Drejtori ekzekutiv në KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka komentuar për Indeksonline raportin e nxjerr sot nga prokurori amerikan, Clint Williamson, duke thënë se së pari ky nuk është një raport.
“Ky nuk është raport, por një prezantim i një hetimi i cili nuk mund të quhet raport . Nuk ka ndonjë pikë që ka të dhënë penale për kryerjen e veprave, pra nuk janë të përfshirë as lokacionet e as numri i viktimave e asgjë”, tha Shala.
Ai më tej tha se me vetëm kaq raste, atëherë kjo Gjykatë Speciale nuk është dashtë fare të themelohet.
“Mendoj që nëse kjo Gjykatë është formuar vetëm për të gjykuar 8-10 raste për krime kundër njerëzimit, nuk e arsyeton vetën kjo gjykatë, pra kjo nuk ja vlen barra qiranë. Mendoj që kjo ka mundur të bëhet në kuadër gjykatës së EULEX-it”, tha drejtori i KMDLNJ-së.
Madje, Shala thotë se ky është më shumë një vendim që do të shfajësonte Dick Martyn, që sipas tij i ka bërë dëme të mëdha Kosovës.
“Është një vendim që ka pas për qëllim ose të vërtetoj pohimet e Dick Martyt për një akuzë shumë të rëndë siç është ajo për trafikim organesh e që nuk ja ka arrit, e tash ky raport është më shumë një raport që do ta shfajësoj Dick Martyn që i ka bërë dëme të madh Kosovës”, tha ai.
Shala më tej thotë se “në qoftë së mbrapa këtij raporti diçka konkrete, atëherë do të jetë problem që të dëshmohet edhe fajësia e të gjithë të akuzuarve”.
“Rruga nga akuza e deri te vërtetimi është një rrugë shumë e gjatë dhe kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që akuzohen edhe do të dënohen”.
Por, ai thotë se e mira e kësaj është se Kosova e largon atë barrën e rëndë, pasi që ka të bëjë me akuza individuale dhe nuk ka asgjë kolektive.
Më tej, ai edhe foli për pikat jo të mira të këtij raporti, duke përmend edhe faktin e përmendjes së fjalës UÇK, në këtë raport.
“Ata do të gjykohen jashtë Kosovës, prokurorët e gjykatësit do të jenë të huaj, vuajtja e dënimi do të jetë jashtë. Nuk di se çfarë kjo ka lidhje me Kosovën. S’di pse kjo nuk është bërë në kuadër të Tribunalit të Hagës. E keqja tjetër është edhe se kjo Gjykatë nuk po e forcon sistemin e Drejtësisë, nuk po forcon kuadrot as prokurorët as hetuesit e as gjyqtarët, sepse gjithë punën po e bëjnë të huajt”, tha Shala.
|