Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Beqir Elshani: ANEKDOTA
Publikuar më 11 prill, 2014 në orën 01:49 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
1. DITA E RRENËS
Dola në qytet dhe në rrugë takova një mik. Më tha se i pëlqenin anekdotat e mia, ndaj m’u lut t’i tregoj një anekdotë. Prandaj i thashë të më presë në kafene derisa të blej shtypin e ditës. Unë bleva shtypin dhe shkova në shtëpi.
Të nesërmen u takova përsëri me mikun tim, dhe më qortoi për mospërmbushjen e takimit sipas porosisë. Atëherë i thashë:
- Dje ka qenë Dita e Rrenës, ndaj kam qenë i detyruar që dikë ta gënjej, dhe viktimë ishe ti.
- Kurrgjë nuk është kjo, - më tha miku, - ne jemi mësuar me rrena të qeverisë, asnjë vendim nuk zbatohet.

2. TARTABIQET NË PUSHTET
- Mik i dashur, dikur Adem Demaçi ka qenë fort i zoti për vrasjen e ujqve jugosllavë, i qëllonte në lule të ballit, kurse sot e bezdisin tartabiqet, - kështu i tha njëri mikut të tij.
- Sa për tartabiqet, kanë ardhur me Shefki Sejdiun dhe do të largohen me Thaçin, - ia ktheu i dyti.

3. LUANI DHE UDBASHI
Gjatë demonstratave për Kosovën Republikë, një udbash në Prizren e kishte torturuar një demonstrues therandas për shpërndarjen e pamfleteve, ndaj duke parë që nga shkopinjtë nuk po dorëzohej, në fund i kishte thënë: “Ti je budallë”. Prandaj trimi therandas ia kishte kthyer:
- O, i biri i shkinës, para Adem Demaçit jam NXËNËS, para teje jam LUAN!

4. FJALËT E PANJOHURA
Në orën e mësimit të sociologjisë arsimtari i pyet nxënësit.
- Ç’është “korrupsioni”? – pyeti arsimtari.
- “Korrupsioni” është një sistem i ri politik i shtetit, ku ministrat marrin ryshfet për përfitime vetjake, - u përgjigj nxënësi.
- Shumë bukur! Po “demokracia” ç’është? – vazhdoi të pyes arsimtari, mirëpo asnjë nxënës nuk e ngriti dorën.
- Arsimtar, për herë të parë po e dëgjojmë fjalën “demokraci”, - u habitën nxënësit në klasë.
- Çudi, fjalën “korrupsion” e dini, kurse fjalën “demokraci” nuk e dini! – tha arsimtari i tronditur.

5. HIPERBOLA DHE LITOTA
- Agim, çka do të thotë “hiperbola” dhe “litota”? - pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
- “Hiperbola” do të thotë kur ndonjë dezertor pas mbarimit të luftës paraqitet kinse ka marrë pjesë në luftë për çlirimin e atdheut; kurse “litota” do të thotë kur një trim i madh që tërë jetën ka luftuar për mbrojtjen e atdheut, i mohohen meritat luftarake, - u përgjigj nxënësi.
- Po fjala “dezertor” çka do të thotë? - vazhdoi të pyes arsimtari një tjetër nxënës.
- “Dezertor” do të thotë kur ministri i finansave për t’i ikur takimit me popullin, thyen këmbën, - u përgjigj nxënësi duke befasuar arsimtarin dhe shokët në klasë.

6. REVOLUCIONI DHE KUNDËRREVOLUCIONI
- Çka do të thotë fjala “revolucion”? – pyeti arsimtari i biologjisë nxënësit në klasë.
- Revolucion do të thotë, shndërrimi i majmunit në njeri, i cili në fillim ka ecur me katër këmbë, sot ecë me dy këmbë, - u përgjigj një nxënës.
- Po fjala kundërrevolucion? – vazhdoi të pyes arsimtari.
- Kundërrevolucion do të thotë, njeriu i cili para shumë vitesh ka ecur me dy këmbë, sot ecën me këmbë e duar, - u përgjigj i dyti.
- Arsimtar, përgjigja nuk është e saktë, sepse për shkak të varfërisë njeriu nuk mund të ngritet prej tokës, jo më të ecën këmbë e duar, - plotësoi i treti.

7. OKB NË GARËN POLITIKE
- Çka do të thotë shkurtesa “OKB”? – e pyeti nxënësin arsimtari i historisë.
- OKB është një sallë e madhe sportive, e cila gjendet në Nju Jork. Aty mbahen garat e më të fuqishmëve në botë me grushte. Ai që fiton në duel, hyn në OKB, ai që humb, e mbysin, - u përgjigj nxënësi.
- I nderuar, ne nuk jemi në orën e fizkulturës, por në orën e historisë, - ndërhyri një tjetër nxënës.
- Shko në Ukrainë, që të kuptosh domethënien e OKB-së, - ia ktheu i pari.

8. REFERAT PËR VEPRËN LETRARE
- Në ish-Jugosllavi shkollat i detyronin nxënësit e Kosovës të lexonin edhe veprat e shkrimtarëve çetnikë, siç ishin Ivo Andriqi e Dobrica Qosiqi.
- Pse nuk e ke shkruar referatin për romanin “Ura mbi Dri” të Andriqit? – e qortoi arsimtari i gjuhës nxënësin duke i shënuar notë të dobët në ditar.
- Flitet se një nxënës, pasi e ka lexuar romanin ”Ura mbi Dri”, ka vdekur. Prandaj unë nuk dëshiroj të vdes, qoftë edhe të më ngelni në klasë, - tha nxënësi me ironi.

9. KEQKUPTIMI I TREGTARIT
- Tregtar, a keni flamur kombëtar? – pyeti zonja që kërkonte të blinte flamurin kuqezi për dasmën e djalit.
- Po, - tha tregtari duke ia hapur flamurin blu me pesë pikëza të verdha si limoni.
- Zotëri, unë kërkoj flamur kombëtar, jo çarçaf! – tha zonja me zemërim, duke ia kthyer shpinën shitores.

10. ZANATI I PLAGJIATURËS
- Bir, shumë po flitet për plagjiaturën! Dua të di se a është zanat i mirë, apo i keq? – pyeti babai të birin.
- Baba, vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë është zanat i mirë, kurse në shumë vende të botës dënohet me ligj, ashtu siç dënohet hajduti që thyen bankën, - ia sqaroi i biri babait.
- Shyqyr që nuk e kemi këtë ligj, përndryshe gjysma e akademikëve do të shkonin në burg, - tha me shqetësim zonja e shtëpisë, kur dëgjoi të birin.

11. MINISTËR, PASTAJ AKADEMIK
- Dëshiroj të marrë pjesë në zgjedhjet elektorale para se të kryej studimet, - kështu tha i biri babait që ishte doktor i shkencave akademike.
- Përkundrazi, më mirë është të kryesh studimet me kohë, se të bëhesh ministër, - e këshilloi babai.
- Sa konservativ qenke, baba! Kur të bëhem ministër, vjen, jo vetëm diploma, por edhe doktorata, edhe banesa, edhe nusja, edhe…, - ia ktheu me inat i biri.

12. SAMAR PËR TË BIRIN
Një myshteri hyn në lokalin e samarxhiut, dëshiron të blejë një samar për të brin e tij kokëfort.
- Mjeshtër, sa kushton ky samar? – pyeti qytetari i veshur mirë dhe me kravatë, duket se ishte ministër.
- Dëshiron samar për mushkë apo për gomar…? – ia ktheu samarxhiu.
- Nuk ka rëndësi, birit tim i bie tamam. Mundësisht të jetë i butë dhe të mos ia vras shpinën, e kam të vetmin, - tregoi qytetari.

13. PËRKTHIM I NGATËRRUAR
- Prej shokut tim që dinte anglisht kërkova të ma përkthente fjalinë “Unë jam kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri”, kurse ai ma përktheu: “I am primeburglar off Albanian”, që shqip do të thotë “Unë jam kryehajduti i Shqiperisë”, - kështu i tregoi analisti shqiptar mikut të tij.
- Mendoj se shoku yt është detektor shumë i zoti, - ia ktheu miku i tij.

14. MË I BUKUR ËSHTË PRIZRENI
Një therandas takohet me mikun e tij në Shadërvan të Prizrenit, aty pinë kafe dhe bisedojnë.
- A më i bukur është Stambolli, apo Selaniku? – pyeti prizrenasi mikun e tij.
- Më i bukur është Prizreni, - ia ktheu therandasi.

15. QELESHJA E BARDHË
Me një fshat bëhet një dasmë, në mesin e tyre bien në sy dasmorët me kapela të ndryshme.
- A më e bukur është kapela partizane, studentore, apo qeleshja e bardhë? – pyeti një burr.
- E para fitohet në luftë, e dyta në studime, kurse qeleshja e bardhë është e përjetshme, me të duhet të krenohet mbarë populli shqiptar, - tha një veteran i arsimit.

16. HAPJA E KAFENESË DHE PASOJAT
- Në këtë bashkësi lokale do të hapim një kafene për pushimin e qytetarëve, - tha një zyrtar i komunës.
- Nëse hapni kafene, atëherë duhet të ketë edhe nje mjek pranë tyre, - tha një qytetar.
- Jo mjek, por një hoxhë, - shtoi një tjetër që i dinte pasojat e kafenesë.

17. DALLIMI I SISTEMIT SHTETËROR
Me rastin e përvjetorit të demokracisë, Kryetarja e Kuvendit shkon për të vizituar një fshat, atje takohet me disa fshatarë.
- Mixhë, a është më e mirë demokracia, apo komunizmi? – e pyeti me krekosje kryetarja një fshatar.
- Nuk ka ma mirë se demokracia! Përpara s’guxojshim me u bërtit grave, sot munesh me mbyt me dajak; e m’u martu me nji çupë. Përpara vetëm pse ia kam vjedh pulën fqinjit, komunizmi m’ka dënue dy vjet e gjysmë burg, - tregoi plaku i emocionuar.

18. SHQIPTIMI I DËNIMIT
- I akuzuari N.N. që ka thyer bankën kombëtare dënohet me gjashtë vjet burg, - ia shqiptoi dënimin gjykatësi.
- Gjykatës, a ka bukë në burg? Nëse nuk ka, do ta thyej edhe burgun, - pyeti me kërcënim i pandehuri.

19. UJQ ME KATËR KËMBË
- Ju lutem zotëri, më tregoni cila është udha më e shkurtër për të shkuar në bregdet? – pyeti shtimjani një prizrenas.
- Mendoj se nga Kukësi është më afër se nga Peja, mirëpo është më rrezik, sepse nëpër male ka ujq me katër këmbë, - tregoi prizrenasi.
- Pse thua ujq me katër këmbë, kur dihet që kafshët i kanë katër këmbë? – pyeti me shqetësim shtimjani.
- Fjalën e kam për hajdutët që janë më të rrezikshëm se ujqit në male, prandaj mjerë ai që bie në duar të tyre, - plotësoi prizrenasi.

20. QEVERIA E SËMURË DHE POPULLI
- Qysh mund të marrësh vesh kur qeveria është sëmurë? – pyeti gazetari plakun me përvojë luftarake.
- Si rezultat i sëmundjes së qeverisë rritet korrupsioni dhe hajnia, rritet kamata e borgjeve të shtetit, të cilat nuk i paguan qeveria, por populli, populli… Prandaj policia mobilizohet për të shtypur demonstruesit, në mënyrë që populli të durojë shtypjen dhe varfërinë, - tregoi plaku i brengosur.

21. KALË APO MUSHKË?
- Qysh mund të njohësh kafshën natën nëse është kalë apo mushkë? – pyeti një njëri fqinjin e tij.
- Ia shikoj thundrat… - u përgjigj fqinji.
- Jo. Duhet t’i thuash “ku je gomar”, prandaj nëse është kalë, hingëllin për të treguar se është kalë, nëse është gomar, hesht, meqë edhe ashtu gomarin e ka baba, - tregoi fqinji i parë.

22. KU GJENDET ASHA E KOSOVËS
Një gazetar dëshiron të vizitojë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, mirëpo nuk e di rrugën, ndaj e pyet një prishtinas:
- Lu lutem, zotëri, ku gjindet Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës?
- Shko drejt, pastaj kthehu në anën e djathtë, aty gjendet një lokal për mbathjen e kuajve, kurse në anën e majtë gjendet ndërtesa pa themel, i thonë AShA e Kosovës. Duket se jeni turist, apo? – pyeti prishtinasi.
- Jo, jam gazetar, prandaj dëshiroj të di se cila parti ka më shumë kanditat në akademi: LDK, apo PDK? – tregoi gazetari.

23. PASANIKU ME ÇIKLETË
- Si quhet babai…? - pyeti zyrtari i komunës djaloshin që po kërkonte certifikatën e gjendjes civile.
…quhet Pasanik, - u përgjigj djaloshi.
- Po nëna, si quhet? – vazhdoi të pyes zyrtari duke plotësuar certifikatën në kompjuter.
- Nëna quhet Varfëria, - u përgjigj djaloshi.
- Prindërit e tu paskan emra antonim: babai Pasanik, kurse nëna Varfëria?! - tha zyrtari duke shikuar me habi djaloshin.
- Ashtu është. Babai quhet Pasanik, meqë udhëton me çikletë, kurse nëna Varfëria, meqë ecën me shkop, - tregoi djaloshi.

24. DY LAJME TË KËQIJA
- Baba, kam dy lajme të këqia: i pari është se unë nuk kalova në provim, i dyti është se duhani po shtrenjtohet dyfish. Tani nuk kam si ta heq mërzinë, - kështu tregoi i biri i shqetësuar.
- Përkundrazi janë lajme të mira. Moskalimi në provim është shenjë që duhet mësuar, kurse shtrenjtimi i duhanit është shenjë e mbrojtjes së shëndetit dhe standardit, prandaj duhet të gëzohesh, jo të mërzitesh, - kështu e qortoi babai.

25. NUK MBATH MË KUAJ
- Mjeshtër dua të mbath kalin, - tha një kalorës.
- Ç’prej se udhëheq korrupsioni nuk mbath më kuaj, por vetëm gomarë, - u përgjigj mbathtari.
- Gomarë me dy apo me katër këmbë? – shtoi kalorësi me habi.
- Natyrisht që me dy këmbë, sepse janë më të durueshëm, - sqaroi mbathtari me darë në dorë.

26. PËRKTHIM I PARULLËS SERBE
- Kushëri, ti e di serbishten, më trego çka do të thotë parulla: ”Svi serbi u jednoj derzhavi…”? – e pyeti një fshatar kushëririn e tij.
- Po, e di: “Të gjithë serbët me një stallë e derrash…”, – kështu ia përktheu kushëriri që e dinte gjuhën e kolonizatorit.

27. FAKSIMILET E GAZETËS TITISTE
Publicisti dhe veprimtari i çështjes kombëtar shqiptare, Reshat Badallaj, në shkrimet e tij në diplomacia.dk për zbardhjen e krimeve të udbës jugosllave në Zhurin e tij heroik lutet që redaksitë të shënojnë burimin e faqes së shtypit.
- Po kush u çmendë të marrë burimet e “Rilindjes” titiste, kur dihet që tmerr e zi kanë shkruar kundër shqiptarisë; he, i vraftë bukë e mëmëdheut! - kështu ia ktheu përgjigjen redaksia shqiptare.

28. KRYETARI VERTIKAL
Me një intervistë gazetari e pyet akademik Rexhep Qosjen për dallimin në mes dy kryetarëve të shtetit.
- Profesor, ku është dallimi në mes kryetarit vertikal dhe kryetarit horizontal të shtetit? – pyeti gazetari akademik Qosjen.
- Kryetari vertikal është ai që kujdeset për shtetin dhe popullin e tij, kurse kryetari horizontal është ai që i vë flakën shtetit, pastaj thyen qafën, - u përgjigj akademik Qosja.

29. PIRAMIDA E ZOGUT
- Po ta kishte ndërtuar mbreti Zog Piramidën, mbase Sali Berisha do ta mbronte si sytë e ballit, - tha një tiranas duke shikuar me keqardhje qendrën e kulturës kombëtare.
- Askush nuk e mbron atdheun më mirë se Avni Rustemi, - tha tiranasi i revoltuar ndaj klithmave të Berishës.

30. BATAKÇIU dhe FRIKACAKU
Dy qytetarë provojnë sinqeritetin dhe guximin e tyre.
- A më trim jam unë apo ti? – pyeti qytetari fqinjin e tij.
- Unë, sepse guxoj të them që jam titist, kurse ti nuk guxon të thuash që je enverist, - ia ktheu titisti fqinjit enverist.
- Nëse është ashtu, atëherë unë jam frikacak, kurse ti je batakçi, - u hakmor fqinji “enverist”.

31. LEXIMI I FSHEHTË
Një ditë, duke shëtitur me një bashkëvendës në Malme të Suedisë, i tregova që në ish-Jugosllavi, fshehurazi kam lexuar “Titistët” e Enver Hoxhës. Ndërkohë ai ma ktheu:
- Po të ma kishe dhënë mua, do ta kisha lexuar dhe do ta kisha shpërndarë tek shokët…
- Mirëpo unë s’ta kisha dhënë kurrë, sepse ka qenë zjarr dhe t’i kishte djegur duartë. Atëherë birja e minit ka qenë treqind groshë, - e qortova unë.

32. SHOKËT E VJETËR
- E kam shok të vjetër Salen, bashk kemi qenë në Shkollën e Partisë, - kështu tha një deputet, kur pa Sali Berishën duke ngritur gishtat e fitores në tribunë.
- Çudi, Berisha në atë kohë ka qenë komunist i pathyeshëm, kurse tani e nderon Ahmet Zogun, – shtoi një tjetër.
- Sepse demokracinë nuk e fituam ne, por e morëm të gatshme prej bacës Ramiz, - tha Fatos Nano duke ua kthyer shpinën.

33. FITILI I LLAMBËS
- Si mund ta përzësh mysafirin e mërzitshëm prej odës? – pyeti një student fshatarin plak.
-Ia uli fitilin llambës, dhe mysafiri çohet e shkon, - u përgjigj fshatari.
- Nuk ka më fitila të llambës, krejt janë ba me llamba elektrike. Prandaj në dash ta përzësh mysafirin, këndoja “Marshall Tita n´kali t´bardhë”, mysafiri do të ndjehet keq dhe shkon, - tha studenti.
-Por nëse është qifti i Azem Vllasit, ai nuk luan vendit? - ia ktheu fshatari.
- Atëherë këndoja këngën “Enver Hoxha, Tungjatjeta!” dhe ai patjetër thyen qafën, - përforcoi studenti.

34. VIRUSI DHE DECENTRALIZIMI
- Fshatarë të nderuar, ju duhet të bëni vaksinimin e shpezëve, meqë vaksinimi kundër virusit të shpezëve është edhe vaksinim kundër sëmundjes së decentralizimit. Sepse po të ndahen pulat veç e veç, atëherë më lehtë i sulmon dhelpra, - kështu foli ministri i bujqësisë gjatë vizitës me një fshat.
- Zoti ministër, a duhet paguar një vaksinë, apo dy…? – pyeti një grua fshatare.
- Ju paguani vetëm një vaksinë, edhe pse vaksina kryen dy efekte: kundër virusit dhe kundër decentralizmit.

35. FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE
- “BËJMË FALSIFIKIMIN E DOKUMENTEVE SIPAS KËRKESËS SË QYTETARËVE!” – kështu shkruante në lajmërimin e tejdukshëm të shkrimores në qendër të qytetit.
- Mjeshtër, dëshiroj që në diplomën time, në vend të titullit “jurist” të shkruani “hajdut”, - tha qytetari i papunë.
- Është hera e parë që një qytetar kërkon një titull të tillë, ndërkohë që me dhjetra hajnave ua shkruajmë diplomën me titull akademik, - tha falsifikuesi i dokumenteve.

36. TEMAT E DIPLOMËS NË SHITJE
- A keni kapistra për viça? – pyeti një qytetar kur hyri brenda në lokal.
- Kapistra nuk shesim, zotëri, por shesim tema të diplomës për nevojat e studentëve në universitet, – u përgjigj njëri prej tyre.
- Po këto virane (është fjala për kravatat) që po i mbani rreth qafës, qysh i thoni? – pyeti me inat qytetari duke ua kthyer shpinën.

37. FURNIZIM NË SHITORE
Në shitore hyn një zonjë dhe blen disa gjëra për nevojat e shtëpisë.
- Më jepni një fuqi plastike për lakra turshi dhe dymbëdhjetë tapeta muri me ngjitës, - kërkoi zonja dhe shitësi ia afroi.
- Tjetër…? – pyeti shitësi.
- Më jepni një diplomë për juriste, - tha gruaja kërkesën e fundit.
- Zonjë, unë nuk shes diploma! Diplomën mund ta blini në universitet, gjendet përballë katedrales, - kështu ia sqaroi shitësi ”juristes”.

38. GOMARI NË UNIVERSITET
- Ku po shkon me gomar, xhaxha? Në treg, apo…? – pyeti nipi, kur e pa xhaxhain duke dalë me gomar prej oborrit.
- Po e çoj në universitet për ta bërë kalë, - ia ktheu përgjigjen xhaxhai.
- Sukses! Por a do të mund të bëhet kalë?… - ndërhyri nipi.
- Nëse nuk bëhet kalë, atëherë bëhet ministër, - ia ktheu me duf xhaxhai.

39. FABRIKA E PARLAMENTIT
- Flitet se muajin ardhshëm fabrika më e madhe do të mbyllet dhe të gjithë ministrat do të mbesin në rrugë, - kështu tregoi një qytetar.
- Pse, mos ka punuar ndonjë fabrikë e madhe që ne nuk dimë? – pyeti me habi i qytetari i dytë i papunë.
- Po, Fabrika e Parlamentit, prandaj së shpejti po falimenton, - tregoi i pari.

40. SHKENCA PO FLE
Dy akademikë bisedojnë.
- Dikur kemi thënë shkenca thotë të vërtetën, feja gënjen, kurse sot themi “feja thotë të vërtetën, - u ankua akademiku i parë.
- E sot shkenca çka thotë? – pyeti i dyti.
- Shkenca po fle, - ia ktheu i pari.

__________________
Suedi, 4. 04. 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 41 vizitorë
Lexuar: 996 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi