Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
INFORMATË RRETH PLATFORMËS SERBE MBI DËBIMIN E SHQIPTARËVE NGA SHTËPITË DHE PASURITË E TYRE NGA SANXHAKU I NISHIT KAZAJA E VRAJËS ETJ.
Publikuar më 02 dhjetor, 2013 në orën 16:01 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në shumë kaza të Sanxhakut të Nishit, sidomos në atë të Prokuples dhe të Kurshumlisë, shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët. Në kohën e depërtimit të ushtrisë serbe në këtë rajon gadi të gjithë shqiptarët u shpërngulën në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe në vende të tjera aziatike...
Në kohën e Krizës së madh lindore 1875—1878, në Gadishullin Ballkanik u bënë ndryshime të mëdha shoqërore politike dhe etnike. Krahas me kryengritjen boshnjako-hercegovase kundër Perandorisë Osmane u ngritën edhe shqiptarët, maqedonët, bullgarët dhe popujt tjerë të Ballkanit. Çështja lindore angazhoi fuqitë e mëdha edhe shtetet ballkanike, të cilat donin t'i realizonin interesat e tyre në provincat e Turqisë Evropiane. (Dr. Emin Pllana)

Qysh në fillim, ushtria turke e papërgatitur u thye pas kapitullimit të Osman Pashait në Pleme të Vogël të Bullgarisë. Në anën e Rusisë atëbotë hynë në luftë Mali i Zi, Serbia dhe Rumania. Ushtria serbe zhvillonte operacione luftarake në sektorin e Nishit, Prokuples, Vranjës, Leskocit dhe Pirotit. Në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878 ushtria serbe e çliroi gjithë territorin e Sanxhakut të Nishit, në të cilin që me kohë jetonin shqiptarë, serbë, çerkezë, turq, romë, grekë, cincarë dhe hebrej. Në disa kaza të Sanxhakut të Nishit, sidomos në atë të Prokuples dhe të Kurshumlisë, shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët. Në kohën e këtyre luftrave dhe të depërtimit të ushtrisë serbe në këtë rajon gadi të gjithë shqiptarët u shpërngulën në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe në vende të tjera.
Në rajonin e sanxhakut të Nishit shqiptarët bashkë me serbët dhe popujt tjerë ishin, nën sundimin e Perandorisë Osmane, të nënshtruar dhe të eksploatuar si të gjithë popujt e tjerë te Perandorisë. Në kushtet e sistemit feudal çifligar shtresën e pasur e përbënin spahinjtë-çifligarë, të shumtën me origjinë turke por kishte edhe një numër shqiptarësh dhe serbësh. Shtresat e gjera ishin në pozitë të vështirë ekonomike, sepse kishin detyrime të mëdha ndaj shtetit dhe zotërinjve të tyre.
Serbët, shqiptarët dhe popujt e tjerë në rajonin e sanxhakut të Nishit, jetonin në marrëdhënie të mira, gjë që e vërtetojnë shumë burime dhe njerëzit apo pasardhësit e muhaxhirëve të ikur në atë kohë. Ata pohojnë se në Kurshumli, Prokuple, Leskoc, Vranjë dhe vende të tjera, shqiptarët jetonin në marrëdhënie të mira me popullsinë serbe dhe se kurr nuk kishin qene në grindje, për-kundrazi edhe e ndihmonin njeri-tjetrin. Branisllav Nushiqi një shkrimtar serb në një vend shkruan: „... është e kotë se as çerkezi dhe as shqiptari të dëbuar nga Serbia nuk e ndiejnë veten në Kosovë si në shtëpitë e tyre të vjetra. Të gjithë muhaxhirët vajtojnë për vendet e tyre të vjetra".
Për numrin e shqiptarëve të cilët kishin jetuar në kazatë e Sanxhakut të Nishit, të Prokuples, të Kurshumlisë, të Nishit, të Leskovcit, të Pirotit dhe të Vranjës ekzistojnë shënime dhe statistika të ndryshme. Nga administrata turke kanë mbetur shënime sipas të cilave popullsia ndahej në baza të konfesionit fetar në të krishterë dhe myslimanë. Disa shënime statistikore serbe, bullgare dhe të shteteve të tjera janë të ndryshme dhe jo reale, kurse në disa burime gjermane apo angleze numri i shqiptarëve paraqitet shumë më i madh, ku sillej mbi 813.000 banorë të dëbuar dhunshëm nga 720 katunde shqiptare dhe dhe 8 vendbanime urbane .
Sipas shënimeve të Vidosava Nikoliq-Stojançeviqit një historiologe serbe numri i shtëpive dhe i banorëve në kazatë e mytesarifllekut (sanxhakut) të Nishit kapte: Nishi kishte 3.500 shtëpi të krishterësh dhe 2.000 shtëpi shqiptare, Piroti 300 shtëpi te krishterësh dhe 400 shtëpi shqiptare, Leskoci 2.500 shtëpi shqiptare 1.000 shtëpi të krishtera serbe, Prokupla 140 shtëpi te krishterësh e 650 shtëpi shqiptare, Tërni në Bullgari 300 shtëpi të krishterësh bullgar dhe 150 shtëpi shqiptare, Vranja i kishte 2.500 shtëpi shqiptare dhe 800 shtëpi të krishtera serbe ndërsa Kurshumlia ishte tërësisht e banuar me etnosi shqiptarë dhe i kishte 150 shtëpi.
Sipas Nikolla Piliqit dhe shënimeve të tij në veprën „Oslobodenje južne Srbije 1877— 1878" Beograd, 1977 fq. 232 Toplica në prag të çlirimit kishte 18.333 banorë, nga të cilët: Rrethi i Prokuples i kishte 10.825 prej tyre 4.618 ishin serbë, ndërsa 6.207 ishin shqiptarë; Rrethi i Kosanicës i kishte 6.708 banorë prej tyre ishin 757 serbë, ndërsa 5.951 shqiptarë si dhe 800 çerkezë. Vidosava dhe Nikolla bëjnë gabim kur popullsinë shqiptare e përziejnë me atë turke, bile e konsiderojnë si një popull me pozitë krejt tjetër dhe më të mirë se populli serb. Dihet mirëfilli se populli shqiptar nuk kishte asgjë të përbashkët me turqit që ishin pushtues dhe se ishin në pozitë të njëjtë me popullin serb, bile herëherë edhe në pozitë më të vështirë, sepse nuk kishin të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Shqiptarët nuk ishin të privilegjuar nën sundimin e të huajve. Të privilegjuar mund të ishin disa individë apo një shtresë e pasur, e përbërë prej shqiptarësh e serbësh. Popullsi turke më tepër kishte në Nish dhe në Pirot, ndërsa në kazanë e Prokuples, të Kurshumlisë, të Leskovcit dhe të Vranjës shumicën e popullsisë turke si e quajnë autorët e përmendur, e përbënin shqiptarët, meqë në' këto kaza kishte shumë më pak turq, bile vetë Vidosava Nikoliq-Stojançeviq thekson se në qytete, në të shumtën e rasteve dominonte popullsia që i takonte gjuhës shqipe, perveç Nishit dhe Pirotit, ku flitej më tepër turqisht por edhe shqipja, ndërsa në Vrajë e Leskoc flitej paralelisht turqisht dhe shqip, ndërsa në Prokuple dhe Kurshumli popullsia myslimane fliste vetëm se shqip.
Sipas regjistrimit që e beri qeveria serbe më 1 shkurt të vitit 1878 kazaja e Prokuples i kishte 51 fshatra me 1.049 shtëpi serbe, 22 fshatra të përziera me popullsi serbe dhe shqiptare (822 shtëpi ishin shqiptare dhe 858 shtëpi serbe), 74 fshatra në Arnautllëkun e Toplicës popullsia ishte tërësisht shqiptare me 1.538 shtëpi ndërsa për 14 fshatra nuk jepen shënime. Për këto 14 fshatra më vonë është vërtetuar se kishin 245 shtëpi shqiptare, që do të thotë se sipas regjistrimit gjithsejt ishin 1.783 shtëpi shqiptare.
Sipas Vidosava Nikoliq-Stojançeviqit 51 fshatra kishin popullsi thjesht serbe. Ajo në librin e vet i sjell edhe emrat e fshatrave. Mirëpo sipas mbiemrave të muhaxhirëve shqiptarë të ardhur në Kosovë dhe Luginën e Preshevës shihet se fshatrat që i konsideron Vidosava të banuara me popullsi serbe ishin të banuara edhe me shqiptarë. P. sh. Breznicët kanë ardhur nga fshati Breznica, Devqët nga fshati Devqa e Poshtme dhe e Epërme, Kostanicët nga fshati Kostanica, Lepajët nga fshati Lepaja, Pojatët nga Pojata, Reçicët nga Reçica etj.
Sipas Jovan Haxhivasileviqit Prokupla me rrethinë kishte 2.504 shtepi shqiptare, 74 shtepi turke dhe 2.031 shtëpi serbe, Kurshumlia i kishte 1.956 shtëpi shqiptare, 572 shtëpi serbe, ndërsa Pusta Reçki Arnautllëk apo Lumëshkreti shqiptarë atëbotë i kishte 1.539 shtëpi shqiptare, 638 shtëpi serbe dhe 60 shtëpi rome.
Ndërsa, Radoslav L. Pavlloviq thekson se prej 81 fshatrave (për 16 fshatra nuk ekzistojë shënime) në Kosovë janë shpëmgulur 1.867 shtëpi. Ndërsa Jovan Cvijiqi pohon se në Kosovë janë shpërngulur afro 30.000 shqiptarë. Sipas shënimeve të Karl Saxit në Sanxhakun e Nishit, përkatesisht në kazanë e Leskovcit ishin 24.000 myslimanë (shqiptarë) dhe 22.500 orthodoksë (serbë), në kazanë e Kurshumlisë ishin 19.000 shqiptarë myslimanë, dhe 1.500 serbë ortodoksë, në kazanë e Prokuples ishin 15.000 myslimanë shqiptarë dhe 9.500 ortodoksë serbë, në kazanë e Vranjës ishin 25.000 myslimanë shqiptarë dhe 16.500 ortodoksë serbë. Sipas Dr Aristides Roukis kazaja e Vranjes kishte 60.500 shqiptarë dhe 23.000 serbë.
Në raportin e konsullit anglez Blunt dërguar Marquis of Salisbury me 10 maj të vitit 1880 nga Selaniku bashkë më raportin e Z. Alvares dërguar Bluntit, flitet për pozitën e muhaxhirëve dhe numrin e tyre. Në raport përveç të tjerash shkruan: „Qëndrimin tim të vënë në Prishtinë dhe në Shkup e shfrytëzova për të marrë informata për sa i përket gjendjes në përgjithësi në këtë Vilajet. Në bisedën e parë me Valiun e Kosovës shkelqësia e tij, duke referuar për gjendjen e muhaxhirëve ose refugjatëve myslimanë nga Kurshumlia, Prokupla dhe nga vendet e tjera, territore këto të përvetësuara tani vonë nga Serbia për shkak të artikujve të Traktatit të Berlinit, deklaroi se tani ata paraqesin vështirësinë kryesore të tij. Numri i tyre, i cili vlerësohet prej 90.000 gjer më 100.000 dhe vendosja kryengritëse e shqetësuan shumë dhe puna për t'u trajtuar ata në rregull është tepër e vështirë.. .". Numri i shqiptarëve të emigruar nga mytesarifllëku i Nishit në këtë raport paraqitet shumë më i madh se sa theksohet tek Jovan Cvijiqi, Pavlloviqi dhe te disa të tjerë. Në një raport dërguar nga konsulli i përgjithshëm i Turqisë thuhet se para aneksimit të qytetit të Nishit nga Serbia, në qytet kishte 3.000 shtëpi me 15.000 shqiptarë. Shtëpitë ishin pronë e shqiptarëve të pasur. Prej tyre - theksohet në raport - me ardhjen e ushtrisë serbe vetëm 20 vetë i shitën shtëpitë dhe pasuritë e tyre dhe u shpërngulën për në Turqi, ndërsa të tjerët u mbyllën në kështjellën e qytetit të Nishit. Pas hyrjes së ushtrisë serbe në qytet, ata u kthyen në shtëpitë e tyre pasi muarën premtimet se pushteti i ri do t’ua kursente jetën dhe pasurinë e tyre. Në raport theksohet se edhe këta shqiptarë qenë detyruar të shpërnguleshin.
Shqiptarët e vendeve të tjera të rajoniit të Leskovit, të Prokuples dhe të Kurshumlisë ishin shpërngulur para hyrjes së ushtrisë serbe - thuhet në raport. Për shkak të një qëndrimi të tillë të pushtetit serb dhe bullgar, shqiptarët u detyruan t'i lëshonin vendet e tyre. Në raport jepen edhe tri tabela me emrat, numrin e banorëve dhe numrin e shtëpive. Leskoci me rrethinë i kishte 88 fshatra me 3.320 shtëpi, prej të cilave 1.248 ishin shkatërruar. Pastaj kishte pasur 20.677 banorë prej të cilëve 21.492 shqiptarë i kishin lëshuar shtëpitë e tyre. Sipas tabelës së tyre, Prokupla i kishte pasur 73 fshatra me 1.771 shtëpi, shumica prej të cilave ishin djegur apo rrënuar, dhe prej 13.230 banorëve sa i kishte Prokupla atëbotë, 12.875 kishin ikur duke i lënë pasuritë e tyre. Sipas tabelës së tretë kazaja e Kurshumlisë kishte 67 fshatra me 1.531 shtëpi. Numri i shqiptarëve që kishin ikur dhe i kishin lënë pasuritë e tyre kapte shifrën prej 12.480 shqiptarë të dëbuar dhunshëm. Numri i përgjithshëm i fshatrave të lëshuara nga shqiptarët arrinte nga 228 deri në 6.522 shtëpi të djegura dhe të rrënuara me 46.4707 banorë shqiptarë.
Se sa i madh ishte numri i shqiptarëve të shpërngulur flitet në raportin e Bluntit pastaj edhe në disa raporte të tjera. Sipas statistikës zyrtare të Serbisë të vitit 1879 në Leskoc kanë mbetur vetëm 154 shtëpi myslimane shqiptare me 825 banorë që do të thotë janë shpërngulur 846 shtëpi. Në Leskoc që ka pasur 5.000 e më tepër banorë myslimanë shqiptarë kanë mbetur vetëm 825, prej tyre 400 myslimanë, shqiptarë dhe 120 turq dhe 280 romë.
Sipas Feliks Kanitzit për vitin 1884 me rastin e kalimit të tij përseri nëpër Leskoc prej 900 shtëpive me 4.500 banorë myslimanë shqiptarë kishin mbetur vetëm se 60 banorë shqiptarë në 15 shtëpitë e tyre. Në regjistrimin e mëvonshëm në kazanë e Pirotit janë gjetur vetëm 159 shtëpi shqiptare me 638 banorë që do të* thotë të tjerët janë shpërngulur. Sot në rrethet e Bujanocit, të Preshevës, e të Kumanovës dhe vende të tjera gjenden muhaxhirë shqiptarë të ardhur nga kazaja e Pirotit dhe Nishit. Sipas statistikës në kazanë e Prokuples në fshatra kanë qenë 2.481 shtëpi shqiptare kanë mbetur, vetëm 978 banorë shqiptarë. Në burime theksohet se 750 shtëpi janë krejtësisht të pabanuara, ndërsa për një numër të madh të fshatrave nuk ka shënime sepse janë të zbrazëta. Në komunën e Balinovcit theksohet se të gjitha shtëpitë shqiptare janë djegur. Nga rajoni apo kazaja e Kurshumlisë përveç disa fshatrave të Jabllanicës, të gjithë shqiptarët janë shpërngulur. Shqiptarët e kazasë së Vranjës janë shpërngulur në drejtim të Preshevës, Bujanovcit, Kumanovës, Shkupit dhe në vendet tjera të Maqedonisë. Në bazë të shënimeve të përmendura mund të themi se nga kazaja e Prokuples, Leskovcit, Nishit, Vranjes, Kurshumlisë dhe Pirotit numri i shqiptarëve të shpërngulur në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe vende tjera ka qenë shumë më i madh. Në qoftë se bazohemi vetëm në shënimet në të cilat mbështetet Vidosava Nikoliq-,Stojançeviq, Jovan Haxhivasileviq, Saxi dhe disa të tjerë shifet se në kazanë e Nishit kishte 2.000 shtëpi shqiptare, në Pirot ishin 800 shtëpi shqiptare, në Leskovcit ishin 1.000 shtëpi, Prokupjes 2.504 shtëpi, Kurshumlia i kishte 1.950 shtëpi, ndërsa në kazanë e Vranjes ishin 25.000 shqiptarë me 10.000 shtëpi. Nëqoftë se çdo shtëpi kishte mesatarisht 6-8 antarë, numri i shqiptarëve të shperngulur do të arrinte deri në 80.000. Në një raport theksohet se Maqedonia ishte ndër krahinat ku në vitet 1877-1878 ishin grumbulluar shumë emigrantë. Një pjesë e popullsisë turke, që do të thotë edhe shqiptare, përkatësisht shumica e saj pas rënies së krahinës së Nishit dhe Leskovcit nën sundimin serb u grumbulluan në vilajetin e Kosovës dhe të Selanikut. Në stinën e dimrit të vitit 1877-1878 numri i emigrantëve (muhaxhirërve) që përfshiu këto dy vilajete ishte afër 300.000 veta. Gjatë vitit 1878— nëpërmjet të Selanikut një numër i emigrantëve u dërgua në Anadoll dhe Siri. Në raport theksohet se me dhënien e disa territoreve Malit të Zi numri i emigrantëve u shtua më tepër. Sipas pohimit të dokumentave të lartpërmendura shihet se në fillim të dimrit të vitit 1878-1879 në Maqedoni ende gjenden 60.000 familje të emigrantëve shqiptarë.
Për shkaqet e shpërnguljes së shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit gjegjësisht Shqipëria e Vjetër Verilindore ka mendime të ndryshme. Me Paqen e Shën Stefanit me 3 mars 1878 Rusia krijoi Bullgarinë e Madhe, Serbia duhej të zgjerohej në drejtim të Novi Pazarit kah Kosova me një pjesë të territorit të Sanxhakut të Prishtinës. Kongresi i Berlinit ndryshoi Vendimet e Shën Stefanit. Në Kongres Austro-Hungaria arriti që t'a largojë Serbinë nga Sanxhaku i Novi Pazarit dhe rajoni i sanxhakut të Prishtinës, por definitivisht asaj iu dhanë kazatë e sanxhakut të Nishit me Nishin, Pirotin, Prokuplen, Kurshumlinë dhe Vranjen, rajone të banuara me shqiptarë, të cilët u shpërngulën në kushte shumë të vështira.
Monarkia e Danubit në, Kongresin e Berlinit kërkoi me këmbëngulje që Serbia të zgjerohet në juglindje duke i dhënë territorin e Sanxhakut të Nishit në vend të territorit të Sanxhakut të Novi Pazarit dhe të nje pjese të Sanxhakut të Prishtinës, që ia kishte dhënë Rusia me Paqen e Shën Stefanit. Austro-Hungaria e konsideronte Vilajetin e Kosovës si territor të zonës së vetë të influencës prandaj donte që ta largonte Serbinë nga kjo trevë. Si duket princi Millan e kishte pëlqimin e Monarkisë dhe duart e lira që pa kushte dhe me forcë t'i shperngulte shqiptarët nga rajoni i sanxhakut të Nishit. Nuk ka burime të sakta që flasin për një marrëveshje të tillë të Serbisë dhe të Austro-Hungarisë, por në bazë të disa raporteve të tjera shihet se për një shpërngulje të tillë masive përgjegjësia u mbetet Qeverisë serbe dhe asaj austro-hungareze. Princi Millan për ta realizuar këtë qëllim gjeti përkrahjen e Austro-Hungarisë. Ai dëshironte që Sërbia të bëhej një shtet me popullsi thjesht serbe, e aq më tepër kur frigohej nga kombinimet e Fuqive të Mëdha dhe nga mundësia e kthimit të sundimit turk në këto rajone. Në anën tjetër diplomacia austro-hungareze e nxiti princin Millan që t'i shpërngulte me forcë shqiptarët me qëllim që ta krijonte një bazë antagonizmi në mes të serbëve dhe shqiptarëve që në të ardhmen të likuidojë mundësitë e afrimit politik midis ketyre dy popujve, pastaj të likuidojë pretendimet e Sërbisë ndaj vilajetit të Kosovës të cilin e kishte në planet e saj pushtuese. Prandaj Austro-Hungaria dëshironte që ta orientonte Sërbinë kah juglindja sa më larg Vilajetit të Kosovës. Austro-Hungaria e përkrahur nga Gjermania dëshironte që në Kosovë të krijonte një popullsi armiqësore ndaj Serbisë, për t'i penguar aspiratat e saja në këtë drejtim. Qëllimet e Austro-Hungarisë ishin identike me aspiratat dhe motivet kryesore të Qeverisë serbe, e cila, pa menduar për pasojat, ndërmori një hap të tillë. Austro-Hungaria dhe Serbia donin të paralizonin kërkesat e Portës së Lartë që mund të shtroheshin në Kongresin e Berlinit për t'i kthyer disa krahina që i humbi në fushën e luftës e sidomos ato vende që ishin me popullsi shqiptare. Në këtë rast ajo mund të kërkonte kthimin e territorit të Sanxhakut të Nishit, dhe mbështetej në popullsinë myslimane (shqiptare), të cilën e konsideronte si popullsi të veten.
Princi Millan Obrenoviqi, qysh në fillim të luftrave edhe më parë, e kishte për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve nga ky rajon i Shqipërisë Verilindore.Qeveria Serbe për të realizuar qëllimet e veta qysh në kohën e luftës së parë të pasuksesshme më 1876 ndërmori masa që ta pengonte largimin e popullsisë serbe nga rajonet e luftës. Në një shkresë në lidhje më të emigruarit nga krahina e luftës 1876-1877 drejtuar të gjithë udhëheqësve shtëterorë të qarqeve të Beogradit shkruhet: „Interesi i popullit serb është që tanët mos t'i lëshojnë shtëpitë e tyre në Turqi dhe të kalojnë tek ne, sepse në vendet e tyre do të vendosen çerkezët dhe shqiptarët".. .
Se sa i interesuar ishte princi Millan për shpërnguljen e shqiptarëve nga ato vende më se miri shihet se si deri në fund kur caktohej vija e demarkacionit kufitar në mes të Serbisë dhe të Turqisë, pastaj edhe vija luftarake definitive, ai në të shumtën e rasteve qëndronte në Nish, prej nga e ndiqte situatën dhe shpërnguljen e shqiptarëve.
Shqiptarët janë shpërngulur në kushte shumë të vështira në dimrin e egër të viteve 1877-1878, ata masovikisht, i kanë lanë shtëpitë dhe gjënë e gjallë, me fëmij në dorë, këmbë pa ushqim, zbathur e zhveshur nëpër borë dhe acar të madh i kanë lënë shtëpitë dhe katanditë e tyre.
Pasardhësit e parë të muhaxhirëve gjithnjë e kanë në kujtim shpërnguljen e tyre dhe pohojnë se me rastin e ikjes disa i kanë harruar edhe fëmijët e vegjël në djepa. Shpërngulja ishte e tmerrshme dhe e vështirë. Shumë prej tyre janë ngrirë nga të ftoftit dhe kanë vdekur gjatë rrugës. Me rastin e hyrjes të ushtrisë serbe në disa pjesë të territoreve të çliruara janë gjetur shumë vendbanime të zbrazta pastaj edhe krahina të tëra. Shpërngulja e tyre fillon qysh në luftën e parë të pasuksesshme më 1876 dhe gjer në fund të vitit 1878 edhe më vonë. Në një raport shkruhet se në krahinën e nahijes së Leskocit me rastin e depërtimit të ushtrisë serbe në „Pustoreçki arnautlluk" (Lumshkreti shqiptar) kanë qenë 53 fshatra shqiptare me 2.700 shtëpi, të cilat vendbanime kishin mbetur të shkreta pa banorë, përveç se ndonjë familjeje shqiptare që kishte ikur në mal. Në rregullimin e ri administrativ këto fshatra nuk janë përfshirë në asnjë komunë, sepse për to nuk ka pasur askush të dëshmoj se si quheshin ato fshatra më parë se nuk kishte më banor shqiptarë në to”.
Për mënyrën e shpërnguljes së shqiptarëve një mësues i atëhershëm i Leskovcit, Josif H. Kostiqi shkruan:
„ka pasur shumë arnaut të cilët zhveshur e zbathur, nëpër ftoftit më të madh të dhjetorit, nëpër borë i lanë në Leskocë shtëpitë e tyre me plotë gjëra. Atë natë shumë fëmijë me qerre apo në djepa në krahët e nënave kanë vdekur nga të ftofti i madh deri sa familjet shqiptare kanë ikur përgjat luginës së lumit Morava nëpër ftoftin e madh. Pranë rrugës gjatë grykës së Gërdelicës, deri te Vranja dhe Kumanova, nga janë tërhequr familjet shqiptare shihen fëmijët e hudhur, e të vdekur, dhe pleqtë e ngrirë. Tërheqja ishte tragjike, buajt dhe qetë i tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, e saja kishte shumë pak.. ."
Në disa raporte dhe akte të pushtetit te ri theksohet se shqiptarët gjatë shpërnguljes e kanë plaçkitur popullsinë serbe. Nga shenimet e Josif H. Kostiqit shihet më së miri se sa kishin mundur shqiptarët të plaçkisin pasurinë e të tjerëve. Këtë e vërteton edhe më mirë një raport tjetër, në të cilën shkruhet:
„nga ushtarët tanë të cilët i ndiqnin turqit pas thyerjes së tyre në Gërdelicë, në Pirot dhe Vranjë, kam ndëgjuar se ushtarët tan kanë hasur në grupe të të ikurve shqiptarë e që ishin në gjendje shumë të mjerë, atë që kishin marrë diçka nga pasuria e tyre me vete për ta shpëtuar e kishin hudhur rrugës për të ikur më lehtë. Shumë shtazë nga lodhja dhe uria janë gjetur gjatë rrugës të ngordhura, ose në akull të rrëshqitura, e të bëra copa-copa. Fëmijë të hudhur, e të humbur ose gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria. Disa ishin të enjtur dhe të fryrë. Disa i lëshonte shpirti posa ushqeheshin nga ushtarët tanë, të tjerit ishin me gjymtyra të ngrira...”
Në pozitë edhe më të vështirë ishin shqiptarët që nuk kishin mundur të shpërngulen me kohë. Në një raport të administratës të pushtetit të ri serbë shkruhet: „Sot erdhi Sali Rika i pari i fshatit Pllana e Madhe në nahijen e Prokuples dhe tha: në fshatin tim ka më teper se 100 shtëpi vetëm me shqiptarë. Me ardhjen e ushtrisë serbe në këtë anë i gjithë fshati është shpërngulur në ikje dhe askush nuk e ka kundërshtuar me armë ushtrinë serbe. Tash në këtë kohë të ftohtë fëmijtë në male do të vdesin nga acari. Unë që kam ardhur në pushtetin serb i lutem që mos t'i shqetësoni familjet e tyre, të cilët do të kthehen nga mali në shtëpitë e tyre, e unë për të gjithë ata të cilët i ndëgjojnë këshillat e mia dhe bashkë me mua do t'i përkulen pushtetit serb, garantoj me jetë dhe me pasurinë time".
Për t'i garantuar më mirë pushtetit Sali Rika solli me vedi edhe dy dëshmitarë: Mehmed Aliun dhe Mahmut Berrallën. Kjo do të thotë se në Pllanë të Madhe edhe pasi kishte hyrë ushtria serbe kishin mbetë në male shumë familje të ikura shqiptare. Mirëpo më vonë, në tërritorin që shtrihet në mes të Kurshumlisë dhe të Prokuples nuk ka mbetur asnjë shqiptar,sepse qenë detyruar ta lëshonin vendin tyre dhe të shpërnguleshin në drejtim të Kosovës. Nga raporti shihet se shqiptarët nuk e kanë kundërshtuar ushtrinë serbe me armë, si e theksojnë disa historiografë të mëparshëm.

Për pozitën e vështirë të muhaxhirëve shqiptarë dhe për ata që kishin mbetur, në një raport dërguar Marquis of Salishury me 26 nëntor 1878 shkruhet:
„Dëgjoj se kohëve të fundit Qeveria Serbe po sillet me egërsi të madhe dhe me një mizori të panevojshme, ndaj shqiptarëve në krahinat e dorëzuara. Nëse informata ime është e saktë dhe kam plot arsye të besoj se është e tillë, banorët paqedashës dhe punëtorë në mbi 100 fshatra shqiptare në luginën e Toplicës dhe të Vranjës u dëbuan nga serbët në mënyrë të pamëshirshme nga konaqet e tyre. Që nga fillimi i këtij viti këta njerëz fatkëq janë duke shtegtuar poshtë e lart, duke vuajtur nga uria në vendin e egër përtej kufirit të ri serb. Ata nuk kishin leje të mbledhin te lashtat e tokës së tyre, të cilat korreshin nga ushtarët serbë hërë pas herë ata dërgonin delegatë dhe shumë peticione Qeverisë Serbe duke iu nënshtruar serbëve dhe duke u premtuar se do të bëhen të nënshtruar besnikë të princit Millan”.
Në një letër datuar më 24 korrik 1879, si duket shkruar nga M. Obrenoviqi dërguar Jovan Ristiqit përveç tjerash thuhet, se me rastin e vizitës në Qarkun e Toplicës gjithë treva (krahina) prej Merdari deri te Prokupla është e zbrazët, dhe duhet të bëhët e banuar. Do të jetë vështirë — thuhet në letër të popullohet ana e djathtë e Toplicës derisa mos të zgjidhet çështja e kthimit të shqiptarëve, sepse ata kanë qenë kryesisht atje me vendbanime. Ana e majtë e Toplicës është e banuar dobët gjithashtu ka vetëm 3-4 shtëpi. Është e nevojshme që ato vende të banohen me popullsi të krishterë, e cila më vonë do të shërbente si mburojë kundër depërtimit të popullsisë shqiptare. Në letër shifet se M. Obrenoviqi shprehet kundër kthimit te shqiptarëve, bile thekson se Z. Gould shpesh e mërziste atë në lidhje me çështjen e kthimit të shqiptarëve në vendet e tyre. M. Obrenoviqi në letër shfaq gëzimin që turqit e kane zakon të vonohen në bisedime në lidhje me pagimin e damshpërblimit si dhe të pasurisë së muhaxhirëve shqiptarë.
Qeveria Serbe qysh në fillim të janarit të vitit 1878 e nxorri ligjin e përkohshëm për rregullimin dhe banimin e krahinave të zbrazura. Për krahinat e zbrazura kanë qenë të interesuar të ikurit e krahinave ende të paçliruara nga turqit, pastaj edhe ata të cilët muarën pjesë në Luftën e parë dhe të dytë, banorët nga rrethina e Knjazhevcit, Krushevcit, Ak Pallankes, Pirotit nga Novi Pazari dhe të disa krahinave të largëta jashtë kufijve të principatës serbe, të cilët filluan në masë të vinin në viset e zbrazura e në pasuritë e lëshuara duke kërkuar nga pushteti leje për vendosje, ose vendoseshin vetë pa lejen e pushtetit. Në një telegram nr. 23 datuar me 21 shkurt 1878 dalë nga administrata e Prokuples dhe Nishit e dërguar anëtarit të Qeverisë, ministrit të arsimit dhe të çështjeve kishtare Z. Alimpije Vasileviqit shkruante: „Nga rrethi i Aleksincit, Krushevcit, dhe Knjazhevcit vjen populli këndej në grumbuj me qëllim që të vendoset në fshatrat e lëshuara shqiptare, posa vendosen paraqiten, kërkojnë ndihmë në ushqim dhe për farë. Shumë prej tyre kanë leje nga pushteti , dhe ardhjen e tyre nuk ka kush ta pengojë më.. .".
Siç shihet vendosja e popullsisë serbe në territoret e zbrazura i ngjante një kolonizimi të një toke të re, të zbuluar dhe të pabanuar. Popullsia në këto vende është vendosur pa lejen e pushtetit. Kjo e ka keqësuar edhe më tepër pozitën e atyre shqiptarëve që nuk kishin mundur të largoheshin me kohë. Pasojat e shpërnguljes së shqiptarëve nga ato vise ishte mjaft e mëdha, sidomos ketu vinte në shprehje keqësimin e marrëdhënieve të këtyre dy popujve që me shekuj kishin jetuar bashkarisht. Qeveria Serbe duke i parë planet pushtuese të Austro-Hungarisë drejtuar nga vilajeti i Kosovës si dhe nga frika e largimit të popullsisë serbe nga ajo anë, në ç'mënyrë rrezikoheshin interesat e Serbisë në të ardhmen, mori disa masa, por jo serioze, për kthimin e shqiptarëve në vendet e tyre. Kthimi i shqiptarëve në vendet e tyre në këtë kohë ishte i pamundur, sepse vendet e tyre ishin zënë nga popullsia serbe.
Duhet theksuar se gjatë operacioneve të luftës 1877-1878 disa gjeneralë të ushtrisë serbe të cilët i dinin pasojat e shpërnguljes së shqiptarëve, kishin kundërshtuar shpërnguljen e tyre, bile me disa proklamata i kishin ftuar shqiptarët që mos të largoheshin nga vendet e tyre. Në një proklamatë të tillë shkruhet: „Urdhëroni që sa më tepër të veni kontakt me shqiptarët dhe përpiquni që askund dhe asnjëherë mos t'u bëhët ndonjë e keqe. Në çdo vend ku ata nuk kanë qëndrim armiqësor ndaj ushtrisë' sonë, në qoftë se tregohen si miq tanët, edhe nga ana e jonë të tregohet çdo miqësi. Shtëpitë e tyre familjet dhe pasuria e tyre të jenë në sigurinë e plotë".
Në qarqet sunduese serbe kishte divergjenca dhe mospajtime në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve, sidomos në mes kuadrit ushtarak dhe autoriteteve të pushtetit. Dihet se shqiptarët nuk u përgjigjeshin proklamatave të ushtrisë serbe, sepse nuk kishin garanci dhe siguri se do t'i linin të qetë në vendet e tyre.
Fuqitë e Mëdha, sidomos Anglia dhe Franca, nën ndikimin e Portës së Lartë dhe në bazë të nenit 39 të Marrëveshjes së Berlnit bënin presion mbi Qeverinë Serbe për lejimin e kthimit të atyre shqiptarëve që e deshironin këtë si dhe për kompensimin e pasurisë së tyre. Mirëpo edhe diplomacia evropiane nuk kishte qëndrime të vendosura, sepse më parë në marrëveshjen e Berlinit shtetet evropiane kishin inauguruar një politikë të tillë. Kjo shihet nga neni 39 i Marrëveshjes së Berlinit, në të cilin shkruhet: „Myslimanët të cilët kanë pasuri në tokat që i janë bashkuar Serbisë e që dëshirojnë të vendosen jashtë principatës serbe, pasurinë e tyre të palëvizshme në Serbi mund t'a mbajnë, ose t'ua japin me qesim të tjerëve".

Në fund disa historiografë të mëparshëm në punimet e tyre përpiqen të dëshmojnë se gjoja në kohën e shpërnguljes së shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit apo nga ishte bërë një këmbim i popullsisë, sepse gjoja edhe nga vilajeti i Kosovës ishte shpërngulur popullsia serbe. Kjo nuk mund të qëndrojë si fakt i së vërtetës shkencore. Atëherë nga Vilajeti i Kosovës ishte shpërngulur një numër i vogël i serbëve, të cilët duke qenë të pakënaqur me pushtetin turk kalojnë në Serbi, në Vojvodinë apo në territorin e Sanxhakut të Nishit. Nuk ka bazë në të vërtetën e pohimi se muhaxhirët shqiptarë të shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit në Kosovë kishin bërë zullume të mëdha në popullsinë serbe, dhe se ata ua kishin marrë tokat e tyre. Një gjë të tillë nuk e toleronte pushteti turk. Dihet se muhaxhirët janë vendosur më së shumti në fshatrat e çerkezëve, të cilët patën shkuar në Turqi, në fusha dhe pyje të paçelura, në tokat e agallarëve dhe bejlerëve, si çifçinjë. Këtë e vërteton edhe një raport datuar me 30 maj të vitit 1879 i Qeverisë Serbe, në të cilin thuhet se: “shqiptarët, të cilët ikën në kohën e luftrave nga Serbia, shumicën e tyre pushteti turk e vendosi në fshatrat e çerkezëve në Kosovë”.( (Dr. Emin Pllana)
Shumica e muhaxhirëve shqiptarë u vendosën në Vilajetin e Kosovës, në sanxhakun e Prishtinës, sidomos në kazanë e Vuçitërnës, të Gjilanit, të Mitrovicës, e më pak në Rrafshin e Dukagjinit. Një numer i tyre u vendosën në Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Shkup, Koçane, Velez, Pollog, Kërçovë etj. Shumë prej tyre shkuan në Turqi dhe në Shqipëri. Ata u gjendën në një pozitë shumë të vështirë ekonomike. Kjo shihet nga ankesat e tyre dërguar Kongresit të Berlinit, Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në një letër që i dërguan muhaxhirët Kongresit të Berlinit kërkojnë që të ndërprehen zullumet, sidomos të bullgarëve si dhe t'u bëhej e mundur atyre që të kthehen përsëri në trojet e tyre. Në këtë letër të cilën e nënshkruajnë Ali Shaqiri dhe Ismail Abdullahu në emër të afro 3.000 shqiptarëve të ikur nga rrethina e Nishit, Leskovcit, Vranjes dhe Kurshumlisë, përveç tjerash thuhet se: “gjendja e të ikurve është tejet e rëndë, fëmijët janë të sëmurë, nuk i kanë as gjërat më të nevojshme për ta mbajtur shpirtin, prandaj lutet paria e Evropes që të dërgohet një komision dhe ndihma të tjera për ata të cilët i kishin humbur të gjitha papritmas”. Pastaj në një telegram të dërguar nga Prishtina më 25 maj të vitit 1878 shkruhet: „5.000 të ikur nga rrethina e Vranjes kanë lënë pas të vdekur, të plagosur dhe të zënë rob nga ushtria serbo-bullgare. Ata nuk i kanë kursye as njerëzit, e as kafshët, por kanë filluar t’i shashtrisin njerëzit e pafajshëm vetëm e vetëm që ta marrin arratinë".

Reshat AVDIU

Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë

Dhjetor, Preshevë 2013

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 51 vizitorë
Lexuar: 1,262 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi