Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ardian RAMADANI: Sot është bërë më lehtë të diplomosh, sesa të mësosh!
Publikuar më 04 janar, 2014 në orën 04:10 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Pata kënaqësinë të bashkëbisedoja me profesorin, publicistin dhe përkthyesin Mr. Ardian RAMADANIN. Mund të mësosh shumë gjëra, mund të frymëzohesh për të dobishmen, mund të dashurohesh në librin i cili kurrë nuk të ka thënë “të dua lexues”! Të dashur lexues, pa humbur kohë, në vijim ju ftoj që t’i lexoni e shihni sfidat e të rinjve tanë, misionin intelektual, mision ky që sot prej shumë sosh është trajtësuar vetëm në profesion, dukurinë e politikanëve të cilët mund të ishin të mirë në ndonjë degë të sportit, por assesi punëtor të zellshëm të pemës së politikës, pastaj librat që kishin ndikuar në ndryshimin e rrjedhave në jetën e z. Ardianit, si dhe të kuptuarit e mirëfilltë të fesë Islame.

Qysh si i ri keni filluar të merreni me punë që i rëndom i përkisnin të moshuarve, edhe pse shihej si ju me sukses ia dilnit mbanë. Tani që keni filluar të rrokulliseni drejt moshës së pjekurisë, si i shihni të rinjët për sa i përket vetëdijes për t’i kuptuar gjërat e përgjithshme shoqërore?

Ardian RAMADANI: Pyetje shumë me vend. Është më se e qartë se ekziston ajo që quhet konflikt brezash apo gjeneratash. Është më se normale se edhe ne ndoshta nuk kemi qenë në sy të prindërve tanë si të rinj, mu ashtu si duhet, mbase edhe të rinjët tani duken ndryshe prej asaj që ishim ne. Duhet kuptuar se jemi duke jetuar në atë që quhet shoqëri e dijes, shoqëri postpozitiviste. Kjo shoqëri ka ndikuar në sjelljen e gjërave të ndryshme, kibernetizimin, robotizimin dhe kompjuterizimin. Rinia e sodit mendoj se i është përshtatur zhvillimeve teknologjike, mirëpo kjo ka sjell llastimin e tyre. Mandej sot tek rinia jonë shoh një largim, një ekuidistancë nga libri. Nuk e di se pse, por mendoj se ky largim nga libri nuk sjell pozitivitet dhe perspektivë. Është e vërtetuar se asgjë nuk mund ta zëvendësojë librin. Andaj mendoj se sot gjëja kryesore që duhet të preokupojë të rinjët është kërkimi i diturisë, kurse gjetja e diturisë është tek leximi i librave. Nuk jam ithtar i thënies franceze “Lisez moins vivez plus” (Lexoni më pak jetoni më shumë), thënie kjo e shtyrë nga rryma e artit urban, por mendoj se pikërisht të jetuarit nuk mund të ketë kuptim pa lexim. Posaçërisht rruga deri tek dituria nuk arrihet me asgjë tjetër përpos me lexim dhe punë. Është ajo thënia e mençur që ndoshta dija nuk arrihet vetëm me lexim, por leximi është mënyra më e garantuar për të arritur diturinë. Në anën tjetër nuk dua që rinia jonë të nxitet që të kërkojë atë që s`mundet ta shohë syri njerëzor. Thjesht nuk dua që rinia jonë të shndërrohet si Empedokli, një filozof i vjetër, i cili duke pasur kureshtjen për të parë atë që s`ka mundur ta shoh me sy njerëzor, është hedhur në kraterin e vullkanit Etna.
Ndërsa për sa i përket asaj se sa rinia e sodit a ka vetëdijen për t`i kuptuar gjërat shoqërore, konstatoj se kemi përfaqësues të të rinjve që janë të pjekur, të maturuar, që dinë të vlerësojnë gjërat ashtu si duhet dhe që janë të udhëzuar. Nuk më pëlqejnë të rinjët jesmenë, servil apo lakenj, të nënshtruar. Kemi edhe të tillë, e pranoj. Por, një gjë duhet thënë, sot kemi shoqëri të pabarabartë në të drejta, të deformuar në pasuri, ndërkaq neve na duhet pikërisht e kundërta, e barabartë në të drejta dhe e ndryshme në pasuri.

Ju keni punuar në arsim të mesëm dhe në atë të sipëror. Çfarë është përshtypja juaj për sa i përket përgatitjeve arsimore, ose thënë më qartë, a është i gatshëm, duke e marrë për bazë arsimimin e tyre, që ky brez të ballafaqohet me detyrat shoqërore që natyrshëm i takojnë secilit brez?

Ardian RAMADANI: Mendoj se për rrethanat aktuale, brezi që është në shkollim e sipër, duke pasur më shumë qasje në informata, si burimi bazë për gjithçka, kanë mundësinë të bëjnë ndryshime dhe të ballafaqohen me detyrat shoqërore. Mirëpo se çfarë përgjegjësish mund të marrin mbi supe, kjo është një pyetje që kërkon analizë të thellë. Mendoj se tani pasi shkollimi i mesëm u bë i obligueshëm, tani kur secili qytet ka universitete dhe fakultete, tani kur është bërë më lehtë të diplomosh se sa të mësosh, tani kur Universiteti humbi kuptimin e tij logjik, universal dhe u shndërrua në degë qoftë partiake, qoftë si mjet i krekosjes, kur e humbi kuptimin e tij natyral dhe u shndërrua në gjithçka tjetër përpos në vatër e nxënies së dijes, tani pasi politizimi dhe partizimi na shpie majave të Olimpit të rrejshëm, nuk besoj se mund të kemi ndryshime të kërkuara që i nevojiten kësaj shoqërie, e aq më shumë që kemi të rinj që do të dinë të jenë misionarë të ndryshimeve dhe reformave. Krejt kjo ngase hapësira është aq e ngushtë dhe aq moslejuese sa ngulfat edhe zellin dhe dëshirat e atyre që ndoshta mbase mund të bënin diçka në këtë drejtim. Rinia jonë duhet të ketë parasysh që asnjë lëvizje vullnetare nuk bëhet pa 3 gjëra. Pa dëshirë, pa dije dhe pa vepër. Rinia duhet të mos harrojë thënien e filozofit të madh kinez, Konfuçies, që prerazi dhe shkëlqyeshëm thekson: “Ai që di dhe e di që di, është dijetar përcille atë. Ai që di por nuk e di që di, ai flenë zgjoje atë! Ai që nuk di dhe e di që nuk di ai donë të udhëzohet andaj mësoje atë! Ai që nuk di dhe nuk e din që nuk din, është injorant dhe i rrezikshëm, largoje atë! Ruana Zot nga kategoria e katërt.

Keni botuar katër libra dhe shumë shkrime nëpër gazeta, revista e portale, sa jeni i kënaqur me mirëpritjen e kësaj sfilitje intelektuale?

Ardian RAMADANI: Po deri më tash kam botuar 4 libra. Libri i parë titullohet “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina shteti dhe kombi”, libri i dytë “Shpalosja e labirintit”, libri i tretë “Gjurmë realitetesh” dhe libri i katërt “Fakte që flasin”. Mendoj se me kaq kontributi im nuk duhet të përfundojë. Kam në dorëshkrim dhe jam duke e bërë gati për botim librin tim të pestë, i cili do të jetë gati në 2014 shpresoj. Jam recensent i 2 librave dhe merrem me publicistikë dhe analiza, edhe pse kohët e fundit impenjimet na kanë larguar një çik, mirëpo ndonjëherë po zhytemi në pesimizëm dhe po mendoj se po bëhem i tepërt me paraqitjet e shpeshta. Krejt kjo ngase është thënë e stërthënë gjithçka, e duhet thënë përsëri gjithçka, por duhet shmangur refrenizimit të gjërave dhe përsëritjes së të njëjtë gjë. Siç do të thoshte Ajnshtajni “ marrëzia është kur bën të njëjtën gjë vazhdimisht e prapë nuk ke rezultate të ndryshme”.
Librat janë pritur deri ndokund mirë. Falë Zotit nuk janë djegur, (qesh he, he, he) ngase siç do të thoshte Henrich Heine, shkrimtar i njohur, “Atje ku digjen librat në fund do të digjen edhe njerëzit”. Por duhet ta pranojmë se nuk e kemi ende nivelin e duhur intelektual ta zëmë për shembull si në Prishtinë, apo si në Shqipëri ku kritika e mirëfilltë dhe auditori do të vlerësonte librin. Këtu ata që lexojnë janë në numër jo të kënaqshëm, por duhet bërë përpjekje për botim. Kjo na detyron jo të heshtim por të jemi edhe më tej aktiv. Ndërsa sa për shkrimet mendoj se priten mirë, kanë një gamë lexuesish dhe në përgjithësi jam i kënaqur. Jam ithtar i thënies së shkrimtarit tonë të shquar, Rexhep Qoses, i cili thekson në një rast se “ nuk jam bërë shkrimtar dhe autor për të shkruar libra, po për të sendërtuar mision, për të luftuar të këqijat”. Kjo thënie e tij është udhërrëfyese për mua dhe tentoj t`a respektoj në përpikëri.
Ndërsa mua personalisht dy kategori njerëzish më mundojnë, dijetari me dije dhe argumentet e tij, si dhe injoranti me paditurinë e tij. Unë normal dua të sfidohem nga kategoria e parë e njerëzve.

Ju lexoni shumë, a mund të njoftohemi me numrin e librave që deri më tani i keni lexuar?

Ardian RAMADANI: Nuk di saktësisht se sa, mbase janë me qindra, mbaj shënime por nuk dua të them shifra, ngase s`dua të bie në grackën e thënies “Shifrat nuk thonë gënjeshtra, po gënjeshtarët thonë shifra”. Lexoj që të jetoj. Kam lexuar librin e shkëlqyer “Indignez-vous” të autorit Stephane Hessel, guri i rezistencës, i cili thotë të krijosh do të thotë të rezistosh dhe anasjelltas. E unë përdor shprehjen time të jetosh apo të frymosh do të thotë të lexosh. Allahu Lavdiplotë thotë në Kuran: “Betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë” (68:1). A nevojitet më shumë sqarim dhe hollësira. Mendoj që jo. Me këtë nuk dua të futem në purpur, pra të bëhem më i rëndësishëm nga ç`jam, por mendoj se t`i vendosh vetes epitetin intelektual kërkon të plotësosh një sërë kushtesh dhe kriteresh. Gjithkush që kryen fakultet nuk mund të jetë edhe intelektual, pse jo mund të jetë injorant me shkollë.

Sot, sa lexojnë të shkolluarit?

Ardian RAMADANI: Mendoj së epiteti i shkolluar, vlen për ata që lexojnë, e ata që duan ta gëzojnë këtë epitet le të mendojnë se në cilin tabor duan të radhiten. Njeriu do të jetë dijetar derisa merret me kërkimin e diturisë, e kur të mendojë se është bërë dijetar ai ka pushuar së qenuri dijetar, është shndërruar në jodijetar.

Sot, sa janë intelektual intelektualët?

Ardian RAMADANI: Burimi i shkencës është intelekti, ndërsa i veprimit vullneti. Mendoj se aktualisht për kohën tonë vlen ajo thënia e Albert Kamysë, shkrimtarit të famshëm francez, i cili thoshte se politika dhe fatet e njerëzimit i takojnë aktualisht individëve mediokër dhe pa ideale. Me këtë mendim pajtohet edhe Maks Weber. Por që të ndryshojmë këtë realitet të hidhur duhet të kryejmë misionin tonë si intelektual si duhet. Sot misioni i intelektualit të mirëfilltë është i ndryshëm ndoshta prej atij të kohërave më të largëta, mirëpo esenca mbetet e njëjtë. Intelektuali duhet të mbajë qëndrim kritik ndaj dukurive negative në shoqëri. Ai është bartës dhe propagandues i arsyes dhe moralit njerëzor (Zygmund Bauman), ai prodhon ide të pakontekstualizuara dhe të vlefshme në çdo kohë dhe për çdo vend. Ai veçohet përmes ceremonive dhe ritualeve, leksioneve, konferencave, debateve që shërbejnë jo vetëm si shkëmbim idesh por edhe për të shenjtëruar sferën e veprimtarisë (Collins). Intelektual merret me krijimin e përhershëm dhe zbatimin e dijes dhe kulturës. Habermasi thotë që intelektuali duhet të ketë fantazi dhe guxim të flasë publikisht. Chomsky shprehet se intelektuali ka përgjegjësi të flasë vetëm të vërtetën, Bernard Levi thotë një gjë shumë interesante, që intelektuali është debati, që intelektuali në fakt nuk është njeriu por dimensioni njerëzor, ndërsa Raymond Aron ka një mendim interesant: “çdo i diplomuar që nuk bën punë krahu është intelektual”. Por mbi të gjitha unë parapëlqej thënien e Sartrit “Intelektuali është i pakorruptueshëm”. Ai ndan dijen me të tjerët. E kur dija ndahet me të tjerët atëherë ajo është e vlefshme. Mendoj se sot këtë gjë e bëjnë shumë veta.
Ja për shembull publikisht shoh që rrahjen e problemeve të ndryshme që preokupojnë shoqërinë e bëjnë në qytetin tonë shumë pak veta. Ju kisha dalluar juve në këtë drejtim (Iljasa Salihu), Jusuf Zimerin, Hamdi Nuhiun, Milazim Mustafën, Xhenis Sulejmanin, Arsim Jonuzi e shumë pak veta. Mendoj se Kumanova ka potencial për më tepër investim dhe ngritje të zërit. Zëri i omertës, kodi i heshtjes janë paralajmërim i së keqes. Aty ku nuk ka revoltë nuk ka intelektualizëm, e pikërisht intelektuali është ai që ka të drejtën e revoltës.

Sot, sa kuptohet feja Islame në mesin e vetë myslimanëve?

Ardian RAMADANI: Mendoj se sot kemi një evoluim në drejtim pozitiv. Falë librave të ndryshëm, falë leximit po arrihet të kuptohet feja Islame në dimensionin e saj universal e jo partikular. Mendoj që dita ditës po çlirohemi nga mentaliteti levantin i të kuptuarit të fesë si veprim rutinor i pesë shtyllave të Islamit dhe i gjashtë kushteve të imanit, edhe pse natyrshëm kjo është qumështi e ajka, pa të cilën do të ishim jashtë kësaj kalaje madhështore, shoh se ka kuptim më të thellë të Islamit, mu ashtu si duhet. Çdo qenie njerëzore frymon, por jo çdo qenie njerëzorë që frymon është i gjallë. Të gjallërosh do të thotë të jesh i pranishëm në botë me jetën dhe vdekjen tënde. E që të jesh i pranishëm duhesh të kuptosh si duhet misionin e fesë. Por kemi ca persona që mëtojnë të shtiren si të mençur, kritikojnë e flasin gjithçka pa mos pasur më të voglën informatë, shpikin dhe sajojnë përçarje, promovojnë Shën Bartolomeun mes shqiptarëve, e nuk kanë të njohur as shkronjën I prej Islamit. Kemi besa edhe të marrë e këta janë më të rrezikshmit. Dietrich Bonhoffer thekson se marria është armik më i rrezikshëm se e liga, ngase kundër ligësisë mund të protestosh dhe ta parandalosh atë edhe me forcë, por kundër marrisë je i pafuqishëm. Andaj lypset më shumë kujdes ndaj të marrit se sa ndaj të ligut.
Mendoj se duhet shumë lexim dhe udhëzim për të kuptuar Islamin si duhet. Besoj se falë përpjekjeve të duhura dhe me kohë do të arrijmë ta qenësojmë ashtu si duhet, në mënyrë që të sigurojmë lumturinë këtu dhe në botën e përtejme.

Cili është libri që më së shumti ju ka lënë mbresa?

Ardian RAMADANI: Kam shumë libra. Lexoj që nga fëmijëria. Më kanë pas lënë si fëmijë mbresa librat e Rexhep Hoxhës “Verorja” dhe “Lugjet e Verdha”, më pas Qamil Batalli “Princesha dhe bariu”, mandej shkrimtari Ibrahim Kadriu, më pas “Sikur t`isha djalë” Haki Stërmilli, mande Ivan Cankar “Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij”, Petro Marko, Odhise Grillo, Hans Kristian Andersen, Çarls Dikens, Ferenc Molner, Ismail Kadare e kështu me radhë.
Por në periudhën e tanishme më ka fascinuar libri i Stephane Hessel, me titull “Indinjohuni”. Është një libërth por me vlera të çmuara, i cili më ka lënë shumë mbresa. Kisha ftuar secilin lexues të librit ta ketë në bibliotekë. Ndërsa në zhanrin e romaneve preferoj të lexoj Balzakun, Stendalin, Flobertin, Hygon, Ernesto Sabaton, Dostojevskin, Paulo Coelhon, Orhan Pamukun ndërsa nga autorët tanë lexoj Kadarenë, Qosjen e shumë e shumë të tjerë.

Cili është libri që ka mbërritur t’ia ndryshon kahet e jetës?

Ardian RAMADANI: E kisha dalluar së fundi librin “Shqipëria dhe Kosova si janë dhe si do të duhej të jenë” i autorit Rexhep Qosja, mandej e kisha dalluar Abdi Baletën dhe librat e tij si “Përballje me Islamofobinë”, “Kundërshpifografi” etj, Hysamedin Ferrajn dhe librin e tij “E pafilozofuara”, mandej Kisinxherin, Habermasin, Norbert Mapes Niedieckun, pa mos harruar të përmend librin e mrekullueshëm mbi 20 parimet e Hasan el Benës, si dhe librat e dijetarit Jusuf el Kardav.
Shkurt çdo libër më ka bërë për vete kur e kam lexuar, lexoj gjithçka nga gjithsecili, secili libër ka një mesazh që përçon diçka dhe një vlerë të caktuar.

Cili është roli i mediumeve tonë për sa i përket prishjes së rinisë dhe ndreqjes së saj?

Ardian RAMADANI: Mendoj se roli i mediave është kyç dhe thelbësor në edukimin apo prishjen e të rinjve. Sot kur shërbehet gjithçka nëpër mediume mendoj se rrit peshën e rrezikut për degradim si dhe për gradim të degradimit. Andaj mendoj se përmes edukimit të vullnetit, përgjegjësisë më të madhe te familjeve duhet shmangur emisionet që rrezatojnë degradime. Ajo që servohet nga mediat mund të ndahet në: emisione të mira, emisione që nuk qortohen po as nuk lavdërohen dhe emisione të këqija. Duhet pasur kujdes nga këto të fundit. Politikani gjerman Oskar Lafontaine thoshte se mediat janë prangat dhe të pranguarat moderne të politikës, shoqërisë, lirisë dhe ekonomisë. Andaj nëse nuk mund të çlirohemi krejtësisht prej këtyre prangave të domosdoshme, është mirë dhe e udhës të çlirohemi nga prangat e emisioneve të këqija, jo edukative dhe graduese të degradimit.

Meqë jeni gjuhëtar dhe politikolog, sa janë meritor politikanët tanë në pozicionet që i bartin?

Ardian RAMADANI: Sipas Frederikut të Madh sovrani qytetari i parë qe u bindet ligjeve. Mendoj se sot termi politikan është degraduar skajshmërish dhe është shndërruar në sinonim të së keqes, të një kleptomani, të një zhvatësi, të një të lumosuri. Nuk jam protagonist i anarkizmit të Prudonit i cili thoshte se ata që do ta udhëheqin do ta kishin armik për vdekje, por mendoj se me të vërtetë politikës shqiptare i duhet një demokratizim i imazhit, një kulturim dhe një maturim. I duhen jo figurat deja-vu por figura të reja, me perspektivë. Nuk kuptoj se si është e mundur ca budallenj të arrijnë në shkallën aq të lartë të pushtetit dhe autoritetit, por duke sintetizuar arrij në konstatimin se “Rastësia i sjell ca njerëz në poste që kurrë ata s`i kanë menduar më parë”. Kësisoj mu ashtu si është bërë magjistrimi dhe doktorimi i lehtë dhe i shpejtë, edhe bërja politikan është bërë profesioni më i lehtë. Libri “Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor” 1988 shkruar nga Carlo M. Cipolla analizon 4 grupe njerëzish; leshkot, budallenjtë, banditët dhe inteligjentët. Ne fatkeqësisht i kemi në shumicë tre të parët, të fundit i kemi shumë rrallë. Por shihen shpresa. Me ndryshimin e pushtetit në Shqipëri dhe me marrjen e Prishtinës nga një kandidat i mençur dhe i edukuar si Shpend Ahmeti, shoh vërtet një përmirësim dhe gjasa për pozitivitet. Sot për sot imazhi i politikanit është ai i FEARMONGERING, ai i nxitjes së frikës përmes mashtrimit dhe kërcënimit, në tre kahe: 1. Përhapje të gënjeshtrave, 2. Shtrembërim dhe trillim të fakteve dhe 3. Fshehje të tyre.
Ndërsa në frëngjisht termi politikë ka kuptim shumë të vlefshëm. Kësisoj ai degëzohet në LE POLITIQUE (POLITIKJA) që nënkupton lëvizjen e dyfishtë e shfaqjes së procesit në sajë të të cilit renditet e njësohet shoqëria, përmes ndarjeve të brendshme të saj, si dhe fshehjen e parimit prodhues të tërësisë si dhe LA POLITIQUE (POLITIKA), që nënkupton veprimin e individëve dhe partive politike brenda sferës politike, si vend ku sajohet instanca e përgjithshme e pushtetit dhe ku zhvillohet garë politike.
Por këto definicione dhe realiteti ke ne janë shumë larg njëra tjetrës. E kuptoj thënien e James Madisonit se sikur secili qytetar athinas të ishte Sokrat, përsëri kuvendi athinas do ishte turmë, mirëpo nuk pranoj që zhvatësit, kolltukofagët e Fan Nolit, Palaçot e dheut të Faik Konicës, rrugaçët, sallhanet, vagabondët, shakllabanet e Gjergj Fishtës të quhen politikan dhe të më udhëheqin.

Merreni edhe me sport, cila do të jetë këshilla juaj për rininë dhe të pjekurit (meshkuj dhe femra) për sa i përket sportit?

Ardian RAMADANI: Që nga vegjëlia merrem me sport. Meqenëse babanë e kisha dhe e kam profesor të edukatës fizike (tanimë i pensionuar por tejet vital dhe për këtë e admiroj tepër), kisha një motivim dhe frymëzim për sport. Mandej shikimi i vetëm një filmi sikurse “Enter the dragon” interpretuar nga aktori i famshëm Bruce Lee na inspironte që të nesërmen të bëheshim si ai. Jam marrë shumë me gjimnastikë, kam qenë gjimnast i mirë, mandej me karate, por edhe me atletikë. Një kohë për shkak të angazhimeve të shumta sikur harrova sportin, por edhe shëndeti më harroi mua. Kjo më detyroi t`i përvishem sportit përsëri duke u marrë me vrapim, duke lozur futboll, duke bërë gjimnastikë mëngjesi, si dhe më pasionoi sporti i artit luftarak Wing Chun (degë e Kung fusë) të cilën e zbulova falë teje, tek mjeshtri i këtij arti Afrim Bajrami nga Prishtina. Andaj praktikoj dhe e kam prioritet, ngase e mundshmja nuk arrihet nëse në botë e pamundshmja nuk kërkohet vazhdimisht. Këshilla ime për të gjithë është kjo. Kushtet e punës frytdhënëse janë trupor, që domethënë shëndet i mirë, ndjesor, dashuria ndaj punës dhe kushti mendor, njohja e metodës dhe kahet e punës. Po mungoi njëra prej këtyre, kot, humbet plotësia.

Për fund, mund të na thoni ndonjë fjalë që sado pak do t’i nxiste të rinjët tanë për të lexuar?

Ardian RAMADANI: Për në fund të rinjve do të u kisha dhënë porosinë që dha Charles Baudler, shkrimtar i famshëm francez, i cili në dhomën e tij kishte varur një orë pa akrepa, që punonte mirë. Nën të kishte shkruar “Është më vonë se sa pandeh ti, miku im! Shfrytëzoni kohën në maksimum, ngase është sendi më me vlerë që nuk kthehet kurrë, asnjëherë.

Bashkëbisedues: Iljasa SALIHU

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 84 vizitorë
Lexuar: 2,421 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi