Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Rifat Kukaj- Bardi i letërsisë shqiptare për fëmijë
Publikuar më 27 tetor, 2014 në orën 10:36 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Të nderuar familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtorë të të madhit Rifat Kukaj!
Të respektuar krijues, dashamirë të fjalës së bukur artistike dhe ju të pranishëm!

Të flasësh për poetin, prozatorin, dramaturgun, përkthyesin dhe skenaristin e letërsisë për fëmijë e për të rritur, të papërseritshmin Rifat Kukaj, është sikur të provosh ta kapësh diellin me dorë apo ta zbrazësh detin me lugë. Besoj, të gjithë sa jemi këtu e kemi njohur nga afër Bardin e lëtërsisë shqipe për fëmijë, por unë mbaj peng dy momente; herën e parë në dasmën e Lulëzim Jasharit, djalit të komandant Adem Jasharit dhe herën e dytë në jurinë vlerësuese në një festival poezie në Skënderaj. Dhe, lekët që na takuan si juri, ia përcolla ditën që udhëtonte për Ulqin.
-Merrni çka të doni për të pirë sot, se më nuk paguaj,- na tha atë ditë tek kafe Koha, përballë Pallatit të Shtypit në Prishtinë, dhe vërtet më nuk u pamë. Një profeci, që, mjerisht, u bë realitet.

Rifat Kukaj u lind në Tërstenik të Drenicës, më 25 tetor 1939. Në moshën gjashtë vjeçare ia vranë të atin cerberët e përtej Tunës dhe ai u rrit me lotin e ngrirë në qepallë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Prishtinë. Fillimisht punoi mësues e pastaj drejtor në vendlindje. Që nga viti 1963 kalon e punon në Prishtinë, në Radio e në “Rilindja”, gjithmonë me shpirtin dhe ardhmërinë e shoqërisë: me fëmijët. Përktheu letërsi për fëmijë nga autorë sllovenë, kroatë, serbë, e hungarezë por edhe vetë shkroi në shumë nga këto gjuhë. Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe ndihmoi shumë autorë të rinj të hapnin shtigje në krijimtari.
Vdiq në Ulqin, më 11 shtator 2005 e u varros në vendlindje me nderime të larta.

Të gjithë teorikët letrarë pajtohen se më se vështiri është të shkruash për fëmijë. Të krijosh për më të vegjëlit, patjetër duhet të zbresësh në nivelin e tyre, duhet të jesh psikolog, pedagog, prind, gjysh e eduktor shembullor. Shkrimtari Rifat Kukaj i posedonte të gjitha këto, andaj lëvroi me sukses gjini dhe zhanre të ndryshme të fushës së letërsisë për fëmijë, duke u bërë mjeshtër i rrëfimit dhe i komunikimit, i emocionit dhe i besueshmërisë, i modelit përrallor dhe i hapësirës imagjinatave.
Rifat Kukaj nisi të shkruaj qysh si nxënës. Vjershën e parë për fëmijë „Besimet e kota” e botoi në revistën „Pionieri” më 1952, kurse vjershën e parë për të rritur „Të ishte” në revistën letrare „Jeta e re” në vitin 1956. Prej atëherë ka publikuar në të gjitha revistat e gazetat në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Ka botuar rreth 100 libra me poezi, tregime e romane, për fëmijë dhe për të rritur. Pastaj tekste për ilustrime, pjesë teatrore, drama, skeçe, humoreska, përralla, fabula e deri te trajtesa të ndryshme letrare e shoqërore.
Rifat Kukaj do të bëjë emër jo vetëm në Kosovë, por në shkallë kombëtare. Sot nuk ka mundësi të hartohet një abetare, një libër leximi apo një antologji e poezisë për fëmijë ku të mos zërë vendin kryesor krijimtaria letrare e Rifat Kukajt. Përpunimi i personazheve, apo fgurave poetike, kanë origjinalitetin e vet dhe janë shumë të afërta për lexuesin, ngase janë kultivuar nga libri në libër me përkushtim e pasion krijuesi. Nëpër krijimtarinë kaq të begatë të Rifat Kukajt janë trajtuar me kujdes të gjitha relacionet e botës fëmijërore, si ato prindër-fëmijë, gjyshër-fëmijë, rrethi familjar-fëmijë, shoqëria-fëmija etj.
Pra, opusi krijues i Rifat Kukajt është aq i gjerë e aq i larmishëm, saqë nuk di çka të përmendësh brenda një kumtese të tillë modeste. Megjithatë po veçojmë romanet: "Bardhi e Mirushja"(1968), "Vjollca magjike" (1999), "Lepuri me pesë këmbë" (1971), "Rrasa e zogut" (1975), "Kokërrmeli e pilivesa" (1972), "Zogu i bardhë" (1989) etj; Përmbledhjet me tregime: "Rrëfejza" (1965), "Harmonika e vogël" (1967), "Dylbia e kapedanit" (1973), "Ujku me kamerë" (1988), "Elefanti që fluturonte" (1997), "Gjiri i Delfinit" (2002) etj; Përmbledhjet me poezi: "Gjerdani i blertë" (1965), "Vallja e kallinjve" (1967), "Trimnitë e karkalecit" (1967), "Princi i Krujës" (1969), "Fshati i Pishës" (1969), "Çka fshin dhelpra me bisht" (1976), "Deti u bëftë kos" (1980), "Ti një kokërr unë një kokërr" (2000), "Ëndrra të trembura" (2002), "Ma jep gishtin e vogël" (2005) etj; Vëllimet me poezi për të rritur: “Nusja", “Qafa e Ujkonjës", “Njeriu që nuk mund të vdiste" etj.

Për sukseset e arritura në lëmin e letërsisë është fitues i shumë çmimeve letrare në Kosovë, në Shqipëri, në Lublanë, në Zagreb, në Novi Sad etj.
Ai shkroi edhe shumë përkushtime. Një ndjenjë e fuqishme i përshkon sidomos poezitë që ua kushtoi miqve të tij poetë, Ymer Elshanit dhe Odhise Grillos. Dhimbjen për humbjen e kolegut Ymer Elshani e shpreh kështu:

Pa ty stinët zvarriten ngathtë, ngathtë.
Për n 'vendlindje udha m 'është shëmtuar,
Se ç 'ma theve, or krahun e djathtë,
Me stuhinë e dhembjes së pashëruar...


Ndërkaq, Odhise Grillon, një vit pas vdekjes së tij, e përkujton:

Bashkë pamë Kosovën e Drenicën e vjetër,
Lirisë i uruam këmbë të mbarë;
Por së toku s 'do na i zënë sytë tjetër
As Drenicë, mjer unë, e as Himarë...


Odhise Grillo dhe Rifat Kukaj paraqesin dy krahët e shqipes që plotësojnë njëri- tjetrin dhe tok bëjnë tërsinë e letërsisë sonë kombëtare për fëmijë. Se poeti është zëdhënësi i popullit të vet, i kombit të vet, i atdheut të vet, dëshmojnë dy vargjet e fuqishme të poetit për poetin:

Kush nuk e do Odhisenë
Nuk e do mëmëdhenë!


Fati i popullit tim është edhe fati im,- thoshte mendjendrituri ynë, Pjetër Bogdani. Kështu logjikonte edhe Rifat Kukaj. Kjo u dëshmua gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në nëntor 1973, kur, sipas Admirina Peçit, ai qe interesuar edhe për armët dhe në një rast paskësh thënë se po të vijë koha, ai i pari do ta hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Dhe, çka të themi tjetër për këtë bard të letërsisë sonë për fëmijë? Ndoshta, edhe nuk ka nevojë, sepse ai kaherë ka fituar pavdekësinë. Emri i tij është gdhendur në kujtesën e kësaj letërsie, sepse librat e tij e pasuruan traditën tonë letrare në fushën e letërsisë për fëmijë, po edhe krijuan traditë.
Mjafton ta përkujtojmë, ta nderojmë e ta çmojmë veprën e tij jetësore e letrare. Andaj, lavdi për jetë e mot të madhit Rifat Kukaj!
Faleminderit për vëmendje!

Drenas, 25 tetor 2014

Asociacioni i letrarëve dhe artistëve ART CLUB ”Rifat Kukaj”, më 25 tetor, në Shtëpin e Kulturës “Valdet Xhemajli” në Drenas, mbajti Edicionin e parë të manifestimit letrar “Vjeshta dhe Vargje”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare të krijuesit Rifat Kukaj, ku u lexua edhe kjo kumtesë:

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 52 vizitorë
Lexuar: 2,551 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi