Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
QEN BIR QENI (tregim)
Publikuar më 14 prill, 2014 në orën 07:40 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shpirti është si një panair, që e përbëjnë lulet e ndjenjave. Zemra ime kishte dy fletë të trëndafilta në formë zemre, me rrënjë të thella në vendlindje. Brenda kësaj kornize, ishte e gjithë familja ime, bashkëshorti dhe dy fëmijët e mi.

Pas njëzetë vjetësh emigrimi, u rikthyem në atdhe. Ndihesha njësoj si shqiponja, kur hap krahët plotësisht për të fluturuar në qiellin e pafund...Për njëzetë vjet të jetës time, ditët e pranverave ishin veçse grimca që nuk i shijoja asnjëherë, për shkak të punës dhe detyrimet familjare. Tani doja të shijoja çdo ditë me të gjitha ngjyrat. Të prekja imazhet reale e t’i fiksoja në tablotë e mia të pikturës, e cila ishte pasioni im. Kisha blerë libra me cikle të tëra pikturash për të mësuar, që nga vizatimi më i thjeshtë me dritë hije, deri te ato më të vështirat. Përzierjet e ngjyrave, formësimi i luleve me penel më sillnin aromën e pranverës. Shpesh me dukej sikur pikturoja me sy, kurse tingujt dhe lulet ishin kanavaca e shpirtit. Ndërsa netët pranverore me yje, ishin si bojërat ku pikturoja me lehtësi, sepse në terr ngjyrat më jepnin më shumë dritë. Ndihesha e lumtur, kur mendoja se në qytetin tim të lindjes, do të blinim truall e të ndërtonim një shtëpi. Pranverën do ta kisha në kopshtin tim dhe fenerët e yjeve do t’i shihja e lirë, sa herë të doja, pa u penguar nga pallatet shumëkatëshe, që kishin pushtuar gjithë qytetin, vend e pa vend. Nuk e besova, kur im shoq Ardi më bëri surprizën e madhe të blerjes së një toke truall dhe atë e pashë për herë të parë...Parafytyroja shtëpinë e ndërtuar dhe jetën e qetë familjare deri në pleqëri. Toka ndodhej në periferi të qytetit. Nga aty mund të shikoja vetëm blerim, toka të mbjella, apo fidanishte, ku pemët nën tingujt e lehtë të flladit përshëndesnin njëra-tjetrën. Në largësi, shtriheshin male që kapeshin për dore, të fiksuar në një imazh bukurie, ku natën nga dritat vezulluese të fshatrave, dukeshin sikur kishin zbritur yje dhe banonin ndër ta. Në të dyja anët e rrugës ishin ndërtuar shtëpi, të cilat më ngjallnin ndjenjën e ngrohtë se aty ishte një lagje e mirë.

Përballë nesh ndodhej shtëpia e një “ustai” që kishte punuar në Greqi. Punonte me intervale kur gjente punë. Ai pyeti, dhe kur u informua se tokën përballë e kishim blerë ne, na u afrua menjëherë, duke u mburrur se ishte mjeshtër në ndërtimin e shtëpive dhe merakli i punës. Një njeri mesatar, i parruar, zeshkan me flokë të rënë, dhe me sy si të miut, hetues në çdo lëvizje, me veshë të ngrehur, që të jepnin përshtypjen e një robi që nuk i shpëton asnjë fjalë, në lidhje me interesin e tij. Im shoq Ardi, pranoi që së pari të fillonte me ndërtimin e murit rrethues të shtëpisë, e më pas të vijonte me hapjen e themeleve sipas projektit. Meqenëse filluam rrethimin e tokës e më pas do të vijonim me ndërtimin e shtëpisë, dy fëmijët e mi binjak m’u lutën të marrin një këlysh të vogël qeni dhe ta mbanim në banesën ekzistuese, deri sa të përfundonte ndërtimi i shtëpisë sonë, ku më pas ai do të kishte koliben e vet. Me gjithë kundërshtimet e mia, sepse ishte shpejt akoma, ata morën një këlysh pastor gjerman. Ajo krijesë e vogël një pëllëmbë, me sy të pahapur mirë akoma, të rrëmbente me pafajësinë miturake. Ishte vetëm dyjavëshe. Kur i afroheshim lëpinte dorën tonë , ndoshta për të ndjerë e për të marrë ngrohtësinë, nga e cila e privuam prej nënës së saj. Të gjithë u bënë të marrë pas këlyshit. Një nga djemtë e mi, ia vuri emrin Xhina. Kështu Xhina ishte në qendër të vëmendjes. Të dy djemtë e shikonin, sikur të ishte një fëmijë i vogël. E ndërkohë ditët kalonin, Xhina rritej pa kuptuar. Qimet e zeza dhe kafe i përziheshin në të gjithë trupin. Nga frika e mikrobeve, përveç vaksinave, e laja shpesh dhe gëzofi i saj ndriçonte si i dhelprës. Më shumë nga të gjithë, atë e llastonte burri im. I gatuante vetë, dhe e merrte me makinë kudo që shkonte. Kur Ardi ishte në shtëpi, qenushja donte patjetër të lozte me të, duke mos lënë as fëmijët ta ngacmonin. Shpesh vraponte nëpër sallon, e më pas në dhomën e gjumit, gjë që nuk e duroja dot nëpër shtëpi. Kur djali im Mikeli, përplaste këmbët ajo e ndiqte duke bërë rrëmujë. Disa vazo kristali që i ruaja për merak në bufe u thyen. Kur ishte vetëm, ajo kafshonte këmbët e mobiljeve, të cilat u bënë sikur i kishe prerë më sharrë. Kjo gjendje krijoi një shqetësim të madh tek unë...Tani rrija indiferente ndaj saj. Sa herë vija nga puna më priste, duke tundur ngadalë bishtin dhe më bebëzat e mëdha të syve të saj dukej sikur thoshin “Përse nuk më përkëdhel më, të gjithë më duan, vetëm ti je e çuditshme”. Atëherë i thosha me zë të lartë: ”Shiko sa punë më hap përditë”. Atëherë ajo zinte një cep te tavolina e vogël e sallonit dhe nuk lëvizte, derisa të vinte ndonjë nga fëmijët apo im shoq. Çdo rrëmujë apo thyerje që bënte Xhina, të gjithë e falnin. Kjo në fakt krijoi një ftohje mes nesh dhe mendja e qenit përpiqej të kuptonte arsyen. Meqë hyri vjeshta me shira, ndërtimin e shtëpisë e shtymë në pranverë. Kjo donte të thoshte që Xhina do të rrinte në banesë me ne dhe unë duhej të përpiqesha të gjeja paqe me të, dhe ta bëja të kuptonte se edhe ajo duhej ti nënshtrohej disa rregullave. Bananet i kishte shumë qejf, tamam si fëmijë i vogël. Këtu ia nisa punës me të. Kur unë i flisja për diçka që nuk duhej ta bënte me fjalën “keq” dhe për diçka që duhej të bënte me fjalën “mirë”. Kuptonte si fëmijë. Kur unë isha e kënaqur nga bindja e saj, i jepja gjithmonë një banane. Dalëngadalë, Xhina u bë një qen i bindur, dhe i mësuar me rregullat e shtëpisë... Kur i tregoja rripin, ajo e dinte se do dilte shëtitje, më hidhej me dy putrat e para e gëzuar dhe priste tek dera. Ndërsa kur im shoq i thërriste ‘’Xhina do ikim me makinë”, ajo i përulej tek këmbët dhe e lëpinte..Ai e merrte shumë shpesh me makinë në tokën e rrethuar mbjellë me zarzavate të ndryshme... Mjeshtri përballë, kur dëgjonte makinën e tim shoqi dilte menjëherë. Tani ishte pothuaj pa punë dhe nuk e linte kurrsesi t’i shpëtonte puna nga dora. Kur burri im bisedonte me të për ecurinë e shtëpisë, Xhina i lehte me tërbim, sikur e urrente, kurse Ardi gjithmonë i hakërrohej të rrinte urtë. Dukej sikur ndërmjet saj dhe mjeshtrit kishte lindur një armiqësi. Kaluan shtatë muaj dhe tani trupi i Xhinës ishte rritur. Po do të të hidhej me dy putrat, mund të të rrëzonte përtokë.. nëse do të ishe pa mëndje. Dhëmbët e mëdhenj dhe të fortë i shkëlqenin, si shkëmbinjtë e bardhë në diell. Kur kalonin njerëz pranë derës sonë, ajo fillonte të lehte. Një nga djemtë e mi u sëmur papritur. Pas analizave dhe vizitave të shumta mjekësore, doli me parazitë të zorrëve. Me gjithë mjekimin e duhur, këto parazitoza rezistonin duke i shkaktuar dhimbje të vazhdueshme te barku. Nga frika e mikrobeve të tjera, menduam që Xhina të shkonte pikërisht te destinacioni për të cilin e kishim marrë. Ardi i bëri një kolibe të bukur në tokën truall që ishte e rrethuar me blloqe betoni. Pikërisht në cepin e djathtë përpara portës së madhe... Në anën e majtë, ustai kishte futur të gjitha dërrasat e punës së tij. Dy ditët e para Xhina qante si fëmijë, dhe mezi priste të na shikonte... Dalngadalë u mësua në atë territor të madh, ku Ardi kishte mbjellë hardhi rreth e përqark, dhe shumë pemë të tjera si dardha, lajthi, fiq, kumbulla, hurma dhe të gjitha me fidanë të vegjël. Xhina filloi t’i shkulte një nga një me dhëmbë. Kështu që rreth qafës saj të bukur, kaloi një rrip lëkure me një zinxhir të gjatë që të kishte mundësi të lëvizte sa më gjatë. Me ardhjen e pranverës filluam të hedhim themelet sipas projektit. Xhina shikonte nga mjeshtri dhe lehte gjatë gjithë kohës kur ai ishte i pranishëm... Duket sikur këtë gjë e kuptoi edhe ai. Iu afrua dhe u mundua ta përkëdhelte. Aviti dorën, por kur pa sytë e saj të ndezur nga inati, u kthye të largohej rrëmbimthi. Pa arritur të hidhte këmbën për të dalë jashtë territorit të saj, Xhina iu sul dhe për pak sa nuk i shqeu thembrën. Dhëmbët nuk arritën ta mbërthenin, vetëm sa i gërvishtën pak lëkurën e këmbës. Gjaku kuqëloi vendin. Mjeshtri lëshoi një ”Oh!...” të zgjatur, dhe vajti menjëherë në shtëpi për t’i vënë pak jod këmbës. Armiqësia e tyre u thellua. Kur erdhi Ardi dhe mësoi se ç’kishte ngjarë, u mërzit dhe i tha komshiut se, megjithëse Xhina ishte e vaksinuar, po të ishte nevoja të shkonin në spital”... Ai u përgjigj ftohtë “se nuk ishin gjë e madhe, dy gërvishtjet e vogla”. Ardi i bërtiti Xhinës, dhe ajo ia kthente me të lehur. Ah sikur të kishte një fjalor përkthyes, që Ardi të dinte “psenë” e kësaj armiqësie. Shqisa e shtatë e kësaj kafshe, ndiente kur do te vinin njerëzit që e donin dhe urrente atë njeri që parandiente se do i bënte keq. Mes të gjitha ndjenjave ajo ndihej më e lumtur, kur e vizitonin pasdite dy fëmijët e mi. Shndërrohej në një qenushe lozonjare, kur ndiqte ata me vrap, ose kur në pompën e ujit lidhin një zorrë dhe e hidhnin ujin si shatërvan. Ajo hidhej e përdridhej të kapte ato pikëza si pikat e ylberit derisa të tre të binin në tokë të sfilitur nga loja. Kur vinte ora të iknin, sytë e saj binin në dëshpërim. E ndërkaq ishin hedhur themelet dhe blindat e shtëpisë.

Ardi, duke ndjekur punimet, pa që në fillim gabimet e një kolone, e cila u korrigjua menjëherë. Më pas gabimet e mjeshtrit do të vijonin me gabimin e një kolone tjetër, që u kap me vonesë nga Ardi, ndërsa muri i sheshit që ngrihej një metër nga toka nuk doli i drejtë, por i devijuar pesë cantim. Në këto kushte me një seri gabimesh, shtëpia kishte rrezik të dilte e shtrembëruar nga duart e “mjeshtrit”, ndaj edhe Ardi e ndërpreu bashkëpunimin me të. Komshiut “mjeshtër” nuk i erdhi mirë dhe turfulloi si kalë, kur dëgjoi se “duhej të merrte dërrasat e të shkonte”... Ai justifikohej se “këto gabime bëhen në ndërtim dhe i mbulonin suvatë”. Ardi ishte i prerë në vendimin e tij. Mjeshtri ziente përbrenda duke u përpjekur të ruante qetësinë... Puna i shpëtoi nga dora. Ai Ktheu sytë nga Xhina dhe diç mendoi..Qeni shikonte herë Ardin herë mjeshtrin, sikur kuptoi diçka. Kur ai iku, Ardi i tha Xhinës duke e përkëdhelur:

- Ndoshta ti e ke dhuntinë të shohësh shumë shpejt brenda aftësisë dhe shpirtit të njeriut...Ti s’e ke dashur asnjëherë atë, dhe ai s’do të vijë më këtu.

Xhina si kundërpërgjigje i lëpiu këmbët. Punimet e shtëpisë, Ardi i vazhdoi me një firmë ndërtimi. Ndërkohë, dërrasat e mjeshtrit po bëheshin pengesë, për hapësirën e zënë përpara shtëpisë. Mjeshtri tashmë fshihej brenda shtëpisë së vet, kur i thërriste Ardi. Atëherë dy punëtorë të firmës ia hoqën dhe ia stivuan përpara shtëpisë së tij. Fytyra iu bë katran dhe lëvizte në gjithë shtëpinë si miu para tërmetit. Të nesërmen pasdite, si zakonisht vajtëm të gjithë për të ndjekur punën e bërë nga punëtorët e firmës...Puna kishte ecur me ritme më të shpejta. Xhina u hodh si asnjëherë tjetër në lojërat e saj. Kur po bëheshim gati të iknim ajo ndryshoi... Mu duk se për një moment, ajo mblodhi gjithë pikëllimin e ndjenjës shtazore, sikur të ishte një ndarje lamtumire. Të dy djemtë folën me një gojë:

-O ma, shiko sa gjynah Xhina !...

U futëm të gjithë në makinë dhe në mëdyshje po mendoja t’ju thosha ”Mund ta merrni vetëm sot” , por në atë kohë Ardi i dha gaz makinës, dhe fjalët më ngelën në buzë. Të nesërmen si ditë e diel, shkuam më shumë për të vizituar Xhinën, sepse punëtorët e bënim pushim të dielën. Shtangëm të gjithë kur hyjmë brenda territorit të shtëpisë, ku çdo gjë ishte kthyer përmbys, ndërsa Xhina mungonte. Sytë e fëmijëve rrodhën një breshëri lotësh.” E kanë vjedhur“ thanë përmes ngashërimesh. Natën e mëparshme kishte ardhur vëllai i mjeshtrit me makinë nga një zonë jugore e vendit, Ndaj të gdhirë ishin dëgjuar të lehura të forta qensh, dhe një komshi tjetër aty pranë kish parë dy burra, me një qen që i kishin mbuluar kokën me thes, dhe e kishin lidhur fort. Sipas përngjasimeve mund të ishte “mjeshtri” por nuk ishte shumë i sigurt. Për t’u hakmarrë për punën e ikur nga dora, ai vodhi qenin, atë qenie të gjallë që e donim të gjithë. Shqisa e shtatë ku qeni parandien çdo gjë, paralajmëroi edhe armiqësinë e saj me mjeshtrin. Por ne nuk mund ta akuzonim, pa një prove të forte, por edhe komshiu që i pa, kurrsesi nuk mund të dëshmonte, për shkak të armiqësisë që mund të krijonte. Pra “hajduti” me krah të lidhur një javë, ngeli pa u ndëshkuar. Më pikoi në zemër kur shihja koliben me tjegullat gjysmë të thyera përtokë, por mbi të gjitha bosh. Po ngushëlloja fëmijët duke u thënë se ”do ta gjejmë, kush e ka marrë”. Menjëherë vumë në internet një lajmërim, kundrejt një shpërblimi. Por asnjë përgjigje. Për të fashitur disi dhimbjen e fëmijëve, pas pak kohësh u dhashë fjalën se do kemi një këlysh tjetër nga familja e Xhinës, dhe mund ta mbanim në shtëpi deri në përfundim të shtëpisë së re. Ardi solli një pasdite një këlysh të vogël, ishte aq i bukur sa për momentin m’u duk si një qen kukull. Një përzierje ngjyrash bezhë me të bardhë, me qime të dendura, sytë e vegjël të zinj, të jepnin përshtypjen sikur mbaje në dorë një lodër me bateri. Në fillim lehu pak, por sa pa ushqimin tundi bishtin me kënaqësi. S’e di pse në mendje më erdhi emri “Lordi” dhe kështu e thirrëm. U kujdesëm të gjithë për të, njësoj si për Xhinën. Pas dy muajve shtëpia mbaroi, por edhe kolibja e Lordit ishte e rehatshme dhe e bukur...

Gëzimi më i madh ishte hyrja në shtëpinë e re. Ëndrra e parë në vite u bë realitet. Mbolla shumë lule duke përfshirë edhe lule dimri, për të pasur gjelbërim në çdo stinë, duke i dhënë rëndësi dekorit natyror. Tani çdo gjë ishte në harmoni me vijimësinë e jetës… E shihja shtëpinë dhe nuk ngopesha duke bërë ecejake, sa brenda, jashtë.

Tashmë edhe Lordi më i rritur kishte një lehje më të rëndë, ishte i lirë të patrullonte natën. Kur qëllonte të kalonte mjeshtri turivarur, Lordi i lehte fortë. Intuitë qensh, mendoja përherë. Një natë Lordi, kishte një lehje të çuditshme. Ardi u ngrit dy herë, por asgjë nuk pipëtinte. Çdo mëngjes ngriheshim të gjithë. Fëmijët për në shkollë dhe ne të dy për në punë. Të gjithë përkëdhelnin Lordin pastaj iknin. Afër pragut të portës një qen i dobët kockë e lëkurë ishte shtrirë sa gjatë e gjerë. Nëpër trup ishte mbushur me plagë dhe pulla pulla gri. Ardi iu afrua dhe lëshoi “Ooo, oh!” të gjatë plotë dhimbje. “Xhina, Xhina si je katandisur”. U mat ta ngrinte ta fuste në makinë për ta çuar tek veterineri... Por përpëlitja e fundit e kapakëve të syve të saj, jepte të kuptonte se po nxirrte frymën e fundit. Askush nuk dinte si kishte shpëtuar Xhina nga zinxhirii fortë i atij 'qen bir qeni' se si kishte ecur natën dhe ditën në drejtimin e shtëpisë sonë. Sa ditë kishte duruar e pangrënë duke ecur. Qafa e saj ishte bërë plagë prej shtrëngimit të litarit dhe nëpër trup kishte shenja purteke, ku ishte qëlluar.

Fëmijët e mi i thërrisnin me trishtim: ’’Xhina, Xhina, o ba, Xhina po ngordh!...

Ardi tundi kokën në shenjë pohimi. Lodhja rraskapitëse, ndoshta edhe xhelozia, sepse një natë më parë kishte parë Ardin dhe fëmijët të loznin me Lordin, njësoj si me të, e ngordhën përfundimisht. E varrosëm në një cep të tokës, duke i vënë sipër një gur të bardhë mali me mbishkrimin “Xhina”

Për ta pasur kujtim familjar, e pikturova Xhinën në një tablo të madhe, duke e titulluar: “Sytë e përvajshëm”.

Vjollca Tiku Pasku

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 31 vizitorë
Lexuar: 656 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi