Me daljen dhe përhapjen e webcamerës në familje si pjesë e nevojave të komunikimit dhe argëtimit, natyrisht se lindën edhe pasoja të (pa)sigurisë dhe mbrojtjes nga keqpërdorues të mundshëm të kësaj arritjeje të zhvillimit e modernizimit.
Që atëherë, disa prindër më të kujdesshëm, kërkonin nga familja e tyre të shuajnë kamerën ose kompjuterin në kohën kur nuk janë duke e përdorur. Disa nuk i jepnin rëndësi dhe një qasje të tillë e quanin phobie. Por sot, shkrime në shtypin perëndimor i japin të drejtë „phobikëve“. Në të vërtetë, është e qartë se „hakerë“ të shumtë mund pa pengesa të mëdha të kontaktojnë me kamerën tuaj dhe të aktivizojnë të njëjtën e të shohin pa pengesë brendinë e banimit tuaj, ndoshta dhomën e fjetjes, kuzhinën, dhomën e pritjes…, lëvizjet e juaja dhe krejt çka ka para vetes syri magjik që e keni paguar me para.
Më së fundit, çdo pajisje e lidhur në internet është e ndjeshme, e brishtë dhe andaj kërkohet kujdes i duhur. Mbrojtja më e lehtë edhe pse nuk garanton imunitet të plotë, është fjalëkalimi. Nuk keni dëgjuar se nga byroja e juaj mund të kontrolloni furrën e elektrike në kuzhinë? Po dyert e garazhës, po veturën, ndriçimin...? Nëse ju jeni pronari dhe i keni të gjitha mundësitë mbi lidhjet tuaja të internetit, mos harroni se të tjerët me pak dredhi e njohuri “hakeri”, mund pa ndonjë leje speciale të ndërlidhen me komandat tuaja.
Por t’i kthehemi webcamerës e cila është më e përhapura ndër ne dhe andaj më delikatja për çështjen e ruajtjes së ambientit banues. Ekspertët udhëzojnë shuarjen e kompjuterit ose të kamerës si mënyrë më e sigurt por ka forma të tjera shumë efikase si mbulesa e objektivit për të cilën gjë më së miri është të përdoret thjeshtë pak letër aluminiumi ose, që jeni duhanxhinj, “shamata” e paketës së cigareve e sidomos ajo e çokollatës.
Është me rëndësi të dihet se drita e kuqe mbi kamerën tuaj që tregon aktivitetin e saj, nuk është aspak e sigurt ngase ajo ç’ aktivizohet shumë lehtë.
Nuk duhet të harrojmë se edhe fjalëkalimi thyhet e sidomos nëse është i lehtë por, edhe në raste kur ai është shumë i ndërlikuar, një eksperti të sigurisë në internet, i duhen poshtë lart 30 sec. për ta thyer atë.
Shkurt: shkyçeni gajtanin e kamerës kur nuk e përdorni ose së paku mbulojeni me diçka. S’ka zgjedhje më të mirë; dhe...:
Kujdes sidomos ata që për çfarëdo arsye e kanë kompjuterin në dhomë të fjetjes por edhe në dhomë të pritjes. Imazhet mund të jenë sipas vendeve të difuzimit +16 dhe +18!
Reis Mirdita
|