Shtypi evropian po përcjell me shqetësim zhvillimet në Serbi, duke paralajmëruar se Vuçiq po shkon drejt vendosjes së një regjimi autokratik. Gazeta e përjavshme britanike ‘The Economist” shkruan se nën kryeministrin, Aleksandar Vuçiq, Serbia ka ngecur midis ambicieve evropiane dhe partnerit historik të saj, Rusisë.
Kjo gazetë shkruan se objektiv strategjik i Beogradit mbetet hyrja në BE, por nga ana tjetër, ajo refuzon t’u bashkohet sanksioneve evropiane ndaj Rusisë. Beogradi shkon edhe më tej në këtë drejtim, duke organizuar një paradë gjigante ushtarake me avionë rusë që fluturojnë në qiellin e Beogradit në shënim të 70-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit serb. ‘The Economist’ më tej vëren se trajtimi i medias nën qeverinë e Vuçiqit ka ngjashmëri të madhe me atë të Putinit në Rusi. Alarmi është lëshuar edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur serbë, të cilët thonë se fjala e lirë dhe kritika ndaj qeverisë “është duke vdekur në Serbi dhe gazetaria investigative është drejt zhdukjes”. Prej ardhjes në pushtet të Vuçiqit, është vendosur një pushtet i fortë dhe kontroll i rreptë, jo vetëm ndaj vartësve të tij, por edhe ndaj institucioneve të pavarura.
|