Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KMDLNJ: Presioni, kërcënimi, shantazhi që po i bëhet Kuvendit është antiligjor
Publikuar më 22 prill, 2014 në orën 16:06 ( ) Lajme |
Rrit madhësinë e shkronjave
KMDLNJ- konsideron se deputetët e Kuvendit të Kosovës po detyrohen që me një procedurë të përshpejtuar të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale kundër krimeve të supozuara të UÇK-së që mbështeten në hetimet për Raportin e senatorit dhe ish prokurorit zviceran, Dik Marti. KMDLNj e kundërshton themelimin e kësaj Gjykate Speciale si nga forma e saj e sidomos për shkak të përmbajtjes, sepse kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së është e njënshme, paragjykuese dhe ndanë “drejtësi” në mënyrë selektive vetëm kundër një pale ndërluftuese, asaj shqiptare. Në praktikat ndërkombëtare nuk mund të gjeni një rast të ngjashëm. As edhe një rast të vetëm. Kjo Gjykatë Speciale pretendon të ndajë drejtësi kundër UÇK-së, ekskluzivisht në baza etnike duke hetuar vetëm shqiptarët që është e papranueshme si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë moral. Sidomos në aspektin e të drejtave të njeriut.

Gjykata kundër UÇK-së e devalvon skajshmërisht punën e gjykatave ndërkombëtare (Tribunali i Hagës, Gjykatat e udhëhequra nga UNMIK dhe EULEX) ndërsa gjykatat vendore i defaktorizon deri në turpërim. Sipas parimit juridik çdo deklaratë apo vendim nën kushte të dhunës, kërcënimit, shantazhimit apo formave tjera të presionit, sikur po i bëhet Kuvendit konsiderohet si e pavlefshme. Edhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së po themelohet në rrethana të tilla prandaj edhe do të jetë e pavlefshme. Si e tillë nuk duhet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës aq më parë që po llogaritet si fyese e pashembullt dhe e padrejtë, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së, lidhur me Tribunalin kundër UÇK-së.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë që nga 14. 12. 1989 (data e themelimit) monitoron gjendjen e të drejtave të njeriut.Në këtë kontekst ka monitoruar përshkallëzimin e dhunës shtetërore të Serbisë sidomos para fillimit të luftës në vitin 1996,97; gjatë kohëzgjatjes së veprimeve luftarake 1998, 1999; dhe pas përfundimit të luftës. KMDLNj ka qenë organizata e parë joqeveritare në hapësirat e ish Jugosllavisë që ka ushtruar denoncim penal kundër udhëheqësve më të lartë të ish Jugosllavisë dhe Serbisë për dhunën dhe krimet në Kosovë. Gjithashtu, KMDLNj ka dorëzuar kallëzim penal dhe materiale dëshmuese në Tribunalin e Hagës para fillimit të luftës si dhe ka bashkëpunuar me këtë Tribunal gjatë tërë kohës duke siguruar prova materiale dhe dëshmitarë. Pas përfundimit të luftës, KMDLNj ka dorëzuar denoncime penale në të gjitha prokuroritë në Kosovë për krimet e bëra nga shteti i Serbisë me prova të bollshme, edhe për kryerësit e mundshëm të këtyre krimeve. KMDLNj ka vazhduar bashkëpunimin edhe pas përfundimit të luftës me Tribunalin e Hagës, hetuesit për krime lufte të policies së UNMIK – ut si dhe hetuesit për krime lufte të Policisë së EULEX – it për raste që ata kanë shprehur interesim. Është e çuditshme se interesimi më i madh i këtyre hetuesve kanë qenë krimet që i kanë kryer shqiptarët kundër serbëve dhe shqiptarëve sesa krimet që janë bërë kundër shqiptarëve e që përbëjnë 97.2% të këtyre krimeve.

KMDLNj, në të gjitha rastet ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që urdhëruan krimet, nuk i penguan, i ndihmuan apo i kryenë ato krime. KMDLNj asnjëherë nuk i ka ndarë apo trajtuar viktimat sipas përkatësisë etnike e as të dyshuarit për krime lufte nuk i konsideron sipas përkatësisë etnike. KMDLNj nuk ka qenë i kënaqur me punën e Tribunalit të Hagës i cili, më shumë e ka luajtur rolin e një mirëmbajtësi të situatës së sigurisë dhe stabilitetit politik duke shpërndarë përgjegjësinë te të gjitha palët e përfshira në luftë. KMDLNj ka shfaqur pakënaqësi edhe me ndërkombëtarët në Kosovë ( UNMIK dhe EULEX ) që kanë pasur ekskluzivitet dhe pronësi të plotë në hetimin, gjykimin dhe shqiptimin e dënimeve për raste të krimeve të luftës. Dështimet për dënim të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë kanë qenë të motivuara politikisht duke i bërë lëshime të pakuptueshme dhe jonormale Serbisë gjë që i ka dëmtuar shumë viktimat e luftës, familjet e tyre si dhe është bërë shembull i keq për parandalimin e konflikteve në të ardhmen e që është njëri ndër qëllimet kryesore të gjykatave. Në disa raste, edhe ndaj të dyshuarve shqiptarë janë bërë lëshime të motivuara politikisht.

Tash, deputetët e Kuvendit të Kosovës po detyrohen që me një procedurë të përshpejtuar të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale kundër krimeve të supozuara të UÇK-së që mbështeten në hetimet për Raportin e senatorit dhe ish prokurorit zviceran, Dik Marti. KMDLNj e kundërshton themelimin e kësaj Gjykate Speciale si nga forma e saj e sidomos për shkak të përmbajtjes.

1. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së është e njënshme, paragjykuese dhe ndanë “drejtësi” në mënyrë selektive vetëm kundër një pale ndërluftuese. Asaj shqiptare. Në praktikat ndërkombëtare nuk mund të gjeni një rast të ngjashëm. As edhe një rast të vetëm.

2. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së ndanë “drejtësi” ekskluzivisht në baza etnike duke hetuar vetëm shqiptarët që është e papranueshme si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë moral. Sidomos në aspektin e të drejtave të njeriut.

. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së e devalvon skajshmërisht punën e gjykatave ndërkombëtare (Tribunali i Hagës, Gjykatat e udhëhequra nga UNMIK dhe EULEX) ndërsa gjykatat vendore i defaktorizon deri në turpërim.

4. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së është vetëm formalisht pronësi e Kosovës shkaku se të gjitha veprimet kryesore (hetimi, gjykimi, dënimi dhe vuajtja e dënimit) bëhen nga personeli ndërkombëtar dhe në shtetet jashtë Kosovës.

5. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së nuk garanton mbrojtje, siguri dhe konfidencialitet për dëshmitarët e mbrojtur por përkundrazi, për interesa personale politike dhe ekonomike do të prodhojë shumë dëshmitarë jo të besueshëm dhe të rremë. Rasti Agim Zogaj tregon qartë se sa kanë qenë të mbrojtur dëshmitarët e mbrojtur nga ndërkombëtarët.

6. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së ndonëse thirret në përgjegjësi individuale në “dyer të vogla” po e përligj përgjegjësinë kolektive të shqiptarëve duke i hetuar vetëm ata për krime lufte në Kosovë edhe pas përfundimit të luftës gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend të ish Jugosllavisë.

7. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së është e pashembullt në historinë e drejtësisë ndërkombëtare sepse hetuesit, gjyqtarët dhe prokurorët janë ndërkombëtarë e që nuk ka ndodhur në asnjërën nga gjykatat për Krime Lufte në shtetet e ish Jugosllavisë (Kroacisë, B dhe H dhe Serbisë). Në ato shtete nuk mund të gjeni asnjë hetues, prokuror apo gjykatës ndërkombëtar.

8. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së është gjykatë që themelohet, jo për të çuar drejtësinë në vend duke i shpaguar dhe mbrojtur viktimat përmes dënimit të përgjegjësive për krime lufte por për realizimin e projekteve të caktuara politike siq është ridizajnimi i skenës politike në Kosovë.

9. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së po themelohet nën një presion medial dhe diplomatik duke kërcënuar se në rast se nuk votohet nga Kuvendi i Kosovës atëherë këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në fakt, edhe Tribuali i Hagës është instrument juridik i Kombeve të Bashkuara siç janë edhe gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it që kanë punuar dhe punojnë nën mandatin e Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe,

10. Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së ndikon në tensionimin e marëdhënieve ndëretnike në Kosovë duke e penguar procesin e Ballafaqimit me të Kaluarën dhe Pajtim përmes ndarjes së “drejtësisë” selektive, njëetnike dhe vetëm kundër njërës palë (që ka pësuar pakrahasimisht më shumë) në luftën e fundit në Kosovë.

KMDLNj do ta përkrahte fuqishëm dhe do të ndihmonte nëse do të themelohej një Gjykatë Speciale për Krime Lufte për të gjitha krimet e luftës në Kosovë e cila do t’i trajtonte rastet që nuk janë trajtuar nga Tribunali i Hagës dhe gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Gjykatë e cila nuk do të ndante drejtësi selektive, të motivuar politikisht dhe në baza etnike. Gjykatë e cila do të merrte vendime në bazë të fakteve dhe nuk do t’i ndante viktimat sipas përkatësisë etnike e as të dyshuarit nuk do t’i trajtonte në baza politike dhe etnike. Këso i duhet Kosovës dhe këtë Gjykatë nuk do ta kundërshtonte askush në Kosovë! Gjykatë e cila do të merrej me zbardhjen e krimeve edhe pas përfundimit të luftës ku dyshohet se krimi është bërë për shkaqe politike apo etnike. Nëse po themelohet një gjykatë për raportin e Dik Martit pse mos të themelohen gjykatat për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, Gjykatë për Masakrën në Burgun e Dubravës, Masakrën në Meje, Studime, Poklek, Pastasellë, Therandë, Rezallë, për rastin e Ukshin Hotit dhe shumë masakra të tjera në Kosovë. Pse mos të formohet një Gjykatë Speciale për rastin e Rudnicës së Novi Pazarit ku viktimat e ekzekutuara shqiptare janë përdorur në vend të betonit dhe armaturës!!! Dhe krejt në fund. Sipas parimit juridik çdo deklaratë apo vendim nën kushte të dhunës, kërcënimit, shantazhimit apo formave tjera të presionit konsiderohet si e pavlefshme. Edhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së po themelohet në rrethana të tilla prandaj edhe do të jetë e pavlefshme. Si e tillë nuk duhet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës aq më parë që po llogaritet si fyese e pashembullt dhe e padrejtë.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 499 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
URIME KOSOVE, TE PRIFTE E MBARA!
E diel, 04 prill 2021 - 20:37
.
EPOPEJA...!
E diel, 07 mars 2021 - 00:08
.
Lufta e UÇK-së bashkon tre shtete
E premt, 27 nntor 2020 - 23:25
Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ush...
K O M U N I K A T Ë
E premt, 20 nntor 2020 - 14:59
SHOQATA “YJET QË NUK VDESIN & OJQ “YOUTH FORUM PERSPEKTIVA” K O M U N I K A T...
Marrëveshja Kosovë-Serbi
E premt, 04 shtator 2020 - 20:59
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshje ekonomike me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washingt...
më shumë nga - Lajme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi