Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
E Vërteta, gjithsesi e Vërteta i duhet kombit, politikës, ditës, dritës
Publikuar më 16 gusht, 2014 në orën 00:34 ( ) Mr. Sc. Rexhep Ahmeti | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Vështrim për librin ”Gjurmë kohe 3” të Afrim Morinës

Fryma e shkrimit ukshinhotian

Edhe 15 vite pas luftës çlirimtare, edhe 6 vite pas shpalljes zyrtare e pas fillimit të funksionimit të Republikës së Kosovës, zërat objektivë në opinionin publicistik dhe shkencor në Kosovë janë vërtet të rrallë. E rralla e vërtetë, në zhurmën e opinioneve tjera të shumta jo të denja e jo të vërteta (shpesh kundërpublike, të cekëta dhe të paguara nga dreqi dhe i biri) përsëri ka vlerë të lartë dhe çmohet nga një pjesë e opinionit të shëndosh publik e shkencor jo vetëm në Republikën e Kosovës por edhe më gjerë në hapësirat shqiptare.

Një penë e tillë e rrallë, e vërtetë, me vlera të larta kombëtare (gjer më tani) që prodhon shkrime ashtu siç është vet (me vlera) është gjithsesi edhe pena e veprimtarit të shquar kombëtar, shokut të veprimtarisë së korifeut shqiptar Ukshin Hotit, veprimtarit kombëtar Afrim Morinës. Kush e njeh mirë shkrimin e Ukshin Hotit e frymën e tij dhe e lexon me vëmendje shkrimin e frymën e shkrimeve aktuale të Afrim Morinës, nuk e lë pa e vërejtur, se pos origjinalitetit të autorit është ruajtur aty, me vetëdije dhe parimësi, edhe fryma kritike dhe e thellë e shkrimit ukshinhotian.
Në dorëshkrimin “Gjurmë kohe 3”, autori Afrim Morina ka vazhduar të jetë jo vetëm kronist i ngjarjeve dhe dukurive aktuale por edhe kritikues i mprehtë, zëdhënës i interesit të përgjithshëm kombëtar dhe këshillues (i paobliguar) dashamirës i politikanëve në trojet shqiptare. Pasi që ka parë anët negative të fenomeneve aktuale politike dhe i ka kritikuar ato, padyshim me qëllim përmirësimi, shkrimi i Afrim Morinës edhe në këtë dorëshkrim e periudhë kohe të vitit 2011 nuk e ka lënë pa e bërë, pak a shumë, edhe ndikimin e vet politik (shkrimor e pragmatik me veprimtarinë e tij jo vetëm shkrimore) lidhur me përmirësimin e politikës kombëtare.

Dorëshkrimi i Afrim Morinës ”Gjurmë kohe 3”, përbëhet prej tri pjesëve:
I- Morali nëpër të gjitha kohërat kërkon të vërtetën
Analiza
II- Heshtja mundëson pushtetit dhe parasë për të mbuluar të vërtetën
Kritika
III- Përpjekje për të fshehur të vërtetën historike
Reagime
Nga vetë struktura përbërëse e dorëshkrimit, apo nga vetë titujt e kapitujve lehtë vërehet se në të tre titujt kemi një kryetitull, apo një kryetemë e që është E VËRTETA. Dhe aty ku është tema kryesore e Vërteta, del se kemi të bëjmë me një kategori logjike që na shpie në filozofi, pasi logjika është pjesë apo disiplinë shkencore e filozofisë. Por, pasi në këtë dorëshkrim, që po fillojmë ta vështrojmë, e vërteta është shtruar në fushën politike e kombëtare del se autori në këtë dorëshkrim ka trajtuar aktualitetin politik-kombëtar të vitit 2011 (kryesisht në Kosovë, por dukshëm e përmbajtësisht edhe në hapësirat tjera shqiptare në Ballkan) duke u nisur nga prizmi i filozofisë politike kombëtare. Autori natyrshëm ka filluar me analiza teorike konkrete të lidhura me çështjen kombëtare e politike shqiptare, ka vazhduar me kritika konkrete, po ashtu lidhur me çështjen konkrete kombëtare, duke përfunduar me reagime konkrete politike lidhur me çështjet politike e kombëtare që janë aktualizuar ose kanë ndodhur në vitin 2011. Pra, duket edhe kjo, se autori ka ndjekur edhe një metodologji sa pragmatike aq edhe logjike, ngase edhe ka vënë një rend të tillë pragmatik e logjik që përbëhet prej tri pjesëve të cilat bëjnë një tërësi qëllimore. Këto pjesë të këtij rendi në këtë vepër krijuese janë: analiza, kritika, reagimet, sepse pa bërë analiza të thukëta nuk mund të bësh as kritika të argumentuara, ndërsa kur i ke kritikat e arsyeshme dhe të argumentuara atëherë ke krijuar edhe bazën për reagime me vend e të njëmendta të aktualitetit politiko-kombëtar ose kombëtar politik, gjë që autori e ka realizuar me sukses dhe që kjo lexuesit i jep një kënaqësi të veçantë aktive, nxitëse, frymëzuese, dinjitoze-kombëtare.

Analizat

Deviza kryesore apo kryemaksima e analizave të autorit e veprimtarit të shquar kombëtar, Afrim Morinës është kjo se Morali nëpër të gjitha kohërat kërkon të Vërtetën, që implicite del edhe si boshti kryesor filozofik, politik e pragmatik i tërë veprës.
Në analizën e parë po me titullin Qytetari ka nevojë për pushtet përgjegjës, autori duke u nisur nga nevojat e jetës objektive në Kosovën e vitit 2011, i ka shqyrtuar tri metodat e ardhjes në pushtet, gjë që ka i ka mundësuar autorit hyrje të bazuar në trajtimin e çështjeve të ndryshme të Revolucionit dhe të Evolucionit Kombëtar Shqiptar, duke ardhur në përfundim se në rastin e Kosovës subjektet politike kanë ngatërruar teoritë e njëmendta dhe metodat, ngase çështja kombëtare shqiptare ka mbetur ende e pazgjidhur, ngase Kombi Shqiptar shumë herë ka bërë luftë çlirimtare por ende nuk është bashkuar e çliruar dhe se “ata që udhëhoqën luftën nuk arritën pas çlirimit të marrin pushtetin (në Kosovë), por pushtetin e morën ata të cilët i kishin shpallur luftë luftëtarëve çlirimtarë dhe nuk kishin lënë gur pa rrotulluar në koordinim të veprimeve me armikun dhe miqtë e tyre, ndërsa në Maqedoni dhe Serbi dy luftëra të përgjakshme që u bënë, shqiptarët përsëri mbetën të robëruar e të poshtëruar, sepse uniforma nuk veshët për të rregulluar të drejtat njerëzore, por ka mekanizma tjerë për të arritur këtë të drejtë,” përfundon autori.
Autori ka ngritur një problem që ka ndodhur rreth 1999 në Kosovë dhe që pengon jetën (kombëtare) edhe në vitin 2014, pasi që ngjarja politiko ”kombëtare” nuk është vetëm absurd teorik e logjik kombëtar por edhe diçka më e rëndë për jetën kombëtare e mbarëvajtjen e kombit, sepse na ndodhi ”që të vishet uniforma dhe të rrokën armët dhe në fund të nënshkruhen marrëveshje bashkëjetese me kushtet e ofruara nga pushtuesi….. edhe kjo do një analizë të veçantë, për të cilën me siguri në të ardhmen do të merret edhe dikush tjetër”, shkruan autori.

Autori, me siguri këto teori dhe analiza i ka bërë me një qëllim që tani qytetari të vetëdijesohet e ndërgjegjësohet, pos tjerash, edhe për faktin se metoda e marrjes së pushtetit të përgjegjshëm me votë duhet të përdoret, përsoset dhe funksionalizohet, pasi
“Qytetari ka nevojë për pushtet përgjegjshëm” dhe se është nevoja konkrete të dalin politikanë: ”që kuptojnë peshën e marrjes së votës dhe mundohen të realizojnë premtimet e dhëna.” E për ta realizuar mirë metodën e marrjes së pushtetit me votë e qëllimin e saj publik autori thekson edhe rëndësinë që ka për arritjen e këtij objektivi faktori elektorat, i cili sipas autorit ”duhet të jetë elektorati i përgatitur politikisht, që të jetë përgjegjës për votën e dhënë dhe të jep votën atij që do të ishte më i përafërt me nevojat e tija.” (Shih analiza me titull: Qytetari ka nevojë për pushtet përgjegjshëm”)

Afrim Morina është për një sistem të tillë vote dhe votimi i cili “do t’ia pamundësonte partisë të manipulojë apo edhe të orientoj votën për kandidatët servil të saj.”, çka do të shpinte kah realizimi i objektivit (të autorit) të qytetarit (qytetarëve) për “për pushtet përgjegjës”, në mënyrë që gjëra të mos jenë siç janë tani por politikanët dhe pushteti t’u përgjigjen nevojave dhe interesave të elektoratit, të publikes, për të cilin qëllim është e nevojshme të ngritët në shkallë më të lartë si teoria ashtu edhe praktika politike, për çka është kontribut konkret edhe ky dorëshkrim i një autori që e di mirë rolin e madh të së Vërtetës politike (filozofisë së vërtetesë politike) të cilën e kërkon çdo moral i denjë publik e praktik.
Në analizën Qytetarët si kope delesh, kalkulohen me numra, autori ka analizuar disa dukuri patologjike politike aktuale në jetën tonë politike si janë: shndërrimi i qytetarit në numër nga politikanët; dukuria e egoizmit kundërpublik e liderit i cili vepron sipas “filozofisë” politike se ”qeveria nuk mund të bëhet pa mua”, nënshkrimi pa menduar seriozisht, nënshkrimi mendjelehtë të dokumenteve me rëndësi shtetërore e kombëtare, apo dukurinë e mungesën e ndërgjegjes në politikë etj. Kundër një patologjie të tillë të shëmtuar politike autori thërret politikëbërësit e Kosovës (shumicën e tyre), që te ata të dëgjohet “zëri i arsyes për të ndërmarrë veprime kombëtare që kërkon koha, ose të tërhiqeni vet nga çdo lëvizje qytetare që ngre kokën kundër bëmave të juaja antikombëtare!” Po në këtë analizë të dytë, autori ju drejtohet po atyre politikanëve duke ju shkruar publikisht: “Prandaj, kalkuloni me ndërgjegje, nëse u ka mbetur diku në errësirën e trurit, por më parë hiqeni pluhurin e parasë e kolltukut“. (Shih analizën: Qytetarët si kope delesh, kalkulohen me numra)

Afrim Morina në analizat tjera të këtij dorëshkrimi, duke u nisur nga bazat profesionale të një veprimtari kombëtar, fshikullon edhe dukuri tjera negative të jetës politiko-kombëtare të aktualizuar në vitin 2011 (dhe që janë edhe sot aktuale) siç janë: tutorizmin (“Tutorizmi dominoi në Rambuje, dominoi në Vjenë dhe do të dominojë edhe në Bruksel, prandaj shqiptarëve nuk u mbetët asgjë tjetër, pos që të bashkërendisin veprimet për të luftuar tutorizmin, duke luftuar argatët e tyre dhe të ndalët kjo lojë e pistë”), nocionin e politikanit dhe llojet e politikanit (veçon llojin e politikanit që është shërues i kombit dhe politikanin vizionar që është në shërbim të njerëzimit), raportin e politikës dhe etikës (politikani i mirëfilltë ‘”.. të vetmen arsye për t’u marr me politikë e ka etikën njerëzore.”, politika si profesion, gjendja e tashme Kombit dhe Atdheut, bisedimet teknike, gjuetia e votave, modalja në zgjedhje e shumicës së qytetarëve, dëshmi me shkrim për historinë më të re të Therandës, frika në politikë dhe pasojat që i shkaktojnë qytetarëve dhe kombit politikanët frikamanë, politika primitive dhe ana sasiore e cilësore e politikës te shqiptarët e sotëm, vlerat kombëtare, kategoritë e bartësve të përparimit e të çlirimit kombëtar, lojërat kombëtare e ndërkombëtare në politikën aktuale që lidhen me kombin tonë, politika te ura e Ibrit e jo në institucione, folklori dhe folklorizmi politik, mentaliteti i robit, demokracia dhe komunizmi, Enver Hoxha, dhe çështja e Kosovës, Ukshin Hoti dhe filozofia e tij politike kombëtare, ç’është historia etj.

Kritikat


Këtu dominon mendimi: Jo të mbulohet e vërteta! Mos të heshtim e ta lejojmë mbulimin e së vërtetës nga pushteti e paraja! Prandaj edhe autori kritikon me argumente, iu bënë kritika konkrete dukurive konkrete kundërpublike e kundërkombëtare ngase, siç ka shkruar ai “mjaftë kemi pritur dhe jemi marrë me konstatime e analiza për fenomenet të cilat janë prekur pak a shumë në këtë shkrim. A do të jemi edhe ne komod dhe të vështrojmë rrjedhat e kohës, e herë pas here të dalim me analiza edhe më tej, apo duhet ndërmarr veprime konkrete? Mendojë se kjo kategori e kombit, pra veteranët e rezistencës kombëtare, nuk kanë pse të qëndrojnë prapa fenomeneve poshtëruese e përçmuese për luftën tonë dhe të ardhmen tonë, sepse vërejtjet, sugjerimet, analizat nuk po kanë mbështetje.” Pra, veprimtarë i rryer i çështjes kombëtare Afrim Morina është i vetëdijshëm se nuk mjaftojnë vetëm “konstatime e analiza për fenomenet” negative që na ngushtojnë e pamundësojnë lirinë e drejtësinë në përditshmëri, por “duhet ndërmarr veprime konkrete“, ngase pa veprime konkrete, pa aksione të vetëdijshme nuk mund të ndryshohet bota (jeta) do të thoshte Marksi. Prandaj, në pjesën e dytë të dorëshkrimit kemi formën e parë të aksionit ndryshues-kritikën e gjendjes e ekzistuese politike e kombëtare, jo vetëm në Kosovë. Dhe a mund të rrinte shoku i veprimtarisë së Ukshin Hotit, kombëtari profesionist (gjer më tani) Afrim Morina në vitin 2011 pa i kritikuar dukuritë politike e “kombëtare” të vitit 2011, siç ishin: kritikat kundëretike të Kryeministrit të Shqipërisë londineze zotëriut Sali Berisha, heshtja e inteligjencës dhe e analistëve kur dominon gënjeshtra politike e kombëtare, komercializimi (kapitalizmi) i një pjese të artit në Kosovë që ka për temë vlerat tona historike (rasti i filmit të Halil Budakovës për Azem Bejtën dhe shokët e tij), mosreagimi i kryetarit të Shqipërisë londineze kur Kryetari i Serbisë flet e vepron ndërkombëtarisht për aneksimin e ardhshëm të planifikuar nga Serbia të Veriut të Kosovës (“sepse Serbia përmes miqve të vet, veç po e përgatitë terrenin, për një ndërmarrje të tillë, e cila është e orientuar vetëm për veriun e Kosovës”), shkelja e Kushtetutave të Shqipërisë e Kosovës nga institucionet që dalin po nga po këto kushtetuta, heshtja e qyqare e çështjes së Ukshin Hotit (jo vetëm nga politikanët), korrupsioni në qeveri e institucione tjera, nënçmimi (“përbuzja”) i faktorit të brendshëm, falsifikimi i datës së formimit të UÇK-së, mos ruajtja e sekreteve shtetërore dhe mos gjetja e mos dënimi i atyre që e shesin sekretin. (“Kush i informoi për operacionin e Qeverisë. MUP-in?!”), TVP-ja (Televizioni publik i Prishtinës) me politikë redaktuese kundërpublike (“Kjo politik është e trashëguar nga Agim Zatriqi, i cili edhe viteve të tetëdhjeta ka favorizuar politikën pushtuese të Beogradit”), debatet publike kundër figurës së Enver Hoxhës, debatet publike për “kombin kosovar”, loja demagogjike me dëshmorët e kombit etj.

Si në pjesën e parë (analizat) ashtu edh në këtë të dytën (kritikat) autori nuk i analizon vetëm abstraktësisht dukuritë dhe proceset politike negative por i thekson dhe i kritikon bartësit e tyre në kohën kur ata/ato ishin në pushtet në vitin 2011, si psh: Krytaren e Republikës së Kosovës, zonjën Atifete Jahjagën, Kryetarin e Republikës së Shqipërisë, zotëriun Bamir Topin, Kryeministrin e Kosovës zotëriun Hashim Thaçin, Zv.Kryeministrin, zotëriun Haredin Kuçin, kryeministrin e Shqipërisë, zotëriun Sali Berishën, Kryetrin e Kuvendit, zotëriun Jakup Krasniqin, ministrin zotëriun, Ramë Bujën, ministrin zotëriun Bajram Rexhepin, zonjën Edita Tahirin, zotërinjtë Isa Mustafën e Blerim Shalën, Kryetarin e Serbisë z. Tadiq, ambasadorin francez zotëriun Jean-François Fitou, figura të ndryshme ndërkombëtare etj.

Reagimet

Të vërtetën historike mundohen ta fshehin ata që kanë pretendime ta keqpërdorin historinë për qëllime jopublike të tashme, prandaj nuk është pa përmbajtje të thellë vënia e kësaj maksime mu në krye të pjesës së tretë të dorëshkrimit “Dëshmi kohe 3”, ku autori, reagon konkretisht ndaj atyre që i shtrembërojnë gjërat dhe e fshehin të vërtetën siç është reagimi ndaj një eksperti fashist z. Darko Marinkoviqit që në emër të “Fondacionit të Aftësimeve Profesionale Evropiane” shtrembëron fakte e të dhënat për Kosovën. Këtu kemi, të vetmen herë në këtë dorëshkrim, Afrim Morinën përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, që përgatit Lëndën: Kundershtim në materialin “Social Dialogue in Southeast European Contries- Posibilities, limitations, perspectives”, të autorit z. Darko Marinkoviq dhe “Social Dialogue in the Republic of Serbia“ të Republic of Serbia- Ministry of Labour and Employment, Data: 16.09.2002, ku autori i këtij dorëshkrimi, si ekspert zyrtar i kundërvihet keqpasqyrimit të Kosovës dhe të realitetit të ri në Kosovë nga një ekspert fashist duke e demaskuar atë për të dhënat e rrejshme që jep ngase “në këto dy materiale shihet mirëfilli se kanë një autor dhe ky është kreu i politikës shoveniste serbe, e cila përkundër thirrjes së pushtetarëve të “ri“ serb në “demokraci“, ndjek një politikë konfliktuoze në Ballkan.”

Po ashtu, me argumente dhe publikisht (me botimin e reagimeve e letrave publike në portalet kombëtare posa i ka shkruar më 2011) autori ka reaguar mu në momentin kur kanë ngjarë dukuritë që ai i ka vënë në thumb, siç janë: akuzat politike kundër UÇK-së të Carla Del Ponte, Dick Marty që kanë synuar njollosjen e një pjese të historisë, epokës së lavdishme të UÇK-së për të cilën, sipas autorit duhet mbrojtje institucionale që ushtarët e pafajshëm të UÇK-së të mos mbeten të vetëm përballë akuzave të pabaza dhe të mos shpresojnë shumë se “në kreun shtetëror i kanë eprorët e tyre dhe do të ju ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, janë më pak aktiv në veprime, por po mundohen që me reagime publike e demonstrim për t’i treguar ndërkombëtarëve pafajësinë. Ata harrojnë se në radhë të parë duhet mbushur mendjen eprorëve të vet se janë të pafajshëm, e jo ata të fshihen si struci dhe t’i lënë në rërë ushtarët e vet, sikurse peshkun pa ujë….Për të mos na u përsëritur historia duhet vepruar në mënyrë institucionale, kolektive e individuale për të ndarë shapin nga sheqeri dhe këtë me mo sdëgjueshmëri institucionale e qytetare, për të qenë parzmore e ruajtjes së vlerave, të paktën, për epoka historike.” Kështu ka këshilluar autori i këtij dorëshkrimi në vitin 2011, kur i ka botuar këto reagime-thirrje dhe po ta kishin dëgjuar e kuptuar ”kreu shtetëror me eprorë të UÇK-së”, sot më 2014 vetë ata nuk do të ishin frikësuar nga akuzat e mundshme të Gjykatës Speciale për Kosovën që është në formim e sipër edhe me bekimin e tyre! Ndaj edhe ripërsëritja e historisë negative, mu asaj që iu ka frikësuar autori i këtij dorëshkrimi dhe kundër së cilës ka bërë thirrje kundërshtimi që para katër (4) vitesh, mu ajo pa na ndodhë tani më 2014, dhe ka gjasa, fatkeqësisht, të ripërsëritet edhe më shumë në të ardhmen, nëse nuk ndryshohet mentaliteti politik dhe nëse nuk vetëdijesohet elektorati.
Reagime, autori ka në këtë dorëshkrim edhe një reagim me titull: Çlirimtarët duhet të kenë imunitet moral, historik e ligjor, që mban datën 25.03.2001, kur është shkruar, por që ende nuk është realizuar, edhe pse kjo është një e drejtë natyrore, objektive, kombëtare e njerëzore e çdo çlirimtari që iu ka përmbajtur rregullave të drejtësisë çlirimtare edhe gjatë tërë kohës së luftës. Ja çfarë pyetje retorike (që është edhe përgjigje njëkohësisht) ka bërë autori i këtij dorëshkrimi lidhur me imunitetin moral, historik e ligjor të çlirimtarëve të vërtetë: “Flitet e përflitet për imunitet deputeti, a ka nëpërkëmbje më të madhe që i bëhet çlirimtarëve? A nuk duhet të gëzojnë këta një imunitet historik e moral që duhet sanksionuar me ligj dhe të mos lejohet që kur dikujt t’i teket t’i vë nën pranga? “

Në reagimin tjetër me titull: Letër publike ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, Kur do të kenë vendin e merituar?!, autori jo vetëm kritikon mungesën e legjislacionit adekuat dhe dinjitoz për një pjesë të çlirimtarëve në Republikën e Kosovës, por edhe jep me kompetencë të madhe profesionale zgjidhjet juridike, politike e kombëtare për ta. Këtu kemi një shembull se si analisti dhe dëshmori i gjallë kombëtar nuk duhet të rri indiferent ndaj dukurive a proceseve negative që ndodhin në realitetin konkret jetësor, për të cilin realitet ai ka punuar e luftuar që të jetë i denjë për çdo qytetar e njeri, pra edhe për çlirimtarët. Lidhur më këtë ja çka ka shkruar më 2011 ish i përndjekuri dhe i dënuari politik, veprimtari kombëtar Afrim Morina: ”Nuk kam menduar kurrë se për këtë fillim vit t’i shkruaj një letër publike ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë. Por për këtë më kanë nxitur dy veprime që kanë ndodhur në mbarim të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti. Provokimi i parë është nxjerrja e Ligjit Nr. 03/L- 95 të dekretuar me datën 18.11.2010 nga u.d. Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi dhe provokimi i dytë deklarata e z. Hashim Thaçit për “titistët dhe enveristë”.
Autori i këtij dorëshkrimi në këtë letër publike ka dhënë një kritikë juridike profesionale të rrallë ndër ne (që shumë juristë me tituj doktorësh assesi nuk e kanë inteligjencën ta dhënë, e as nuk e kanë dhënë gjer më tani për këtë ligj) dhe ka argumentuar se Ligji Nr.03/L-95, dekretuar më 18.11.2010 “.. është jo vetëm përbuzës, por edhe poshtërues për të gjithë ne të cilët kemi përjetuar burgjet e ish Jugosllavisë dhe të Serbisë së më vonshme dhe masat e marra nga ai regjim pas vuajtjes së dënimit…Ky Ligj nuk përfshinë materien që duhej ta trajtonte, por trajton vetëm kompensimin material(!) dhe benificione… Pyes vetën dhe ju, kemi luftuar për të na kompensuar dikush më vonë?! Pyes vetën dhe ju, ishte ky misioni ynë jetësor?! Me siguri të gjithë do të përgjigjeni se misioni ynë ishte çlirimi i Kosovës (të gjitha territoret shqiptare në ish Jugosllavi) dhe bashkimi me Shqipërinë londineze, për të krijuar një shtet ku i thonë bukës bukë e ujit ujë dhe përfundimi i këtij misioni do të ishte shpërblimi më i madh i mundit, djersës dhe gjakut që ka spërkatur zyrat e UDB- së dhe KOS- it?”

Çdo mandat i deputetëve të legjislaturave të ardhshme që nuk i merr si udhëzime profesionale këto konkluza juridike, etike, filozofike e kombëtare për ta ndryshuar-përmirësuar sa më shpejt këtë ligj, në përputhje me filozofinë juridike e politike që ka parashtruar këtu profesionisti dhe kombëtari Afrim Morina, do të tregojë se nuk e meritojnë atë mandat dhe se një legjislativ i tillë do të jetë gjithsesi i dështuar.
Në pjesën e tretë të këtij dorëshkrimi kemi edhe reagime tjera të vlefshme, si ky ku në bazë të debateve publike që zhvilloheshin më parë në Kosovë autori i këtij dorëshkrimi thekson nevojën se “Problemi i çështjes shqiptare duhet trajtuar në një simpozium mbar kombëtare, me personalitete të dëshmuara të çështjes kombëtare, e jo me oborrtarë medialë që përfaqësojnë mendimet e veta pa u futur në analiza thelbësore, sepse ato marrin edhe kahe kundër kombëtare, sa edhe në emision shpesh parashtrohej çështje e “përrallës” dhe “uji i mullirit”.
Në reagime tjera të kësaj pjese të dorëshkrimit dalin, pos tjerash, edhe këto përfundime (konkluzione):

• se politika shqiptare, të shumtën e herëve është pa busulle,
• se mungon vetëdija kombëtare,
• se Qeveria në Kosovë, siç thotë një fjalë e populli, e ka lëshuar në lerë çështjen kombëtare dhe asaj po i intereson vetëm pushteti,
• se faktori ndërkombëtar vazhdon avazin e vet me eksperimente dhe parapërgatit terren për të lehtësuar Serbinë të kyçjet në Bashkësinë Evropiane (në një shkrim-reagim të 2011-tës),
• se disa grupime politike po synojnë ta marrin emrin e ish-UNIKOMB-it dhe kredibilitetin udhëheqësve të tij vetëm si reklamë,
• se shumë deputetë e funksionarë tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës ”ranë në provim për mos njohjen e Kushtetutës dhe shkencës”,
• se kjo Kushtetutë nuk ka vlera kombëtare, por më tepër është diskriminuese për shqiptarët,
• se Ministri z. Ramë Buja duhet t’i di kompetencat e veta,
• se ky amoralitet sot ka kapërdirë gjithë elitën politike shqiptare…ka kapërdirë gjithë “ajkën” e misionarëve ndërkombëtar për të bërë politik të dyfishtë me ne shqiptarët. Ky amoralitet ka mbërthyer në vete të gjithë ata që në politikë janë diletantë dhe nuk janë në gjendja të parashohin se ditën tjetër çfarë mund të ndodh.
• Se ministri Bajram Rexhepi duhet të merret me realitetet në teren, e jo të krekoset për trimëri, se trimëri në kohë paqe është kur e identifikon armikun, shkaqet e krizave, pushtimin e territoreve dhe i mëshon me grusht tavolinës.

Ndërgjegjja!

• se e moralshmja është bërë e pamoralshme,
• se na thërret zëri i ndërgjegjes kombëtare për të vepruar, e jo për të bërë sehir!
• Pyetja e fundit në këtë dorëshkrim, përsëri është: Pse fshihet e vërteta?! (në këtë rast për datën e themelimit të UÇK-së… Shmangia e qëllimshme nga data e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës….)
• Përgjigja e fundit e këtij dorëshkrimi: “Me një fjalë, është nisur mbrapsht dhe nuk do të përfundojë si duhet, sepse historia nuk do të heshtë për veprimet aktuale të shabllonit politik të sotëm, por do të vjen koha që kjo çështje historike do të trajtohet në mënyrë meritore dhe të drejtë, ku të gjitha do të shikohen me argumente shkencore dhe do të rishkruhet e sanksionohet edhe me ligj e vërteta që ka ndodhur.”

Politika e tjetërsuar dhe dështimi i Revolucionit

Nëntema e nocione (disa nga të cilat në këtë shkrim i quajtëm patologji politike) që kanë të bëjnë me temën tjetërsimi i politikës aktuale shqiptare-në këtë dorëshkrim janë: mungesa e vetëdijes kombëtare, tutorizmi, nënshkrimi mendjelehtë i dokumenteve me rëndësi shtetërore e kombëtare, dukuria e egoizmit kundërpublik e liderit i cili vepron sipas “filozofisë” politike se ”qeveria nuk mund të bëhet pa mua”, shndërrimi i qytetarit në numër nga politikanët; e mungesën e vetëdijes dhe e ndërgjegjes në politikë, frika (frikacakët) në politikëbërje, politika pa etikë apo amoraliteti në politikë, folklorizmi politik, mentaliteti i robit, gjuajtja e votave për qëllime egoiste e grupore, mosdalja në zgjedhje e shumicës së qytetarëve me të drejtë vote, heshtja e së vërtetës, mbulimi i saj, shtrembërimi i historisë, indiferenca ndaj drejtësisë, mosnjohja e Kushtetutës dhe shkelja e saj, papërgjegjësia qytetare e politike etj.
Këto “vlera” të politikës tjetërsuese janë prezente në dorëshkrim, që autori i ka parë e evidentuar edhe në situatën politike e gjendjen e kombit të vitin 2011 dhe të cilat sot vetëm sa janë zhvilluar, shumuar, trimëruar, tërësuar apo globalizuar si dominuese në jetën politike e kombëtare të vitit 2014, sa që tjetërsimi i politikës ka tjetërsuar edhe jetën tonë të përditshme, pasi më parë ka bërë çrend juridik nga rendi krejt fillestar juridik i vitit 2008 që patëm shpresë se do të bëhej rend juridik normal në Republikën e Kosovës.
Shkencat tona sociologjike, juridike e politike nëse janë të vërteta do ta bëjnë edhe këtë pyetje: Pse ky tjetërsim politik aq rrënues tani te shqiptarët?
Ka edhe shumë pyetje që mund e duhet të shtrohen tani duke parë e përjetuar rëndë situatën politike në të cilën po jetojmë dhe, në tërësi, gjendjen e tashme të mjeruar dhe të përçarë të Kombit Shqiptar...Por, mendoj se njëra ndër përgjigjet në shumë pyetje që i ka shtruar koha sot dhe që lidhen me pyetjen që e shtruam këtu (nën këtë nëntitull) do të jetë kjo: se Revolucion ka dështuar edhe te shqiptarët.
Them edhe te shqiptarët, për të nënkuptuar se një gjendje e tillë siç e kemi ne sot iu ka ndodhur shumë më parë edhe kombeve tjera. Ja një shembull. Në veprën “Teoria e gjysmalfabetizmit” Theodor W.Adorno, pasi që ka folur (lexo- shkruar) për arsimin si “një gjysmanalfabetizëm të socializuar” si “gjithëpranishmi e shpirtit të tëhuajësuar“ [1] ka përfunduar (konstatuar): “ ..nuk ka ndodhur ose ka ndodhur vetëm pjesërisht emancipimi i tërësishëm i qytetërimit. Dështimi i lëvizjeve revolucionare, të cilat nocionin e kulturës në vendet perëndimore deshën ta realizonin si liri, idetë e këtyre i ka hedhur njëkohësisht mbi vete dhe raportin midis tyre dhe realizimit të tyre jo vetëm që e ka errësuar, por e ka veshur edhe me tabu“ [2]
Po të mendojmë pak pse ka ndodhur kjo që na ka ndodhur, pra pse (siç ka shkruar Afrim Morina në këtë dorëshkrim) ”të vishet uniforma dhe të rrokën armët dhe në fund të nënshkruhen marrëveshje bashkëjetese me kushtet e ofruara nga pushtuesi…” ose pse “ata që udhëhoqën luftën nuk arritën pas çlirimit të marrin pushtetin (në Kosovë), por pushtetin e morën ata të cilët i kishin shpallur luftë luftëtarëve çlirimtarë”?
Përgjigja është fatkeqësisht po ajo që shtruam më lartë-se revolucioni ka dështuar (njëherëpërnjëherë) dhe kemi si pasojë gjendjen e tanishme ku drejtësia është bërë ndëshkim real, ku ish-luftëtarët çlirimtarë janë bërë “fajtorë kujdestarë ” sepse rendi i gjërave është bërë çrend i pranuar në heshtje dhe në këtë çrend dominues është errësuar e vërteta, e shumica e popullit nuk po di më se kush ka qenë dhe kush është kombëtar, çlirimtar, përparimtar etj. Por, koha jonë, situata e tashme kombëtare po e thotë edhe një gjë (për ata që dinë ta lexojnë realitetin)-se një numër i caktuar edhe i atyre që kanë veshë uniformën e UÇK (e ushtrive tjera çlirimtare shqiptare në ish-jugosllavi) nuk ka qenë as nuk janë çlirimtarë të vërtetë. Ata paskan pas hyrë me hile në ushtritë çlirimtare shqiptare dhe paskan pas dhënë fals Betimie Kombëtare. Prandaj duhet DRITË vërtetë për t’i parë “...raportet, të cilët ekzistojnë dhe lëvizin qorrazi.“,[3] ngase nëse nuk i kuptojmë e nuk i shohim mirë raportet e tashme kombëtare e ndërkombëtare, do të na ndodhë edhe më tutje që të mendojmë e themi se jemi në ëndërr kur ujku është duke na kafshuar ontologjinë tonë fizike e shpirtërore!

Disa përfundime

Dorëshkrimi i Afrim Morinës “Gjurmë kohe 3” është një lloj kronologjie politike, kombëtare, kritike, juridike, vepruese, ndikuese, vetëdijesuese që ka filluar të lë gjurmë kohe që nga momenti që kanë filluar të publikohen artikujt e tij, një nga një, në portale kombëtaret, kryesisht, në vitin 2011 dhe ky dorëshkrim ka vlera jo vetëm për sot.
Tani që dorëshkrimi ka bashkuar në një përmbledhja artikujt e sistemuar, të botuar më parë, kemi një tërësi të strukturuar mirë për nga përmbajtja e saj e pasur, e thukët dhe me vlera të pakontestueshme.
Këtu në këtë dorëshkrim është pasqyruar koha, ngjarjet, synimet, dobësitë, gjendja e kombit, ndeshja e interesave politike dhe ndeshja e epokave. Po ashtu është përshkruar dhe zënë, me fjalë tjera është fotografuar politika tjetërsuese (tëhuajësuese) jo etike aktuale shqiptare dhe dëmet e saj, si për bashkëkohësinë ashtu edhe për të ardhmen tonë. Kemi këtu jo vetëm filozofi politike kombëtare por edhe filozofi juridike kombëtare.
Autori në këtë dorëshkrim, megjithatë, ka tejkaluar mendimin se politika është “art i së mundshmes”, sepse sipas shkrimeve dhe veprimeve të tij në këtë dorëshkrim, politikani vizionar apo politikani shërues i kombit duhet që vetëm fizikisht të jetojë në kohën e pakohë, ndërsa shpirtërisht duhet të jetojë në kohën, epokën e ardhshme shëruese për kombin dhe njerëzimin, për çka duhet të jetë i dhënë, i përkushtuar me mish e me shpirt, ngase epoka më e mirë që duhet patjetër ta krijojmë, nuk do të na vjen vetvetiu në pjatë.
Pra, nocioni i politikanit vizionar i Afrim Morinës ka diçka të ngjashme me nocionin e Max Weberit për politikanin profesionist, që sipas tij (Max Weberit) duhet t’i ketë “tre kualitete vendimtare: pasioni-ndjenja e përgjegjësisë-të maturit me sy”. [4] Sipas Weberit, politikani, pra, duhet t’i mposht pasionet egoiste jo etike, duhet të jetë i përgjegjshëm ngase “Politika bëhet me kokë dhe jo me pjesët tjera të trupi ose të shpirtit”, [5] sepse-shkruan më tutje Max Weberi, ” Politika do të thotë një shpim i ngadalshëm por i sigurt i dërrasave të forta, njëherë me pasion dhe matje me sy” [6] Pra, jo vetëm nocioni i politikanit i Afrim Morinës, që paska disa i ngjashmëri edhe me nocionin e teorikut gjerman Max Weberit për politikanin profesionist, por edhe shumë nocione, kritika, reagime, thirrje që janë këtu, në dorëshkrimin e Afrim Morinës “Gjurmë kohe 3”, ia sforcojnë besimin lexuesit se përsëri ndër ne do të ketë politikanë vizionarë-shërues të kombit të cilët jo vetëm që do ta duan të Vërtetën por edhe do të ta “sanksionojnë edhe me ligj e vërtetën” gjatë procesit të ndërlikuar (e të vështirë) të realizimit të saj.
Ai që ka shkruar se “do të vjen koha që kjo çështje historike do të trajtohet në mënyrë meritore dhe të drejtë, ku të gjitha do të shikohen me argumente shkencore dhe do të rishkruhet e sanksionohet edhe me ligj e vërteta që ka ndodhur” (Afrim Morina po në këtë dorëshkrim) ka vërtetuar se jo vetëm që ka shpirt juristi , por ka edhe shpirt historiani, sepse me kohë, heret e ka kuptuar se “Nuk duhet të jemi vetëm kështu siç jemi. Duhet të jemi (nesër) edhe ashtu siç nuk jemi (sot). “ [7]
Dhe për të mos qenë nesër ashtu siç jemi sot, dhe për ta krijuar nesër një epokë më të mirë se kjo që është sot, pra për ta krijuar një kohë në të cilën nuk shkelet me të dyja këmbët mbi dinjitetin e njeriut, ku nuk injorohet e shtrembërohet (përgënjeshtrohet) puna, lufta e gjaku i çlirimtarëve të vërtetë për liri, të drejta kombëtare e njerëzore. Prandaj, për të shkuar kah një epokë e tillë, për ta realizuar atë sa është e mundshme (por duke mos harruar se është e mundshme edhe e pamundshmja; e pamundshmja që përfytyrohet sot e mundshme është) nuk duhet harruar asnjëherë edhe faktorin (forcën, pushtetin) e së vërtetës, sepse E VËRTETA DHE GJITHSESI E VËRTETA I DUHET KOMBIT, POLITIKËS, DITËS, DRITËS.

Kroi i Vitakut, Mitrovicë
14. 08. 2014

1]. Theodor W.Adorno: “Teoria e gjysmalfabetizmit”, botoi Asdreni, Tetovë-Shkup, 2010, f. 12
2]. Po aty f, 14
3]. Po aty f.14
4]. Max Weber: Politika si profesion, botoi asdreni, Shkup, 2009, faqe 77-78
5]. Po aty,f. 78.
6]. Po aty, f. 102
7]. Rexhep Ahmeti: Rendi juridik i mirëfilltë (sprovë për një teori të RJM-së), Prishtinë, 2013, f.29

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mr. Sc. Rexhep Ahmeti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 1,012 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi