Partia për Prosperitet Demokratik mbajti një konferencë për shtyp ku me anë të përfaqësueses së saj reagoj rreth privatizimit të tokave shtetërore dhe ndërhyrjes së forcave policore nëpër lokalet. Ku Teuta Kamberi-Llalla ndër të tjera tha:
Pas analizës së thellë që ia ka bërë Ligjit për ndryshimin dhe përmirësimin e Ligjit për zonat teknologjike Partia për Prosperitet Demokratik opinionit ia ofron këto përfundime:
-Ligji është identik me Ligjin për transformimin e kapitalit shtetëror sjellur para dy dekadash nga LSDM dhe i kritikuar sot e kësaj dite nga VMRO,
-Të dy ligjet kanë një synim: privatizimin e kapitalit shtetëror në favor të nomenklaturave partiake. Të parët (LSDM) privatizuan në mënyrë të egër ndërmarrjet shtetërore kurse të dytët (BDI-VMRO) synojnë ta privatizojnë tokën shtetërore me çmime qesharake për nevojat e klienteleve partiake.
Në lidhje me këtë PPD konstaton se nuk ka qenë fare e nevojshme ky ligj të sillet fshehurazi, me procedurë të shpejtë sepse bëhet fjalë për një tematikë që në shumë vende evropiane debatohet me vite.
Partia për Prosperitet Demokratik konstaton se ndryshimet me ngut të ligjit në fjalë janë bërë me synim të vetëm të shitjes së tokave shtetërore, disa ende në procesin e denacionalizimit, klientelës partiake të BDI-së në Zonën teknologjike të Tetovës, zonë kjo e cila nga Qeveria fitoi një status të çuditshëm të ashtuquajtur “partneritet publiko-privat” ku fjalën kryesore të menaxhimit 99 vjeçar do ta kishte një kompani e imagjinuar partiakisht dhe e regjistruar me pak para në Maqedoni si “Normakinvest” e cila do ta “lulëzonte” këtë zonë me investime të huaja dhe do ta bënte atë “xhehenet mbi tokë”.
PPD konstaton se shitja e tokave shtetërore në zonat teknologjike dëshmon se koncepti i zonave teknologjike është i dështuar dhe kërkon nga Qeveria në fjalë të tërhiqet plotësisht.
Sa i përket aksioneve të ditëve të fundit të Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratit të tregut me asistimin e forcave speciale të policisë, PPD i jep këto konstatime:
-Aksionet janë realizimi në praktikë i platformës parazgjedhore të BDI-së me moton “Ne e mbajmë fjalën” ku BDI është betuar se do ta mbajë fjalën se gjatë qeverisjes me VMRO çka do të thonë dhe vendosin udhëheqsit e kësaj partie këta të BDI-së ti ngrenë duart lart kah qielli dhe të thonë: Amin!
-Aksioni nis fill pas konstatimit të liderit të BDI-së Ali Ahmeti se pushtetarët e BDI-së nuk janë “melaqe” dhe e keqpërdorin pushtetin, kjo nënkupton se shteti duhet të reagojë, por jo ndaj atyre që me punë mezi sigurojnë kafshatën e bukës dhe nuk janë anëtarë të BDI-së e aq më keq që kundrejt tyre të reagohet me forca policore.
-Aksionet policore janë realizim i platformës së përbashkët parazgjedhore BDI-VMRO (siç shpesh me krenari shprehet sekretari i përgjithshëm BDI-së Abdilaqim Ademi) të quajtur “Rilindja me 100 hapa”.
-Analizuar realizimet e deritashme të platformës së saj, BDI i ka realizuar me sukses 10 hapat e parë,siç janë:
-në shkollat fillore të Strugës dhe Kërçovës në vend që të ngrohen lokalet e shkollave me mazut, në mungesë të mazutit për shkak të vonesës së tenderit, nxënësit me vete mund të sjellin në shkollë jorganë dhe batanie që të ngrohen,
-arsimtarëve që dy notat ( vlerësim njëvjetor dhe test ekstern) nxënësit nuk i kanë të njëjta do tu merret 15% e rrogave vjetore,
-toka private ti merret çdo kujt kur dikush (nga partia!) dëshiron madje të ndërtojë edhe bazen publik,
-ndiqen me polici mijëra duhanpirës nëpër çajtore dhe në të njëjtën kohë lejohet puna e Jugohromit edhe për gjashtë muaj, tymtarët e të cilit për një minutë lëshojnë tym sa një milion cigare.
PARTIA PËR PROSPERITET DEMOKRATIK]
T E T O V Ë
Tel. +389 44 616 114 & 044 616 117
Е-mail . ppd@prosperiteti.com
www.prosperiteti.com
Tetovë, 11. 11. 2014
|