Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KRIZA BALLKANIKE DHE QËNDRESA E SHQIPTARËVE NË TROJET ETNIKE NË SHQIPËRINË E VJETËR VERILINDORE (1875-1877)
Publikuar më 04 shtator, 2014 në orën 01:09 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Faza e fundit e zhvillimit kapitalist, do të fillonte të ç’thurej në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta të shekullit XIX dhe se kjo krizë politike kishte shkaktuar ndarjen e botës në shtete të zhvilluara dhe në ato më pak të zhvilluara. Si shtete më të zhvilluara kapitaliste ishin në rend të parë Anglia dhe Franca, kurse si shtete më pak të zhvilluara që ishin në stadin e tyre të bashkimit kombëtar ishin: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. E tëra kjo do të sillte në një acarim edhe më të madh në marrëdhëniet mes shteteve të zhvilluara të Evropës. Ngjarjet politike dhe ato ekonomike atëbotë, kishin filluar të kontribuonin në ndryshimin e raporteve të forcave në lëmin ndërkombëtar.

Ky raport forcash do të manifestohej edhe më tepër kur Gjermania gjatë viteve 1870-1871, kishte ngadhënjyer mbi Francën. Gjermania e unifikuar, ishte bërë njëri ndër shtetet më të fuqishme në Evropë, kancelari gjerman Otto Von Bizmarku, përpiqej me të gjitha mjetet e mundshme ta acaronte edhe më tutje gjendjen ekzistuese politike, duke nxitur dhe citur konflikte të reja në Lindjen e Afërme. Me këtë ai tentonte ta largonte sa të është e mundur vëmendjen e shteteve të zhvilluara të Evropës. Pastaj Gjermania e Otto Von Bizmarkut, orvatej me çdo kusht ta pengonte aleancën, mes dy shteteve Francës dhe Austrisë. Me iniciativën gjermane gjatë vitit 1873 do të formohej aleanca perandorake mes Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë Cariste.
Lufta diplomatike e fuqive të mëdha u bë veçanërisht e ashpër ndaj Perandorisë Osmane dhe të zotërimeve të saja në Gadishullin Ilirik.
“Politika ruse me synimin e saj, për ta zhdukur sundimin turk mbi ngushticat dhe për ta zgjeruar ndikimin e vet në Ballkan, pavarësisht nga qëllimet që ndiqte qeveria cariste, objektivisht e ndihmonte çështjen e çlirimit të popujve që vuanin nën zgjedhën shekullore të Perandorisë Otomane. Përkundrazi,Anglia,ishte e interesuar për ruajtjen e Perandorisë Turke, me politikën e saj ajo, e ndihmoi Turqinë në shtypjen e çdo lëvizje çlirimtare”. [1]
Porta e Lartë duke e parë përkrahjen nga Anglia, e kishte zvarritur protokollin e Londrës të vitit 1877, ajo qe e detyruar ta pranonte formimin e disa provincave si në Bosnje e Hercegovinë dhe dy provinca autonome në Bullgari. M’u për këtë arsye qeveria ruse, do të përgatitej intensivisht për ta sulmuar Turqinë. Peterburgu për t’iu shmangur ndonjë sulmi eventual nga Austro-Hungaria, Rusia në janar të vitit 1877, do ta nënshkruante një marrëveshje në Budapest me palën austro-hungareze se pas përfundimit të luftës me Perandorinë Osmane, Austro-Hungarisë, i njihej e drejta që ta pushtonte tërë Bosnjën e Hercegovinën. Marrëveshja, i përmbante dispozitat e përpikta nga Raihshtati, në rast se shpartallohej Perandoria Osmane, do të krijoheshin disa shtete të pavarura në Ballkan dhe se në mesin e këtyre shteteve që do të formoheshin do të ishte edhe Shqipëria dhe atë më 130.000 km2. Që nga trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, të Nishit dhe Toplicës e gjer në Prevezë të Çamërisë.
Rusia-Cariste më 24 prill 1877, do t’i shpallte luftë të një anshme Turqisë. E sëmura e Ballkanit edhe se ishte mirë e armatosur nuk mundi t’i bënte ballë përparimit dhe depërtimit të ushtrisë ruse në Bullgari. Pasi do të thyhej qëndresa shumë e fortë e ushtrisë turke në fortesën e Plevnës me në krye strategun dhe luanin me prejardhje shqiptare Osman Nuri-Pashain. Ushtrisë ruse pastaj do t’i shkonte për dore ta pushtonte Edrenën (Adrianopojën), trupat ruse në janar të vitit 1878, do t’i drejtoheshin që ta pushtoni edhe Stambollin.
Nga operacionet e ushtrisë ruse më së tepërmi, ishte inkurajuar; Mali i Zi dhe Serbia. Mali i Zi do t’i fillonte aksionet luftarake ndaj ushtrisë turke,dhe se veprimet e tija luftarake do t’i vazhdonte nëpër trojet etnike shqiptare deri në Hot dhe Grudë, kurse nga perëndimi do të shtrihej drejt liqenit të Shkodrës pastaj nëpër krahinat e Krajës dhe të Anamalit. Pastaj ushtria gllabëruese malazeze do ta pushtonte Tivarin dhe pas një lufte të ashpër me forcat mbrojtëse shqiptare do ta merrte edhe Ulqinin, ku pastaj forcat sulmuese malazeze, do të dilnin brigjeve të lumit Bunë dhe do t’i drejtoheshin që ta merrnin Shkodrën. Tek më vonë Mali i Zi i përkrahur nga Rusia-Cariste do t’i shkëpuste dhe okuponte me dhunë me se 7000 km2 të territoreve etnike shqiptare, që ndër shekuj kishin qenë toka shqiptare të Shqipërisë Natyrale.
Edhe Serbia i kishte filluar veprimet e saja luftarake ndaj Turqisë dhe se një kolonë e ushtrisë serbe, ishte nisur në drejtim të juglindjes, drejt tokave shqiptare të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, për ta marrë Nishin dhe Toplicën. Kurse një kolonë tjetër e ushtrisë okupuese serbe, do të marshonte drejt jugperëndimit ku do të arrinte në Gjilan, për t’i marr dhe okupuar territoret tjera të Shqipërisë së Vjetër Jugperëndimore.
Viti tjetër i Krizës Lindore do të fillonte nga vitet 1876-1878, kur serbët dhe malazezët do t’i intensifikonin aksionet e tyre luftarake me bullgarët ndaj Perandorisë Osmane, po ashtu edhe në Shqipëri do të shpërthenin disa kryengritje dhe protesta ndaj Portës së Lartë,ato rebelime kishin ndodhur në Mirditë. Ushtria Osmane atëbotë ishte ende e fortë dhe do t’u bënte ballë pa kompromis këtyre lëvizjeve minore të popujve të Ballkanit që luftonin për pavarësinë e shteteve të tyre. Rreziku permanent që i kanosej Perandorisë Osmane, ishte ai që i vinte nga fuqitë e mëdha dhe në rend të parë nga Rusia. “Lufta e parë serbo-osmane filloi në qershor dhe morri fund në tetor të vitit 1876. Luftën, serbo-osmane, pjesërisht e ndihmuan disa rusë me gjeneralin e tyre Çernjejev”.[2]
Të gjitha këto luftime do të zhvilloheshin nëpër trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, kryesisht në trojet e Nishit, Toplicës, Pirotit, Tërnit, Kurshumlisë, Prokupjes, Leskëvçës, Vrajës etj. Nga këto vite do të fillonte edhe dëbimi masiv i popullatës shqiptare, porse gjatë
këtyre viteve: “ Serbët e humbin këtë luftë”. [3] Prapë sipas Dr. J. Ristiqit, “malazezët në një mënyrë i vazhduan luftimet e tyre, ndërsa në luftimet serbo-osmane morën pjesë në anën e serbëve më se 3000 ushtarë rusë dhe 600 oficere”.[4] Ndërsa sipas Dr. J. H. Vasileviqit, “në luftën serbo-osmane në anën e Perandorisë Osmane, marrin pjesë shqiptarët dhe përmenden disa shqiptarë të cilët ngadhënjejnë në betejën e Aliksincit. Pastej thuhet se në luftën e parë serbo-osmane vërehen shumë shqiptarë ndër më të dalluarit në këtë betejë ceken:Imer Berisha dhe Halil Agushi këta luftëtarë sipas shënimeve arkivale serbe AS, MUD; ishin nga Peja”.[5]
Porta e Lartë këtë herë nuk pati rast t’i shfrytëzonte kundërthëniet që ishin paraqitur mes Fuqive të Mëdha Evropiane si gjatë Betejës së Krimes të Sevastopullit më 1853-1856. Për këtë mospërkujdesje diplomatike nga ana e Turqisë,Rusisë-Cariste iu mundësua që ta sulmonte Perandorinë Osmane. Sipas Peter Opaçiqit zhvillimi i luftës serbo-osmane gjatë viteve 1877-1878, ishte e ndërlidhur me luftën ruso-turke më 1877-1878, e cila Betejë e Plevnës do të zgjaste rreth 5 muaj. Qarqet serbe ende atëbotë nuk guxonin të hynin në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe shqiptarëve të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Por e prisnin epilogun e mbarimit të luftës në fjalë, vetë lufta ruso-osmane, sipas P. Opaçiqit kishte filluar gjatë muajit prill të vitit 1877 dhe do të zgjaste deri më 22 janar, përkatësisht gjer më 2 shkurt të vitit 1878. Gjatë muajit maj dhe qershor më 1877, forcat ruse nuk arritën suksese aq të mëdha kundër ushtrisë osmane, mirëpo pasi e kishin kaluar lumin e Danubit, depërtojnë kah malet e Ballkanit, dhe kështu i rrezikojnë forcat e shumta mbrojtëse osmane. Atëbotë me nismën e vet dhe lejen e Stambollit, Osman Pashai, më 17.000 ushtarë dhe 58 topa, do të hynte dhe fortifikohej në fortesën e Plevnës të Bullgarisë. Kështu Osman Nuri-Pashai, kishte filluar t’i rrezikonte, jo vetëm forcat ruse të krahut të djathtë, por edhe shumë lidhje të komunikacionit rus. Ndërsa Ali Pashai kishte filluar ta sulmojë krahun e majtë të ushtrisë dhe kështu e kishte ndërprerë sulmin e furishëm të forcave ruse nga Rush-Çuku dhe Shumlla.
Sulmi i parë i forcave ruse në Plevne kundër Osman Pashait, bëhet më 20 korrik më 1877 sulmin e kishte organizuar komandanti rus Shijlder me 8.500 ushtarë. Rusët i sulmojnë forcat osmane nga pozitat veriore dhe verilindore, këto sulme ishin teje të fuqishme, por ato do të hasnin në një zjarr uragan të Osman Nuri Pashait dhe me këtë kundërsulm shqiptaro-osman, rusët do të pësonin disfatë të rëndë me ç’rast do t’i humbnin më tepër se 2.500 ushtarë dhe detyrohen të tërhiqen nga Plevna.
Sulmi i dytë rusë kundër Osman Pashait në Plevne të Vogël do të organizohej më 30 korrik të vitit 1877. Tashti Plevnën e sulmojnë me forca dhe efektive ushtarake tri herë më të mëdha se sa në sulmin e parë, ku gjenerali rus Kridener i priu një ushtrie me 30.000 ushtarë dhe me 176 topa. Gjeneralit Kridener i erdhën në ndihmë edhe dy gjeneralë të tjerë Veleminov dhe Skobalev e organizojnë tani sulmin edhe më të madh e më të fuqishëm kundër turqve sa që ushtima e topave rusë ndihej disa kilometra larg me ç’rast hidhnin edhe bomba pa ndërprerje të shoqëruara edhe me këmbësori të mëdha prej me se 30.000 ushtarësh. Sulmet zgjatën një kohë të gjatë. Ndërkohë gjeneralët rusë morën urdhrin e prerë nga Komanda Supreme Ruse “Sulmoni dhe merreni Plevnen”. Mirëpo, kundër tërë atyre sulmeve ruse në mënyrë heroike ushtarët osmanë mbroheshin në mesin e të cilëve kishte mjaft shumë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit dhe të viseve të tjera të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, në atë betejë kishte edhe tatarë dhe aziatik të tjerë. Megjithatë, rusët nuk arritën ta thyenin mbrojtjen heroike osmano-shqiptare. Përkundrazi rusët, rumunët e të tjerë u detyruan të tërhiqeshin kokulur e me humbje të mëdha. Gjenerali i tretë rus, Skobalev, arriti ta zinte një pozitë në jug të Plevnës dhe e mbajti atë tërë ditën, mirëpo edhe ai u detyrua të tërhiqej nga aty natën, dhe atë me humbje katastrofale. Vetëm regjimenti i Kurskes humbi më tepër se 300 ushtarë dhe oficer. Në tërësi, në sulmin e dytë rusët, humbën 168 oficer dhe 7.167 ushtarë. Në frontin tjetër forcat osmane, nën komandën e Sylejman Pashës, në Rumeli të Bullgarisë, përforcohen aq mirë, saqë at qëndrojnë prej gushtittë vitit 1877, pa i lëvizur fare pozicionet e tyre deri në janar të 1878”. [6]
Sulmi i tretë fillon më 11 shtator 1877, në krye të këtij sulmi, ishte caktuar princi rumun Karal dhe gjenerali rus Zotov, me forca të shumta ushtarake si nga ana ruse ashtu edhe nga ajo rumune, me më tepër se 87.000 trupa ushtarake dhe 424 topa. Nga një largësi e madhe rusët dhe rumunët fillojnë t’i rrahin me topa pozicionet e ushtrisë turko-shqiptare në fortesën e Plevnës së Vogël. Kjo kanonadë topash zgjati 4 ditë dhe 4 net, pandërprerë, këtë herë rusët Plevnën, do ta sulmonin na lindja dhe verilindja dhe nga ana jugore. Sulmet ruso-rumune, këtë rrallë ishin aq të mëdha, sa që fronti i përngjante një ferri të vërtetë. Mirëpo, mbrojtja madhështore turko-shqiptare me në krye Osman Pashain, ato sulme i shpartallonte dhe i detyronte trupat artilerie të koalicionit ruso-rumun të tërhiqeshin. Gjatë këtij sulmi shumë ushtarë rusë humbën jetën e tyre, pastaj më tepër se 300 oficer rus dhe rumun ishin vrarë.[7]
Qarqet evropiane si ato: franceze, angleze dhe italiane, të cilat e patën ndihmuar Perandorinë Osmane, në luftën e Krimes më 1853-1856, kundër Rusisë-Cariste. Tani ato e përcillnin luftën ruso-osmane në Plevnë të Bullgarisë vetëm se anash, por mbrojtja heroike osmane i befasoi shumë vende perëndimore. Mbrojtja e sajë më së tepërmi kishte zgjuar interes tek populli hungarez, i cili e ndiqte me entuziazëm të madh mbrojtjen e Osman Pashës në Plevne. Në shenjë të përkrahjes dhe të ngadhënjimit të këtij komandanti shqiptarë, populli hungarez mbante tubime përkrahëse me fjalë të zjarrta, duke e qortuar qeverinë e vet pse e ndihmonte ushtrinë Cariste të Rusinë e jo Perandorinë Osmane. Qytetarët e Budapestit në shenjë përkrahje dhe admirimi që treguan ndaj luftës turko-shqiptare kundër Rusisë dhe Rumanisë, një pjesë të Budapestit e emërtuan “Osman Pasha”. Shembullin e Budapestit e ndoqën edhe disa qytete tjera hungareze si: Egeri, Kassa (Kashi) etj. Si për shembull në qytetin e Egerit, në minaren e xhamisë së këtij qyteti ishte vendosur pllaka përkujtimore me emrin e “Osman Pashait”. Porse qeveria Austro-Hungareze, ishte marr vesh me Rusinë-Cariste në Budapest më 1877, në qoftë se e fiton luftën Rusia-Cariste, Austro-Hungaria ka të drejtë, t’ia marr Perandorisë Osmane Bosnjen dhe Hercegovinën etj.
Lufta e Plevnës së Vogël ende vazhdonte,tani Komandën Supreme Ruse, e kishte marr nën komandën e vet, Nikolla Nikollajeviqi, vëllai i perandorit rus Aleksanër Nikollajeviqi. Vendosën ta ndryshonin taktikën e luftës, se me këtë metodë Komanda Supreme Ruse u bind se fortesa e Plevnës nuk mposhtej. Vendosën që ta përdornin një rrethim hapësinor shumë të gjerë në mënyrë që ushtria osmane mos të mundet të furnizohej me ushqime dhe armatim të nevojshëm. Këtë ide e kishte dhanë gjenerali rus me origjinë gjermane Totlebeni, pas një kohe rusët, menduan se luani i Plevnës së Vogël (siç zunë ta quanin Osman Nuri-Pashain rusët-v.a.), kishte ngelur pa armatim dhe pa ushqime, vendosën që ta sulmojnë.[8]
Sulmi i katërtë dhe i fundit ruso-rumun kundër Osman Nuri-Pshait me origjinë shqiptare, do të ishte fatal për të dhe ushtarët e tij. Në mesin e kësaj ushtrie osmane kishte shumë ushtar shqiptarë nga trojet e etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore si nga: Nishi, Tërni, Piroti, AAK Pallanga, Kurshumlia, Prokupja, Leskovça, pastaj nga rrethi i Masuricës dhe Vrajës. Tek disa muhaxhirë të moshuar nga Masurica dhe Vraja, kishte mbetur kujtimi i freskët rrëfimtar nga gjyshërit e tyre pjesëmarrës në këto luftime të Plemjes së Vogël atje në Rumeli. Ata shpesh herë na tregonin se lufta e fundit mes Rusisë dhe Turqisë, kishte qenë shumë e rënd, atë kohë lufte, kishte marrë një dimër me acar dhe borë të madhe. Ushtarët e Rumelisë, ishin të detyruar që shpesh herë dy nga dy, të ktheheshin me gojët e tyre nga këmbët e shokut dhe me hukamat e njëri tjetrit t’ia ngrohnin dhe ruanin sadopak shoku-shokut, gjymtyrët e këmbëve nga ngrirja e sigurt! Shumë nga ushtarët ishin të mbathur shumë dobët me opinga të bëra nga lëkura e kafshëve, kurse një pjesë e tyre në mungesë të opingave, këmbët e tyre i mbështillnin me lecka nga rrobat e shokëve të vrarë.


Osman Nuri Pashai komandant i ushtrisë turko-shqiptare në Plevne të Bullgarisë (1878)
Atëbotë, Komanda Supreme e Rusisë, sipas shënimeve të Petar Opaçiqit dhe Dr. Sabit Ukës, ishte e sigurt se do të mposhtej mbrojtja e Osman Pashait dhe trimave tjerë të pa epur, që me mbrojtjen e tij, titanike fitoi famë botërore. Rusët këtë herë kishin përgatitur dhe hedhur në luftë mbi 125.000 trupa ushtarake me 500 topa dhe me në krye shumë oficer të aftë për luftë. Por më kot rusët pësuan disfatë të madhe në njerëz dhe armatim luftarak, megjithatë rusët nuk u hamendën këtë herë, por e kishin forcuar edhe më tepër rrethimin dhe prisnin që Osman Nuri-Pashai, në mungesë të ushqimit dhe armatimit, do të dorëzohej. Në fund kur Osman Pashai nuk pati nga t’ia mbante, ngase me të vërtetë kishte mbetur pa ushqime dhe pa armatim, tamam kur ai tentoi ta shpërthente rrethimin e parë, madje edhe të dytin. Pothuajse ai kishte arritur t’i shpërthej dy rrethimet të thuash të hekurt, rusët dhe rumunët u hodhën përsëri në front me një ushtri jashtëzakonisht të madhe, pa i kursyer fare ushtarët e vet, sikurse ata të ishin gjësende pa shpirt, e jo njerëz por robot. Kështu e zunë Osman Pashain me të gjithë ushtarët e tij heroik, siç thamë edhe më lartë kishte mjaft shumë edhe ushtar shqiptar nga Trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Zaten rusët, prej asaj kohe, pastaj edhe më vonë e kanë përdorur metodën makiaveliane: “Qëllimi e arsyeton mjetin”. Jo pse rusët hodhën në luftë shumë njerëz dhe e fituar luftën, porse ka të dhëna se padishahu i Stambollit, vet e kishte sabotuar Luftën e Plevnës, se nuk i kishte dërguar Osman Pashait armatim dhe ushqim për sa e kërkonte nevoja dhe rrethanat e luftës atëbotë edhe rapsodi popullor shqiptarë, kësaj ngjarje i ka thurur këngë regjiake trimërie:

Osman pasha po këqyr kah deti
A po i çon armatim mbreti,
Osman pasha po lyp barut,
Po i çojnë çorapa dhe amërlluk.


Më së tepërmi dyshohej se Sylejman Pashai, e kishte sabotuar luftën dhe nuk i kishte dërguar armatim të duhur luftëtarëve dhe Osman Pashait atje në fortesën e Plevnës. Prandaj sulltan Hamidi e pat dënuar Sylejman Pashain me 20 burg heqje lirie, por këtu rapsodi popullor e akuzon edhe Mehmet Ali Pashën (këtu është fjala për Ali Pashë Maxharin-v.a.). Vargjet e këngës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare flasin qartë për tradhtinë e Ali Pashë Maxharit:

Osman pasha n’kambë u çue,
Krejt shqiptarëve selam për mu (prej meje)
Mehmet pashën n’mujshit mos me l’shue

Se murtat pasha ka qillue
Më ka shitë mue drojë u shet edhe juve
Ashtu në Pleme kur jam kanë qillue
Lypsha bukë, kundra më ka çue.
[9]

Si Perandoria Osmane njashtu edhe ajo Ruse, luftonin njëra për t’i mbrojtur tokat e huaja të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, e tjetra për t’i pushtuar ato. Ndërsa me Luftën e Dytë serbo-osmane 1877-1878, do të fillonin planet djallëzore të dëbimit dhe kolonizimit të tokave etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore si të: Nishit, Krushevcit, Kurshumlisë Pirotit Prokupjes Leskëvçës Vrajës etj. Serbia gjithmonë kishte llogaritur se viset e lartpërmendura, do t’i merrte pa ndonjë vështirësi në saje të qëndrim kryengritës të shqiptarëve ndaj Portës së Lartë. Pastaj në Serbi, dominonte bindja se shqiptarët mysliman nëpër viset e tyre të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, siç kemi thanë më lartë nuk mund t’i përfitonte në luftë ndaj Perandorisë Osmane. Nga argumenti se, Serbia kishte synime të mëdha territoriale ndaj tokave të shqiptarëve të banuara me shumicë me etnos nga ata vet. Për t’i fshehur qëllimet e tija grabitqare, Serbia e Millan Obrenoviqit, sipas shënimeve të Mr. S. Brestovcit,do ta fillonte: “ Nxitjen e urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve, në proklamatën e dhënë në qershor të atij viti, pra në prag të fillimit të luftës serbo-turke të vitit 1876. Serbia pohonte se ishte e detyruar ta fillonte luftën“mbrojtëse”nga sulmet e pareshtura shkatërrimtare të hordhive të egra bashibozuke të çerkezëve dhe shqiptarëve etj”.[10]
Nga këto të dhëna të konfirmuara dalin sheshit pretendimet territoriale ndaj trojeve etnike shqiptare të lart cituara nga ana e Serbisë. Këto të dhëna, qartësohen edhe më mirë në shënimet e Novica Rakoçeviqit, ku thuhej mes tjerash: “në Serbi dhe qarqet tjera të caktuara politiko shoqërore, mendohej se në prag të fillit të luftës së ardhshme, e cila parashihej të shpërthente çdo moment (këtu është fjala për luftën serbo-turke të viteve 1877-1878-v.a). Serbia do të nxirrte përfitime shumë të mëdha nga lufta që po fillonte. Pastaj mes tjerash, thuhej se... Serbia do t’i zgjeronte kufijtë e saj nga jugu në lindje gjer ku jetonte popullata serbe. Arnautët drejtë për së drejti do ta ndjejnë presionin e forcës sonë dhe çka nuk mundet të përfitohet me anë të hollave do të nënshtrohet me forcë. Shkurt Serbia e atëhershme borgjeze dhe gjysmë policore sheshazi pati qëllime kolonialiste ndaj trojeve shqiptare”. [11]
Mund të thuhet lirisht dhe pa kurrfarë hezitimesh se Serbia kishte qenë çdo herë fajtorja kryesore që e kishte penguar luftën e përbashkët mes vegjëlisë shqiptare dhe asaj serbe ndaj Perandorisë Osmane, në trojet e Vjetra të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, të Nishit, Toplicës, Leskovçës, Vrajës etj. Edhe Mali i Zi, e pati një qëllim identik si të Serbisë ndaj tokave etnike shqiptare, ai qysh në pranverë të vitit 1876, ku ende nuk kishte hyrë në luftë, nuk mundi si edhe Serbia M. Obrenoviqit, të mos i shfaqte pretendimet territoriale ndaj viseve të rrafshit shqiptarë. Kështu, ministri malazezë i luftës kishte deklaruar se: “Ne nuk mundemi përgjithmonë të jemi të dënuar ta kalojmë jetën e rëndë në brigjet tona; ne jemi të shtrënguar të lëshohemi në rrafshina që gjenden para nesh”. [12]
Edhe kjo shprehje hegjemoniste e kolonialiste e krerëve malazias nuk donë ndonjë koment të veçantë studimi, por është e ngjashme me ato të proklamatës së M. Obrenoviqit që e cekëm më lartë.
Serbia, para viteve 1876-1876, ende ishte e vogël, ajo deri atëherë nuk kishte mundur të arrinte gjer te vija horizontale e Arnaulëkut të Nishit siç e kemi potencuar edhe më lart, gjatë këtij përshkrimi historik. “Dhe se territoret në fjalë populloheshin me popullatë të përzier serbo-shqiptare, ndërsa viset jugore dominoheshin tërësisht me element shqiptarë. Kështu, vetëm në qarkun e Toplicës, para luftërave serbo-osmane, gjendeshin mbi 246 fshatra të pastra shqiptare, por mundet të ketë pasur edhe më tepër”, [13] pohon autori serb, i cili i kishte vizituar disa vise të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të Nishit dhe të Toplicës që nga viti 1877. Ndërkaq, sipas një burimi tjetër serb aty nga shekulli XIX, “vetëm se në nahijen e Leskovcit dhe të Prokupjes ishin 300 fshatra shqiptare”. [14] Numri i shqiptarëve që i popullonin ato vise shqiptare vërtet ka qenë shumë i madh, mendohet se numri i tyre duhet ta ketë qenë mbi 100.000 banor etnik shqiptarë. Një autor serb i cili bëri hulumtime lidhur me shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve nga Shqipëria e Vjetër Verilindore, që kishin ndodhur gjatë luftërave të viteve 1876-1878, këto hulumtime ai në tërësi do t’i bënte gjatë viteve 1934-1937. Ky hulumtues, ishte shtrënguar ta pranonte se: “Ekzistonin marrëdhënie të mira mes shqiptarëve dhe serbëve nëpër ato vise, porse shqiptarët e këtyre viseve qenë të detyruar prapë se prapë të shpërnguleshin”, [15] nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre të patjetërsueshme. Shqiptarët e këtyre viseve do t’ia kthenin armët të gjitha atyre që deshën t’i copëtonin dhe dëbonin ata nga vendet e tyre autoktone dhe pasuritë e tyre të paqetësueshme të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, luftonin për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit të tyre të pavarur me kryeqendrën e saj natyrore në Selanik dhe me qendrën tjetër koherente shqiptare Shkupin. Shtetet fqinje Serbia dhe Mali i Zi, gjatë luftërave të viteve 1876-1878, marrin hapa konkrete për t’i realizuar qëllimet e tyre pretenduese në dëm të tokave shqiptare dhe të popullatës në viset e Arnautllëkut të Nishit. Ku etnosin shumicë e përbënin vetë shqiptarët e këtyre vendeve autoktone të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Megjithëse, qeveria serbe atëbotë kishte pretenduar se nuk do t’i ngucte (ngiste) shqiptarët në qoftë se ata do të rrinin anash gjatë luftës në fjalë, porse ata prapë se prapë, i shpërnguli me dhunë disa dhjetëra e mijëra dhe lirisht mund të thuhet se nga të gjitha trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, nga Aliksinci e gjer në Ristovc. Ishin dëbuar dhunshëm dhe pa kurrfarë mëshire mbi 813.000 banor shqiptarë dhe atë nga të 714 vendbanimet e tyre autoktone dhe nga tetë qendrat urbane të Arnautllëkut të Toplicës. Dhe mu për shkak të kësaj dhune nga ana e Serbisë së M. Obrenoviqit, trojet shqiptare në viset e Serbisë së mëpastajme juglindore, do të mbeteshin të zbrazëta pothuajse pa banor.
Sipas disa të dhënave serbe që i zumë ngoje më lart, thuhet se gjatë luftërave serbo-turke të viteve 1877-1878 thuhej se: “Ushtria serbe, duke e sprovuar në jetë urdhrin e shtabit dhe të qeverisë serbe, i shpërnguli me forcë nga Toplica, Vraja e Leskoci më tepër se 30.000 shqiptarë”. [16] Serbia këto dëbime nga viset e saja të mëvonshme jugore i bëri me pretekst se dëshironte; “të shndërrohej në shtet të pastër serb dhe t’i paralizonte hapat eventuale të Portës në Kongresin e Berlinit. Në ato rrethana, duke dashur që t’i realizonte qëllimet e saja të mirënjohura, qeveria serbe urdhëroi që t’i shpërngulte me dhunë shqiptarët e viseve të lartpërmendura. Sipas saj, çdo usht serb do të ishte më i vlefshëm për atdheun, sa më shumë shqiptar të shpërngulë me dhunë dhe pa kurrfarë mëshire”. [17]
Përçarjen shqiptaro-serbe dhe dëbimin e tyre nga trojet e Shqipëria së Vjetër Verilindore e kishte paraqitur edhe publicisti serb i asaj kohe Aleksa Bogosavleviqi, në vjershën e tij,“O Arnautima”e botuar në Nish më 1897, ai shprehej kështu:

Arnautu div junaku
Zlo ti se sa svih strana sprema,
Al u krvi junačkoj mu
Baš ni kapi turske nema!
Nema serbu boljeg puta
Pa da k lepšoj sreći pođe
Nek zagrlit arnauta
Pa da k cili svome dođe!
To je teško pokrenuti
Iz planin vuke ljute,
Još je teže pritisnuti
Iz kamena Arnaute.


Në shqip kjo vjershë e A. Bogosavleviqit thotë kështu:

Shqiptar trim i pamposhtur
E keqja të pret nga çdo anë,
Në gjakun tënd trimëror
Asnjë pikë të turkut s’ke lënë.
S’ka rrugë për serbin më të mirë
Të arrijë te më i madhi fat,
Se shqiptarin duke e përkëdhelë
Qëllimi serb të jetë më ngatë.
Është vështirë për t’i lëvizë
Nga pylli ujqit e tërbuar,
Më vështirë është
Për t’i dëbuar shqiptarët e nguruar.


Sipas Prof. Dr. Hakif Bajramit, serbët me strofën e parë e kishin përpunuar: “Filozofinë e tyre hulumtuese se si të gjendet çelësi për t’i ndarë shqiptarët dhe turqit, që këta si një forcë e përbashkët që kishin qenë ndër shekuj të ndaheshin. Në atë drejtim filozofia politike serbe do të shprehet, kinse shqiptari nuk kishte asgjë të bëjë me turkun. Ky fakt edhe pse ashtu ishte nga aspektin kombëtar,as turqit dhe as shqiptarët kurrë nuk u ulën për të biseduar shtruar. Turku e vazhdoi politikën e vjetër të super-macionit, shqiptari u lëshua në kryengritje të armatosur dhe çështja erdhi aty ku dëshironte Kisha dhe shteti serb. Për ta realizuar pjesën tjetër të programit, serbët e fuqizuan strofën tjetër të “këngës” së tyre, të cilën duhej ta mësonte çdo oficer dhe nacionalist serb kudo që gjendej. Në strofën e dytë të Programit serb përpilohet strategjia se si të arrihet qëllimi serb”, [18] këtu mbi eliminimin e qengjës biologjike të shqiptarëve si kolektivitet kombëtarë.
Mbi këto parime të makiavelizmit, ishte formuluar në fillim politika pan-sllaviste serbe dhe tek atëherë kur i realizoi qëllimet e saja në praktikë ajo tek atëherë filloi ta zbulonte doktrinën politike me tërë lakuriqësinë e saj kondominiumiste konkvistadore dhe invaduese në praktikë kur kishte filluar gjatë viteve 1877-1878, t’i dëbonte shqiptarët nga trojet e veta etnike të Nishit dhe të Toplicës. Porse e tëra kjo u tregua sesa e vështirë ishte ajo rrugë e dëbimit dhe asgjësimit të muhaxhirëve nga Shqipëria e Vjetër Verilindore, sepse u deshën të derdheshin lumenj gjaku deri tek qëllimi i lartë serb. Politika pan-sllaviste serbo-ruse do të inaugurohet në çdo nivel të politikës të saj kolonialiste si në ushtri dhe religjion, ku pastaj do të përdorej rruga e ofensivës ushtarake dhe asaj diplomatike.
Sipas një shënimi tjetër serb thuhet se: “Para luftërave në fjalë të viteve 1877-1878, në rrethin e Prokupjes ishin 2054 shtëpi shqiptare dhe 2031 shtëpi serbe, ndërsa në rrethin e Kurshumlisë qenë 1539 shtëpi shqiptare dhe 638 shtëpi ishin serbe. Ndërsa, Veternica llogaritej atëbotë se gjendej në Arnautllëk, [19] d.m.th. se këto troje etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, ishin tërësisht të banuara me etnos shqiptarë. Pastaj sipas po të këtij historiani serb më tutje thuhet se: “Rrethi i Kurshumlisë, me largimin e shqiptarëve, ngeli pa banor... .Në fund të tërë kësaj kam nderin t’ia përkujtoj shkëlqesisë tuaj edhe këtë; se në sanimin e të korrave kontribuoi shumë angazhimi i komandantit të korit të Timokut”. [20]

Pamje nga Hani i Hasan Haxhisë

Pamje nga Vraja













Reshat AVDIU
Shtator, Preshevë 2014

(Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë)

Referencat:

1]. HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR II, Tiranë, 1965. fq. 110.
2]. Dr. Jovan Ristić, Istorija Srbije. knj. I. Beograd,1897 str. 150-155.
3]. Dr. Vasa Čubrilović, Istorija političke misli u Srbiji u XIX veka Beograd, 1958 str. 344-377.
4]. Dr. Jovan Ristić, Diplomatska istorija Srbije, knjiga I. Beograd, 1897 str. 154. Këto shënime AS, janë të cituara nga burimet të autorëve serb të asaj kohe që kishin shkrua.
5]. Dr. Jovan Hadži-Vasiljević, Učešće Arnauta u borbama Prvog Rata 1876. Ratnik LIX, sveska 4 Beograd, 1905 str. 38-39.
6]. Dr. Sabit Uka, Jeta dhe veprimtaria e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, dhe Petar Opačić- Savo Skok, Srpski turski ratovi 1877-1878, str. 181-192. Të gjitha këto materiale arkivale janë shkëmbyer më së tepërmi nga AS i Beogradit dhe ai AR i Moskës.
7]. Petar Opačić, srpsko-turskih ratovi 1877-1878. Beograd, 1981. str. 181-182.
8]. Dr. Sabit Uka, Vepra nr.4 Prishtinë,1995. fq.51-52, P.Opačić-S. Skok,str.182-183.
9]. Këngë Popullore të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1978. Nr. 126, fq. 179.
10]. Krh. Srpske Novine br. 135. 2 juna 1876, 619.
11] Novica Rakočević, Ratni planovi Srbije protiv Turke od važda kralja-Đorđe do kralja Petra Beograd p.v. 118-119.
12]. Srpske novine br. 71, 30 marta 1876.
13]. Dr. Milovan Spasić, Podaci o agrarnim odnosima hrišćana u oslobođenim krajevima okruga Topličkog i Vranjskog za vreme turske vladavine “Glasnik Srpskog učenog društva LXXI Beograd, 1890 str. 236-243.
14]. AS, MUD; fond Ilija Garašanina br.651 Beograd 16 septembra 1850, Toma Kovačević, Topografičko-statistično opisanije severnih predela u kojima je propaganda uredno zavedena. Sastav skupljen, črez agenata. Str. 145, tom 22.
15]. Radoslav Pavlović, Seoba Srba i Arbanasa, u ratovima 1877-1878 god. Knj. IV-VI 1955-1957 Beograd str.85-86. Edhe këto shënime arkivale serbe AS, MUD; janë të shkëmbyera nga punimet publicistike sllave që ishin shkruar atëbotë.
16]. Dr. Jovan Cvijić, Osnovi za geografiju i geologiju Makedonie i Stare Srbije III, Beograd. 1911, 1116.
17]. Dr. J. Hadži-Vasiljević, Arbanaška liga 11-14 Beograd.
18]. Prof. Dr. Akif Bajrami, Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912. Prishtinë,2003. fq. 25.
19]. Dr. Jovan Hadži-Vasilević, Arnauti naša krvi- Arnautaši, Beograd, 1939.
20]. Z. pukovnika Horvatović, AS, PO, K-29 br. 146 Niš, 15 oktobra 1878, vladi poverenik savetnik V. Vujović, srpskome knezu i komandantu Milan Obrenović.


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 53 vizitorë
Lexuar: 1,899 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi