Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Aktualiteti i post-tranzicionit në faqet e një romani Romani "Cute Kashari" i Elmaz Qerretit
Publikuar më 20 korrik, 2014 në orën 01:41 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(esse)

Rastësisht, më ra në dorë romani "Cute Kashari" i Elmaz Qerretit. Për të qenë më i sakt: ma daroviti , miku im, Faslli Haliti. Ndodhi si me dy nikoqire të mira: shkëmbyem "tepsitë". Unë i dhurova Faslliut librin tim me tregime, të porsadalë nga shtypi, " Faji" i Isakovskit dhe ai romanin "Cute Kashari". Për t'i dhënë pak nota humori këtij shkëmbimi, duhet të shkruaj kështu: unë i dhashë "tepsinë" e vogël, kurse ai: "tepsinë" e madhe. Në raporte miqësie nuk vihet re kush fiton dhe kush humbet. Ziqi anoi pak nga ana ime. Se unë fitova duke u njohur me Cuten. Me Cuten që për mbiemër ka të një fshati të tërë: Kashari, fshat kodrinor që, në mos gaboj, ndodhet në verilindje të Lushnjes,diku në "zverk" të lagjes "Xhevdet Nepravishta".

Është Cutja nga Kashari apo nuk është, nuk besoj se ka rëndësi. Autori,duke na sjell si protagonist një Cute që ka duarët flori, që çfarë i sheh syri, ia bën dora; një Cute që i hanë duarët për punë; një Cute zëmërmadh dhe altruist, besoj se ka bërë shumë. Ai e sjell Cuten si të gjallë para lexuesit dhe nuk e lë në mes rrugës. Përkundrazi. E sjell të plotë në gjithë dinamikën e tij.
Duke u njohur me Cuten, ti apo kushdo lexues tjetër, nuk ka se mos bëhet obsest para këtij personazhi sa të dashur, por dhe aq të dhimbshëm. Në vitet e post-tranzicionit, Cute Kashari, emigron në Greqi. Sado që emigroi një njeri që i hanë duarët për punë dhe ia ktheu benzinatën afendikoit grek nga e mbara, fati i Cute Kasharit, është i trisht. Ndoshta, dhe më shumë se i trisht. Autori na jep me penelata të "trasha" gjithë diagramën e jetës në emigrim të Cute Kasharit. Autori, duke njohur mirë fatin e trishtë të gjithë atyre që emigrojnë (sidomos ata që emigrojnë rrugë e pa rrugë), thuaj se bën diagnozën e përgjithshme: e mesmja e "artë" e tyre është denigrimi, nëpërkëmbja dhe ca më tepër: burgu. Si të thuash, mospasja e dekumenteve për të marrë azil apo për të gjetur një punë, është, sipas autorit, ajo shpata e Demokleut që u rri mbi kokë gjithë të emigruarëve. Nga kjo lloj "shpate" që nuk është hipoteitke, zor se shpëton kush. I ke apo nuk i ke duarët që mund të thyejnë edhe gurë,duke ngrënë çdo lloj pune me dhëmbë,siç e ha çdo lloj pune Cute Kashari, por "shpatës" nuk i shpëton. Kur sheh që ky Cute aq puntor, bie në burg si gjithë ajo" aradhë" emigrantësh, të vjen keq. Aty, në burg, ku dhe në këmbë nuk rri dot, zë fill dhe kalvari i vuajtjeve që të këputin shpirtin.

Në burg ka të"bardhë" e të "zi". Jo të bardhë e të zi nga ngjyra e lëkurës, por nga shpirti. Sa i bardhë nga shpirti është Cutja,aq i zi dhe i neveritshëm është dhe një nga "bashkëvuajtësit". Me të drejtë, autori këtë shpirtziun e veçon nga tufa vetëm me një nofkë që nuk ka nevojë ta zbërthesh: dhëmbçakalli apo flokëgjati. Kaq dhe ndahet shapi nga sheqeri. Dhëmbçakalli kërkon "rrugë të lehta" dhe do që pisllëkun e shpirtit tij të zi, ta derdhë dhe në burg:- Të vrasim policin,- urdhëron ai, por Cute Kashari është tjetër brumë. I thotë "ndal" orvajtjes së zezë të shpirtziut dhe këtë e bën pa ia bërë tërr syri. Në këtë ballafaqim qëndrimesh, Cute Kashari, merr përmasat e një vigani përballlë figurës mjerane prej liliputi të dhëmbçakallit që, unë enkas, po ia shkruaj me gërmë të vogël. Por i ligu të bën pis dhe tek pragu i halesë. Vjen ndot dhe ta lë erën e keqe pas. Kështu ndodh, për fat të keq: Cute Kasharin një ditë prej ditësh e gjejnë në alivan: gjysëm gjallë e gjysëm vdekur. Këtu zë fill, mandej, kalvari i vuajtjeve. Humb të folurit. Humb kujtesën dhe jeton në një "botë tjetër". Ashtu, në atë botën e tij gojëmbyllur e pa fjalë, Cute Kashari, kthehet në një personazh aq të dhimbshëm,sa nuk të hiqet lehtë nga memoria. Natyrisht, duke jetuar në postsëmundjen e tij, tanimë të pashërueshme, Cute Kashari, nuk braktiset as nga pjesëtarët e familjes, por as nga miqtë e shokët. Duke e futur lexuesin në hulli të tilla, autori, ka,patjetër, një qëllim. Qëllim që del si një apel, si një thirrje që bëhet sinjifikative sidomos në këtë, post-tranzicion, ku vërehet jo vetëm një polarizim shoqëror, por dhe një "ftohje" brezash, pothuajëse, polare. Duke futur në roman jo vetëm familjen, por dhe shoqërinë dhe, sidomos, gjitonët e Cutes, autori sikur bën radiografinë e botës shqiptare, një botë aq të dhimbshme.

Sa njerëzore dhe e afërt bëhet për lexuesit,qoft dhe romja Nasibe. Gjuha e saj aq e veçantë (autori sikur është dhe vet nga ky komunitet,se aq bukur e njeh botën e tyre), dhe, sidomos, "zhvendosja" e Nasibesë nga shtëpia e saj tek shtëpia e Cutes, flet shumë për shpirtmadhësinë e këtij komuniteti që është parë me syrin e njerkës. S'ka lexues që mos rrënjos në kujtesë ligjëratat e sjella drejtpërdrejt nga autori,si të jetë doravet ajo:"... korba, moj gaxhie... dhe mund të vazhdoja me të tjera e me të tjera. Aq vënd sa zë kjo rome në roman, nuk zë as gruaja e Cutes. Por mesazhi është i lexueshëm: ky komunitet që është parë me syrin e njerkës, nuk është i tillë. Ky komunitet është shumë mirënjohës. Nasibeja e ka ballin të bardhë. Dhe zëmrën. Ndaj unë ( sa Nasibe të tilla ka komuniteti i tyre, në fshatin tim, Mbrostar-Ura të Fierit), kam thënë diku për njërën prej këtyre, Nasibeve: " Fiku i zi është më i ëmbël se fiku i bardhë". Unë e kam thënë me vargje, Elmaz Qerreti (dhe Qerreti i Lushnjes ka një komunitet të madh si Mbrostar-Ura në Fier) e ka sjellë në prozë dhe e ka sjellë bukur. Nasibeja, në vizionin tim, e ka eklipsuar cilëndo nga personazhet femra në roman.

Po ta vini re që në fillim të "essesë" sime them "aktualiteti në një roman". Pse them kështu? Në roman ka personazhe të tilla që jo vetëm të bëjnë për vete, por, duke lexuar, të bëhen sikur i njeh. Dhe këtu qëndron mjeshtëria e autorit. Personazhet janë aty, midsi nesh, dhe duke "shkëmbyer tepsitë" me ta, ti ose zë e ndihesh mirë, ose, kur është puna për shpirtzinj, mbushesh me urrjetje. Aluzionet që fut autori përmjet gojës së pesonazheve janë shumë domethënëse dhe, ndonjherë, shpotitëse. Ja, le t'u referohemi, ashtu kalimthi ndonjë paszazhi të veçantë. Filozofi (ai me atë çantën proverbiale) afrohet me një qeskë me peshk.
-Ku e more peshkun?
-Afër stacionit të trenit.
- Kishte njerëz?
-Jo.
Tjetri vrapoi për të marrë peshk dhe,sa vajti, u kthye. E zuri Filozofin në rrugë e sipër
-Ore, po ti më the që nuk kish njerëz dhe atje të zinte lemeria. Dhe Filozofi ( po gjej më bukur se kaq?)
- Ti më pyete për njerëz apo për kafshë? Se nuk janë njerëz ata atje, po kafshë . Nuk e sheh si ma grisën xhaketën?

Por sa simpatike del në roman figura e Profesorit. Është ai, Profesori, që për një poezi e çuan të hapë kanale. Unë që lexoj nën rreshta,e di mirë kush është ai Profesor. Mos vallë është ai Poeti që shkroi "Dielli dhe rrëketë" apo ca më vonë shkroi: "Turmat i ngrenë. Populli ngrihet vet". Profesori jep ballë në roman si një "Orakull". Jo "Orakull"-akull, por si një babaxhan që di të ulet,këmbëkryq, atje në shtëpinë e Cute Kasharit, kur ky, Cutja,e ka mbyllur "portën e kujtesës" me dryn. I urtë dhe i ditur, Porfesori, di të ndezë "shkëndija" në truallin-eshkë të Cute Kasharit. Është vëndi për të qëndruar dhe më shumë tek kjo figurë,që autori jo pa qëllim e sjell para lexuesit në momente akute: tek Lushnja që digjet në vitin e mbrapshtë 1997. Tek pasazhet aq të njohura me atë "gjeneralin" që nuk erdhi dhe me atë, tjetrin, që morën peng e në pasazhe të tjera e të tjera. Po unë nuk kam se si mos ndalem dhe ca me Profesorin. Një gjë po i them autorit: unë shpohem në hundë si ariu nga ata qerretasit e tu, sikur ai PROFESORI (enkas e shkruaj me të madhe), të mos jetë ai që ka pagëzur një brez të tërë krijuesish lushnjarë, po se po, po dhe më tej. Për t'u qasur edhe më: Visar Zhiti, Fatbardh Rustemi, SHerif Bali, Gëzim Hajdari, Elmaz Qerreti, Bajame Çeliku kanë për "kumbar" këtë, Profesorin.Ka ndodhur po ai fenomen që ka ndodhur në Rusi. Një shkrimtar rus ka thënë:- Ne, të gjithë, sikur kemi dalë nga "Manteli " i Gogolit. Ju, krijuesit lushnjarë, nga "manteli" i PROFESOR FASLLI HALITIT. Në kam gabuar, kërkoj ndjesë. Se, në fund të fundit, kokë e falur nuk pritet.
E sa për Elmaz Qerretin që nuk e njoh, i them: duke të "njohur" përmjet Cute Kasharit, kam filluar që të dua. Kur të lexoj ndonjë tjetër libër tjetër, do të të dua dhe më shumë.

Përparim Hysi

Tiranë, 9 korrik 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 675 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi