Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
MALLI, KUPTIMI DHE DASHURIA NË VARGJE POETIKE
Publikuar më 24 tetor, 2014 në orën 15:04 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Mazllum Saneja: “Letra Evës”, poezi, botoi “Saga”, Prishtinë, 2014.

Problemet e jetës, lakesat nëpër rrugët e saj, pengesat, turbullirat, por edhe dashuria, gëzimet e hareja janë shpesh burime të pashtershme për penën e poetit, brushën e piktorit, krijimtarinë artistike edhe të kompozitorit dhe jehonën e këndshme të zërit të këngëtarit. Mbi të gjitha këto tronditje, pse jo edhe kënaqësi, burojnë dhe derdhen pastaj me frymëzimin nëpër figura vargjesh imazhe që nguliten në memorien e lexuesit. Kjo ndodh zakonisht me ata poetë që në një formë ose tjetër, i spërkatin vargjet e tyre me lëngun autobiografik që rrjedh nga damarët e dheut të atdheut atëherë kur shtohet më së shumti malli për dhe e atdhe nga mërgimi dhe jeta mërgimtare.

Në mesin e këtyre poetëve, me bagazhin e jehonën e kësaj që u tha më lartë, është edhe poeti, eseisti, kritiku e posaçërisht përkthyesi, Mazllum Saneja, i cili më tepër se gjysmën e jetës së tij e kaloi në mërgim, në diasporën bashkëkohore, në Poloninë e largët. Dhe këtë atmosferë, poeti e krijuesi Saneja e skalit artistikisht në vargjet e veta poetike të botuara edhe deri tash, por posaçërisht këto tashmë frymojnë më bindshëm, më dendur, më latueshëm dhe më tingëllueshëm artistikisht në veprën poetike “Letra Evës”, që është përkushtuese për miken e tij Eva Shmitanska, që dëshmohet edhe me moton e shënuar në fillim të veprës:

“Mikes sime,
Eva Shmitanska,
Autori”

Nga përkushtimi shtrihet edhe strukturimi i veprës që shtjellohet në volumin prej më se 79 faqesh. Forma e këtij strukturimi ka diçka të posaçme dhe të veçantë, sepse autori e bën në formë poeme bashkëkohore e moderne, që shfaq risitë e veta në poetikën e tij. Dhe shikuar në shtresimet që përshkojnë tërësinë e veprës, vërehen qëllimet, synimet e pse jo edhe ambiciet e rangut poetik. Figura e Evës është qendra e botës frymëzuese për vargëzime poetike në këtë vepër. Nga kjo figurë burojnë të gjitha anët e tjera, që krijuesin e ngacmojnë, e frymëzojnë, e grishin, e përmallojnë, por edhe e mallkojnë, e rikujtojnë dhe veçanërisht e shtyjnë edhe të dashurojë.
Andaj, figura e Evës ka elemente mistike e mitologjike dhe sidomos biblike, sepse kjo është nëna e gjithë njerëzimit, gruaja e parë e Adamit e të tjera. Nëpër këto shkallë të piramidës frymëzuese, poeti Mazllum Saneja, i shkruan letra Evës së dashur, e cila artistikisht është strumbullari që pranon, dëgjon, ndjen dhe shpërfaq gjithçka nga vargëzimet e Sanejës. Letrat që mund të quhen lirika intime poetike si hallka të poemës moderne dhe specifike, rrjedhin nëpër të gjitha poret e jetës. Ndaj:

Të shkruaj Ty
nga larg
nga thellësia
e viteve të mia

shkruan poeti në fillim të poemës së tij “Letra Evës”, që mund të jetë prolog poetik i këtij krijimi, i kësaj vepre, e pse jo edhe i kësaj poeme moderne dhe specifike e dalluese. Nëpër të gjitha poret e jetës rrjedhin gurrat e ndjenjave, që nuk zhbëhen e as nuk treten asnjëherë.
Vargu “Të shkruaj Ty” është varg fillestar, por edhe prijatar i të gjithë përbërëseve të letrave poetike veç e veç që formojnë strumbullarin e poemës. Ky varg nismëtar frymon me të gjitha anët intime, dehëse, por edhe të tjera të strukturimit sublim të vargëzimit, i cili ka një formë adekuate të ngjizur me specifikën e figurës, metaforës, të gjuhës artistike dhe asaj letrare. Nëpër këto pore intimiteti figurativ mbarështohen peizazhe poetike të veshura me lëng autobiografik nga fëmijëria, rinia, burrërimi, e pse jo edhe në kohëra të tjera. Nyja lidhëse e këtij shtresimi dallohet në këto vargje:

Të shkruaj Ty
se herët braktisa
vendlindjen

dhe askurrë
nuk e harrova

të cilat janë dëshmi e një realiteti të hidhur bashkëkohor, të cilin poeti Mazllum Saneja e skalit bukur artistikisht, sepse e ndjen në kurrizin e tij. Kështu, mërgimi është hallka që e ngjesh krijuesin, andaj ai i rrëfen për të gjitha hallet e mërgimtarit Evës së poezisë, Evës së lirikës, Evës së frymëzimit.
Eva i di, por i mëson të gjitha intimitetet e jetës së rrëfimtarit lirik. Ai i shkruan për ndjenjën kombëtare dhe lashtësinë shqiptare, për Arbërinë, Horën e Arbëreshëve, Gjakun e Shprishur, për Motin e Madh, Çabratin, Pashtrikun, Drinin e Bardhë, Erenikun. I shkruan letër edhe i rrëfen poetikisht edhe për prindërit, vëllain e motrën Shuhreten, shokët e fëmijërisë, për shokun besnik Stefan Melakun, pastaj për poetët Jeseninin, Migjenin, Lorkën e të tjerë. Dhe në këto letra intime të poetikës lirike burojnë ndjenja që skalitin figurën e Evës si shpëtimtare të këtyre rrëfimeve artistike. Të gjitha këto marrin ngjyra të tjera, sepse tash kuptohet më lehtë misteri i poezisë, duke i ndirë aromat e jaseminit, trëndafilit, lulegojës, livadheve, shijimet e frutave e pemëve: rrushit e manaferrës, kulumbries, mollës, kumbullës e të tjerave. Eva për poetin është “Këngë mbi Këngët”, burim drite dhe bukuri si Jerusalemi. Ajo është gjithçka, ajo është madje edhe engjëll.
Vepra poetike “Letra Evës” e Mazllum Sanejës, shënon edhe datën e vendin e shkrimit që është: Varshavë, fundi i prillit 2014. Kjo dëshmi shpreh synimet, pse jo edhe semantikën e vargëzimit përkushtues artistik dhe shtrirjen në nivelin e duhur të vargëzimit. Edhe figuracioni i përdorur në këtë vargëzim është i qëlluar dhe suksesshëm inkuadrohet në sistemin e shprehjes lirike, që dominon në këtë poezi. Kështu figura e metaforës, simbolit, por edhe krahasimi, anafora, retiçenca, madje asonancat dhe përsëritja, që do ta quaja prirja e vargut “Të shkruaj Ty” janë niveli artistik me domethënie në këtë vepër.
Kjo vepër e këtij poeti e botuar shpreh edhe një shtresim që është vargëzim poetik i autorit Mazllum Saneja, andaj nuk është gabim nëse thuhet se me këto vargje e dëshmoi mendimin se ky është varg i poetikës së këtij poeti.

HALIL HAXHOSAJ

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 878 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi