pamvaruna si persona juridik.
Me sekularizimin e të drejtës natyrore si dhe me paraqitjen e principit të sovranitetit të popujve vjen tek cungimi i pushtetit shtetëror, dhe nënshtetasve të shtetit u njihet e drejta për revolucion kundër tij (shtetit). Shteti, në bazë të këtij kuptimi të ri, mbahet lidhur, unik në bazë të kontratës shoqërore dhe jo prej të drejtës së një sunduesi.
Koncepti i shtetit, i filozofit gjerman G. W. F. Hegel, ka qenë në radhë të parë i rëndësishëm për nacionalistët e llojeve të ndryshëm dhe për marksistët. Shteti, shkruan Hegeli në Filozofinë e së drejtës, është një ide etike që materializohet përmes vullnetit (§ 257) në një "në vetvete tërësi totale të pamvarun" (§ 330). Vullneti etik është plotësisht racional, dhe është ai që e përbën unitetin në mes kolektives dhe individuales, për ç'arsye nënshtetasit janë të obliguar t'i përmbahen (§ 258). Por ideja etike nuk është e njejta gjë si baza historike e shtetit apo e legjitimitetit të tij; ajo është shpirti që e realizon vetveten duke u aktualizuar në mënyrë të pandërprerë tek individi. Vetëm brenda shtetit individi mund të jetë i lirë. Forma politike e shtetit është organizata e shtetit (§ 271), dhe funksionet e shtetit janë pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ (§ 272).

2. 4 Nacionalizmi
Që nga romantizmi dhe vitet 1800 lindi një nacionalizëm, pjesërisht prej teorive të Hegelit, por ndoshta edhe me një ndikim më të madh nga Franca, i cili aspironte për të krijuar shtete kombëtare, do me thënë shtete të "natyrshme" të cilat legjitimohen në bazë të asaj se popullsia i takon të njejtit komb. Në bazë të kësaj shtetet fillojnë të definohen në bazë të etnicitetit të nënshtetasve, dhe para krijesave shtetërore shtrohen kërkesa të reja. Në bazë të këtij ideali kufizohen të drejtat qytetare të minoriteteve në disa vende.
Mendimet mbi atë se çka janë shtetet kombëtare, mund të ndahen në dy grupime kryesore: primordalism dhe kostruktivism.
Primordalistët e shohin kombin si fillestar, si burim, i parakushtëzuar nga prejardhja, religjioni, gjuha amtare ose "raca". Me fjalë tjera primordalistët thonë se është kombi ai që e formon shtetin, apo ia jep emrin shtetit. Këto mendime rrjedhin nga Jean-Jacques Rousseau dhe ideologjia e tij "T'i kthehemi natyrës", "Natyra është burimi ynë". Në mesin e primordalistëve shqiptar, në fushën e luftës me penë, mund t'i përmendim p. sh. Jusuf Gërvallën dhe Koço Danajn.
Konstruktivistët i shohin kombet si krijesa politike brenda shteteve. Me fjalë tjera konstruktivistët mendojnë se është shteti ai që e formon kombin, që po t'i ndjekim konsekuencat e këtij mendimi edhe më tej, do të thotë se është shteti ai që ka të drejt të krijoj dhe t'u jep emër të caktuar kombeve. Konstruktivist të njohur janë Benedict Anderson dhe Eric Hobsbawm. Ata të cilët propagandojnë apo thonë se me krijimin e shtetit të Kosovës është krijuar kombi kosovar, apo Republika e Kosovës e ka për obligim ta krijoj kombin kosovar, mund të thuhet se i takojnë rrymës konstruktiviste.
Këto teori kanë fituar rëndësi të madhe për definimin e shtetit, lidhur me çështjen se a është primar, më i rëndësishëm, kombi apo shteti. Është e vërtetë se kombet më pak apo më shumë janë krijuar që nga vitet 1800 në Evropë, kur "bujqit u shndërruan në francezë" apo kombet tjera përmes sistemeve shtetërore të shkollimit, administrimit dhe drejtësisë. Duke filluar nga revolucioni francez (1789) kryhet edhe një rivlerësim i shtetit, si shtet i popullit (principi i sovranitetit të popullit) dhe jo të një sovrani.
Max Weber, në fillim të viteve 1900 lansoi një definicion të vetin mbi atë se çka është një shtet, të lidhur me mendimin perëndimor social: ai mendon se shteti është një bashkim politik i një shoqërie njerëzore që ka të drejtë ekskluzive (vetëm shteti dhe askush tjetër) të ushtroj dhunë legjitime brenda një territori, dhe një ambicie e tillë ekskluzive është e suksesshme. Që e drejta ekskluzive të jetë legjitime do të thotë se banorët në shtet e aprovojnë atë, pamvarësisht se nga cilat principe nisen kur e bëjnë këtë. Nëse e drejta ekskluzive nuk mund të mbrohet, shteti kalon në anarki ose në duart e tjetër kujt.
Në bazë të një pikëpamje dominuese, me "shtet" mendohet një krijesë shoqërore; një territor në të cilin ka nënshtetas; që shteti bënë pretendime për sovranitet të jashtëm dhe të brendshëm, ku gjendet një udhëheqje rregullat dhe normat e së cilës nënshtetasit janë të obliguar t'i respektojnë, dhe me këtë edhe mjetet detyruese të shtetit (p. sh. masat e kryera nga policia). Në shtetin modern ekzistojnë edhe institucione në të cilat kryhet veprimtaria politike (qeveria, organizatat etj.).

3. Shtetet e botës
Pas pjesës së fundit të viteve 1800 faktikisht çdo pjesë tokësore e banueshme në botë është copëtuar në shtete. Para kësaj kohe kanë ekzistuar territore të mëdha ndaj të cilave askush nuk ka pasur pretendime apo kanë qenë pa popullsi, ose të populluara nga nomadë pa shtet të organizuar. Për momentin ekzistojnë më shumë se 200 bashkime politike të cilat ose pretendojnë se janë shtete apo veç janë shtete të njohura ndërkombëtarisht. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) i ka 193 shtete vende anëtare. Përveç këtyre 193 shteteve anëtare, Selia e shenjtë (Karriga e shenjtë - Shteti i Vatikanit) është një shtet që nuk ka të drejtë vote në OKB, por ka vetëm statusin e vëzhguesit. Vatikani, statusin e vëzhguesit e ka zgjedhë me dëshirën e vetë, por nuk ka të drejtë vote. Pamvarësia e shtetit të Vatikanit ndërkombëtarisht është e njohur që nga viti 1929; përveç kësaj Vatikani ka autoritet për zgjidhjen e çështjeve kontestuese religjioze në Itali.

4. Format shtetërore
Një shtet mund të jetë i organizuar në shumë mënyra të ndryshme, gjë që mund të analizohet prej shumë këndvështrimeve të ndryshme. Një klasifikim tradicional, që ka pasuar pas punës së Makiavelit, është klasifikimi se shtetet mund të jenë ose monarki ose republika, mvarësisht prej titullit dhe cilin pushtet e ka shefi i shtetit. Monarkitë mund të nën-ndahen në perandori, mbretëri, principata dhe emirate.
Një pikëpamje që ka fituar teren gjatë viteve 1900 është ajo e ndarjes së shteteve në demokraci dhe diktatura, në mvarëshmëri prej shkallës së reprezentimit politik në organe legjislative, barazi politike dhe të drejtë vote, vendime të marra në bazë të shumicës, si dhe liri dhe të drejta demokratike (pra të drejtat e njeriut). Kjo pikëpamje mund të jetë kontraverze, pasi demokracitë e vendeve perëndimore në kuptimin global dhe ideologjik nuk merren si forma e vetme e drejtë, edhe pse kjo formë është dominuese, sidomos në botën perëndimore. Marksistët, demokracinë liberale e quajnë demokraci borgjeze, dhe e kanë një pikëpamje tjetër për te. Që një shtet të quhet demokratik, në botën perëndimore parashihet si rregull që ai të ketë një sistem shumëpartiak, ndërsa sistemet njëpartiake, që nganjëherë nga përfaqësuesit e tyre janë quajtur "demokraci popullore", rëndom janë kuptuar si diktatura. Një shenjë dalluese për një demokraci, sipas një pikëpamje që bazohet në mendimtarin politik liberal Karl Poper, është se në një demokraci, për popullin është e mundur që ta ndërroj udhëheqjen në mënyrë paqësore. Në bazë mësimeve të Montesquieus, liberalët shpesh marrin parasysh atë që quhet ndarje-pushtetesh (tradicionalisht mendohet në ndarjen e pushtetit shtetëror në tri pjesë: në pushtetin ekzekutiv – qeveria apo presidenti; në pushtetin legjislativ – parlamenti ose kongresi dhe në pushtetin gjykues – sistemi i gjykatave) kur bëjnë analizimin e demokracisë.

Forma shtetërore, mundet më tej, të kategorizohet në bazë të përbërjes apo lidhjes organizative, në shtete unitare (anglisht: Unitary state), konfederata dhe federata. Shtetet unitare karakterizohen nga drejtimi qendror, megjithëse një shkallë e delegimit me vetëqeverisje lokale mund të ndeshet, siç është p. sh. rasti i Suedisë dhe komunave të saj. Një konfederatë është bashkim i disa shteteve sovrane, siç është p. sh. Beneluksi. Me federatë mendohen shtetet federale në të cilat shtetet përbërëse (shtetet e federuara) kanë të drejtë të nxjerrin ligje, por e ndjekin një politikë të përbashkët në disa çështje, siç është rasti me Gjermaninë dhe SHBA.

Në periudha të ndryshme, çështja se a është një shtet kushtetues apo jo nuk ka qenë e vendosur në plan të parë. Me këtë mendohet se a ka shteti kushtetutë, apo në të kundërtën udhëhiqet në mënyrë autoritative, sepse mungesa e një kushtetute rëndom haset tek ato shtete që nuk kanë ndarje të çartë të pushteteve.
Mvarësisht se prej llojit të qeverisë që ekziston në një vend, vendet mund gjithashtu të ndahen në presidencialiste si p. sh. SHBA, ku presidenti në të njejtën kohë është edhe shef i shtetit edhe kryeministër) apo parlamentariste (ku shefi i shtetit ka funksione ceremoniale, ndërsa qeveria e ka pushtetin ekzekutiv, si p. sh. Suedia, Norvegjia, Danimarka, Gjermania), si dhe semipresidencialiste, një përzierje në mes presidencializmit dhe parlamentarizmit (me president dhe kryeministër – Franca, Federata Ruse, Finlanda).
Presidencializmi haset, si rregull, vetëm në republika, pasi presidenti si rregull është shef i shtetit, ndërsa parlamentarizmi haset edhe tek monarkitë kushtetuese. Monarkitë absolute nuk e ndjekin këtë model perëndimor, siç është p. sh. rasti me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ekzistojnë shumë mënyra tjera për kategorizimin e shteteve, prej të cilave një pjesë, p. sh. ato që i ka bërë Aristoteli, nuk janë më relevante për shkak të ndryshimit të gjendjes në botë. Kultur-gjeografët dhe humanistët mund të kenë kritere tjera të klasifikimit për dallim prej atyre që merren me shkenca politike, dhe ata mund të fokusohen tek pozita e shtetit (shtete pa dalje në det, shtete-ujdhesa, vende teokratike etj.) apo shtrirjes së tyre (Qytete-shtete – City state, perandori).

5. Relacioni ndaj nënshtetasve (bashkështetasve)
Pasi është detyra e shtetit për t'u ofruar siguri nënshtetasve në kuptime të ndryshme, shteti ka të drejtën e caktimit të tatimeve për të financuar policinë, ushtrinë, shkollimin, sigurinë sociale dhe rrogat për ata që shtetin e kanë si punëdhënës. Obligime të tilla brenda shtetit vlejnë në radhë të parë për nënshtetasit. Se cilët llogariten si nënshtetas, është rëndom çart e definuar në regjistra, dokumente të identifikimit dhe pasaporta. Vetëm nënshtetasit kanë të drejtë të banojnë dhe punojnë brenda territorit të shtetit pa leje të veçantë. Ata njerëz që nuk janë nënshtetas në një shtet quhen persona pa shtetësi. Përmes konventave ndërkombëtare, si p. sh. Konventa Evropiane (European Convention on Human Rights) shtetet prapë se prapë kanë disa obligime ndaj të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh nënshtetësinë.
Relacioni në mes shtetit dhe nënshtetasve qëndron në kontrollin e shtetit dhe ndërveprimin me nënshtetasit, dhe të drejtat dhe detyrat e nënshtetasve. Se çka përfshijnë në vetvete këto fusha në masë të madhe mvaret prej vendimeve politike, të cilat në anën e tyre janë të ndikueshme nga veprimet e grupeve të ndryshme të interesit dhe kornizave ndërkombëtare.
Që shteti të ketë mundësi t'i kontrolloj nënshtetasit kërkohet regjistrim i popullsisë, prej nga duket se cilët fëmijë duhet të përfshihen në obligimin shkollor, cilët nënshtetas duhet të thirren në shërbim ushtarak, sa të holla kanë nënshtetasit të cilat duhet të përfshihen nga sistemi tatimor, etj. Veprimtaria kontrolluese përfshin edhe ndërmarrjet dhe organizatat në vend. Në shtete me korporativizëm (ku individët në masë të madhe janë pjesëtar të grupeve e shoqatave të ndryshme), siç është Suedia, ku grupet e interesit kanë lidhje të ngushta me shtetin, zhvillimi çon në një shtet intervencionistik, përderisa në një numër vendesh të tjera mbahet dallimi i kjart në mes shtetit dhe nënshtetasve. Në shtetet me sektor të madh publik, prapë si në shembullin e Suedisë, tatimet janë të larta por shteti u siguron shtetasve disa benificione. Veçanërisht liberalët dhe vendet që janë qeverisur në periudha të gjata nga partitë liberale, kërkojnë më pak tatime dhe përgjegjësi më të madhe nga individi për sigurinë e tij. Shkalla të larta të tatimit motivohen nga socialistët dhe socialdemokratët me atë se ato funksionojnë për nivelizime politike dhe i zvogëlojnë hendeqet sociale në shoqëri. Ky polarizim ideologjik lidhur ma shkallët tatimore të shtetit ka ardhë në shprehje pas Luftës së Dytë Botërore.
Çështje tjera në këtë drejtim janë se në çfarë mënyre duhet të bashkëveprojnë nënshtetasit me shtetin apo me organizatën e brendshme burokratike: centralizim apo decentralizim, demokraci reprezentative apo demokraci direkte, socializim apo privatizim, drejtim deri në hollësitë apo drejtim kah synime të caktuara. Mjetet kryesore të shtetit për drejtim, udhëheqje, janë ligjet dhe organet shtetërore. Shteti ka të drejtë ekskluzive për nxjerrjen e ligjeve, gjë që është e lidhur me monopolin për të përdorë forcën. Përmes ligjeve kemi rrjedhimet kur disa veprime deklarohen si kriminale për të cilat ekzistojnë dënimet e caktuara; respektimi i ligjeve është obligim i nënshtetasve. Gjykimet e gjykatave për vepra penale dhe ekzekutimi i dënimeve për këtë arsye bëhen pjesë të veprimtarisë shtetërore.

Në të drejtën e nënshtetasve hyn e drejta për t'u shkolluar. Shkollimi shërben edhe si kanal përmes të cilit ligjet e shtetit dhe traditat u mësohen gjeneratave të reja të popullsisë, si dhe si një proces rekrutimi kur nënshtetasit zgjidhen e caktohen në fusha të ndryshme në shoqëri dhe shtet. Ajo mbrojtje sociale që shteti e garanton si këmbim për tatimet, më tej mund të përfshij përkujdesjen për të varfrit, përkujdesjen për pleqtë dhe përkujdesjen shëndetësore. Në përgjegjësinë e shtetit hyn edhe ruajtja e peizazhit (ang: landscape) social, siç janë rrugët e vendit, parqet, muzeumet, ligjet e komunikacionit, dhënies së përparësisë nacionalizmit të brendshëm duke përfshi këtu përkujdesjen për gjuhën dhe kulturën.
Të gjitha shtetet e botës janë punëdhënës përmes sektorit publik. Në vende me socializim të përhapur, sikurse në ish-Bashkimin Sovjetik, pjesa më e madhe e nënshtetasve e kanë pasur shtetin si punëdhënës. Rregullimi i raporteve të pronësisë, doganave dhe tregtisë së jashtme, pushtetit ekonomik, vlerës së parasë, kushteve të punës për të punësuarit dhe konkurencës në mes ndërmarrjeve janë detyra fundamentale të cilat shteti i ka.

6. Koncepti i shtetit në shkencë
Fundi i viteve 1900 karakterizohet nga globalizimi ekonomik botëror, nga qarkullimi i njerëzve dhe kapitalit, si dhe nga krijimi i shumë institucioneve ndërkombëtare. Të gjithë këta faktor kanë kontribuar në zvogëlimin e lirisë, apo në kufizimin e lirisë së manovrimit të shteteve. Por, edhe më tutje shteti është njësia elementare politike në botë, ashtu siç ka qenë që nga vitet 1500. Për këtë arsye shteti është koncepti primar në shkencat politike dhe studimi i politikës dhe definicionit të tij janë lëndë e nxehtë për debat. Sociologët politik si Karl Marksi dhe Max Weber, preferojnë si rregull, një definicion të gjerë me vëmendje të posaçme tek aspekti i përdorimit të dhunës dhe mjeteve të detyrimit. Ekonomistët e ekonomisë kombëtare si Milton Friedman, mendojnë se shteti në natyrën e tij është i keq (anglisht: evil) dhe ai duhet të mbahet sa më i vogël që të jetë e mundur, dhe Ludwig von Mises, i cili mendon se pushteti i tij duhet të kufizohet vetëm tek mbrojtja e jetës së popullit dhe pasurisë. Personalitete tjera qendrore në shkencat politike janë John Locke, Thomas Hobbes, Jean-Jacques Rousseau dhe Robert Nozik.
Me rastin e studimeve shkencore mbi shtetin, si kontrast i tij (shtetit) merret shpesh shoqëria. Përmes principit të sovranitetit popullor, dallimi në mes këtyre dy koncepteve (shtet dhe shoqëri) është bërë më i papërcaktuar dhe që të dyjat bëhet secilën herë më vështirë që të definohen. Gjatë shekullit të fundit fenomenet siç janë privatizimi, nacionalizimi dhe mundësia për instanca të reja kontrolli, kanë bërë që kufijtë e shtetit të jenë të pakjart. Në këto rrethana Jürgen Habbermas ka kontribuar në shkencë duke e futur në përdorim shprehjen "sferë publike" (gjermanisht: Öffentlichkeit) për ta definuar shtetin, dhe këtë në kundërshtim me definicionet klasike të bëra nga Hobbes dhe G. W. F. Hegel të cilët e shohin shtetin në prizmin e sovranitetit të tij.
Një pjesë e marksistëve si Antonio Gramsci, e venë në pikëpyetje dallimin në mes shtetit dhe shoqërisë, përderisa të tjerë, si Louis Althuser, mendojnë se institucionet si shkolla, bashkimet profesionale dhe kisha janë një pjesë e aparatit ideologjik të shtetit. Anarkistët dhe sindikalistët e hedhin krejtësisht poshtë shtetin, sepse atë e konsiderojnë si parakusht të shoqërisë me klasa, të dhunës dhe të shtypjes ekonomike. Ata mendojnë në krejt forma tjera organizative sociale, për shembull në këshilla direkte demokratike të punëtorëve, të federuar në nivel lokal, regjional dhe nacional.
Disa prej rrymimeve më të rëndësishme në teorinë moderne të shtetit janë marksizmi (p. sh. Ralph Miliband dhe Nicos Poulazantas), pluralizmi (Robert Dahl) dhe institucionalizmi (Theda Skocpol).

SHTUFI NIKOLLË, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Nikole Shtufi, Hercherstr. 1B Hanover (tel. 0511-323372). Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës. Numri i ekzemplarëve të porositur prej tij ka qenë 5.

SHUFLAJ MILAN (MILAN ŠUFFLAY), lindi në Lepoglavë më 9 nëntor 1879 - vdiq në Zagreb, 19 shkurt 1931). Ishte një historian kroat, shkrimtar dhe politikan nacionalist, i njohur si një nga themeluesit e albanologjisë, një nga viktimat më të famshme politike të dhunës gjatë diktaturës së gjashtë janarit. Me diktaturën e gjashtë janarit mendohet periudha nga 6 janari 1929 - 3 shtator 1931, periudhë në të cilën mbreti Aleksandër I Karagjorgjeviq e ka shpërnda parlamentin.
Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë.
Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.
Vrasja e Jusuf Gërvallës në shtëpinë e tij në Untergruppenbach, edhe pse krahasimet janë të vështira, si goditje serbomadhe kundër individëve të caktuar, mund të krahasohet si një lloj sinteze me vrasjet kundër Shuflajt dhe Andrija Hebrangut.

T

TAFALLARI FARIDIN -
Faridin Tafallari ka lind në fshatin Struzhë të Prizrenit më 1 shkurt 1951. Jeton në Gjermani nga viti 1973. Deri më ka deri më tani ka botuar 5 libra dhe shumë artikuj të ndryshëm. Librat e botuar deri më tani janë: 1) Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997; 2) Dhimbje Krenare, Tiranë 1998; 3) Zot të kësaj toke jemi ne, Prizren 2003; 4) Fat Lumbardhi dhe Struzha e tij, Tiranë 2008; 5) Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010.
Sa i përket librave të tij sidomos dy librave të parë Terror Dhimbje Qëndresë Tiranë 1997 dhe Dhembje Krenare Tiranë 1998, unë veç jam shërbyer shumë dhe jam referuar e i kam cituar në atë masë që nuk e ka bërë deri sot askush më shumë. Në këtë kuptim, mund të thuhet se unë kam folur mjaft për Faridinin, sidomos nëse i marrim parasysh fjalët e njërit prej personaliteteve më të mëdha kulturës dhe gjuhës angleze, Samuel Johnson i cili thotë: "Komplimenti më i mirë që mund të epet një shkrimtari është duke e cituar atë."
Sa i përket aktivitetit politik unë nuk mundem me e përfshi sepse ai shtrihet për një periudhë 30 vjeçare, periudhë të cilën nuk kam mund me e përcjell drejtpërdrejt, me përjashtim të leximit të librave, e gjithashtu në një shkrim të shkurtër si ky nuk mund të përfshihet. Por mua ma merr mendja se mund të them diçka më mirë se të tjerët për atë kohë që e kam njohur dhe që kemi vepruar bashkarisht nga gushti 1981 e janari 1982 - mars 1984.
Për herë të parë Faridinin e kam takuar në verën e vitit 1981 në studion e punës së Jusuf Gërvallës. Në atë kohë Jusufi takohej çdo vikend me shokët e tij, aktivistët kryesor të Shtutgartit. Kjo ishte njëra anë e çështjes. Ana tjetër ishte se Jusufi, me idetë e tij të pashtershme që i sillte aktiviteti në çdo hap megjithatë gjendjen time në këtë rreth si të ardhur nga Kosova e konsideronte njëfarë freskie për te edhe në atë mënyrë, duke ma dhënë fjalën me dëshirë që të tregoj për gjendjen në Kosovë prej të cilës ai ishte largua para 20 muajsh, periudhë në të cilën kishin ndodhë aq gjëra të mrekullueshme edhe për meritën e Jusufit, meritë të cilën jam aq krenarë që ia kam përcjellë. Në një nga këto ndeja jam njohur me Remzi Ademin, Mejdi Rexhën, Nami Ramadanin, Nuhi Sylejmanin etj. Në një prej këtyre takimeve në shtëpi të Jusufit jam njohur me Faridin Tafallarin me të cilin do të njihesha shumë më tepër pas 17 janarit 1982. Ata që i kanë lexuar shkrimet e Jusufit e dinë mirë se si ka shkruar Jusufi për femrën shqiptare. Por Jusufi kishte edhe disa referime për burrërinë që edhe pse rrallë, me shijen e përsosur të humorit e mirësisë i përdorte. Në tetor 1981 më ka pas rënë të shkoj me te tek një shok gati 200 km nga Shtutgarti. Nga ai shok na u dha një ndihmë të cilën nuk isha fare i përgatitur ta prisja. Të nesërmen i thash Jusufit se ndihem shumë i befasuar, për të mirë nga ai aktivist. Jusufi m'u përgjegj: -Ndihesh i befasuar sepse po duket se ty nuk të ka ra ende rasti me ndejtë me burra.
Gjatë punës që bënim në përgatitjen e Zërit të Kosovës, në kohën pauzave e kafeve e pyesja për shokët e Organizatës.
- A ka diçka me rëndësi për mua që kishe me ma thënë për Faridinin? - i thash një ditë.
- Faridini është kallap burri! - mu përgjegj Jusufi.
Këtë shprehjen kallap burri nuk e harroj kurrë pasi Jusufi e ka përdorë rrallë. Të njejtën shprehje e ka përdor kur më ka folë një herë për Peter Platzamanin, që në atë kohë ka qenë Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri.
Pas 17 janarit 1982 Faridini dhe Remzi Ademi ka qenë shtyllat kryesore të rrethit të Shtutgartit. Si në rrethin e Shtutgartit, si në Gjermani e jashtë Gjermanisë rrugët më të shumta, gjatë vitit 1982 i kam bërë së bashku me Faridinin.
Me Faridinin kam qenë shok i ngushtë dhe e di si është kur është i tillë kur kemi vepruar së bashku sidomos në vitet 1982-1983. Në vitin 1984 unë u largova nga rrethi i Shtutgartit e Gjermania dhe pas një qëndrimi disa muajsh në Paris u vendosa në Suedi. Divergjencat natyrale dhe artificiale të asaj kohe ndikuan në shkëputjen e kontakteve dhe Faridini u gjet në një mjedis që ishte kundër asaj veprimtarie në qendër të së cilës situata më kishte sjell të jem unë. Si shok e kam parë nga afër. Si person me të cilin rrymimet politike të sjellin në kundërshtime nuk kam pasur rastin ta shoh nga afër për shkak të shpërnguljes time prej Gjermanisë. Zhvillimet e peripetitë e jetës ndikojnë që shumë kontakte të shkëputen edhe me persona që nuk ke pasur asnjë divergjencë. Në vitin 1997, i udhëhequr nga dashuria e qëllimi i mirë, ai botoi librin e tij më të mirë Terror-Dhimbje-Qëndresë së bashku me dokumente të rëndësishme të asaj kohe duke ruajtur një shkallë të lartë të objektivitetit për të gjithë shokët. Në këtë libër shkëlqen respekti për heronjtë e vrarë. Nga ky libër megjithatë, në këtë rast dua ta analizoj një citat që më duket më i rëndësishmi.
Faridin Tafallari: “Jusufi kur fliste për shokët e vet, i ngrinte ata shumë dhe për veten e vetë fliste shumë i përmbajtur. Shumë herë në të tilla momente, e kam kundërshtuar duke i thënë: “Ne derisa të kemi ty, nuk po na lypen të tjerë. .” Por ai ngulte këmbë në mendimin e vet, duke lartësuar shokët e vet në Kosovë." (Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 28)
Në lexim të parë të duken aq të thjeshta e aq të rëndomta sa mendon se janë fjalët më të përditshme që i dëgjon. Po t'i analizosh më thellë dalin se janë ndër fjalët më të jashtëzakonshme dhe më origjinale, dhe ky dialog prej tri fjalive ka aq shumë përmbajtje, sa të futë në mendime e të shtron aq shumë çështje në të cilat mundesh me hy por nuk e din se ku të qesin. Fjalë e mendime të tilla nuk mund të mësohen e kopjohen nga librat. Fjalë e mendime të tilla t'i jep jeta. Ndoshta edhe mund të thuhet se fjalë e mendime të tilla i flet Natyra kur ajo don të shprehet me gojën e dikujt që ajo e zgjedhë vet.

Marrë guximin të them se krejt historia e jetës njerëzore dhe sidomos ajo e shkruara në këto gjashtëmijë vjetët e fundit, në njëfarë mënyre mundet me u mbështjellë apo munden me u bërë shumë e shumë reflektime vetëm nga citati e mësipërm.
Jusufi Gërvalla fitohet përshtypja se është përfaqësues i prishjes së rendeve e rregullit dhe në të njetën kohë deklaron se: Unë nuk jam rendi ideal, unë nuk jam më i miri, rendin e rregullin më të mirë mund t'ua ofrojnë të tjerët! Të tjerët janë më të mirë se unë. A ka ndonjë liderë politik që guxon, "me vetëbesimin" e vetë, të deklaroj se: Unë nuk jam më i miri! Të tjerët janë më të zotët se unë! Vetëm fjalia "Por ai ngulte këmbë në mendimin e vet, duke lartësuar shokët e vet në Kosovë" do të mjaftonte për të treguar pse UDB-ja e kishte në shënjestër Jusufin dhe shtëpinë e tij.
Faridin Tafallari e kundërshton dhe nuk e pranon Jusufin si prishës të rendit e të stabilitetit të tij. Ti je rendi, rregulli, stabiliteti e qetësia të cilën e kam pritë dhe kërkuar. Ne derisa të kemi Ty nuk po na lypen të tjerë!
Ne derisa e kemi rendin dhe stabilitetin tënd nuk po na lypen të tjerë.

Edhe pse në dukje e me fjalë nuk e pranon, në të vërtetë Jusufi është ashtu siç e kupton Faridini, përfaqësues i rregullit e rendit, por ajo që e dallon Jusufin, është se ai e lenë derën gjithmonë të hapur për ata që janë më të mirë se ai.
Një shtet, një sistem, apo një perandori e cila me mjetet e saj, me agjentët e saj, me Sadik Blakajt me kompani, i vërsulet një personi siç ka qenë Jusuf Gërvalla, kjo nuk tregon asgjë tjetër përveç faktit se ai sistem, sado i përhapur e kancerogjen që të jetë, e ka të vizatuar shenjën e vdekjes së ballë.
Në emër të luftës për rend e rregull, prishet çdo rend e rregull, bëhen atentate dhe Faridinit me shokë nuk u mbetet tjetër veçse ta vazhdojnë luftën pa qen të sigurt se në cilën kohë, dhe kur do ta takojnë herën tjetër, apo a do ta takojnë fare një person, a do ta arrijnë prapë atë ekuilibër, sa të mund t'a përsërisin fjalën, t'a përsërisin besën e kundërshtimin e tyre:
Ne deri sa të kemi Ty nuk po na lypen të tjerë!
Është lehtë me e gjetë dikend që din me i rendit fjalët më mirë se sa Faridin Tafallari, - por është shumë vështirë me u gjetë ai të cilit i vlon më shumë zjarri në gji për luftëtarët e lirisë në përgjithësi e sidomos për të vrarët në sulmin serbomadh kundër shtëpisë së Jusuf Gërvallës.
Me Faridinin më ka njoftuar Jusuf Gërvalla. Valët e jetës na kanë provuar në mënyra të ndryshme. Veprimtarët e ndryshëm politik, sidomos ata që veprojnë në emigracion ka shumë mundësi që në situata të ndryshme t'i japin "komplimente" të ndryshme njëri-tjetrit. Pas 25 vitesh (nga viti 1984-2009) nëpërmes Nami Ramadanit ramë në kontakt, i cili më duket se qe shumë i frytshëm në ndriçimin e veprës dhe historisë së Lëvizjes së Jusuf Gërvallës, e cila na lidh aq shumë.
Një meritë e jashtëzakonshme e Faridin Tafallarit është ruajtja me vëmendje e arkivit të Lëvizjes së Jusuf Gërvallës dhe lëvizjes patriotike në përgjithësi, sidomos të periudhës 1980-1989. Në vitet 1980-1984 ka banuar në këtë adresë: Faridin Tafallari, Haiterbacherstr. 75, D-7270 Nagold.

TAFALLARI RAMIT, veprimtar në Gjermani. Në vitet 1982-1983 ka pasur këtë adresë: Ramit Tafallari, Karthauserstr. 40, D-5503 Konz. Ka qenë një ndër pikat prej nga është shpërnda Zëri i Kosovës me fjalët kushtrimtare të Jusuf Gërvallës.

TAFALLARI SEFIDIN - Sefidin Tafallari ka lindur më 7 gusht 1943, në fshatin Struzhë të Prizrenit. Ai, ishte anëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës, që nga 7 dhjetori i vitit 1981, ku në një ditë të paharruar, të atyre viteve të stuhishme, Jusufi e fton, së bashku me vëllanë e tij Faridinin dhe një grup shokësh, të shkonin tek Ai në Untergruppenbach. Atje, bashkë me Faridinin dhe disa shokë, me dëshirën e madhe bënë betimin një nga një, para Flamurit Kuq e Zi dhe Jusuf Gërvallës.
Disa ditë më vonë, për t'ia lehtësuar punën dhe për t'ia dhënë një pasqyrë të saktë Jusufit për rrethin e tij, për ata që janë betuar në shtëpinë e tij, Sefedin Tafallari i shkruan këta rreshta për veten, të cilat i kishte planifikuar t'ia jepte Jusufit në takimin e sërishëm. Dhe ja sesi i shkruan Sefidini të dhënat e tij biografike pas betimit:
“Unë Sefidin Tafallari, i lindur më 7 gusht 1943, në fshatin Struzhë të Prizrenit, baba i 5 fëmijëve, dhashë betimin, BETOHEM para Flamurit Kombëtar dhe shokëve të mi se, që nga kjo ditë jap kontributin tim për çështjen e shenjtë të Atdheut tim për çlirim e liri të Kosovës e Bashkimin me shtetin mëmë Shqipërinë. Do ti mbetem besnik i shokëve për çështjen patriotike deri në fund pa kursyer as gjë dhe as jetën time. Më 5 janar 1982 Dekenpfron-Untergrupenbach."
(Marrë nga dorëshkrimi i tij origjinal)
Sefidini ishte më parë, u bë dhe mbeti një bashkëveprimtar i vendosur e besnik i Jusuf Gërvallës, duke i kryer të gjitha obligimet dhe detyrat që i ngarkoheshin nga udhëheqësi ynë Jusufi. Ai i ka shërbyer me shumë vullnet dhe dashuri të madhe çështjes madhore të kombit shqiptar dhe atdheut të tij, çlirimit të vendit dhe pavarësisë së Kosovës, duke sakrifikuar shumëçka për çlirimin e Kosovës, si me pjesëmarrjen e rregulltë të tij nëpër demonstrata kudo që, ato janë mbajtur jashtë atdheut, në Perëndim.

Sefidini ka sakrifikuar jashtëzakonisht shumë edhe për futjen e shtypit ilegal brenda në Kosovë, si për librin „Këngët e Lirisë“, të Hydajet Hysenit me shokë, për gazetën “Lajmëtari i Lirisë“ të Jusuf Gërvallës, për shtypin e marrë nga shteti amë Shqipëria.
Kështu, në vjeshtën e vitit 1983, kur mërgimtarët shkonin për të pushuar në vendlindje, atij iu gjet një pako me libra dhe shtyp ilegal, që ishte botuar nga Jusuf Gërvalla. Gjatë kontrollit nga milicia kufitare, në kufirin Austri-Slloveni, në ish-Jugosllavinë e atëhershme, ia gjejnë ato materiale dhe që nga aty, duarlidhur, i shoqëruar me milici, me tren e përcjellin deri në Prizren, duke ia dorëzuar Sigurimit famëkeq të atëhershëm, të Milicisë (SUP-it).
Ia dorëzojnë ish kryeudbashit Vesel Krasniqit dhe Asllan Skenderit, ku torturohet e maltretohet barbarisht. Gjatë qëndrimit në burg, i bëhen edhe bastisje të shumta në familje. Udbashët Vesel Krasniqi dhe Asllan Skenderi-Torbeshi e kanë rrahur egërsisht në burg.
Pas shumë torturash, po në burg i ofrojnë lirimin me kusht, me qëllim që ta detyrojnë që ai të bëhej bashkëspiun dhe bashkëpunëtor i atyre udbashëve, për të kallëzuar e spiunuar se, kush po i organizon demonstratat në Perëndim etj, etj. Sefidini nuk e pranon asesi atë turp e detyrë dhe për këtë ia marrin pasaportën, ia prishin letrat e punësimit në Gjermani. Sefidini u përgjigjet udbashëve se,…” sikur edhe shpirtin po të ma merrni, unë kurrë nuk do t’i spiunoj dhe as do t’i tradhtoj shokët!”
Kështuqë, SEFIDINI, pa i marrë parasysh të gjitha vështirësitë e rreziqet, rrezikoi pa ju trembur syri deri aty, sa e lenë të papunë në Prizren. Dhe, nga ato tortura e maltretime, që i përjetoi, vdes nga infarkti, në moshën 51 vjeçare, duke i lënë gruan dhe pesë fëmijët e tij, në gjendje shumë të rëndë e tejet të vështirë ekonomike. Këtë vit, më 7 gusht 2013, Sefidin Tafallari, mbush 70 vjetorin e lindjes. Përjetësisht dhe me krenari e kujtojmë ne, shokët që e takuam në shtëpinë e Jusufit dhe në ballë të demonstratave shqiptare nëpër Evropë.

ZADE DHE FARIDIN TAFALLARI























TAFALLARI ZADE, – Zade Tafallari, gruaja e Faridin Tafallarit. Grua e palodhshme fisnike që ishte mbështetje e fuqishme e Faridinit, brenda mureve të shtëpisë dhe jashtë saj, kahdo që shkoi edhe Faridini. Na priti ne shokëve të Faridinit me bujari ndoshta edhe shumë më të madhe se sa e kemi merituar.

TAKIMI I STAMBOLLIT. Takim në Stamboll në mesin e tetorit 1981, në mes Sabri Novosellës dhe Kadri Zekës. Bardhosh Gërvalla, i pranishëm në këto bisedime, formalisht, nuk ka qenë i detyruar me qenë neutral, por asnjë ndërhyrje prej tij nuk ka qenë e nevojshme. Roli i tij ka mbetur si roli i dëshmitarit më besnik.
Jusuf Gërvalla: "Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit.
... Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj (e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z.), ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje. Të njoftoj se, që kur mbaj kontakte me atë, asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të çoroditur, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z (Kadri Zeka-shën i X.D.). Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por megalomaninë e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe tendencën për dominim me çdo kusht mbi të tjerët."
(Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981: Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010 faqe 273-274)

TEORI term shumëkuptimësh i cili ka kuptime të ndryshme në rrethana të ndryshme. Me teori mund të mendohet:
1. Ajo pjesë e punës shkencore që merret me organizimin e fakteve veç të fituara. Në këtë kuptim teoria shihet si e kundërta e empirisë.
2. Fjali e cila e jep relacionin në mes dy variablave, do me thënë një përpjekje për ta sqaruar një relacion. Në këtë kuptim teoria nuk dallohet në mënyrë vendimtare prej hipotezës.
3. Një numër fjalish të cilat krijojnë në tërësi të harmonizuar logjikisht. Termat dhe konceptet duhet t'i mbulojnë të gjitha aspektet e rëndësishme të atyre fenomeneve, që teoria duhet t'i sqaroj. Teoria ideale është teoria e aksiomatizuar, prej të cilës nxirren fjali të reja (teorema). Ky lloj përdorimi i konceptit të teorisë është ai që pranohet më së shumti.

TERROR një gjendje e frikës dhe tmerrit e krijuar me qëllim nga pushtetarët në një shoqëri apo prej ndonjë organizate. Gjendje karakterizuese është se askush nuk mund ta ndiej veten të sigurtë se nuk do të goditet nga ndonjë dënim. Esenca nuk qëndron në radhë të parë tek sasia e dhunës të cilën ata që e kanë pushtetin e kanë ndërmend ta përdorin, por tek krijimi i ndjenjës tek individët se ata nuk mund të jenë kurrë të sigurtë, se dhuna nuk do të drejtohet edhe kundër tyre.

XHAFER DURMISHI

(Vijon...)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 50 vizitorë
Lexuar: 872 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi