Lakmia e korit burrin |
Publikuar më 22 korrik, 2014 në orën 00:44 ( ) |
Afrim Morina | Opinion | |
|
|
Ndoshta ky titull i këtij shkrimi është paksa i pa përshtatshëm me përmbajtjen, sepse kur nuk ka burra nuk ka as lakmi. Këta “burra e burrnesha” të kombit dje e vunë përpara gjithçkaje lakminë, sepse atyre u interesonte pushteti e jo ligji, të cilin e kishin votuar vet, e që ishte i bazuar në aktin më të lartë – Kushtetutë.
Mohimi i akteve ligjore nga ata që kanë nxjerr dhe do të nxjerrin edhe më, për të plotësuar boshllëkun institucional, apo edhe për të rishikuar shumë syresh, të cilët nuk po gjejnë zbatim, se ku janë pengesat, për të ndryshuar apo edhe rishkruar, jep për të kuptuar se çfarë garniture kuvendarësh e konstitucionalistësh kemi në ballë të oxhakut.
Votuesi ia caktoi fatin akëcilit kërkues vote, ia caktoi fatin akëcilit subjekt politik dhe çfarë brumi nxorën për t’i vu në sofrën e kuvendarëve nga arka e votimeve, ata e dinë më së miri.
Sa u përfill mendimi i tyre dhe pse heshtët me kontrabandim votash të zgjedhësve, ku secili lider partie i përgëzoi për maturinë, për ndërgjegjësim, për dinjitetin që treguan te arka e votimit, por çfarë bënë ata që tumirën vullnetin e tyre?! Pse e pështynë dhe lëpijnë po vet dhe të dalin si matufë para opinionit ndërkombëtar, se ai kombëtar është mësuar me këtë lloj sorollopi. E llogaritën këta lider partie, se sa ka kushtuar një kandidat për kuvendar, nga dita e hyrjes së emrit në regjistër e deri në ulëse. Jo, se burrat nuk do ta bënin këtë, por këtë e bëjnë “burrat e burrëreshat” lakmitar për pushtet e para, pa zgjedhur mjetet e logjikës për të ardhur deri te ato, përmes diturisë dhe djersës.
Të gjithë kuvendarët u pajtuan me procesverbalin e dërguar nga përmbyllja e zgjedhjeve dhe çfarë loje u luajt për qytetarin? Sikur kjo lojë të kishte ndodhur prapa kulisave, ne nuk do ta kishim parë, atëherë “falë” medieve të informimit dhe “analistëve” do të kishim krijuar, me imagjinatën tonë, lojën e luajtur, por kjo që ndodhi jep për të kuptuar, se nuk ndodhi burrëria, por lakmia, ah ky katil i keq që zhburrnoi e zhburrnon shumë njerëz, që qytetari i mbron për të ndershëm.
Partia më e madhe e dha kandidatin e vet, të cilën të drejtë e kishte nxjerr nga votuesi, për të cilën e pranuan të gjithë, deri sa u aprovua procesverbali i KQZ – së. Liderthit tjerë ma argatët e vet e lëshuan kuvendin. Parashtrohet pyetja, pse dolën jashtë(?) dhe logjika e thotë, frikoheshin se mos votat e argatëve mund të ndërronte kahen dhe të mbaronte në arkën e të propozuarit. Tjetër shpjegim nuk ka. Kryesuesja e mbylli seancën në mungesë të sasisë (nuk kemi të bëjmë me cilësi) kuvendarësh, një përfundim i logjikshëm dhe normativ. Kjo i ka ndodhur sa e sa herë Jakup Krasniqit, që tash ishte bërë pjesë e kësaj loje. Para katër vjetësh publikisht ia pata kërkuar një minutë ndërgjegje dhe jo vetëm atëherë, por edhe sot nuk e tregoi një minutë ndërgjegje, të paktën, nga përvoja e udhëheqjes së kuvendit. Nuk ke çka bënë, zhburrnohen njerëzit nga lakmia, po edhe ky është njeri, se botës shtazore kjo nuk i ndodh.
Tabloja e dytë, ku mund të sheh shikuesi (spektatori) ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve dhe një ndryshim tredimensional ndodhi. Vijnë “burra” e “burrnesha” dhe ia marrin mandatin Florës, e cila nuk e kryesoi kuvendin për nga meritat, por për nga mosha, prandaj mund të largohen nga karriget të “merituarit” e jo të moshuarit, sepse ajo ka mandat të përkohshëm. Këtë u mundua ta bëjë edhe bija e “kryetarit historik”, shumë po i ngjante babës në buzëqeshje, ama për një minutë deshi t’ia përmbush gjithë boshllëkun e të folurit për tërë jetën, babait.
Tabloja e tretë, që nuk përkonte më me kohën e veprimit dhe ndodhive, por na dërgon në para histori, nuk thirren kuvendarët kundërshtar, injorohet 30% e elektoratit që doli në zgjedhje dhe fillon të luhet loja e teatrit të kukullave, me një gjuhë, që ata të cilët e kanë moshën 25 vjeç e më poshtë, por ndoshta edhe më të moshuar, nuk e kuptojnë. Kam bindjen se nuk e kanë kuptuar edhe një pjesë e kuvendarëve, por sidoqoftë duartrokitjet nuk munguan.
Nuk u shkel akti më i lartë - Kushtetuta?! Nuk u përbuzë votuesi, i cili u mundua të jetë i përfaqësuar?! Nuk dominoi lakmia?! Nuk u shpërfill morali?! Nuk u mohua gjaku, nderi dhe krenaria, që erdhëm deri në këtë ditë të mjerë, nga lakmitarët, që kuvendin e Kosovës ta udhëheq... dhe të informohemi nga “gjuha hyjnore”, që si kujdestare na rri në të gjitha kancelarit e botës, na rri në të gjitha arshivat e botës, na rri në të gjitha bibliotekat e botës, me imagjinatë e sajesa, duke i përdor edhe shqipfolësit si dëshmitar të shekujve, na rri në veriun e Kosovës, e në pjesët tjera të okupuara në brendinë e territorit tonë, kur të drejtë për ta udhëhequr kishte kuvendari/ja më e re.
I treguam gjithë botës, i treguam gjithë kombit, se ne do të ecim përpara të vëllazëruar e të bashkuar, si në qindvjetshin e kaluar, se nuk jemi nacionalist, nuk mendojmë vetëm për kombin tonë, sepse bota shqiptare është e vogël krahasuar me atë sllave e pansllaviste.
Prishtinë, 18.07.2014
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 52 vizitorë |
Lexuar:
937 herë
|
|
|
|
|
|
|