Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Pushkëgjati
Publikuar më 22 tetor, 2014 në orën 00:19 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ai shkrimtar që ka frikë nga kritika, dyshon për vlerën e veprës së tij.
(Dritëro Agolli)

Lirinë e duan të gjithë. Po, po, të gjithë, pa dallim fare, madje edhe gaforrja, siç thoshte poeti ynë i mjerimit, Migjeni. Por, interesant, asaj nuk i shërbejnë të gjithë njësoj. Kjo dihet dhe arsyetohet. Mirëpo, ç’tu bësh atyre që ia kanë me hile. Ata dërdëllisin e derdhin lotë krokodili për të, a në fakt nuk i japin gjë nga vetja. As edhe një thua, siç i thonë një fjale, ore lumë vëllai. Shikuar hollë e hollë, atë e duan dhe e mbajnë gjallë vetëm trimat. Ata nuk kursejnë asgjë, as edhe jetën e tyre, për t’i dhënë jetë asaj. Për ta ajo është më e shtrenjtë se vetë jeta! Çudi, edhe trimat i duan të gjithë. Ata janë të lavdëruar e të nderuar kudo e kurdo. Ama, edhe ndaj tyre, ndjenja ndryshon. Thënia e një burri, që goja ia nxirrte atë që ia thoshte zemra, më se miri e pasqyron këtë realitet: “Zoti mos na lashtë kurrë pa trima, veç në shtëpinë time mos lindtë asnjë!”.

Në anën e atyre, që me gjithë zemër e duan atdheun dhe lirinë e tij, ishte edhe mixha Ukë. Ai, me pushkën e tij të gjatë, ishte bërë sinonim i atdhedashurisë deri në vetëflijim. Gacatoren flakëroshe e ruante si sytë e ballit. Gjithmonë, dhjamin e pakët të ndonjë pule qafëcullake, therur për festa, e kishte ndarë me të. Atë e kishte amanet nga babai, i cili, gjithashtu e kishte trashëguar nga i ati, rënë në betejën antiosmane gjatë rrënimit të sarajit “Hamidi” në Dreninë e panënshtruar...

Dhe, kur në katundin e tij rrëzë bjeshkor u formua bërthama e parë e UÇK-së, ai nxori nga arka e vjetër prej druri arre, punuar e zbukuruar me maje brisku, nga marangozë duarartë, pushkën e pastruar e të mbështjellë mirë e mirë si djalë hasreti.

-Komandant, unë e kam armën time,- tha në mbledhjen e parë, kur trimat e lirisë jepnin betimin dhe formonin grupet që do të shalonin Alpet Shqiptare për të siguruar municion e armatim.
-Të lumtë, o Ukë trimi!- i thanë të gjithë, të entuziazmuar.
-Edhe një fjalë e kam, komandant.
-Fol, mixha Ukë.
-Unë jam si ujku, e dua vetminë. Pra, armikun do ta luftoj ashtu siç kam vepruar edhe më herët, pa hyrë nën komandën e askujt. Shkurt e shqip, dua të jem i lirë, i pavarur, çetë në vete.

-Fort mirë, o trim me fletë. Ti je komit i rryer. Ashtu do të veprosh, siç ta thotë shpirti e ta do zemra. Edhe për ty sigurojmë zogj, këta fishekët e mitralozit me saç bëjnë edhe për grykëhollën tënde që vret aty ku sheh syri yt pishë,- e përgëzoj komandanti, duke e përqafur fort e fort.

Katundi G. që nga ofensiva e shtatorit qe shndërruar në gërmadhë frikësuese. Aty, më nuk pipëtinë gjë e gjallë. Muret, gjysmë të rrënuara, ishin mbuluar nga ferrat e hithrat. Banorët e tij tashmë ishin zhvendosur në thellësi të Lugut të Kishës. Gjëllimi i tyre, nëpër tenda najloni, të përkujtonte parahistorinë e njerëzimit. Megjithatë, qëndronin e mbijetonin.

Mirëpo, farë e mallkuar, ardhur nga stepet, as aty nuk i lënin të qetë. Çdo ditë trazime e granatime. Minahedhësit ua kishin prurë shpirtin në fyt. Të mallkuarit, edhe emrin e kishin neveritës, mortaja. Predha e tyre të gjente edhe ku nuk e prisje, në zgavrën e lisit e në strofullin e dhelprës.

Plaku, me pushkën e gjatë, në tytën e së cilës lirisht mund të flinin dymbëdhjetë pula, kishte ndarë mendje të zinte pritë në Përrua të Thatë, aty ku, me siguri, fill pas lindjes së yllit të mëngjesit, ende pa dalë dielli, pritej të depërtonte këmbësoria e shfrenuar serbe. Ata dihej pse vinin, për të bërë masakrime mbi popullatën e pafajshme e të pambrojtur.

Për të qenë, qe përgatitur në heshtje, ngadalë e ngeshëm. Askujt, asnjë fjalë. Rrethatoren dyshe e mbushi përplot fishekë. Dy bomba me grisha, si samar breshke, të ruajtura që nga Lufta e Dytë Botërore, i futi në xhepat e xhamadanit, bashkë me kutinë e duhanit e me qelibarin zbukuruar me sedef. Plisin e bardhë dëborë e mbështolli me një shami të zezë, një traditë e moçme komitësh që mos të diktoheshin natën. Edhe një batanije, të bërë rrotë, e futi nën sqetull. Ashtu e donte prita, të shtriheshe mirë e mirë, të qetësoheshe e të koncentroheshe në cak. Ky ishte i gjithë takëmi i tij, i thjeshtë, por i pastër e i mjaftueshëm.

Dhe, kur të gjithë, përveç rojeve, që sogjëtonin pa pushim, i kishte mashtruar gjumi para mëngjesor, ai, si i përhitur zvarritej lehtas tatëpjetës së përroit gjarpëror në drejtim të Shtegut të Qoftëlargut. Opingat e gomës i kishte shtrënguar me fije të holla teli bakri e fundin e pantallonave i kishte futur në çorape që të mos i ngatërroheshin nëpër barishtet e thara e rrozgat ngjitëse. Ecte kujdesshëm e ndalej për të dëgjuar, se për të parë s’kishte kurrfarë mundësie. Edhe ashtu, mali ka vesh e fusha ka sy. Toka e shtruar me dushqe, ia mundësonte të mos bënte zhurmë. Për sherr, herë- herë, shkelte ndonjë krënde që kërciste sa ia çukiste kokën. Ishte terr, burg. Nuk shihje ta veje gishtin në sy. Hëna kishte tretur pas resh mbarsur me shi. As yjet nuk dukeshin gjëkundi. Ani, ashtu ishte më mirë për trimin e regjur në vaj e në uthull. Në të tilla rrethana, përherë kishte pasur suksese.

Edhe kur arriti aty ku duhej, një copë herë nuk u qetësua e nuk zuri vend. Fët e fët i paramendoi të gjitha. Në besnikërinë e pushkës nuk dyshonte fare. E bekuara, kurrë nuk e kishte tradhtuar. Ku kishte hedhur syrin, kishte qëlluar plumbi. Dorën në zemër, bombave nuk i zinte gjithaq besë. Ishin të vjetra dhe, ku ta dish, edhe mund të dështonin. Nejse, ndoshta, nuk do të këtë nevojë për to. Kryesore, fishekët i kishte gacë...

Kur mbi majën e Sukës së Madhe, përballë tij, u shfaq ylli i mëngjesit, në kthesën e parë iu fanit një si lëvizje gjysmëhijesh. I fërkoi sytë me shpejtësi nga mosbesimi. Lëvizjet u shpeshtuan. Padyshim, ishin ata që po i priste. Po, po, hienat tinëzare, kishin mësyrë luginën, mbushur me popullatë, për të bërë hatanë. Marshonin duke u fshehur e përvijuar hijeve të kaçubave. Ah, katilët e pashpirt! Kështu kishin vepruar që kur zbritën nga drunjtë dhe u zvarritën drejt Ilirisë. Edhe Azem Galicën e patën rrethuar kështu, herët, pa aguar dielli. Por, kot. Shqipet gjithmonë rrinë zgjuar.

Sakaq zuri pozicion pas një shkëmbi bricak. Shënjestrën e pushkës e rregulloi në shkallën e duhur. Nga xhepi nxori një shami për ta fshirë syrin e djathtë që disi i turbullohej nga ajo freski therëse. Edhe njëherë picërroi sytë dhe i dalloi qartë ata që po i priste. Sa u gëzua që i doli profecia! Një komandant, me revole në dorë, i printe lukunisë së ujqerëve gjakatarë. Ai ecte krenar dhe pa frikë. Ia paska pirë sorra mentë,- mërmëriti me vete plaku, duke vënë pushkën në faqe. Kur e mbylli syrin e majtë, caku sikur iu largua. Dreq, o punë! E provoi edhe njëherë. Ehu, mos po më mashtron pleqëria,- bëri me vete. Nuk ishin edhe pak, ore ju paça për jetë të jetëve, shtatëdhjetë e dy Shën Gjergja!

-Jepi, o burrë i dheut, mos ke frikë, plumbi yt nuk shkon huq, veç lulen e ballit ia ndjek hasmit shekullor,- iu vegua një si zë i nëndheshëm...
-Tak- tuk,- oshëtiu fuqishëm një krismë dyzërësh që trazoi gjithë bjeshkën e përgjumur e që për javë të tëra po dremiste në ethe të trishta.
-Tak- tuk...taak- tuuk...taaak- tuuuk...mbajtën iso shtatëdhjetë e shtatë lugjet e përrenjtë e përthyer si gërshetë nimfash tej e tej vargmaleve të Qyqavicës.

Trupmadhi shpirtzi, pasi u soll e u mbështoll, me duart e ngritura lart, u plandos për toke. Të tjerët u strukën si minjtë dhe për një moment nuk u bënë të gjallë. Plakut iu çel fytyra. E puthi tytën e pushkës që ende nxirrte fije të holla tymi. E rrotulloi shulin dhe e fyti fishekun e dytë në gojën e grykëhollës. Tashmë kishte marrë zemër. Veten e pagova, e tashti të dalë ku të dalë!- ia bëri vetes, duke qëlluar tjetrin që guxoi të çonte pakëz kokën.
Kriminelët vonë e morën veten dhe e zbuluan se nga iu vinte gjëma. Edhe plaku u kishte shkaktuar huti, duke i ndërruar disa herë pozicionet. Nuk ishte shkreptimë nga qielli, siç pandehen në fillim, por ishin plumbat e pagabuar të një sypatremburi që, fillikat, ua kishte prerë rrugën. Sakaq, dhe një shpërthim i fuqishëm çau lugjet mes përmes. Kënga e pushkës zëëmbël pushoi. Ajo, shpejt u ringjall nga krisma të tjera liridashëse. Komandanti, që në anën tjetër po priste kolonën e motorizuar, më të dëgjuar krismën e parë, mblodhi trimat dhe turr e vrap andej ku kafshoheshin jeta e vdekja. Zuzarët, kur panë se nuk po ia dilnin mbanë, mblodhën të vrarët e të gjymtuarit, dhe ia mbathen me të katërtat.

Trupin e pa jetë të plakut e gjetën gjysmë të mbuluar me baltë e me copa gurësh. Predha e minahedhësit e kishte bërë shoshë...Megjithatë, pushkën nuk e kishte lëshuar nga dora. Ende e mbante shtrënguar, me gishtin në këmbëz...
-Të lumtë, o Ukë trimi! Ti na nxore faqebardhë dhe na i shpëtove familjet tona,- tha komandanti, duke e kthyer mbarë.
-Lavdi për jetë e mot!- brohoritën të gjithë, pasi e varrosen mu aty ku Pushkëgjati kishte rezistuar e ua kishte prerë rrugën xhelatëve vrastarë.

Galicë, më 20 tetor 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 637 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi