Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Sa bukur është kur ke të dashur!!! (Tregim)
Publikuar më 23 tetor, 2014 në orën 23:37 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
E di që qysh në titull do filloni dhe do më paragjykoni. Po unë e kam hedhur kryqin mbi shpinë. Pra, nuk tutem nga paragjykimet. Dhe para se sa ta mbroj veten nga këto paragjykime, shtroj pyetjen fare të thjeshtë: cilit apo cilës prej jush nuk i hahen "hudhrat"? Po. E them me gojën plot: sa bukur është kur ke të dashur! Unë që e them këtë, jam femër, por thënia është e vlefshme dhe për meshkujt. Për këta, elbete: ca më shumë? Se kush ua prish ajkën atyre! Ata janë pak si një "rracë superiore", krahasuar me ne, femrat. Tek shkruaj kështu, mos kujtoni se kini përpara një adoleshente që, porsa e ka zënë qymyri dhe zë mban leksione për dashurinë. Jo. Tanimë unë jam një grua e pjekur dhe me përvojë në këtë fushë. E martuar dhe me fëmijë. Parë nga kjo anë, dukem sikur më janë liruar burgjitë. Ose siç thoshte plaka Qeriba, me famë në fshatin tonë, për ndonjërën ( të liruarën nga burgjitë, de!): - Këtë,- thoshte,- burgjia e bishtit e mban. E thoshte plaka Qeriba se ishte nga ato "drutë" e para, të rritura në hije dhe nuk kishin parë diell me sy. Kurse unë, tamam-tamam, jam e një prerje tjetër. E kur them "prerje", u futa në ullukun e plakës Qeriba. Kjo dhe rrobaqepsit i thotë: terzi! Shkurt: është me kohën e babaqemos!

E martuar jam dhe bërtas:- Sa bukur kur ke të dashur! Tek e lexojnë, e di që njëzëri do thonë: ka shkarë ose është cipëplasur! E thonë me zë të lartë: si meshkujt dhe femrat. Se të gjithë janë të n d e r s h ë m!!! Ndodh si me atë sentencën aq të njohur: ta ngrejë gurin ai që nuk ka bërë mëkate. Para kësaj alternative, të gjithë stepen. E dini pse? Se janë të n d e r s h ë m!!! Po jam e martuar. Jam familjare e mirë dhe kam dy fëmijë si drita. Por ja që ndodh dhe kështu: kam dhe një të dashur! Ky, i dashuri, ma rrit adrenalinën e gjakut dhe, pothuaj, është si një fllad freskie në jetën time. Martesën dhe jetën bashkëshortore unë e quaj si një detyrë shtëpie. Si ajo detyra e shtëpisë që mësuesi u jep nxënësve. Dhe kush nuk u mërzit nga një detyrë shtëpie, vallë? A nuk ka nevojë njeriu (mashkull a femër qoftë) që të relaksohet në momente të ndryshme të jetës? Pasqyrat janë përpara. Bota sikur ecën me galop dhe shoqëria jonë me ritmin monoton të gaforres. Asnjeherë nuk jam grindur me timshoq. Kam tridhjetë vjet që jetoj me të dhe, pse u mërzita nga ajo "detyrë e shtëpisë" familjare, sikur ndërrova mjedis. Mos më kujtoni si ndonjë femër të harlisur që kam marrë frerin nëpër këmbë. Jo. Po për çdo tregoj, ndodhi si vetvetiu.

* * *
Unë punoja në një zyrë me të. Me të: me atë që tani është i dashuri im. Është i dashuri im, por jo burri. Burrin e kam dhe e dua. Njësoj siç e kam dashur dhe më parë. Si është e mundur?- do pyesni. E mundur që çke me të. Epo të rrish me burrin e botës me një zyrë tetë orë të mira, nuk është dhe aq e lehtë. Se prej hekuri nuk është as ai dhe as unë. Hë një kafe, hë një çaj dhe, pak nga pak, si punë e asaj farës së grurit që ca prej ujit dhe ca prej dritës, vjen duke u rritur ditë pas ditës, ndodhi dhe me ne. U bëmë aq të afërt, sa as që patëm fare zor kur u puthëm për herë të parë. Puthja qe si një prelud dhe, mandej, të tjera e të tjera që i mirrin vet me mend. Që atë ditë unë sikur u përtëriva dhe u bëra tjetër. Ju them dhe jam shumë e saktë: në se ndodh një lulëzim tek një grua e moshës sime, ndodh se ajo ka një të dashur. Ja, më shihni mua:- Përse unë vishem kaq bukur? Përse vesh atë fustan me ngjyrën që i pëlqen atij? Imshoq kurrë nuk ka vënë re se çfarë vesh dhe se ç'ngjyrë e vesh. Kurse ky, e do si pak të hollë ku të dukem sikur jam lakuriq. E do ky dhe fjalën as që ia bëj dy.
Kur dalë nga shtëpia, tani që kam të dashur, mend i zbres shkallët dy e nga dy që të nxitoj për t'u parë me atë. Njësoj si ai zogu që, sa ka lënë puplat, tani është bërë me krahë. Sa mbrrij në zyrë (unë e di: ai ka ardhur para meje dhe mezi më pret), ku ka më mirë se sa kur zgjatet një dorë mashkulli që më kap nga supet dhe më tërheq nga vetja. Po. Po. Kështu ka ndodhur as mos tundni kokat tuaja të n d e r s h m e!!! Zgjaten ato duar të tij dhe ku ka më ëmbël si oksigjen për mushkëritë dhe zemra çelet e bëhet maj. Mbushesh me energji dhe je gati t'ia marrësh këngës. Se muzikë është dashuria. Këtë muzikë e duan të gjithë, por bëjnë sikur nuk e "duan" dhe e "dëgjojnë". U ka mbetur ora në mesjetë. Si ora e plakës Qeriba. Ora e plakës Qeriba? Po ajo dhe orës i thotë: sahat! Pra, "sahatçinjtë" nuk e duna atë lloj muzike. Për të qenë më e drejtpërdrejtë me ju: në se ajo "dhoma" jonë e femrave ka një "dritare", unë e bëra me dy. Tani shtroj pyetjen për të gjithë: kur "ajëriset" më mirë dhoma me një dritare apo me dy? Moralistët (gjithmonë bërtasin më shumë të pamoralshmit) e di që do më vënë në kryq si Krishtin, por unë flas për njerëz me gjykim të kthiellët.

* * *
Malli ( e kam fjalën për dashurinë) është erozion që grryen shtratin e shpirtit. Krahas burrit zë e do atë, tjetrin, sipas mënyrës tënde. Dhe aq e do këtë, të dashurin, sa nuk vë re ndonjë të metë tek ai. Aq "verbohesh" pas tij sa dhe "thinjat" ( epo ky, "imi", sikur ka ca thinja), nuk i vë re. Të duket se ai nuk do plaket kurrë dhe do jetë po aq vital, sa ç'qe kur shkëmbeve puthjen e parë me të. Vitet tek ai sikur bëjnë invers dhe shpirtin e ka të tërin blerim. Ky "blerim" i tij është si punë "virusi" për mua se zë dhe më indukton. Tek shkruaj për të, me mendje vjen dhe më afrohet ajo këngëtarja e madhe franceze, Edit Piaf që thoshte:- Mungesa e një mashkulli në jetën time i ngjet një dite me shi. Mashkulli,- thoshte Piafi,- është dita me diell. Kur e lexojmë këtë thënien e Piafit (asaj "harbaeles" së famshme), të gjithë e pëlqejmë: burra dhe gra, kurse, kur e them unë, del si një harlisje që prish moralin e atyre të " ndershmëve". Vetminë as që e dua. Këtu, tek tregoj, mos kujtoni se unë jam një heroinë nga ato telenovelat dhe aq. Jo. Jam një femër e moshës së mesme që kam një "rinim" të dytë. Ky "rinim" ka dhe burimin e tij: kam një të dashur. Dhe nuk ka më bukur! E vetme nuk jam, sigurisht. Mëkatare do ta quaja veten sikur ta mbaja të fshehur. Kështu më duket sikur e shijoj më mirë dashurinë time. Hë, si thoni?!!!

Përparim Hysi

Tiranë, 20 tetor 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 34 vizitorë
Lexuar: 581 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi