Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Alternativa e VETËVENDOSJE!-s për Kosovën, për shoqërinë, për kombin
Publikuar më 14 prill, 2014 në orën 07:52 ( ) Lajme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e XIV të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të dashur aktivistë,
Mirë se keni ardhur në mbledhjen e XIV të organit më të lartë të Lëvizjes sonë dhe mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë moment shumë të veçantë edhe për Kosovën edhe për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Me opozitarizmin e saj në Kuvendin e Kosovës, me pushtetin e saj në Komunën e Prishtinës, me vullnetin e organizatës së saj politike dhe me dijen e Alternativës Qeverisëse, Lëvizja VETËVENDOSJE! është garancioni i luftimit të pakompromis të korrupsionit (përfshirë këtu evazionin fiskal) dhe transformimin konceptual e sasior të politikave fiskale (përfshirë këtu progresionin tatimor deri në 30%). Pikërisht kjo e bën shtetin e Kosovës edhe të drejtë,edhe zhvillimor dhe edhe social.

Qeverisjet e pasluftës në Kosovë nuk ndodhen te regjistri i zhvillimit ekonomik por tek ai i kontabilitetit financiar. T’ia marrësh buxhetin shtetit e t’ia japësh konzorciumit Bechtel-Enka në dy autostrada dhe të thuash që u rrit kaq për qind Bruto Produkti Vendor nuk është zhvillim por kontabilitet.

Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Britani të Madhe në vitin 1870 ishte 3190 $ (sipas dollarëve të vitit 1990, të përshtatur për nga fuqia blerëse). Sot, në Kosovë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori është 2721 €. Përafërsisht i bie që Kosova sot standardin e jetesës për qytetarët e saj e ka në nivelin e Britanisë së Madhe së para një shekulli e gjysmë. Prandaj, nuk bëhet fjalë për kurrfarë Kosove që i afrohet Evropës, përkundrazi, bëhet fjalë për një Kosovë e cila është gjithnjë e më larg edhe qytetarëve të saj.

Sa më afër Bashkimit Evropian aq më shumë e dimë se do të duhej të luftohet korrupsioni i lartë, përfshirë këtu edhe Kosovën. Shembulli i Kroacisë është ai që na e tregon këtë gjë. Mirëpo, pikërisht kjo është arsyeja pse koniuktura aktuale qeverisëse në Kosovë nuk do, sepse nuk ka interes t’i afrohemi Bashkimit Evropian për anëtarësim aty.
Në kontrast me gjithë këtë, Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i ngrit temat dhe jep zgjidhjet si asnjë qeveri tjetër, edhe kur tri partitë tjera ishin dy nga dy në koalicion, apo edhe atëherë kur ishin të tria së bashku.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! tatimi progresiv është tatim i drejtë:
Për pagat ose të ardhurat deri në 170 euro do të jetë tatimi zero, për pagat deri në 500 euro do të ketë ulje të tatimit, ndërkaq për pagat mbi 1.700 euro, që i bie dhjetëfishi i pagës minimale do të jetë tatimi 30%;

Do të kemi rimëkëmbje të industrisë prodhuese:
300 milionë euro do t’i investojmë për Trepçën në katër vitet e mandatit të pare qeverisës, do t’i ndërtojmë dy termocentrale (B3 dhe B4) me nga 300 MË, do të kemi subvencionim të industrisë përpunuese ushqimore dhe të tjera në bashkëpunim me kapitalin privat vendës dhe të huaj;

Të drejtat e punëtorëve dhe organizimin sindikal do t’i balancojmë me interesat e kapitalit:
Çdo punëtor një kontratë, pushim lehonie 12 muajsh, paga minimale për punëtorët dhe paga maksimale për menaxherët, inkurajim i organizimit sindikal, shumëfishim i inspektorëve të punës dhe themelim i gjykatës së punës;

Bujqësia do të jetë e tillë që do t’i zëvendësojë importet:
Qysh në vitin e parë do t’i kemi 60 milionë investime, në vitin e dytë 90 milionë investime, në vitin e tretë 120 milionë investime, prej të cilave 65% do të jenë subvencione, ndërkaq 35% grante. Do të bëjmë funksionalizimin e sistemit të ujitjes Ibër-Lepenc, dhe një rrjet kombëtar të pikave të grumbullimit;

Arsim publik do të jetë pa pagesë, por edhe i lidhur me ekonominë:
Do të bëjmë hapjen e gjashtë shkollave të larta profesionale, ushqim falas për të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë të shkollës fillore dhe në të njejtën kohë do ti angazhojmë studentët e shkëlqyer universitarë dhe pasuniversitarë si mësimdhënës në arsimin e mesëm;

Sigurimet shëndetësore publike do të jenë të garantuara dhe të realizuara, për shkak se nuk ka shëndetësi të publikut pa sigurime shëndetësore publike:
Me këtë rast do t’i katërfishojmë investimet në shëndetësi, duke i modernizuar spitalet dhe duke e ndëshkuar korrupsionin pa mëshirë;

Rritja e pensioneve:
Do të jetë e tillë që do ta ndërpresim skemën në sistemin aktual të vetëfinancimit, duke kaluar me një fazë tranzitore te sistemi i solidaritetit midis gjeneratave, me kontribut shtesë 3% + 3%, që gjithsejt do të jetë 8% punëdhënësit dhe 8% punëmarrësit, asisoj që nga shtylla e dytë do të kemi bartje tek shtylla e parë e kësaj pjese shtesë, që e zvogëlon barrën buxhetore për pensionistët ekzistues, por në të njëjtën kohë realizon që pensioni minimal të jetë 150 euro ndërkaq pensioni obligativ 280 euro, sepse vetëm kësisoj do të mund të themi se edhe pensionistët jetojnë e jo vetëm mbijetojnë;

Lëvizja VETËVENDOSJE! është ajo që edhe e afirmon, por edhe do ta realizojë politikën e bashkimit të Mitrovicës dhe kombit:
Nuk mund të themi që mund të ketë Kosovë të bashkuar e të përparuar, pa Mitrovicë të bashkuar dhe nuk është Qeveri ajo e cila nuk arrin t’i heq dot për tri vjet as dy kamionë dhe nga ura mbi Ibër;

Më tej, ne do të angazhohemi maksimalisht për treg dhe monedhë te përbashkët me Shqipërinë, komision ndërqeveritar kombëtar, për mbrojtje e siguri, politikë të jashtme, burime natyrore e zhvillim ekonomik, si dhe integrim të pakicave, integrim ky socio-ekonomik nëpërmjet barazisë shoqërore e jo ç’integrim si e kemi aktualisht, nëpërmjet privilegjeve institucionale.

Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje Ligji do të jetë Ligj për barazi dhe ky ligj do të shkojë deri në konfiskim të pasurisë së paligjshme:
Drejtësia e demokracia nuk i privatizojnë ndërmarrjet publike qe t’i pasurojnë qeveritarët, por ato i shpronësojnë pushtetarët uzurpatorë;

Një theks të veçantë ne Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ne i japim bankave. Ne konsiderojmë se kemi nevojë për banka për zhvillim, jo për fajde:
Institucionet mikrofinanciare që përbëjnë 3.4% të sektorit financiar në Kosovë janë turbo-fajde, ndërkaq bankat janë fajde, për shkak se normat e kamatave në Bashkimin Evropian janë 5%, e në Kosovë mesatarisht janë 14%, dhe atë mbi 18% për bujqësi e rreth 12% për mallra konsumi. Dhe, nga korpusi i përgjithshëm i kredive në Kosovë, 4 % janë për bujqësi, vetëm 11% për prodhim dhe 52% për tregti. Kjo duhet të përmbyset dhe me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje edhe Banka Qendrore e Kosovës do të jetë bankë Qendrore e një shteti zhvillimor, e jo kësisoj e një pushteti pa shtet.
Bankat me të vërtetë i kanë letrat, edhe kanë transparencën, por fajdja me transparencë, fajdja me letra është fajde arrogante, e nuk është një jofajde. Transparenca nuk e zhbën krimin, por përkundrazi e bën krimin më arrogant. Kjo situatë duhet të ndryshojë radikalisht në Kosovë. Besojmë që kjo do të bëhet, pikërisht me vizionin tonë zhvillimor, i cili e vë theksin tek bankat investive dhe agrobankat, e jo vetëm tek bankat komerciale, siç është aktualisht rasti.

Delegatë të nderuar të Këshillit të Përgjithshëm,

Partitë tjera njëherë i paraqitën kandidatët për kryeministër e pastaj eventualisht pak program që ia përshtatin kandidatit. Lëvizja VETËVENDOSJE! është ndryshe dhe do ta bëjmë Kosovën ndryshe. Ne shprehim koncepte dhe jemi alternativë para se të jemi emra e persona të veçantë.

Politika e VETËVENDOSJE!-s qysh në Kuvendin e Kosovës është dëshmuar publikisht dhe botërisht, për konsistencën e saj. Ne i kemi mbrojtur interesat e punëtorëve dhe të papunëve, ku kjo është shprehur në të gjitha diskutimet tona për ligjet, rezolutat dhe në ngritjen e zërit, kur i kemi kundërshtuar privatizimet e egra dhe abuzive.

Ne i kemi mbrojtur interesat e shtetësisë, duke i kundërshtuar negociatat (teknike politike), pazaret me Serbinë e ligjin për amnisti të kriminelëve serbë dhe duke çuar përpara mocionin për reciprocitet me Serbinë.
Kemi propozuar ligjin për viktimat e dhunës, kemi mbrojtur interesin e veteranëve të luftës. Dhe, kemi ndërmarrë mocione e rezoluta në këtë drejtim dhe kemi denoncuar në seanca e mbledhje kriminelët e pandëshkuar të Serbisë së shkuar e të tashme.

Kemi mbrojtur interesin shoqëror e publik e shtetin e së drejtës, duke denoncuar korrupsionin, nepotizmin, marrëdhëniet klienteliste, e krimin ekonomik.
Këto çështje përfshijnë nga Sistemi arsimor e shëndetësor deri te Radio Televizioni publik.
Kemi propozuar Draft-ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme (të cilin e presim së shpejti të trajtohet në Kuvend).

Mënyra se si qeveris LDK-ja është e njëjtë me atë se si qeveris PDK-ja e Thaçit. Kjo shihet qartë në ndërmarrjet publike lokale dhe ato qendrore. Asnjë anëtar bordi nuk ka dalë kurrë të denoncojë vjedhjen dhe krimin ekonomik në ndërmarrjet tona publike. As të dërguarit nga LDK as nga PDK.

Të gjithë e mbajmë në mend se si para balotazhit në Prishtinë shumë militantë të LDK-së thoshin që LVV kur të fitojë ua konfiskon pronat private. I frikësonin qytetarët, kur frikësoheshin vetë. Po, kur ne vijmë në qeverisje, tash më po e dëshmojmë se shumë arsye kanë pse të frikësohen ish-pushtetarët e korruptuar, mirëpo jo qytetarët, për të cilët përmirësohet menjëherë dhe pakthyeshëm jeta.

Gjithashtu, nuk kemi si mos ta bëjmë një konstatim themelor, që shumë më i fuqishëm ka qenë Isa Mustafa e LDK-ja në Prishtinë sesa Thaçi e PDK-ja në Kosovë. I pari ra, edhe i dyti do të bjerë.

Pushtetet jodemokratike, që e kapin shtetin dhe instalojnë regjime, janë ato të cilat duan që njerëzit të mendojnë kolektivisht e të veprojnë individualisht, në mënyrë që pasi të mendojnë kolektivisht, të jenë më shumë kolektivisht sesa të mendojnë, dhe madje mos të veprojnë as individualisht. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! do të jetë e kundërta: secili qytetar i Republikës do të mendojë individualisht e do të inkurajohet veprimi kolektiv, për shkak se bashkë jemi shumë më të fuqishëm dhe bashkë bëjmë gjithçka të mundshme.

Gjatë një mandati qeverisës, kryeministri aktual Thaçi, katër vjet e dëgjon Serbinë dhe ia plotëson kërkesat Daçiqit, e mandej disa javë para zgjedhjeve ua rrit rrogat qytetarëve që kanë fatin të jenë të punësuar. Kjo është mënyra tërësisht e gabueshme për të udhëhequr me pushtetin dhe me shtetin. Ne kemi nevojë për punësim, për kushte më të mira të punës, për shërbime më të mira publike dhe jo për sjellje të këtilla, ku kryeministri na shfaqet si pronar i buxhetit, të cilin e pranon vet që po e keqpërdor, e pranon vet që është mbi ligjin e demokracinë, mirëpo thotë edhe juve të tjerëve do t’ua rrisë ca dromcat, të cilat janë dromca nga pikëpamja e tij, madje edhe më pak se dromca kur shihen nga milionat e tij, por janë natyrisht më shumë se dromca për arsimtarët dhe minatorët e varfër.

Të gjithë jemi dëshmitarë se kohëve të fundit, sërish, është vënë në pikëpyetje shtetësia e Kosovës. Tema kryesore është vazhdimi I EULEX-it në emër të transformimit dhe gjykata e veçantë apo tribunal, për UÇK-në, për Kosovën, për krimet në Kosovë. Ende nuk dihet në fakt se cili do të jetë emri i vërtetë i tij. Pra, nuk diskutohet më a do të ketë tribunal apo jo, por cili do të jetë emërtimi dhe sërish, nuk diskutohet a do të ketë tribunal apo jo, por cili do të jetë vendi i tij. E vendi i tij, në fakt është instancë supreme, Bashkimi Evropian apo Organizata e Kombeve të Bashkuara. Dhe neve shantazhohemi tash, na thuhet duhet ta zgjidhni të keqen më të vogël. Na shkoi jeta duke e zgjedhë të keqen më të vogël! Duke e zgjedhë të keqen më të vogël, ti e mirëmban të keqen. Pse mos ta zgjedhim të mirën? Pse ta zgjedhim vazhdimisht të keqen më të vogël? Prandaj, këtë shantazh të dyfishtë Lëvizja VETËVENDOSJË! e refuzon në mënyrë parimore dhe kategorike.

Për gjashtë vjet EULEX-i i ka shpenzuar rreth një miliardë e gjysmë euro të taksapaguesve evropianë. Në vend se të japë llogari për punën e mospunën e vet, tash të njëjtit flasin për nevojën për një gjykatë të veçantë për Kosovën dhe po bëjnë trysni mbi deputetët për ta votuar atë. Pra, qëllimi është që tash kur po transformohet, në fakt, po ripërtërihet EULEX-i, ai të mos jap llogari as në Evropë, ashtu qysh nuk dha kurrë llogari në Kosovë. Me fjalë të tjera, EULEX-i po e kosovarizon Evropën duke u sjellë papërgjegjshëm edhe ndaj saj, ashtu siç u soll ndaj Kosovës. Në BE tashmë është jashtë agjendës raporti i EULEX-it për veprimtarinë e tij gjashtë-vjeçare në Kosovë, sepse tema e parë dhe e fundit është Tribunali apo Gjykata për Kosovën. Nuk është e rastësishme që çështja e ripërtërirjes së EULEX-it dhe ajo e Gjykatës së veçantë janë bërë bashkë në të njëjtën letër të Presidentes Jahjaga.

Duke iu falënderuar këtij kryeministri dhe deputetëve që e përkrahën atë nga pozita e nga opozita, zbatimi i marrëveshjes me Serbinë që na e bosnjëzon Kosovën, do të monitorohet në zbatimin e saj nga EULEX-i. EULEX-i i ripërtërirë do të merret sidomos me zbatimin e marrëveshjeve të kryeministrit Thaçi me Daçiqin, gjersa nuk i jep llogari Kosovës, paradoksalisht EULEX-i do të përfundojë duke i dhënë llogari Serbisë, duke u justifikuar e arsyetuar karshi Serbisë si palë.

Nëntë vjetët e UNMIK-ut ishin gjykatë e veçantë. Gjashtë vjetët e EULEX-it po ashtu ishin një gjykatë e veçantë për neve. E veçanta e kësaj gjykate të veçantë që po vjen tash, është se për dallim nga UNMIK-u dhe EULEX-i do të jetë e pakufizuar në kohë.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
përvoja e ka dëshmuar se edhe kur fiton Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk fitojnë njerëzit e saj, nuk fitojnë udhëheqësit e saj. Pra, Shpendit, i është shtuar stresi e i është shtuar lodhja prej se ka fituar, i janë zvogëluar edhe orët e gjumit edhe koha e lirë prej se ka fituar, e i janë shtuar edhe kërcënimet, duke ia zvogëluar rrogën. Pra, e shihni se çka na ndodh neve kur fitojmë. Pra, ne kur fitojmë nuk fitojmë vet, por fitojnë qytetarët. Pra, fitorja e VETËVENDOSJE!-s nuk është fitore e asnjë aktivisti të saj. Prandaj, misioni jonë është i jashtëzakonshëm. Por, duhet ta themi edhe tjetrën. Që atëherë kur nuk fiton Lëvizja VETËVENDOSJE! sërish nuk humbim ne si individë, humbin qytetarët, për shkak se ne do të jemi të pandalshëm gjithmonë në angazhimet, aktivitetet dhe punën tonë, mirëpo do të vazhdohet keqqeverisja e cila shtetit po ia merr pasuritë, e cila Republikës po ia merr territorin, ndërkaq qytetarëve të Republikës po ua merr mirëqenien.

Tash se Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte për herë të drejt dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! është Lëvizja e drejt janë duke parë qytetarët e Kosovës, jo vetëm ata të cilët ishin pranë nesh, por, madje edhe ata të cilët nuk ishin pranë nesh. Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! po forcohet si asnjëherë më parë, dhe unë jam i bindur që do të fitojë Lëvizja VETËVENDOSJE!, nuk do të fitojë asnjëri prej nesh individualisht, dhe mbi të gjitha do të fitojë Kosova si shoqëri, si popull e kombi shqiptar në përgjithësi.

Ju e keni parë që numri i njerëzve që po i bashkohen Lëvizjes VETËVENDOSJE! është gjithnjë e më i madh, dhe të gjithë këta paraqesin forcë të shtuar, paraqesin vlerë të rritur të Lëvizjes sonë. Ne me këtë rast, natyrisht, se kemi edhe kënaqësinë edhe privilegjin që t’i mirëpresim ata. Andaj, unë sot e kam nderin e veçantë që para të gjithë juve ta them lajmin e gëzueshëm për të gjithë neve, se në Lëvizjen VETËVENDOSJE! është bashkuar edhe aktivisti i palodhshëm, pra i pandalshëm dhe i pakorruptuar, pra i pakorruptueshëm i shoqërisë civile, Avni Zogiani.

Mirë se vjen Avni, dhe jam i bindur se rruga jonë, e cila është shumë e vështirë, do të jetë dukshëm më e lehtë, për shkak se do të jemi bashkë.

Faleminderit shumë të gjithëve,
Faleminderit Avni,
Dhe tash besoj që do të mund të vazhdojmë edhe me debatin për situatën politike e ekonomike këtu.
Faleminderit!

Lëvizja VETËVENDOSJE!

13 prill, 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 343 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
URIME KOSOVE, TE PRIFTE E MBARA!
E diel, 04 prill 2021 - 20:37
.
EPOPEJA...!
E diel, 07 mars 2021 - 00:08
.
Lufta e UÇK-së bashkon tre shtete
E premt, 27 nntor 2020 - 23:25
Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ush...
K O M U N I K A T Ë
E premt, 20 nntor 2020 - 14:59
SHOQATA “YJET QË NUK VDESIN & OJQ “YOUTH FORUM PERSPEKTIVA” K O M U N I K A T...
Marrëveshja Kosovë-Serbi
E premt, 04 shtator 2020 - 20:59
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshje ekonomike me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washingt...
më shumë nga - Lajme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi