Përmes këngëve patriotike ka mbërritur në Kishën e Shën Marisë në qytetin e Elbasanit busti i Kryepeshkopit të Përjetshëm të ortodoksisë shqiptare, Fan Noli.
Busti u realizua nga skulptori Idriz Balani në kuadër të 100-vjetorit të meshës së parë shqip në trojet tona, pikërisht në kishën e Shën Spiridonit në Durrës më 10 mars të vitit 1914.
Famulltari i Kishës Shën Maria At Nikolla Marku ka mbajtur edhe një meshë përshpirtje dhe shenjtërimi në nder të figurës së shquar të Fan Nolit. Por At Nikolla Marku nuk kurseu akuzat.
“Fatkeqësisht sot kisha nuk është e shqiptarëve por e shovinistëve vorio-epiriotë dhe atyre që kanë bërë gjenocid ndaj popullit shqiptar që nga Çamëria e deri në Kosovën martire. E themi në Kosovën martire sepse vëllai në shovinizëm i Janullatosit është edhe Kryepeshkopi serb, Irinej. Të dy së bashku duan gjunjëzimin e popullit shqiptar në Ballkan dhe trojet etnike shqiptare. Të kërkojmë falje i shenjti Fan Noli!”, deklaroi At Nikolla Marku.
Me nismën e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” busti i Fan Nolit është kthyer përgjithnjë në kishën që ai vetë e themeloi në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit.
“…Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë! Është ky motiv që më ka shtyrë mua së bashku me atdhetarët shqiptarë kudo ku janë të themelojmë shoqatën Foleja Kombëtare Shqiptare, në gjurmët e rilindësve tanë”, tha Lida Jorgoni, kryetare e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare”.
|