Studiuesi britanik dhe autori i shumë librave për Kosovën, James Pettifer ka ftuar institucionet e Kosovës që të mos e votojnë themelimin e Gjykatës Speciale, të cilën ai e ka quajtur si sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit ligjor të Kosovës.
Ai ka thënë se edhe nëse krijohet një gjykatë e tillë, institucionet vendore duhet të mos bashkëpunojnë me të, duke përkujtuar se shqiptarët e Kosovës e kanë dëshmuar vetën me bashkëpunimin e tyre pozitiv me Gjykatën e Hagës dhe trupa të tjerë ndërkombëtarë. Duke kundërshtuar fuqishëm themelimin e kësaj Gjykate, Pettifer vlerëson se kjo është një përpjekje e disa qarqeve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilave nuk u ka pëlqyer pavarësia e Kosovës. “Kuvendi i Kosovës vendosi në vitin 2013 se kishte ardhur koha që misioni për sundim të ligjit EULEX të përmbyllej dhe që Kosova të bëhej përgjegjëse për sistemin e saj ligjor. Përpjekja për ta tejzgjatur mandatin e EULEX-it nëpërmjet vendosjes së Tribunalit të propozuar, është një sulm i drejtpërdrejtë kundër sovranitetit ligjor të Kosovës”, ka vlerësuar veç të tjerash analisti britanik James Pettifer.
Përderisa një numër analistësh dhe diplomatësh të huaj tërheqin vërejtjen për rreziqet që sjell e ashtuquajtura Gjykatë Speciale që denigron luftën e UÇK-së, krerët politikë në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqartë në qëndrimet e tyre. Madje, kryetarja Jahjaga i ka dhënë vetës të drejtë që t’i dërgojë letër shefes së lartë të BE-së, Catherine Ashton, ku i shpreh gatishmërinë për krijimin e kësaj Gjykate, e cila merret me shpifjet që burojnë nga raporti i Dik Martit.
|