Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
REPUBLIKA E MBIKQYRUR?! (Një moskuptim i përsëritur)
Publikuar më 17 prill, 2014 në orën 04:27 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
1.
“Ah, sa bukur po digjet zemra e këtij qyteti të lashtë”, pëshpëriste zëshëm e gjithë gëzim Arthur Harris, gjenerali i aviacionit mbretëror britanik që, në fror të vitit 1945, dha urdhër të bombardohet Dresdeni, një ndër qytetet më kulturore të Gjermanisë. Dhe s’do ti bëhej kurrë gjyq barbarisë tij smirzezë ku gjetën vdekjen rreth 30.000 njerëz, në çastin kur metropoli hitlerian, tashmë, ishte thyer e kapitulonte.

Do të evokoja këtë dromcë historie, i përnxitur nga ideja e një gjykate të paralajmëruar speciale për Kosovën që përhihet në horizont. Ajo, për mirë a keq, do të ngrihet dhe shqiptarët, të pandehur e dëshmitarë, do kalojnë nëpër bankat dhe përballjen e saj. Në fillesën e këtij pohimi, ndërkaq, nuk qëndron assesi logjika e fajpranimit apo e qyqarisë që sikur do sugjëronte: le të ndodhë ajo që s’mund të sprapset dot!
Nisma është, gjithësesi, e rëndë, racialisht mosbesuese dhe revansh i fuqive të errta të Europës së nënujshme. Por ajo, si një prurje e mirë dytësore e fatkeqësisë, së paku do të provojë dy gjëra fundamentore: ose fiktivitetin e pretendimeve penale – e aherë do shplahej përfundimisht fytyra kolektive e shqiptarëve nga përshkëllima e shpifur ose ndëshkimin e krimeve reale – e aherë ata do të bënin tutje, por pa peshën frenuese të tyre në ndërgjegje a në shtetndërtimin e emancipuar politik.“Unë nuk dua asnjë lloj madhështie për vëndin tim, nëse ajo është prej gënjeshtre dhe gjaku të pafaj”, i shkruante Kamy mikut imagjinar gjerman gjatë ferrit që pat pllakosur Europën në messhkull, etikë e çmuar që mund të transponohet fare mirë dhe në hullinë e lirisë.
2.
Megjithatë, në qarkullim të ligjshëm mbeten dy pyetje të vështira e me përgjigje të pazot. E para, një Instancë drejtësie për krime lufte në ish-Jugosllavi, pra edhe për Kosovën, vijon të jetë ende mandatplotë. Në filtërin e saj defiluan mundimshëm shqiptarë që, përpjestimisht me banorësinë e përgjegjësinë, kjenë më të shumtë se ndër të gjithë fiset sllave. Po të quhej e nëvojshme ata do defilonin prapë dhe për hiret e Dick Martyt spekulativ. Ndaj, përse tani ky institucion i posaçëm gjyqësie për shqiptarë? Dhe e dyta, në mbyllje të Luftës së mbramë botërore, nuk pati një “Nyrnberg” të përzier shumëpalësh dhe as dy të ndarë e të veçantë: një për okupatorë, pra për Hessin e projekteve të shfarosjes, dhe një tjetër për çlirimtarë, pra për britin Harris apo për partizanët e qendrestarisë franceze. Kishte, logjikisht, një të vetëm: për shëmtinë arianiste!
Tragjika që shkaktuan serbët në Ballkanin perëndimor dhe përmasa e ndëshkimit ishin krejt asimetrikë. Meqë kjenë të njëllojtë për kauzën, a pati si për nacistë, një “klauzolë faji” dhe, prandaj, një “Nyrnberg” vetëm për idenë marroke të shtetomadhësisë dhe epërsisë së gjenit sërbian? A u formua, poashtu, një Komision defashistizimi që do të bënte spastrimin e shpirtërave të helmuar me dogmën groteske të “popullit qiellor”? Dhe a do të pasonte, mandej, ndalesa e forcave politike që parashestuan e nisën marshin e përtritjes së “shekullit të artë”serbian? Ai ishte i përbashkët (okupatorë e çlirimtarë) kurse frymësia e programeve ekspanduese gjallon ende fort, përfaqësuar gjithnjë nga partitë që, aherë e sot, i prijnë Sërbisë! Që këtej, sado vogëlsore të ngjajë, sikur nuk shmanget dot hatërmbetja për njëlloj dileme imorale të Europës: e rëndon, vallë, më shumë brejtja e ndërgjegjës për krimet serbe apo pendesa për dënimin e tyre?
Në Kosovë, ndërkaq, gjithçka rrjedhon ndryshe. Matet e ç’matet mijëra herë. Megjithë vonesën historike dhe vargun e pakëputshëm të të zezave, peshorja kurdiset me një delikatesë e përpikëri të lodhshme. Ndërkohë që për anglezë, pastaj amerikanë që behën nga përtejdetet, degolistë të Frontit fisnik të Rezistencës a për rusë që rrafshuan egërsisht tokat e lulëzuara pas dorëzimit gjerman, nuk pati asnjë tribunal – për shqiptarët që iu përfalen po këtij ideali dhe po kësaj të drejte, ka dy të tillë: i pari në Hagë dhe tash kjo pasrendësja e posaideuar, me selitë alternative dhe misionin e turbullt. E mendonin të mbyllur periudhën adoleshente të mbikqyrjen së pavarsisë, po, me sa duket, paskësh qenë veçse një farsë abrogimi i saj. Survejimi dorëfshehtë i krijesës së brishtë vijon në formë e format tjetër, sikur shqiptarët të jenë trollëzuar gabimisht a idhnakësisht në hapsirën ku zënë n’thua të gjithë!..
Do të ishte e mirëpritshme përndjekja e krimit, politik e ordiner, të pasluftës që ka kërrusur shumë qenien kombëtare, gati në kufi të ekzistencës. Rikëndellja nga plagët e tyre do të përjetohej si një çlirim i dytë, i vërtetë i Kosovës. Këto, e jo të paprimet e luftës që, ndonëse nuk pati presedan e as praktikë, sërish u lustrifikuan në proceset maratonike të Sheveningenit, duhej shenjuar si e keqja megashtegtuese e Kosovës së lirë. Jurisprudenca kosovare për shkak të mendësisë së trashëguar, kulturës së munguar dhe armaturës mafiokratike, nuk mund të vënte dorë të mbarë mbi asgjë. E ç’punonin, prandaj, drejtësiprerësit e zhurmshëm europianë (“Eulex”) për të zbardhur, pakësuar a pastruar ato? Apo, ndoshta, kjenë të zënë me statusin e Republikës dhe bënin politikë? Më keq akoma: mos, vallë, u bënë dhe vetë pjesë fijesh të tyre? E krejt së mbylluri: athua dhe Gjykatorja speciale të ketë përbetimin thelb e shtysë të pikësynimit të saj?
Njëmend shumë nga titajt e moteve paskolonialiste, luftëtarë të devotë të dikurshëm a figurantë uzurpatorë të legjendës së saj, janë inkriminuar, deri animalizuar keq dhe ngujimin e tyre pas grilave nuk do ta vajtonte kush. Por dyshimi (ah, dyshimi sokratik) për lojën e madhe, në të cilën, pasi tashmë Krimeja ndërroi zot, rikonsiderohet roli i djegur hegjemon i Sërbisë së kreshpërosur, lë shijen e një zhgënjimi të hidhur. Mbase përligjet, kështu, një raport, në dukje simbolik, por që dërgon larg fillin e pasojave të pallogaritshme për Europën vetë: vrasësi thirret të ngrejë ballin lartë e të ndjehet krenar, kurse viktima e tij të ulë kryet e të ndjehet me turp. E drejta e saj natyrale e lirisë kthehet, ashtu, në kundërvlerë, në atribut ilegal e të papërkitshëm me substancën etnike dhe konfigurimin gjeopolitik që lëviz e përvijohet vazhdimisht!..
Por ja, kështu duket, gati si e shkruar: shqiptarët nuk kanë një dalëzotës që, me prirje e orientim aleancash armiqësore ndaj Europës, të shantazhonin interesin e saj jetik. Janë europianistë të kulluar dhe s’kanë ku të venë. Ajo e di këtë, ndaj, veç inercies së vjetër, kjo është arsyeja që në sferat e epërme komunitare nuk vërehet një ngut për ti qasur, për ti nxjerrë nga rezervati kënetor ku janë zhytur e mbytur. Në ftoma të kalesës, mes tyre dhe saj, ka pasur shpesh marrëdhënie e përkatësi natyrshmërie, po jo rrallë dhe moskuptim të thartë. Do t’ishte fatale për të dytë, sikur ky i fundmi të hidhte sërish pëlhurëzën merimangëse të tij...

Rexhep Kasumaj

Berlin, prill 2104

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 44 vizitorë
Lexuar: 612 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi