Hyrje
1. Studiues, romansierë, sharlatanë dhe të gjitha llojet e mediave, shih edhe ato më elitaret, iu janë përveshur punës, gjegjësisht studimit rreth fshehtësive imagjinative apo reale të përjetimeve dhe humbjeve nganjëherë të mbuluara me rrethana të “pashpjegueshme” që mbërrijnë në përkufizime të jashtëligjshmërisë shkencore ose ndryshe thënë: hyjnë në fushën e fikcionit. Shikuar nga prizmi realist, nuk mund të mos pranojmë se diçka ka, por kjo nuk do të thotë pajtohemi me jorealen, them se ka gjëra që hulumtimet nuk kanë sjellë sqarime të kënaqshme mbi shumë fatkeqësi e zhdukje njerëzish, gjallesash të tjera dhe objektesh të tëra që ngelën enigma por edhe burim i manipulimeve dhe zvarritjeve të shumënduarshme, - shpeshherë jo serioze.
Ku saktësisht, në çfarë kushtesh, pse, kush; a kanë dorë UFO-t (Objekte Fluturuese të Paidentifikuara), a dinte diçka më shumë Platoni dhe a shtrihej këtu Atlantida që e përmend ai; ka ndonjë qytetërim të lashtë në thellësitë e oqeaneve ose mos vallë ka ngelur ndonjë makineri nga lashtësitë dhe që vazhdon të prodhoj energji gjigante por misterioze për kapacitetet tona...?
2. Realiteti historik i njohur për ne, fillon me udhëtimin e Kristofor Kolombos (në vazhdim Cristofor Colombo) në it. Cristoforo Colombo) më 1492 drejt tokës që më vonë do të quhet Amerikë. Pas një ndalimi në Canari, “Santa Maria”, “Pinta” dhe “Nina” i ngrenë velat drejt pikës qendrore të Atlantikut, ku edhe e kanë nismën ngatërresat e para me oqeanin... A do të gëlltiten karavelat e Colombo-s në mes të algave që jepnin shenja të afërsisë së ndonjë bregu por i cili nuk dukej askund në hapësirë...!?
Në qiellin e “Trekëndëshit”, gjer më vitin 1931 nuk dimë të ketë ngjarë ndonjë aksident i “turbullt” lidhur me aviacionin ose makina të tjera lëvizëse ajrore. Vitin e përmendur, sipas Richard Winer-it ("The Devil's Triangle"), viktimë e parë do të ketë qenë Herbie Pond, pilot i shkathët por i rënë në skamje dhe që ishte i detyruar të pranoj çfarëdo fluturimi, qoftë edhe me avionë shpesh herë të pa sigurt mekanikisht. Megjithatë, ai nuk do të jetë viktimë e një prishje të makinës sepse kësaj radhe pilotonte njëvendëshin në gjendje perfekte. Sa jemi tek fatkeqësitë në aviacion, do të theksoj se e keqja, ose si që e konsiderojnë një numër i madh autorësh, mallkimi i Trekëndëshit të Bermudeve, më 5 dhjetor 1945, zhduku pesë TBM Avengers-ë dhe M. Mariner...
3. Para fillimit kronologjik të trajtimit të fatkeqësive në një perimetër të zgjeruar të Trekëndëshit të mallkuar dhe misterioz, do të përmend se të dhënat që do t’i parashtroj, janë marr nga më shumë autorë të cilët do ti cek në brendi të tekstit duke evituar me qëllim, të ngarkuarit pa nevojë të radhitjes së literaturës e burimeve në fund të veprës, kjo nga se nuk mendoj dhe nuk nisem nga ide që të jap një punim shkencor (në rast se mund të flitet për shkencë në rrafshin e mistereve të Bermudeve) por vetëm shkrim narrativ i cili do të njoh publikun me një histori që ngjall kërshëri të pa ndërprerë në epokë të gjatë, dhe që vazhdon të jetë fshehtësi nga më tërheqëset në botë.
Reis Mirdita
(Vazhdon...)
|