Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KULTART: KULTURA DHE ARTI I NJË INTERVISTE
Publikuar më 16 korrik, 2014 në orën 01:04 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Shaqir Foniqi përballë Dashnim Hebibit)

Intelektual i popullit (Dr. Mazllum Baraliu për Shaqir Foniqin)
Prelud

SHAQIR FONIQI - KY LAJMËTAR I DRITËS

Në një konglomerat mendimesh dhe idesh, por gjithsesi edhe në një përzgjedhje citatesh në librin e tij (i cili nuk ka dyshim se i ngjet një encikolpedie në miniaturë) të shkruar për gazetarinë: Teori dhe praktikë gazetarie (Rugova Art, Prishtinë-2012), autori i këtij libri Shaqir Foniqi, ka theksuar bindjen e tij të formuar prej kohësh: “konstatimi se njeriu nuk mund të bëhet gazetar, por gazetari lind, nuk është pa baza. Është një kureshtje, një prirje, një ngacmim i brendshëm që e shqetëson vazhdimisht njeriun, që të bëhet gazetar.”(Tiparet e gazetarit).

Shaqir Foniqi
Më tej, ai ka nënvizuar mendimin se: “Të kesh ide, thotë Medovorl, është suksesi më i madh i çdo njeriu”; dhe në këtë vistër mendimesh të përzgjedhura si kokrra kripe, ai ka përmendur Martin Hajdegerin: “Një mendim ka vlerë jo nga ajo që shpreh, por nga ajo që lë pa shprehur e që, megjithatë, bën që të shfaqet, duke krijuar në një mënyrë që nuk është e natyrës së njoftimit.”

Për Shaqir Foniqin është edhe një aspekt tjetër të cilin ai nuk lë pa e vlerësuar: “Rol më të madh në gazetari ka stilistika, e cila është shkencë e shprehjes dhe kritikë e stileve individuale.” Pastaj në këtë diapazon të ideve e të pikëpamjeve, të mendimeve dhe të artikulimeve për jetën, për gazetarinë, për artin, për kulturën, për të bukurën dhe për të madhërishmen, ai ia ka lënë fjalën edhe M. Frashërit: “Gazetari duhet të jetë si mjeku që shëron sëmundjen, si meshtari që shëron shpirtin, si avokati që mbron të drejtat, por edhe si gjykatësi që ndanë drejtësinë.”

Shaqir Foniqi e ka shprehur më tej njërën prej postulatave të tij thelbësore jetësore: “Bëje aë që duhet bërë, ndodhi ajo që duhet të ndodhë.”

Ai është poeti që beson se: “S’ka asgjë më fantastike se realiteti.”
Ai është njeriu që beson në thënien e Romen Rolanit: “Duhet të mendosh ndershëm, vetëm ndershëm, qoftë edhe sikur të gjithë ngriten kundër teje!”

Ai mendon kështu dhe beson kështu, sepse tek lexon me laps në dorë, ai e shquan mendimin e Ismail Kadaresë, se: “Humbja e referencave morale, është fatale”, duke pohuar më tej rolin prijatarë prej rrufepritësve që kanë lajmëtarët e dritës: “Gazetarët, në njëfarë mënyre, janë pararojë e opinionit.”

Në pjesën tjetër të këtij libri, Stili, Etika dhe Estetika e Gazetarit, Shaqir Foniqi e ka kthyer vëmendjen kah ai të cilin e ka quajtur me të drejtë “Bardi i Gazetarisë Shqiptare”, duke theksuar në mënyrë të veçantë kontributin që ka dhënë Princi i Gjuhës Shqipe me ligjërimin e tij fjollor:

“Faik Konica, bie fjala, aq bukur e ka folur gjuhën shqipe, saqë Gijom Apolineri është shprehur kështu: “Faik Konica gjuhën baritore shqipe e ka zhvilluar dhe ngritur baraz me gjuhën letrare botërore”. Mirëpo, vetë Konica është shprehur: “Gjuha shqipe, e pa punuar aqë qindra vjet, ka nevojë për shumë përpjekje, shumë ndihma e perndrime më parë se t’arrijmë t’i japim një fytyrë të pa ndrueshme”.

Një vëmendje të veçantë, Shaqir Fonqi ia ka kushtuar edhe stilit: Të shkruash me stil dhe shumë qartë, kjo është mrekullia, sepse “stili është vetë njeriu”, thotë Buffon.

Për Shaqir Foniqin, bukuria estetike është një ushqim i përhershëm, i cili herët apo vonë shndërrohet në gjakim krijues: “Përceptimi i bukurisë estetike shkakton një kënaqësi shpirtërore të veçantë, kënaqësi estetike.”

Ndërkaq, në pjesën tjetër me një titull domethënës dhe aktual: Përse e dua lirinë e fjalës, ai ka ri-sjellur në memroien e lexuesit mendimin tepër të lartë, të themeluesit të kritikës së mirëfilltë letrare shqipe, Faik Konicës:

“O Zot, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë: Falna durimin ta thellojmë një punë përpara se të shkruajmë përmbi te! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë, që të flasim jo me paanësi po edhe të sillemi ashtu.”

Nuk do mend se Shaqir Foniqi u referohet mendjeve të larta, dijeve të larta, por edhe thënieve të arta, mendimeve me peshë, ideve të mëdha të njerëzve të ditur që kanë lënë gjurmë, që kanë hapur shtigje, që kanë trasuar rrugë, që kanë bërë emër, prandaj nuk është e rastësishme pse ai ka citur me pietet të veçantë, një nga mendimet më të bukura të një miku të tij, i cili me qëndrimin e tij, me gjykimin e tij të thellë, me kulturën e tij të gjithanshme dhe me vrojtimin e tij të veçantë nuk ka se si të mos e sjellë ndërmend Firdusin e lashtësisë së Persisë (për të cilin është thënë: Një njeri i vetmuar, rri dhe vrojton - duke pirë çaj!”); pra ka cituar mikun e tij:

“Që të jesh penë e madhe, duhet të jesh kokë e madhe!”
(A. Zogaj)

Në pjesën Intervista, e që është pjesë me thekse të veçanta, në mes tjerash ka shkruar: “Duhet krijuar një atmosferë sa më pozitive dhe kur i afroheni fundit bëni pyetje sa më të vështira. Të gjitha intervistat bëhen pasi të jetë caktuar takimi më parë. Kyçe është ta bindësh perosnin të flasë. Për ta bërë një intervistë të mirë duhet plotësuar tri gjëra esenciale: tema, personi dhe pyetjet.”

Gjithsesi, duke qenë njëri prej gazetarëve me përvojë të pasur, tashmë prej një veterani, Shaqir Foniqi e ka shfaqur opinionin e tij edhe për formën më të parapëlqyer të gazetarëve: “Gazetarët konsiderojnë se intervista është forma më e lehtë e gazetarisë dhe pikërisht këtu fshihet një rrezik i madh. E vërteta është se intervista e mirë i takon formave më të rënda të shprehjes gazetareske.”

Ai në kundrimet e tij për gazetarinë, në mendimet e tij, në analizat e tij, në formulimet e tij, në citatet e tij, në vizionin e tij në të cilin shfaqet misioni i tij, e ka dëshmuar dhe e dëshmon se i njeh mirë, madje i njeh shumë mirë labirinthet e gazetarisë. Por Shaqir Foniqi në kundrimet e tij, nuk mjaftohet me pak, prandaj u kthehet sërish mendimeve të mëdha të njerëzve të shquar nga fusha e gazetarisë, të cilët këto mendime, këto ide, i kanë nxjerrë nga përvojat e tyre të mëdha:

“Intervista, siç thotë Terry Gras, shpeshehrë nuk është gjë tjetër veçse kursi që ti ndjek për të shkruar nga diçka që ke mësuar rastësisht drejt asaj që po zbulon të ndodhë”!

Në pjesën Fejtoni, Shaqir Foniqi e ka vënë prapë në pah mishërimin e fjalës me shpirtin: “Babai i fejtonit, Geoffroy, thotë: “Fjalët e mia nuk janë rezultat i kombinacionit të ftohtë shpirtëror. Fjalët e mia janë të dirigjuara dhe të diktuara nga thellësia e shpirtit tim. Shkruaj ashtu siç e ndjej, prandaj më lexojnë.”

Le ta themi pra sërish, se Shaqir Foniqi ka bërë një përzgjedhje të tillë mendimesh dhe idesh, sepse ai ka besuar dhe beson fort në një prej thënieve më të bukura për mendësinë dhe për kulturën, thënie që e meriton përjetësinë e vet: “Që të jesh penë e madhe, duhet të jesh kokë e madhe!”

Duke e nënvizuar një mendim kaq përmbledhës dhe njëkohësisht kaq domethënës, e gjithsesi edhe me një qartësi lapidare, Shaqir Foniqi ka mëtuar për të përkujtuar se ai e çmon dhe e lartëson të bukurën dhe të madhërishmen.
Ai ka dëshmuar dhe dëshmon se i ka takuar dhe i takon një brezi gazetarësh veteranë, për të cilin fjala është kreshta më e bardhë.
Shkruaj, sepse e ndjejë kënaqësinë e krijimit pjellë të përhershme të imagjinatës dhe merakut, thoshte Ketrin Mensfield.

Shaqir Foniqi:
Gazetaria-Dashuria ime. Profesioni më i bukur në botë!


Në intervistën e zhvilluar nga Oralda Lahe, Shaqir Foniqi e ka shprehur sërish përkushtimin dhe mishërimin e itj të dëshmuar për gazetarinë, duke pohuar: “Gazetaria është njëra nga dashuritë e mia. Gazetarinë nuk mjafton ta duash, por duhet ta dashurosh, se përndryshe je në profesionin e gabuar, prandaj sikurse thoshte Çërçil, “Gazetaria është e mirë, por duhet lëshuar me kohë”. Unë e dashuroj gazetarinë, jetoj me këtë dashuri. Nuk thuhet kot: “Gjeje dashurinë dhe dashuroje gjetjen”. Po të mos isha gazetar…nuk di a do të isha gjallë…Kam 36 vjet përvojë pune vetëm në gazetari dhe besoj flet mjaft. Nëse do të shkruaja vetë ose nëse do të merrte dikush mundin që të shkruante për mua, titulli i librit do të kisha dëshirë të ishte: Shaqir Foniqi: Gazetaria, Dashuria ime! ose Gazetaria-profesioni më i bukur në botë!”

Doajeni i fletorarizmës shqiptare për gazetarinë dhe intervistën

Shaqir Foniqi në librin e tij për gazetarinë dhe kulturën rreth saj, ia ka dhënë epitetin e merituar njërit prej prijatarëve të fletorarizmës shqiptare në Kosovë, duke e quajtur pra Ramiz Kelmendin: Doajeni i gazetarisë sonë.
E Doajeni i fletorarimzës shqiptare në Kosovë, për intervistën si shkathtësi e veçantë, e ka thënë mendimin e tij tepër të hollë:

“Ej, bukë e vjetër! ...
Ka që mendojnë: s’ka më lehtë se të intervistosh një njeri.
Ka që thonë: trajta më e lehtë gazetareske është pikërisht-intervista.

E vërteta: intervista, ajo e mirëfillta, që sa vete e më shumë po zë vend në mjetet e informimit, ka kërkesa shumë të mëdha. Shumë e shumë më të mëdha nga ç’pandehin ca, edhe këtu, ndër ne, tek u mjafton të mbajnë lapsin a mikrofonin në dorë dhe as idenë s’kanë ç’duhet të pyesin bashkëbiseduesin. Pale pastaj - me ç’gjuhë! (“A mundeni me na thonun dishka me lidhje me qit problem?”)
Intervista, si çdo mjeshtëri, është mjeshtëri e gazetarëve që e duan dhe e dinë këtë zanat.”

Shaqir Foniqi:
Gazetaria-Dashuria ime. Profesioni më i bukur në botë


Në intervistën me gazetaren Oralda Lahe, Shaqir Foniqi ka shprehur sërish përkushtimin dhe mishërimin e tij me gazetarinë si pasion, por edhe si art: “Gazetaria është njëra nga dashuritë e mia. Gazetarinë nuk mjafton ta duash, por duhet ta dashurosh, se përndryshe je në profesionin e gabuar, prandaj sikurse thoshte Çërçil, “Gazetaria është e mirë, por duhet lëshura me kohë”. Unë e dashuroj gazetarinë, jetoj me këtë dashuri. Nuk thuhet kot: “Gjeje dashurinë dhe dashuroje gjetjen”. Po të mos isha gazetar…nuk di a do të isha gjallë…Kam 36 vjet përvojë pune vetëm në gazetari dhe besoj flet mjaft. Nëse do të shkruaja vetë ose nëse do të merrte dikush mundin që të shkruante për mua. Titulli i librit do të kisha dëshirë të ishte: Shaqir Foniqi: Gazetaria, Dashuria ime! ose Gazetaria-profesioni më i bukur në botë!”

Kultura dhe Arti i një Bashkëbisedimi

Duke pasur përballë tij një gazetar me një përvojë të tillë, Dashnim Hebibi nuk e ka pasur të lehtë një bashkëbisedim me të intervistuarin, por e bukura dhe e veçanta e kësaj interviste e ka kulturën dhe artin e vet.

Mund të thuhet kështu, se që të dy janë emra të cilët gëzojnë repsektin dhe admirimin e publikut, si për modestinë e tyre, ashtu edhe për shijen e tyre kulturore e artistike.
Foniqi është një poet i vargut reflektiv e me konotacione filozofike, të cilat shpesh përmbajnë mendimin e hollë e gjykimin e thellë.

Hebibi është një prirje e dëshmuar për të lartësuar kulturën dhe poezinë të cilën e shkruan si një vokacion i cili nuk rresht, nuk pranë, por që vazhdon dhe si i tillë mëton të denjon kulturën e kombit të cilit i takon, tek nderon dhe përjetëson njëkohësisht.

Femra - Kurora e Krijimit

Në krye të intervistës është shpalosur mendimi gjithë takt e delikatesë që Shaqir Foniqi ka për gjininë e bukur. Me mendimin e tij për bukurinë dhe hyjësinë e femrës, të cilën e nderon tek e lartëson dhe tek e konsideron me të drejtë si “nëna e kombit dhe trashëgimtarja e botës”, ai më përkujton thënien e Gëtes-Zeusit të Vajmarit, se: Femra është Kurora e Krijimit!

Në medimin tjetër, Shaqir Foniqi e thotë hapur se ai e ka të bukurën, të bukurën si kategori estetike, të bukurën si frymëzim, të bukurën si shijim, të bukurën si adhurim, e ka pra gjakim të tij të përhershëm e të përjetshëm: “Për të bukurën, sado që të flasësh, është pak.”
Preferenca e intrevistimit për Shaqir Foniqin, janë gjithmonë femrat, sepse siç shprehet ai: “Ato të japin inspirim dhe disi shkrimi për to është më relaksues dhe fin.”

Bardhanjorja Rita Ora

Gjithsesi, gjinia e bukur dhe më e butë, ka nxitur dhe nxitë persiatje mendore por edhe paqe shpirtërore. E megjithatë, ai ka veçuar se Bardhanjorja Rita Ora, mbetet e pazëvendësueshme: ”Pas intervistën me Ritën, nuk mendoj se m’i mbush dikush tjetër kriteret e mia për ndonjë intervistë. E kam fjalën për komunitetin tonë, se me të huaj do të bisedoja p.sh. me Julia Timoshenko, Angelina Jolie, Charlize Theron, Monika Beluci…”

Me një ndarje të tillë të prefrencave për intevistën, Shaqir Foniqi i është referuar botës së lartësuar të muzikës, të artit e të kulturës, duke lënë për të kuptuar se kriteret e një seleksionimi të tillë janë thellësisht: artsitike.

Pas këtij sfondi, e që përbën kështu prologun e intervistës, pyetjes së shtruar me të cilën është dëshmuar se Shaqir Foniqi e theu akullin: “E di se do ta kem të vështirë, sepse jeni mësuar të bëni intervista, e jo të jepni përgjigje. A gaboj, nëse them se kjo intervistë është e para për Ju?” - ai është përgjigjur me ato rimat e rralla, me të cilat sikur ka dashur të përkujtojë mendimin e Sheherzades, e cila sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë (Të foluri në prozë është fjalë, të folurit në rimë, është margaritarë), pra Shaqir Foniqi duke dialogëzuar - njëkohësisht edhe ka poetizuar: “Është njëra nga intervistat e rralla, sepse, sikur konstatoni edhe ju, unë jam mësuar të pyes (është më lehtë, besoj), por ja që po ardhka koha edhe të përgjigjem, natyrisht brenda kornizave të pyetjeve dhe pikëvështrimeve të mia. Ç’është e vërteta, nuk është edhe aq lehtë të flasësh për veten tënde, aq më parë kur dihet se kjo intervistë do të mbetet në revistë, por edhe në libër-margaritar dhe ku pesha e fjalës përherë mbetet e gjallë dhe e komentueshme nga gjenerata e gjenerata. Megjithatë, po flas.”

Duke përkujtuar më tej se ka intervistuar figura të shquara të artit e të kulturës, si dhe personalitete të ndryshme, Shaqir Foniqi e ka shpaluar për të satën herë, se përderisa, fjala vjen, poeti Pjetër Bogdani ka parapëlqyer që Hasjanen ta quante Më e Bardha Sibilë - ka parapëlqyer ta veshte me Diell, ta mbathte me Hënë - në idolatrinë e tij poetike por gjithsesi edhe filozofike; të njëjtën veshje me aureolë poetike, me kapakun e artë, gjakon t’ia falë edhe Shaqir Foniqi - Yllit Shkëlqimtar në Nënqiellin Kulturor Gjithëshqiptar, emrin e së cilës ai e ka dhe e ruan si një margaritar tepër të rrallë, sepse emri i saj për të (dhe jo vetëm për të) paraqet një botë në vete, një konstelacion blerues në fushën e artit të muzikës, një Paralaksë yjesh në një botë ku Muzika është Thellim i Qiellit: “Intervista më e dashur për mua është dhe besoj se do të mbetet ajo me super-yllin tonë, Rita Ora, të zhvilluar më 2010 për revistën Imedica Family. E kam thënë me një rast dhe po e përsëris, çdo gjë e ka kapakun e artë dhe, edhe unë mendoj se me këtë intervistë ua kam vënë kapakun e artë intervistave të mia. Kjo intervistë është sikur qershia mbi tortë dhe nuk pretendoj më që të zhvilloj ndonjë tjetër intervistë, sepse me këtë intervistë kam dëshirë ta mbyll listën e gjatë të intervistave të mia.”

Ismail Kadare - i intervistuar pesë herë

Një emër tjetër i botës shqiptare, në fushën e letrave, është lidhur me pyetjen e shtruar se cila ka qenë intervista më e vështirë? Foniqi ka përkujtuar se përkundër faktit se pyetjet i kishte shkruar, nuk ka qenë e lehtë, e megjithatë ai ka të drejtë për një privilegj të rrallë: “E kam bindjen e thellë se me Kadararenë ka për çka të flasësh sa herë që të jepet mundësia, e mundësitë e tilla janë të pakta dhe interesante. Jam shumë i lumtur që e kam pasur fatin që së paku pesë herë ta intervistoj të madhin Ismail Kadare.”

Për gazetarin veteran, “intervista e improvizuar është intervista më e sinqertë dhe më e këndshme…në katër sy, pa letër përpara dhe pa ndonjë pyetje të ngurtë…”

Poet i vargut spontan e i frymëzimit të përnjëhershëm, nuk do mend se ai është kundër normave të ngurta në gazetari. Ai parapëlqen kështu bisedën e shtruar, ligjërimin e rrjedhshëm e komunikimin që shfaqet natyrshëm. Më tej, ai është shprehur se është kundër stereotipeve të intervistave të cilat zhvillohen me “po” ose “jo” të thata, dhe se është gazetari, është përvoja e tij, është shkathtësia e tij, është mjeshtria e tij ajo e cila i jep hov dhe vrull një interviste, apo siç shprehet vetë: “është gazetari ai që i mbush përgjigjet me mish dhe me gjak.”

Poezia si Katarsis Shpirtëror
dhe
si lëng i shtrydhur i zemrës


Duke folur hapur për poezinë dhe frymëzimet e tij poetike, ai sikur na e përkujton thënien e Leonardo da Vinçit se arti është çlirim nga vuajtja: “Që të jem i sinqertë, poezinë e kam pasion, refleksion, njëfarë katarsisi shpirtëror, janë poezi kryesisht të çastit, por mund të them se secila poezi e imja ka adresë të saktë. Poezia, nuk thuhet kot, është lëngu i shtrydhur i zemrës. Pra, shkruaj, sepse vuaj, vuaj sepse shkruaj…”

Ndërkaq, pyetjes: “Ku e gjeni frymëzimin për të krijuar një poezi?”, Shaqir Foniqi i është përgjigjur pa ekuivoke: “Në çdo hap, në çdo rast. Mjafton ta vizitosh një qytet të bukur dhe ja poezia, por kjo vlen edhe për gjininë e bukur, e cila është vetë poezia. Më duket se vjen vetë kur duhet dhe vjen e freskët dhe e gjallë. Poezia, si zhanër letrar elitar, ka filluar ta marrë vlerën e vet dhe kam shpresën se ajo do ta ketë fuqinë që duhet pasur në artin tonë sipëror… Një gjë e di, nuk mund të shkruaj poezi me porosi. Poezia është sikur fjala, ose të vjen në çast, ose kot i shkon pas.”
E veçanta e kësaj interviste, pra e këtij bashkëbisedimi, është se ajo është zhvilluar duke pasur për bosht të bukurën dhe të madhërishmen.

Gazetaria - Sferë e Shpirtit

Duke iu kthyer sërish gazetarisë, mendimi i shprehur është një mendim konciz, i qartë dhe kuptimplotë. Aty flet kultura e gazetarit, flet përvoja e tij si një dëshmi e përkushtimit dhe e adhurimit që ka ai ndaj këtij profesioni, të cilin ai e ka pagëzuar si sferë sipërore të shpirtit, edhe një dëshmi se arti i fjalës është dhunti:

“Jam gazetar shumëvjeçar i kulturës dhe jam krenar që për tridhjetë vjet e kam mbuluar këtë sferë të shpirit. Shpesh, si në shaka e them, se po të mos punoja në kulturë, nuk di a do të isha ende gjallë. Vetëm kultura të jep mundësi të japësh diçka nga vetja jote, të tjerat janë, ‘tha ky, tha ai’… Kam kapur edhe sfera të tjera, duke filluar nga politika e lartë, e mandej deri te çështjet sociale. Gazetari është gazetar dhe duhet të jetë aty ku e kërkon nevoja, Por, unë mbroj mendimin se gazetari duhet të profilizohet, sepse pastaj mbetet i informuar nga pak për çdo gjë, por jo i dijshëm për një sferë që e përcjell me vite. Unë nuk do ta ndërroja profesionin, jo se jo, por as sektorin. Mirë e kam në kulturë dhe aty dua të mbetem deri në fund.”
Duke i vënë vetes një si pikësynim, për të shkruar monografi për përfaqësuesit kryesorë të artit e të kulturës shqiptare, Shaqir Foniqi e ka pohuar se e ka përmbushur misionin të cilin ia ka parashtruar vetes, mision të cilin kundruar nga prizmi poetik, Lasgush Pradeci do ta quante Vallja e Yjeve dhe Ylli i Zemrës. Në një mision të këtillë prej shijuesi të së bukurës dhe të së madhërishmes, Shaqir Foniqi i ka realizuar intervistat që ka planifikuar: “E thashë, nuk ushqej më ndonjë dëshirë për ndonjë intervistë, sepse pothuajse të gjitha i kam realizuar. Pas intervistës me Ritën, nuk mendoj se dikush tjetër m’i mbush kriteret e mia për ndonjë intervistë.

Nektari shpirtëror i një kombi:
KultArt


Por, qarku i bisedës nuk sillet vetëm rreth Panteonit të Yjeve. Në Odeonin e Fjalës shpaloset një sfond tjetër në të cilin Arkadia kulturore sërish e ka Fjalën si Kreshtën më të Bardhë. Pra, fjala është për Kulturën dhe Artin, apo siç e ka pagëzuar vetë Shaqir Fonqi: Parlament Shqpirtëror. KultArt.
Dy tingëllima të magjishme për jetën shpirtërore të një kombi. KultArt. Nektari, siç e quan gazetari. Pjalmi, siç do ta quante poeti: “Është e vërtetë se aktualisht i kam në mbikëqyrje tri emisione kulturore: KultArt, Ars dhe Muza. Që të tria janë emisione kulturore dhe e plotësojnë njëri-tjetrin. Bie fjala, KultArt është njëfarë ‘omnibus’ emisioni, ose një ditar i zgjeruar kulturor, si një nektar që merr gjithçka nga pak, emisioni Ars është kryesisht për artet pamore, kurse Muza bën prezantimin e një personaliteti kulturor, pra paraqet profilin e tij artistik.”
Dashnim Hebibi duke bashkëbiseduar kështu për sferat e larta të artit e të kulturës, ia ka ofruar kureshtjes së lexuesit edhe mendimet e shprehura nga Shaqir Foniqi për raportet e politikës me letërsinë dhe artin: “Fatkeqësisht, gjithçka frymon politikë dhe në njëfarë mënyre, apo tjetër aty janë, sado që dikush më pak, dikush më shumë.” Apo, edhe për kohën e lirë: “Ah, nuk di ç’është ajo. Në gazetari ekziston thënia: Kurrë i lirë dhe gjithmonë i lirë. Askush nuk e ka thënë më mirë.”

Bie në sy përgjigja lakonik e bashkëbiseduesit, sepse rëndom poetët nuk flasin shumë, ata përjetojnë shumë. Gazetari mendon shumë, flet pak, por nuk le mangut thuajse asgjë. Ky është portreti intelektual i bashkëbiseduesit, i cili pyetjes në befasi: “Me çka do ta kishe ndërruar profesionin e gazetarit?” - i është përgjigjur me gjakftohtësi: “Me asgjë. Besomëni për këtë!”

Ndërsa, pyetjes tjetër po për gazetarinë: “E sheh veten të lodhur nga ky profesion?” - i është përgjigjur prerë dhe në mënyrë gati-gati solomonike: “Asnjëherë. Gazetarinë nuk mjafton ta duash, duhet ta dashurosh. Çdo ditë më duket sikur dita e parë e punës Gazetaria është edhe entuziazëm, në atë moment që të lëshon entuziazmi duhet lëshuar.”

Pasi e ka shfaqur mendimin e tij në logun e bisedës, për femrën, për gazetarinë, për të bukurën dhe të madhërishmen, për frymëzimin poetik, për nektarin e kulturës së një kombi në KultArt, Shaqir Foniqi në bashkëbisedimin e tij me Dashnim Hebibin, nuk ka lënë pa komentuar raportet delikate të kulturës me mediat. Pyetjes së shtruar me vend dhe me takt: “A po i kushtohet hapësirë e duhur kulturës nëpër mediat tona?” - i është përgjigjur me një shqetësim të arsyeshëm: “Jo, madje pak fare. E them këtë, sepse, sado të ketë kulturë, kurrë nuk mjafton, kurrë nuk tepron, vetëm kultura e mban një komb vertikalisht. Kombet nuk shuhen për shkak të politikave, por për shkak të kulturave.”

Tek e lexon një intervistë të tillë, tek e lexon një mendim të tillë për kulturën, nuk ka se si të mos shtrohet pyetja: Vallë, a ka si thuhet më bukur? A ka si thuhet më bukur se kështu:

“VETËM KULTURA E MBAN NJË KOMB VERTIKALISHT. KOMBET NUK SHUHEN PËR SHKAK TË POLITIKAVE, POR PËR SHKAK TË KULTURAVE.”

Ja përse Shaqir Foniqi, parlamenin mendor KultArt, e ka paqgëzuar edhe si:

PARLAMENT SHPIRTËROR!

E në trajektoren e persiatjeve të tilla, edhe një mendim i lartë: “Pa dashuri dhe flijim, jeta nuk ka kuptim. Muza vjen nga e bukura dhe për të bukurën, sado që të shkruash, kurrë nuk ke thënë asgjë.” Dhe më tej, një shpirt që dehet në ekstazën engjëllore, që nuk jepet, që nuk mposhtet përpara sfidave të cilat nuk janë të pakta: “Shpirti artistik ishte pak shpirt budallallëk, kurrë nuk po e shihte se është plakur dhe është mjaft.”

Shpirti Artistik: Po luftoj që të të harroj!

Më tutje është poeti ai i cili e pyet poetin, dhe jo gazetari - gazetarin: “Cila është fjala jote më e bukur që ia ke thënë një vajze në atë kohë të re?” Me një pyetje si kjo, Dashnim Hebibi e ka ditur se ka pritur një përgjigje të cilën poetët ngado shkojnë dhe ngado vejnë i marrin shpesh me vete: “Perla. Ose në sytë e tu e shoh vetveten, jetën dhe të vërtetën. Ose, një tjetër, paksa më filozofike: Po luftoj që të të harroj…”

Shaqir Foniqi është njeriu që beson se kujtesa është bekim, në ndërkohë që në përgjigje të pyetjes tjetër: Përpos Kosovës, ku kishe dashur të jetosh? - ai gjithashtu na e ka shpalosur edhe një gjakim të tij: “Në tri qytete: në Gjenevë, në Paris dhe në Londër.”

Në epilogun e këtij bashkëbisedimi, Shaqir Foniqi ka pohuar se ai parapëlqen mëngjesin si kohën më të përshtatshme për të krijuar, “në qetësi dhe vetmi”, ndërsa pyetjes ndoshta më të dhembshme: “Nëse do kërkohej të ndahesh nga gazetaria apo nga poezia, cilën e kishe lënë për tjetrën?” - i është përgjigjur në një mënyrë që të kujton ndarjen e Hektorit me Andromakën: “Poezinë. Unë jam gazetar, eventualisht publicist, poet (hiq modestinë, as që kam dëshirë të më thërrasin. Poezitë e mia janë refleksione të çastit dhe nuk besoj se mund t’i rezistojnë kohës, edhe pse shumë miq të mi më thonë ‘mos u bëjë kaq modest, poezitë tua janë medaljone me diell!’ ”

Sido që të jetë, Shaqir Foniqi është krijuesi i cili për poezinë mendon se “ose vjen me të parën, ose nuk vjen fare”.
Ai është poeti i cili pyetjes së shtruar në mënyrë poetike: “Cila është fjala më e bukur e mundshme që ke përdorur në një poezi?” - i është përgjigjur:

“Ti ike në pakthim, duke më dhuruar dashuri dhe pelim.”

Ca si kontraste të shenjta vërehen shpesh në meditimet poetike të Shaqir Foniqit, e kontemplacionet filozofike jo rrallë janë veçori e refleksioneve poetike. Pyetja e shtruar nga prizmi i ekzistencialzmit: Kur të kalon dita, i thua vetes ‘iku dhe kjo ditë’? - ka marrë përgjigjen: “Ditën nuk kalojnë, vitet fluturojnë. Po ikën çdo gjë, turravrap.”
Një poet tjetër, po i ligjërimit të hollë lirik të thelpinjve të dashurisë, do të thoshte: S’kalon koha, por kaloj unë!

Ali Asllani.

Medaljone Dielli në Nektarin e Fjalëve
për
Rita Orën, Engjëllin Tonë Mbrojtës


E veçanta dhe bukuria e kësaj interviste gjithë kulturë dhe art është bashkëbisedimi në logun e fjalës për sferat e larta. Pa harruar faktin se Shaqir Foniqi e theu akullin. Në KultArt nuk do mend se preferohet intervista si formë e komunikmit në gazetari. Por këtë herë, Shaqir Foniqi ishte i intervistuari, prandaj pyetje që shtrohet vetvetiu është se kush mund ta ketë radhën, qoftë edhe në një intervistë të imagjinuar?

Në këtë intervistë të kulturës dhe të artit, gazetari veteran na e shpalosi të vërtetën se ai do ta braktiste poezinë për gazetarinë. Nuk ka dyshim se ai do ta bënte një gjë të tillë, sepse ai - siç e ka pohuar vetë, i dashuruar në gazetarinë. Gazetaria është pra pasioni dhe frymëzimi i tij. Por është prapë poezia ajo që na dëshmon dhe që përkujton se Shaqir Foniqi është Orakulli i Rita Orës, dhe se është ai që e ka shpalosur në modestinë e tij, duke mbledhur gjithë nektarin e fjalëve, të cilat aq shumë shëmbëllejnë me medaljone dielli, duke e falur një epitet për përjetësinë, për bukurinë dhe madhështinë e artit, duke e quajtur: “Rita Orën, engjëllin tonë mbrojtës!”

Në këtë intervistë, Shaqir Foniqi e ka bërë identifikimin e poezisë me femrën.
Edhe më qartë.
Shaqir Foniqi e ka thurur një Himn për të Bukurën:

“MUZA VJEN NGA E BUKURA DHE PËR TË BUKURËN.”
Vallë, a është e vërtetë se jeta është e shkurtë dhe arti i gjatë?!

KultArt sikur e dëshmon: të kundërtën!
Kulturë dhe Art.
Parlamenti mendor dhe parlamenti shpirtëror i një kombi.
Mermeri i perëndive ilire nuk fle.
Dodona në tempullin e saj:
KultArt…

Xhemail Peci

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 624 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi