Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Adem Zaplluzha - Katër tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj”
Publikuar më 26 tetor, 2014 në orën 09:17 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
.
















KUR DESHËM TË DASHUROJMË

Unë s’e njoh as vetveten, nuk më njeh më as zemra ime, kanë ndryshuar kohërat, sot i mbjellim mbrapshtë lulet, kurse nga rrënjët mbinë mallëngjimet.
Kur ishin kohërat tona , pak më ndryshe merrte frymë toka, luadhet çelnin disa lloje lulesh ato me aromë të tokës dhe ato të tjera që s’kishin kurrfarë arome.
Më kujtohet fare mirë ngjarja e asaj dite kur erdhën zogjtë në fshatin tonë, ne u bëmë atyre një pritje madhështore sa që u befasuan fluturat e metalta.
Binte edhe shi i përzier me zërin e mjegullave, por ne i hapëm zemrat dhe i pritëm ashtu siç e kishim zakon.
Kohërat ndryshuan por ne mbetëm si të parët tanë, merrnim frymë si toka e shkriftë dhe i piqnim shtambat sipas një kodi të vjetër ashtu që nuk thyheshin edhe kur i rrokullisnim kalldrëmeve të lagjes.
Kështu e ka kjo kohë, mateshim me fluturimet e korbave dhe jetonim po aq sa jetonin edhe korbat.
Nëse nuk kishim se me çka të mburreshim ne i përngjanim fluturave dhe lindnim nga puthjet tona, më pastaj krahasoheshim me të gjitha të mirat dhe të ligat tona.
Dikur vonë kuptuam se nga thera çelin lulet më të bukura që rriten nëpër vazot e kujtimeve ashtu siç nga trëndafilat që çelin trishtimet.
U mësuam me këto lojëra, të zbrazura, brendia e tyre ishte një dhomë e akullt ku mund të ngriheshin zogjtë e shpresave dhe nuk fluturonin kurrë më nëpër kujtesën e çative që kishin mbetur në mëshirën e kohës.
Një dhëmb i ndryshkur kafshonte ajrin e brymtë të mëngjesit.
Unë jam i bindur se ky tregim nuk ka ekzistuar në kohën e juaj, ashtu siç nuk ka ekzistuar as në kohën time.
Ndoshta as ne nuk i kemi prekur rrënjët e erërave andaj edhe u bëmë erë në sy të botës, kah nuk i lëshuam vezët, si qyqet ikëm nëpër metropole, por a mundëm të ikim nga vetvetja e jonë.
Mbase ndryshe si mund të ekzistonim nëse nuk fluturonim, herë bëheshim korba të ngarkuara me trishtime e herë pëllumba që bartin letra me arkivole të ngjyrosura.
Ajo atëherë ishte koha e jonë e egër që na kafshonte sa herë që e kthenim kokën të çmallemi me sinorët e atdheut.
Nuk më kujtohet tani se si vepruan me ne kur deshëm të dashurojmë, por më duket se me një dekret të pashkruar u penguam, andaj sot heqim të zitë e ullirit, aq shumë kemi një mall të pashuar për një gllënjkë vere nga dora e së kaluarës.

ERA E NDËRROI DREJTIMIN

Mjegullnajat ishin mbushur me shi të prushtë , nga të katër anët e shpirtit frynte një stuhi e paparë, shkundeshin gjethet e qiellit, retë, shkundej çdo gjë që mund të shkundej para furtunës së zezë.
Në lindje të qyteti dëgjohej zëri i përvajshëm i një kambane të vjetër. Një korb i zi i kishte hapur krahët dhe e rrihte qiellin e etur i cili nuk ishte më në gjendje të qëndroj në këmbët e veta, zvarritej si një zvarranik i plagosur.
Zvarritej qielli me Lakuriqësin e yjeve, diku kah perëndimi i diellit, doli një yll që nuk i përngjante yllit por një topi të zjarrtë që digjej në hapësirën e paanë
Mjegullat me një gjuhë si të gjarprit, të qitur pak jashtë i lëpinte stërkalat e shiut. Nuk di athua ishe shi ose diçka po bie ngjashëm me shiun por është duke na i lagur këmishët e arnuara që i kemi lënë mbi gardhin e kishës që të thahet gjaku ose djersa e trishtimit.
Mbi çatitë gjysmë të rrënuara kishin dalë kandrat dhe loznin një valle arkaike, zëri i qemanes më hyri në asht kurse nën fustanin e erës filluan të lozin një valle të vjetër vetëtimat të cilit shoqëroheshin nga një muzikë që kurrë nuk është dëgjuar në qytetin buzë Lumëbardhit .
Papandehur era e ndërroi drejtimin, nëpër xhepat e saj dëgjohej një muzikë e vjetër, kush e di se nga ka ardhur këtu por qytetarët e donin atë zë të trishtuar të shpirtit që derdhej me një melankoli të pashoq në djepin e lumit i cili e bashkonte gjëmën e shpirtit të thyer të lisave me atë të Drinin të Bardhë .
Atë ditë era nuk kishte se çka me na thënë, heshti si një sfinks.
Heshtëm edhe ne, heshti i tërë qyteti vetëm kalldrëmet nuk menë, me duket se në shpirtin e gurëve ishte zgjuar një parandjenjë e cila vinte nga lashtësia me një uturimë të paparë. Andaj edhe dalloheshin shumë prej njerëzve këto zhaurima shpirtrash, dalloheshin se nuk e njihnin heshtjen, kishin lindur mes zhurmash dhe fjalësh.
Për çudi era në qytetin tim frynë shumë rrallë por sa herë që frynë nga shpirti i saj bujar buron një tregim ti cilin ende deri më sot nuk e zbërtheu asnjë njeri...
Ndoshta ky tregim ka një emër tjetër, kurse mbiemrin asnjëherë nuk i tregoi askujt, heshti, më duket se i përngjante gurit të zi të lagjes i cili në çdo kohë ka ditur me hesht. Kështu ky gur i zi i mësoi njerëzit dhe vet mësoi nga njerëzit se si duhet heshtur. Nëse nuk hesht të zhveshin deri në asht, atëherë nuk di as vet njeriu se kujt i përngjan , një cope mishi pa asht ose ashtit pa mish, kështu e kanë kohërat te ne, po nuk heshte i humb të gjitha rrugët që të qojnë deri te kujtesa...

NETËT E GJATA

Mos më prek sonte. Të lutem mos e zgjo të kaluarën që fle , mbi qerpikët e thyera të hënës, kjo natë i paska shtatëqind vjet.
Sonte kuptove se në kokën time tullace nuk banoj vetëm unë, por paska shumë njerëz. Secili banon dhe mendon për problemet e veta, vijnë e ikin nga unë sikur ta kisha murtajën , as që më përshëndesin.
Një gjëmë e paparë fle në shpirtrat e tyre dhe qajnë kur qeshin të tjerët ose ngjan e kundërta, kur qajnë të tjerët ky njeri që banon te unë qesh deri në çmendi.
Këto britma shirash që dalin nga nëntoka vrapojnë si kalorësit e çmendur nëpër trishtimin e qytetit që akoma fle në mjegullat kujtesës.
Mos më zgjo as mua, lëre hijen time dhe flokët e brymës t’i bashkohen shtrezës së akullt që ngulë rrënjë në domethënien e kujtimeve të cilët edhe kur nuk ekzistojnë bëhen sikur se janë pranë nesh.
Këto kujtime prej dunave të lëngëta që sa herë trenohen valët mbinë në shpirtin e rërës dhe shndërrohen në lastar fjalësh, sa që kur hynë në vallen e tyre të duhet njëmijë vjet për të dal nga brendia e poemës.
Të thashë lëre le të flenë gjarpinjtë nëpër vërrimat e mendjes e cila në çdo kohë i ndryshon ngjyrat mbi pastelet e kujtesës, lëre edhe kujtesën rehat, mos i zgjo zogjtë e mendjes se për ndryshe e humbë rrugën ende pa dalë në stom.
Kur erdhe atë çast nga mëngët e shqyera të këmishës së bardhë pikonte loti i ditës, pikonte po ai lloj trishtimi që pat pikuar para njëqind vjetëve.
Atë ditë çdo krijesë e tokës fshihej pas një trishtimi, mjegullat dhe vetëtimat filluan të krakëllijnë si korbat biblike.
Uji doli mbi maja të flokëve, dhe nisi një përmbytje e re , thoshin se as në kohërat biblike nuk ka pasur këso përmbytjesh, asnjë anije nuk u ankorua në ndërgjegjen njerëzore, përmbytje e paparë e mendimeve të fjollave prej dëbore.
Në gjoksin e hapur të erës çmendurisht fundosej galopi i ditës, fundoseshin yjet e fundit që kishin mbetur mbi lëkurën e shqyer të hapësirës. Fundosej qielli i errësuar, asnjë meteor nuk pat mbetur në kujtesën e lisave.
Nën rrënjët e rrapeve ishin zgjuar milingonat dhe bënin seri me sy se si qenkan shndërruar njerëzit në zvarranik parahistorik dhe zvarriten drejtë një uji të panjohur deri më sot.
Mos të lutem, mos e ngacmo gjumin e mjegullave, sonte trishtimi po fle nëpër honet e braktisura, të kesh kujdes kur e hedh hapin e parë, mu atë çast mund të të fundosen të gjitha ëndrrat.
Çfarë mund të bësh atëherë kur mbetesh pa ëndrra. Njeriu pa ëndrra i përngjan dunës së lëngtë, i përngjan një forme të erës që nuk ka kurrfarë definicioni.
Njeriu pa ëndrra është si lisi pa rrënjë, të kesh kujdes pra kur e hedh hapin e parë në shpirtin e honit kur zhvishet nga mendja.
Po e preke sonte kujtesën kurrë më nuk mund të flesh, do të të dalë gjumi dhe do mbetesh kërcu i pagjumë gjatë tërë jetës.
Ende e ndjej thellë e ndjej prekjen tënde nëpër shpirtin tim të rrënuar, po më preke edhe njëherë i tëri do shndërrohem në pluhur, ose në ndonjë copë ashti që nuk e kafshon asnjë qen endacak.
Të kujtohet kur më tha se sa është e gjatë kjo rrugë. Askush nuk ja di as fillimin e as mbarimin, fillimi dhe përfundimi i saj nuk mund të shënohet në asnjë pergamene të imagjinuar.
Pse më tha kështu , nuk jam në gjendje të kuptoj, por di një gjë se ti kur u shndërrove në dunë të lëngtë atë ditë qanin dallgët e detit, qante edhe një peshkatar, por nuk dinte se fatin e kujt është duke vajtuar.
Një pulëbardhë qante me lot të kristalta, ciflat e akullit shpërndaheshin mes valëve të turbullta . të thash se është shumë e gjatë kjo rrugë e pafund. Para se të më prekësh mendo dy herë, netët janë shumë të gjata kurse në fund të poemës së erës na pret një dhembje më e trishtueshme se sa trishtimi i erës.

AS QË MË PYETI DIKUSH

Nuk erdha në mesin e juaj pse doja të jem me ju, ishte një ditë e portokalltë kur më sollën këtu,shakullina i binte kavallit, dëgjohej një melodi si të ishte e brymtë,binte edhe një shi e zezë . Më duket se atë ditë qante qielli, qanin edhe lisat, rrëke lotësh derdheshin mbi degët e mjegullave të ngarkuara nga dëbora e kuqe.
Kështu thonë dhe duhet të besojmë, atë ditë kishte reshur një dëborë e kuqe, dëbora që i përngjante gjakut, mos vallë kanë luftuar yjet ose meteorët që këputen kaq lehtë nga kujtimet e mjegullave.
Ishte dita e parë e shkurtit, thonë se përherë në shkurt bënë acar, kurse kësaj radhe ishte ditë me shi të acartë, me stërkalat e shiut përzihej edhe dëbora, binte shtëllunga, shtëllunga që ia zinte frymën ajrit të atij mëngjesi të akullt.
Në mesin e juaj më sollën mu ata që nuk patën guxim dhe zemër që ta shohin lakuriq trishtimin, ose njerëz që ishin ngopur me trishtimin e jetës.
Deshën që çdo gjë në jetë të ndajnë me mua, çdo prekje të ajrit të thatë dhe shiut të acartë ta fusin në shpirtin tim.
Dhe e futën, andaj më sollën këtu jo me dëshirën time por thjeshtë për epshin e hingëllimës, as që më pyeti dikush kur më gjuajtën diku në cep të dhomës ku flinin edhe kandrat. Po ju them ishte koha me shi , kohë e përshtatshme për zhvillimin e insekteve me një ose dyzetë këmbë. Kur njeriu kupton se i përngjan insekteve, fillon edhe ashtu të sillet si insektet, herë i imiton ato insekte parazitë e herë ato insekte që nuk i përngjajnë as këtyre që nuk janë parazitë.
Dikur vonë kuptove prej të tjerëve se ishte një sterrë e madhe, kishin ikur edhe yjet prej qiellit, ajo natë lakuriqe si e lindjes sime akoma po më përcjell në jetë me një lakuriqësi të paparë, edhe gurtë më duken lakuriq si ndjenja e ime që nuk lëshon rrënjë në asnjë vend.
Më duket se, mu në këtë mënyrë kanë ardhur njerëzit pa kurrfarë planifikimi që t’i ndajnë të gjitha ato trishtime nga të cilët ndiqen që nga lindja e deri më sot.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 31 vizitorë
Lexuar: 320 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi