Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DE RADA -FIGURË E MADHE LETRARE E MATANË DETIT
Publikuar më 16 janar, 2014 në orën 04:57 ( ) Sami Islami | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Në 200-vjetorin e lindjes së De Radës)

Sivjet mbushen plot 200 vjet qëkur lindi kolosi i letërsisë shqipe De Rada. Ai me veprimtarinë e tij letrare, politike, kulturore, etnografike, poetike e shkencore, qe dhe mbeti romantiku ynë i spikatur në letërsinë shqiptare. Pandaj mund të themi lirisht, se letërsia e arbëreshëve të Italisë, por edhe letërsia e romantizmit është e lidhur ngusht me emrin e këtij poeti dhe patrioti të pakompromis, që me “Këngët e Milosaos” u bë lëvruesi i parë i veprës artistike, me të cilën vepër bëri kthesë të madhe në krijimtarinë tonë letrare në përgjithësi.

Në kohën kur jetoi dhe veproi shkrimtari ynë në Itali po bëheshin luftime të rrepta kundër burbonëve, në të cilën luftë, aktivisht, merrnin pjesë edhe arbëreshët. De Rada i përcillte këto ngjarje me mjaft interesim, sa që, më vonë, edhe vetë i bashkohet kësaj lëvizje. Si fytyrë qendrore në këtë revolucion qe udhëheqësi kryengritës dhe strategjik, Garibaldi, të cilit arbërshët, duke ia parë dhe çmuar trimëritë e tij, i kënduan me admirim:

“Garibaldi trim me fletë
Skënderbeut tonë i ngjet.”


De Rada lindi më 1814 në një fshat të vogël, të quajtur Maki. I ati ishte prift në atë vend ku De Rada i kreu mësimet e para. Që në shkollën fillore ai u dha shumë leximit. Sa ishte në kolegj De Rada i lexoi me ëndje shkrimtarët antikë, si Sofokliun , Europidin dhe fiton një kulturë shumë të gjerë.
Më 1833 mbaroi shkollën e mesme, por duke qenë se ishte mjaft shëndetlig, i ati s’e lejoi t’i vijonte studimet menjëherë, por e la të pushonte një vjet. Ky vjet qe shumë i frytshëm i De Radës, sepse brenda këtij vjeti filloi t’i mbledhte këngët më të bukura nga goja e popullit duke inicuar kështu traditën për mbledhjen e letërsisë gojore. Në fshat dashurohet me një vajzë (me të bijen e bariut e të vet) dhe këtu, ndoshta, i lindi edhe frymëzimi për hartimin e veprës së tij të parë artistike “Këngët e Milosaos”.
Në fund të vjetit 1834 De Rada shkon për të studiuar drejtësinë në Napoli dhe krahas studimeve vazhdon të merret shumë me lexim, duke e lexuar kështu, Shekspirin, Gëten, Shilerin e shkrimtarë të njohur botërorë.

Më 1836 boton “Këngët e Milosaos”, e cila siç thamë, është vepra e parë artistike në letërsinë shqipe, me të cilën aktualisht filloi edhe romantizmi shqiptar. Kjo vepër bëri jehonë të madhe kudo në trevat dhe vatrat shqiptare, në veçanti u prit me entuziazëm nga shoqëritë kulturore shqiptare të asaj kohe, si nga shoqëria kulturore e Bukureshtit dhe e Stambollit. Vlen të përmendet, me këtë rast, momenti, se me çfarë fjalë i drejtohet De Radës, Sami Frashëri, njëri nga patriotët më të dalluar të shoqërisë “Drita” dhe njëherit edhe themelues i saj: “Burrë i ndritur i mëmëdheut, zot i ndriçuar, vëlla i dashur! Kemi kënduar qëmoti këngët që i ke mbledhur, punërat që i ka bërë zotëria jote për gjuhën tonë, për kombin tonë dhe i kemi pëlqyer shumë.”
Qëkur ishte në Napoli De Rada kishe ra në konflikt me organizatën e fshehtë komplotiste kundër sistemit burbonas. Fatkeqësisht në këtë komplot De Rada zihet dhe burgoset, mirëpo, për fatin e mirë të tij, e shpëton një gjykatës, admirues i veprës “Këngët e Milosaos”. Në këtë kohë De Rada boton poemën “Këngët e Serafina Topisë”, e më vonë e riboton me titull tjetër: “Pasqyra e një jete njerëzore”, por censura e burbonëve nuk e lejojë që libri të qarkullonte. De Rada në këtë vjet, i mbetur ngusht ekonomikisht, detyrohet të hyjë si mësues privat (në një familje aristokratësh) në Napoli, ku do të qëndrojë për më shumë se 7 vjet. Brenda këtyre vjetve tubon pak para me të cilat ripunon “Milosaon”, kurse e riboton “Serafina Topinë”.
Si patriot që ishte veprimtarinë e tij e zgjeroi edhe në pikëpamje të publicistikës. Kështu më 1848 nxori gazetën “L’albaneze d’Italia” (Shqiptari i Italisë), ku i shprehte dhe i mbronte pikëpamjet e tij mbi ngjarjet politike të kohës.

Një vjet më vonë De Rada, në kolegjin e Shën Adrianit e fut gjuhën shqipe dhe vetë bëhet mësues. Më vjetin 1850, martohet me arbëreshen Madalena Maliki, duke filluar kështu një jetë të mirë dhe të hareshme familjare. Nga kjo martesë pati katër djem. Në këtë kohë boton në italishte “Parimet e estetikës”, “Vjetërsia e kombit shqiptar”, por edhe poemën “Rapsodi e një poemi arbëresh” në shqip. Vlen të theksohet, poashtu, se një kohë të gjatë shkëmben letra me patrioten shqiptare nga Rumania Elena Gjikën, e njohur si Dora d’Istria. Në letërkëmbimet me Elena Gjikën e rrah shumë çështjen e çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha shekullore otomane, duke mos e lënë anash as kulturën shqiptare.
Pas dhjetë vjet pune në gjimnazin e Koriliano Kalabros, më 1878, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kohë kjo e pasur me shumë ngjarje që po ndodhnin kudo në tokën shqiptare (por edhe jashtë saj, aty ku kishte shqiptarë), De Rada mbetet pa punë. Në Maki, në vendlindjen e tij, De Rada i pëcillte me interesim të gjitha ngjarjet që po ndodhnin në atdheun e të parëve të vet. Dhe si për çudi, në këtë vjet, e godasin një nga një disa fatkeqësi familjare; duke i vdekur kështu të katër djemtë, e mëpastaj edhe e shoqja, si dhe vëllai i tij i vetëm! Ajo që e tronditi mbi të gjitha qe momenti kur i vdiq Zefi, njëri nga djemtë, të cilit, mendonte t’ia lente trashëgim që të vazhdonte rrugën e babait, pra të merrej me shkrime.

Si një figurë enciklopedike De Rada, famën më të madhe në gjithë Italinë e Jugut, në Shqipëri dhe në të gjitha vatrat shqiptare e fitoi pikërisht me botimin e revistës “Fiamuri i Arbërit”, të cilën e nxjerr më 1883. Çështjet që trajtoheshin më së shumti në këtë revistë, në rend të parë qenë ato shoqërore e politike, por sigurisht edhe ato kulturore e shkencore. Në “Fiamurin i Arbërit” kanë bashkëpunuar shumë patriotë shqiptarë të kohës, si Gavli Dara, Thimi Mitkoja, Zef Muzaka, Pren Doçi etj.

Më vitin 1899, në kolegjin e Shën Adrianit çilet katedra e gjuhës shqipe dhe përsëri De Rada do të bëhet mësues në këtë kolegj. Mirëpo, duke qenë se duhej të udhëtonte tri herë në javë dhe në moshë shumë të shtyer, me vështirësi të mëdha po i përballonte këto kushte të punës. De Rada udhëtonte më shumë se një orë në këmbë në një drejtim, sa që thuhet nga disa baskëvendas (që e kanë njohur mirë) shpesh herë ka ndodhur që De Radën ta gjenin të rrëzuar për tokë, duke mos mundur të shkonte vetë në shtëpi. Mirëpo, si atdhetar i pakompromis që ishte, ai, edhe në këto kushte dhe me këtë gjendje shëndetësore, nuk rreshtte së punuari në të mirë të kombit. Ai në këtë kohë boton “Pellazgë dhe shqiptarë”, “Konferenca mbi gjuhën shqipe”, “Karaktere dhe gramatikë të gjuhës shqipe”, “Skënderbeu i pafanë”, si dhe poemën “”Pasqyra e jetës njerëzore”.

Pas shumë përpjekjesh që bëri De Rada, për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe, më në fund ajo u hap, sigurisht me meritën e tij, por si për ironi, ai nuk u zgjodh që ta udhëheqte atë. Politika dekadente burbonase e zgjodhi të riun Zef Skiroin. Ky akt e demoralizoi tej mase De Radën, duke e thyer shpirtërisht, si asnjëherë më parë.
Ditët e fundit të jetës De Rada i kaloi në mjerim të madh. Si një plak tetëdhjetë e nëntë vjeçar, pa asnjë ndihmë sociale, punonte ende në kolegj, bile duke mos e marrë as atë rrogë të vogël nga gjashtë e më shumë muaj. Të shkretit iu desh të vuante edhe për kafshatën e gojës. Dhe ashtu në vetmi, larg farefisit dhe pa askë të vetin, vdiq më 28 shkurt të vjetit 1903 në një dhomë të shkretë, me emrin e Shipërisë në gojë: “Gjaku shqiptar po shkon, gjaku shqiptar po shkon”.

Vdekja e tij jehoi dhimbshëm tek të gjithë intelektualët përparimtarë të çdo vendi apo vatre shqiptare, si në Shqipëri, poashtu edhe jasht saj.

***
Pësa i takon subjektit të veprave të tij, është me interes të përmendet se në gjithë krijimtarinë e tij letrare, ngjarjet De Rada i hedh në trevat shqiptare të atdheut të matanë detit. Në veprat e tij gjejmë përshkrime të tilla vendesh, aq të sakta, sa ta merr mendja se De rada i kishte shëtitur ato vende këmba-këmbës, edhe pse dihet se, për së gjalli, kurrë këmba e tij nuk kishte shkelë në Shqipëri. Një përshkrim të tillë mund të vërehet tek vepra “Skënderbeu i pafanë”. Në anën tjetër, meritë e pamohueshme e tij qe mbledhja e folklorit (1886), për ta botuar pastaj veprën “Rapsodi e një poeme shqiptare”, me të cilën besonte se kishte bërë një “Iliadë” shqiptare, duke e hyjnizuar kështu kohën e mesjetës shqiptare, ku tregohet epopeja e shekullit të 15-të.
De Radën, në disa aspekte mund ta quajmë edhe historian, sepse aty-këtu, duke dashur ta ndriçonte historinë e kaluar të popullit tonë, jo vetëm që nuk e lëshonte nga goja periudhën e lavdishme të Skënderbeut, pra periudhën e shekullit të XV, por trajtonte edhe ngjarje të periudhave të më hershme, duke pohuar me këmbëngulje se shqiptarët janë me origjinë pellazge. Këtë tezë ai e paraqet në veprën “Pellazgët dhe Helenët”, ku thotë se pellazgët, së pari kanë jetuar në Ballkan, e mëpastaj vijnë Helenët. Në lidhje me këtë albanalogu Gustav Majer e shtroi çështjen e prejadhjes së shqiptarëve, në kohën, kur pothuaj se studimet albanologjike ishin ende në djep. Edhe albanologu shqiptar Eqrem Çabej, flet me admirim për De Radën, duke e çmuar me epitetin “baba të linguistikës”. Është interesant të përmendet se as Majeri nuk e përjashtoi tezën e De Radës të elementit pellazgjik të shqipes, i cili i kishte përfshirë në pellazgë edhe fiset ilire, epirote e maqedonase.

Për figurën krijuese të De Radës, përveç patriotëve shqiptarë, folën edhe shumë personalitete evropiane. Ndër ta le të përmendim albanologun gjerman. Majer, i cili duke e njohur nga afër atë shprehet kështu: “Figura e De Radës të prek. Ai plak i goditur përfundimisht nga ndarja e njerëzve më të afërt të gjirit familjar, nuk lodhet së punuari me fjalë e me pendë për kombin e tij që e do aq shumë, e që prej kohësh, për këtë qëllim, drejton një revistë shqiptare”. Ndërsa romantiku i mirënjohur francez Aleksandër Dymasi, duke e pasur parasysh figurën universale të De Radës, me të drejtë do ta quante “Dante të Shqipërisë”. Një adhurues tjetër i De Radës, bashkëkohaniku, po ashtu francez, Lamartini, më mirë se askush tjetër diti që me pak fjalë të spikasë kontributin e madh të De Radës dhënë kulturës, letrësisë, shkencë dhe publicistikës shqiptare, duke u shprehur:

“Atë që bëri Skënderbeu me shpatë,
E bëre ti me pendë, o i madhi De Radë!”


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sami Islami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 37 vizitorë
Lexuar: 1,371 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi