TIRANE- Shoqata "Çamëria" organizoi sot në Bulevadin "Dëshmorët e Kombit", aktivitetin qëndror të Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë, në kuadër të 70 vjetorit të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, me moton "Ne nuk harrojmë". Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se çamët sot janë më të fortë se kurrë, pasi besojnë tek drejtësia europiane.
“Kauzën e të parëve tanë, baballarëve tanë e kemi shndërruar në kauzë kombëtare, për këtë flitet kudo ku flitet shqip”, tha Idrizi në nisje të këtij tubimi.
Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se: “Kur grekët larguan paraardhësit tanë ne ishim vetëm, nuk na u gjetën pranë misionet ndërkombëtare në shtetin grek, as atdheu as shteti ynë. Shqipëria kishte zgjedhur komunizmin si nënë e si babë, atdheu ynë nuk iu dha viktimave që dergjen në Qafë Botë një varr. Enver Hoxha e mbajti Shqipërinë vetëm, por sot bijtë e Çamërisë i ndërtuan varrezat, i bënë ata vendin e pelegrinazhit dhe Mekës së Shqipërisë”.
Ndërsa u shpreh se çështja Çame është tashëm e njohur kudo ku ka shqiptarë, Idrizi tha se projekti më i madh për ta mbetet bashkimi kombëtar.
“Çështja çame lulëzon nga Arta në Nish, aty ku shqiptarët i ka dhënë zoti. Ne jemi sot një parti e bashkimit kombëtar dhe integrimit evropian. Pa bashkim jemi më të dobët përballë botës. Ne Shqipëri jemi të vetmit që mbajmë gjallë flamurin e shqiptarizimit me aleatë të vendosur ata të Vetëvendosjes në Kosvë. Albini është mik i madh i Çmëerië. Çamëria e Kosova do ta bëjmë shqiponjën të fluturojë në mbarë hapsirën kombëtare”, tha ai më tej.
Sipas Idrizit, “Bashkimin kombëtar ia kemi borxh shqiptarëve. Bashkimi do të thotë ekonomi më të fortë, porte më të rëndësishme, një parlament të përbashkët, ne do ti heqim kufijtë politikë mes nesh, do rikthejmë gjithë burimet natyrore. Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe brenda Europës. Ne duam bashkimin me të tjerët, por në fillim të bashkohemi mes vedit, sepse ne jemi të gjithë shqiptarë. Brenda Europës ne do jemi të barabartë me Serbinë dhe Greqinë. Brenda Europës do bëjmë drejtësi për çështjen Çame”.
ALBIN KURTI: ÇAMERIA TË DALË NGA HARRESA DHE NEGLIZHENCA
Kreu i “Vetëvendosje”-s në Kosovë, Albin Kurti theksoi se ka ardhur koha që “Çamëria të dalë nga harresa dhe neglizhenca”. Sipas Kurtit, shqiptarët duhet të bashkohen në mënyrë që siç tha ai, kombi të bashkohet siç i takon dhe siç e meriton.
“Ne jemi mbledhur këtu sepse refuzojmë të harrojmë. Nuk e duam lirinë për ti shtypur të tjerët, por nuk mund të lejojmë që të jemi të shtypur nga të tjerët. Ne kemi nevojë që të eliminojmë edhe pabarazinë e shqiptarëve me të tjerët dhe brenda tyre. Ne kemi nevojë t’i bashkojmë Kosovën me Shqipërinë, në mënyrë që kombi shqiptar të jetë i fuqishëm siç i takon dhe siç e meriton. Shqiptarët janë komb i fuqishëm por me shtete të dobëta. Fqinjët tanë janë kombe me të dobëta se shqiptarët por i kanë shtetet më të fuqishme se shqiptarët. Shqiptarët duhet ta bëjë shtetin e fuqishëm. Çështja çame është pjesë e tërësisë dhe ka nevoje për vëmendjen e të gjithë neve, pavarësisht prej nga vijmë në trojet tona në Ballkan”- deklaroi Kurti.
(m.a/er.nu/BalkanWeb)
|