Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Adem Zaplluzha - Pesë poezi nga libri “Mbi flokët e ullukëve”
Publikuar më 21 tetor, 2014 në orën 01:09 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
.
















KËTU VDESIN ZOGJTË

Kur hyra në qytetin e hijeve
Më priti një kovë e vjetër
Dhe miu endacak
I asaj shtëpie me shumë biruca

Njerëz të paqethur
Kush e di se kur kanë prekur
Fytyrën e trishtimit
Me brisk rroje

Këtu në këtë gëzhojë
Prej betoni kallkan
Asnjëherë nuk ka pas ujë kolonje
Për shërimin e plagëve
Të banuesve të ngujuar

Ku njerëzit shërohen me urinë
Në çdo prerje brisku
Në shkumën e sapunit formohet
Një pikturë surrealiste

Këtu vdesin zogjtë
Nga disa sëmundje banale
Kolla e keqe ka hyrë si hija e zezë
Nëpër lagështit e mureve
Ngordhin bubuzhelet
Ku pandërprerë lehin gardianët
Si qentë e moshuar nëpër stele

SI USHTARËT E METALTË

Trokas çmendurisht
Trokas në dyert e mendjes sime
Nuk hapet asnjë deriçkë
Jashtë lehin të reshurat
S’ndalen së lehuri as mjegullat

Njerëzit gërvishtin njëri - tjetrin
Me gërvishtje majmunësh
Degët e shimshirit
Po puthen mbi dyshekun
E ekstazës së gjetheve

Kaloj trotuareve të pista
Bubuzhelet vrapojnë shëtitores
Maratonën e fundit
Parakalojnë kontejnerët
Si ushtarët e metaltë
Dalin në shesh hipikët

Këto imazhe si nëpër tregime fantastike
I ngjyrosin buzët
Me bojë të zezë dheu
I ngjyrosin shpirtrat e hijeve
Dhe më pastaj
Konvertohen në ylbere inkandeshente

PASTAJ FILLOJNË TË ZBRESIN SHIRAT

Kur ngrihen drurët
Pemëve u shkurtohen degët
Nga acari i tepruar
Në shpirtrat e kallkanëve
Mbinë disa dimra të vegjël
Të mërzitshëm
U përngjajnë mizave të kalit

Mjegullat ikin tej maleve
Fshihen
Hajdutçe i fshehin duart
Mes shpirtrave të pemëve
Dhe kur vjen koha
Si arinjtë e egër
Zgjohen nga gjumi dimëror

Pastaj fillojnë të zbresin shirat
Retë e purpurta dënesin
Vetëm loti i barit
Mund t’i përngjaj dënesje së mjegullave
Kur ikin si shtëllungat e hirit
Ngjashëm lejlekëve të verdhë

Kështu janë dimrat te ne
Me burra të mërrolur
Acari pëlcet si kripa në zjarr
Çatitë nuk mund të qëndrojnë në këmbë
Çdo ulluk vuan
Nga mbipesha e kallkanëve

NË SYRIN E VERBËR TË NATËS

Jam takuar me njerëz
Ngarkuar me gur në shpirt
Që kalonin pjerrtësinë e malit
Ma afshin e një trishtimi të padëgjuar
I përngjanin
Zogjve të verbër endacak

I takova edhe speciet e tjera
Duke rrëshqitur udhëve të verdha
Si zvarranikët parahistorikë
Nëpër lëkurën e njomë të ditës
Rreziten epshet e vonuara të skamjes

Një burrë si lisi i kërrusur
Ecën rrugëve të leckosura
Me pallton e shqyer të stinës
Arkivolet si kasapët i mprehin dhëmbët
Dita paska hyrë
Në vallen e procesionit

Mbi një gur të zi rri ulur etja
Qanë tok me kaktusin
Fatin e mbërthyer të zhurit
Një dunë ngritur prej fjalëve që vrasin
Qëndron si hutini
Në syrin e verbër të natës

TË LUTEM IK NGA ËNDRRA IME

Të lutem mike
Mos ma zgjo sonte mallin
Lëre le të flejë me moshën të shtyrë
Të kujtohet
Kur dashuroja si i çmendur
Metaforat e flokëve të tua

Më lërë të lutem
Na lërë rehat sonte mua
Dhe mallin tim të fjetur
Mbase kanë ndryshuar kohërat
Do zgërdhihen njerëzit me ne

Të lutem ik nga ëndrra ime
Pse ma ngacmon plagën
Që me shekuj kullon në shpirtin tim
Lëre mallin le të flejë
Nëse zgjohen zogjtë e mendjes
Mund të më fluturoj kapaku i kresë
Të lutem ik nga ëndrra ime

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 31 vizitorë
Lexuar: 780 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi