Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
VV: Stabiliteti në Ballkan vjen nga vetëvendosja e shqiptarëve si liri e tyre për barazi me të tjerët
Publikuar më 13 nntor, 2014 në orën 01:02 ( ) Lajme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Pas vizitës dy ditore në Serbi të kryeministrit të Republikës Shqipërisë, z.Edi Rama, Lëvizja VETËVENDOSJE! vlerëson deklaratën e dhënë në Beograd në lidhje me pavarësinë e Republikës së Kosovës. Deklarata e z. Rama në këtë vizitë është e rëndësishme sepse ai e dha atë nga pozita e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, duke hapur çështjen e njohjes së Kosovës publikisht nga brenda Serbisë. Nga brenda Serbisë u vu në dukje se si Kosova është një çështje e pakapërcyeshme për marrëdhëniet biletarale, por edhe më gjerë për Ballkanin Perëndimor. Ajo është një çështje që i përket shqiptarëve, dhe me të drejtë kryeministri Rama e ngriti si një nga çështjet kryesore në deklaratën e tij.

Pavarësisht mbështetjes që ne i japim deklaratës që kryeministri Rama tha nga Beogradi për pavarësinë e Kosovës, pas të gjitha ngjarjeve të zhvilluara, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e bindur që vizita të tilla në shtete me politika shovene nuk kontribuojnë në ndryshimin e këtyre shteteve, por i kontribuojnë rritjes së pranueshmërisë ndërkombëtare të TYRE, pa ua ndryshuar qëndrimet dhe politikat.

Kryeministri në ikje Thaçi, nuk i ka thënë fjalët që i tha kryeministri Edi Rama në Beograd as kur ishte në Bruksel në negociata me Serbinë. Të gjithëve na kujtohet shkarkimi i Lulzim Pecit nga pozita e zyrtarit ndërlidhës të Kosovës në Beograd vetëm pse ai tha që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të ndodh atëherë kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Deklarata e zotit Edi Rama për pavarësinë e Kosovës nuk është as provokim, as qëndrim heroik, as qëndrim shovinist, as qëndrim prepotent. Ky është qëndrimi që do të duhet të mbante çdo udhëheqës dhe diplomat shqiptar për të thënë të vërtetën mbi Kosovën.

Udhëheqësit politikë të Serbisë vijojnë traditën e saj shtypëse të pandërprerë deri më sot. Ndërkohë që akuzojnë për shovinizëm e ushtrojnë atë. Ndërkohë që akuzojnë për provokim, provokojnë. Ndërkohë që akuzojnë për dhunë, dhunojnë. Deklaratat e kryeministrit serb Vuçiq dhe presidentit serb Nikoliq përpiqen që të ngjallin edhe tek kombi shqiptar të njëjtën urrejtje shovene për fqinjët, që ata vetë e mbajnë gjallë në Serbi përmes një aparati ideologjik neofashist. Përderisa kryeministri Rama përgatitej të nisej për Preshevë, Serbia arrestonte shqiptarët që në përputhje të plotë me të drejtën e TYRE të njohur ndërkombëtarisht, vendosnin flamurin kombëtar shqiptar. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk janë thjeshtë urë që duhet kaluar, por janë kështjellë që duhet mbrojtur. Më parë se sa në aspektin strategjik ata duhen konsideruar nga aspektit moral, kombëtar e njerëzor. Ata po shtypen politikisht e po shfrytëzohen ekonomikisht nga Serbia sikurse në kohën e regjimit të Millosheviqit. Ata duhen ndihmuar për plotësimin e nevojave të tyre dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre, si popullsi autoktone dhe si pjesë e kombit shqiptar.

Ne nuk duhet t’i adresojmë problemet përmes urrejtjes etnike. Na mbetet ta bëjmë të qartë para popullit tonë, para popullit serb, por edhe para ndërkombëtarëve, se politikat qeverisëse të Serbisë mbeten të njëjtat. Ata refuzojnë të njohin krimet që kanë bërë, të kthejnë të pagjeturit, të dëmshpërblejnë shkatërrimet. Ata refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës. Ata vazhdojnë të ruajnë dhunshëm me struktura paralele kriminale në mënyrë të armatosur kontrollin mbi një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Do të ishte naive për shqiptarët që para bashkësisë ndërkombëtare ne të normalizonim politikanët serbë që përpiqen të çojnë përpara politikat shovene të këtij shteti.

Nga tre marrëveshjet që u lidhën në Beograd njëra ishte e lidhur shumë ngushtë me tregtinë. Kjo qasje e Republikës së Shqipërisë ndaj Serbisë bazohet mbi idenë së shkëmbimi tregtar do të krijojë ndërvartësi mes shteteve dhe për rrjedhojë do të ndikojë në zbutjen e tensioneve. Raporti eksport-import i Kosovës me Serbinë është 1:20, ndërkaq i Shqipërisë me Serbinë është 1:7. Për të zhvilluar ekonominë e vendit tonë nuk mjaftojnë fjalët por modelet e reja ekonomike, në thelb të së cilave qëndron ekonomia e bazuar në prodhimin si prioritet.

Kur marrëdhëniet ekonomike ngrihen mbi themelet e gabuara atëherë tregtia kontribuon në rritjen e padrejtësisë. Serbia shpenzon 634 milionë euro nga buxheti i saj në Kosovë, një pjesë e mirë e të cilit shkon për të financuar strukturat paralele kriminale të Serbisë në Kosovë, që nuk e njohin pavarësinë dhe e trajtojnë Kosovën si pjesë të Serbisë. Pa ndryshuar politikat zyrtare serbe karshi Kosovës, çdo para që shteti serb fiton në tregti me Shqipërinë dhe Kosovën është para që investohet nga shteti serb për ta rrënuar dhe shkatërruar pavarësinë e Kosovës, atë pavarësi për të cilën Kryeministri Rama foli në Beograd. Duhet pasur kujdes sepse marrëveshjet e arritura janë më të rëndësishme sesa deklaratat e bëra. Një fqinj që ka politika kaq agresive, e ka vendosur potencialin e vet ekonomik në shërbim të atyre aspiratave dhe nuk ndryshon duke ia kënaqur pangopësinë ekspansioniste por duke ia kushtëzuar atë.

Në ekonomi politikanëve shqiptarë u takon që të vendosin masa mbrojtëse ndaj Serbisë, jo për arsye revanshi, por për të mbrojtur prodhuesit tanë vendorë, prodhimin tonë, i cili është i vetmi që mund të sjellë punësim dhe mirëqenie të qëndrueshme për dy shtetet shqiptare. Nëse nuk mbahet parasysh nevoja për prodhim vendor dhe për tregje e politika ekonomike tërësisht të unifikuara mes Kosovës dhe Shqipërisë, atëherë Kosova e Shqipëria rrezikojnë të shndërrohen në shtete-tranzite që thjesht garantojnë sigurinë e mallrave që kalojnë prej prodhuesve të huaj.

Ne i bëjmë thirrje në radhë të parë Qeverisë së Shqipërisë si dhe më tej edhe aleatëve të shqiptarëve, që të punojmë në drejtim të rritjes së sovranitetit të brendshëm e të jashtëm të Republikës së Kosovës. Nuk ka stabilitet në Ballkan pa Kosovë të stabilizuar. Dhe nuk ka Kosovë të stabilizuar pa ushtri, pa drejtësi funksionale, pa sistem arsimor dhe pa ekonomi të vetën. Të gjitha këto deri më tani i ka penguar në Kosovë një grup pushtetarësh të korruptuar gjer në palcë. Të korruptuarit që mbajnë peng Kosovën janë të interesuar ta fusin Serbinë sa më thellë në Kosovë, sepse nëpërmjet ruajtjes së politikave ekspansioniste të Serbisë ata ruajnë postet e TYRE të pushtetit.

Pa u arritur vetëvendosja e popullit të Kosovës, si parim shtetformues që garanton barazinë mes shteteve, nuk do të arrihet emancipimi i plotë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Ballkan. Ata që i kundërvihen këtij parimi në negociatat regresive, pa kushte dhe të padrejta, që janë pazare në kurriz të të drejtave të shqiptarëve, i bëjnë dëm qoftë kombit tonë, qoftë fqinjëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

12 nëntor, 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 34 vizitorë
Lexuar: 508 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
URIME KOSOVE, TE PRIFTE E MBARA!
E diel, 04 prill 2021 - 20:37
.
EPOPEJA...!
E diel, 07 mars 2021 - 00:08
.
Lufta e UÇK-së bashkon tre shtete
E premt, 27 nntor 2020 - 23:25
Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ush...
K O M U N I K A T Ë
E premt, 20 nntor 2020 - 14:59
SHOQATA “YJET QË NUK VDESIN & OJQ “YOUTH FORUM PERSPEKTIVA” K O M U N I K A T...
Marrëveshja Kosovë-Serbi
E premt, 04 shtator 2020 - 20:59
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshje ekonomike me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washingt...
më shumë nga - Lajme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi