Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Në gjurmët e terrorit komunist
Publikuar më 25 nntor, 2014 në orën 23:34 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Mirënjohje të thellë për Enver Lepenicën

Në ditët e para të tetorit, në kafenenë te kolonat e Pallatit të Kulturës, u takova me mikun tim, zotin Enver Lepenica. Pasi bëmë një dorë muhabet, më tha se donte të takoheshim përsëri nesër, meqenëse dëshironte të më dhuronte një libër interesant. U takuam të nesërmen. Për habinë time të këndshme, ai më kishte sjellë jo një, por tre libra.

Njëri titullohet “Kryetarët e Bashkisë Vlorë”. ”. U kushtohet 20 kryetarëve të Bashkisë së Vlorës që prej vitit 1912 e deri tani. Këtë libër e ka analizuar me profesionalizëm publicisti i mirënjohur Gëzim Llojdia, në shkrimin me titull “20 kryetarë të Bashkisë Vlorë për gjatë një shekulli në botimin e Lepenicës”, të botuar në gazetën “Dielli” më 02 nëntor 2014.
I dyti mban titullin “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912-2012”.
Libri i tretë titullohet “Parti komuniste apo parti terroriste”. Ky është një libër me të vërtetë befasues, në të cilin Enver Lepenica, pas një pune hulumtuese shumëvjeçare të jashtëzakonshme, ka nxjerrë përfundimisht në dritën e diellit të vërtetat tronditëse për përçarjen tragjike që Partia Komuniste e Shqipërisë dhe personalisht Enver Hoxha, futën në radhët e popullit shqiptar në vitet e luftës antifashiste.
Përmes një dokumentacioni të pasur arkivor, Enver Lepenica u ka folur lexuesve me gjuhën e fakteve të pakundërshtueshme për aktivitetin e çmuar atdhetar të formacioneve luftarake të Ballit Kombëtar gjatë luftës antifashiste, të cilat patën luftuar përkrah çetave partizane kundër trupave fashiste italiane. Por Partia Komuniste e Shqipërisë, që në ditën e themelimit të saj, nën diktatin e shovinistëve serbomëdhenj, të përfaqësuar nga Miladin Popoviçi dhe nga Dushan Mugosha, mbolli farën e antinacionalizmit dhe popullin shqiptar e ndau në dy kampe armiqësore. Problemi që shqetësonte për vdekje Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe kryeshovinistin Tito, ishte çështja e Kosovës, të cilën komunistët shqiptarë duhej ta mohonin përfundimisht dhe ta fshinin nga ndërgjegjja kombëtare e popullit shqiptar të Shqipërisë Londineze. Që të arrihej ky objektiv madhor për shovinizmin serbomadh, duhej që shqiptarëve t’u mësohej arti i vëllavrasjes, të cilin kryetradhtari Enver Hoxha, para emisarëve të Titos, u angazhua ta përvetësonte mjeshtërisht dhe t’ua mësonte edhe krerëve të tjerë komunistë se si shqiptari duhej të vriste shqiptarin.
Konsulentë të librit janë prof. Sherif Delvina dhe dr. Kastriot Dervishi, recezent është dr. Bujar Leskaj dhe redaktor - Petrit Bezhani.
Libri, pas parathënies së autorit, hapet me dy studime mbresëlënëse.
I pari: “Forcat politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, me autor prof.dr. Muharrem Dezhgiu. I dyti: “Marrëveshja e Mukjes, shkaqet e prishjes së saj dhe pasojat historike”, me autor prof.dr. Beqir Meta, akademik, drejtor i Institutit të Historisë, dhe prof.dr. Muharrem Dezhgiu, Instituti i Historisë.
Ne shënimin që kanë vënë në fillim të këtij studimi, autorët shkruajnë:
“Varrosja e Mukjes jo vetëm ishte një fatkeqësi kombëtare që goditi në palcë popullin shqiptar për 50 vjetët e diktaturës komuniste, por ajo ndihet e qartë si një mallkim edhe sot, gjëma e të cilit u shfaq me gjithë forcën edhe në pranverën e hidhur e të përgjakshme shqiptare të vitit 1997, e cila vazhdon ende ta mbajë kombin të mbërthyer në një makth ogurzi”.
Por si shpjegohet fakti që, megjithëse fara e antinacionalizmit dhe e luftës vëllavrasëse u hodh që më 08 nëntor 1941, Partia Komuniste e Shqipërisë pranoi të ulej në bisedime me forcat nacionaliste në Konferencën e Mukjes? Përgjigjen kësaj pyetjeje, Enver Lepenica e jep në faqet e këtij libri përmes dokumenteve arkivore.
Në kujtimet për Kuvendin e Mukjes, Zef Pali ka lënë me shkrim mbresat e veta:
“… Komunistët në Mukje kishin grumbulluar disa çeta. Mendojshin se lufta po merrte fund dhe dojshin të mos liheshin mënjanë, kur të zbrisnin aleatët. E dijshin se amerikanët dhe inglizët do t’u epshin dorë ma tepër fuqive demokratike të Ballit Kombëtar, prandaj kërkuen marrëveshjen e Mukjes” (f. 360).
Simpatia e amerikanëve për forcat demokratike të Ballit Kombëtar, dëshmohet në një letër-dokument të gjeneral major Ralf Roisit, Komandant i Forcave Amerikane në Lindjen e Mesme. Ky dokument i drejtohej Ballit Kombëtar në Vlorë, i cili pati siguruar me ushqime dhe i nisi shëndoshë e mirë nga gadishulli i Karaburunit 20 infermiere amerikane dhe dy pilotë që kishin rënë aksidentalisht në Dumre të Elbasanit. Dokumenti është shkruar në Kajro dhe mban datën 20 janar 1944:
“Si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Amerikane në Lindjen e Mesme, dua të shpreh mirënjohjen time për ndihmën që dhatë në evakuimin e grupit të infermiereve dhe aviatorëve amerikanë, të rënë aksidentalisht në vendin tuaj. Evakuimi i sigurt i tyre ishte një mbështetje e bashkëpunimit të popullit tuaj me forcat amerikane, për të cilën ju jemi mirënjohës” (f. 326).
Në Konferencën e Mukjes u vendos që të arrihej në “realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe të garantuar prej Kartës së Atlantikut” (f. 351).
Balli Kombëtar kishte vendosur paraprakisht që, në Konferencën e Mukjes, Ali Këlcyra dhe Skënder Muçua do të mbronin temën që Çamëria të njihet si Kosova, pjesë e Shqipërisë Etnike. Në pasdreken e 31 korrikut 1943, sipas dokumentit që citon Enver Lepenica, “propozimi i Isuf Luzaj ishte ky:
“Kosova do të jetë pjesë e pandarë e Shqipërisë, do ta mbronte Isuf Luzaj… Çamëria të trajtohej si pjesë e pandarë e Shqipërisë Etnike, teza do të mbrohej nga Ali Këlcyra”
(f. 358).
Sipas kujtimeve të Zef Palit, Enver Hoxha, një muaj pas Marrëveshjes së Mukjes, “mblodhi në Labinot shtabin e kuq. Kërkoi të prishej marrëveshja e Mukjes. Arsyet nuk i mungojshin. Pëfaqësuesit e Titos shifnin në çdo radhë të dokumentit të nënshkruem “grackën” ku kishin rënë të kuqtë dhe fitimin e Ballit! Kosova i tronditi tepër!!” (f. 362).
Në të vërtetë, Komunikatën e Marrëveshjes së Mukjes e hodhi poshtë menjëherë Miladin Popoviçi, sapo ajo i ra në dorë fill pas përfundimit të saj. Kur ai e mori në dorë në Panarit të Korçës, e lexoi, e zhubraviti dhe ia përplasi në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe ky “trim i madh i Shqipërisë”, për turpin e vet, s’guxoi të hapte gojën para tij, tamam si shërbëtori para agait. Prandaj Enver Hoxha, së bashku me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, nga Vithkuqi, urdhëron Komitetet Qarkore të Partisë Komuniste në Rrethe:
“Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë, arritur në mes të Këshillit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën e nacionalçlirimtares dhe disaprovohet nga Komiteti Qëndror i Partisë. Prandaj, në rast se nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më për të” (f. 369).
Me këtë urdhër, Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe, për fatkeqësinë tonë kombëtare, argati i tyre Enver Hoxha, dhanë sinjalin për fillimin e luftës civile në Shqipëri, e cila solli pasoja tragjike në vendin tonë dhe që pas 28 nëntorit të vitit 1944 mori trajtat e përbindshme të luftës së klasave.
Në këto kushte, Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar mori vendimin e mëposhtëm:
“Sot më 7 nëntor 1943 me pikëllim dhe me hidhërim të madh Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar aprovoi me pikëllim luftën civile, tue mos ba asnjë ritiratë (tërheqje) më, përpara provokacioneve, pse këto ritirata u konsideruan frikë e dobësi dhe sollën këto ditë të zeza të kombit tonë. Shtojmë se para këtij aprovimi fatkeq, Balli bëri një thirrje të fundit, duke lënë 15 ditë afat, ku lutet për marrëveshjen, por më kot” (f. 331).
Partia Socialiste e Shqipërisë, si trashëgimtare e Partisë së Punës të Shqipërisë, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë Londineze nga nazifashizmi, ka rastin që të dalë me një pendesë publike para mbarë popullit shqiptar për luftën civile që Partia Komuniste e Shqipërisë shpërtheu kundër Ballit Kombëtar, luftë kjo që solli si pasojë përçarjen më të rëndë në historinë e kombit shqiptar dhe që u shoqërua me shumë viktima të pafajshme si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë 46 vjetëve të diktaturës së egër komuniste. Kjo pendesë publike bëhet edhe më e domosdoshme për faktin se të vërtetën për shpërthimin e asaj lufte civile e ka pranuar që para shumë vjetësh vetë zoti Edi Rama, i cili tani është kryetar i Partisë Socialiste dhe kryeministër i vendit. Në një libër me bashkautorësi, të botuar në vitin 1992, ai, me shumë të drejtë, ka deklaruar:
“Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile... shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë…” (Edi Rama & Ardian Klosi, “Refleksione”, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 180-181. Citohet sipas: Kastriot Myftaraj. “Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”. Marrë nga faqja e internetit “opozita.com”. 18 nëntor 2014) .
Dhe më poshtë bashkautorët vazhdojnë:
“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme” (Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 184. Citohet sipas: Kastriot Myftaraj. “Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”. Marrë nga faqja e internetit “opozita.com”. 18 nëntor 2014) .
Megjithëse me shumë vonesë, prapëseprapë do të ishte mirë që klasa politike shqiptare dhe sidomos e majta shqiptare që sot është në pushtet, të vendosë ta dënojë publikisht Partinë Komuniste të Shqipërisë, Partinë e Punës së Shqipërisë dhe Enver Hoxhën, për farën e mallkuar të përçarjes kriminale që mbollën në radhët e kombit shqiptar me luftën civile që shpërthyen gjatë viteve të luftës antifashiste, për luftën kriminale të klasave që praktikuan gjatë një periudhe gjysmëshekullore, t’i heqë Enver Hoxhës titullin e heroit të popullit dhe, në këtë mënyrë, të hapë faqen e re të pajtimit aq të dëshiruar mes shqiptarëve të Shqipërisë Londineze, pajtim që ende mungon edhe gjatë këtyrë viteve të pluralizmit politik në vendin tonë. Në këtë aspekt, bashkohem plotësisht me pikëpamjen e zotit Frank Shkreli, i cili thotë:
“Fatkeqsisht, pa një qartësi të vendosur morale, jo vetëm të klasës politike që ka udhëhequr vendin për më shumë se dy dekada pas shembjes së komunizmit, por edhe në mungesë të një vizioni moral nga shoqëria shqiptare në përgjithësi në lidhje me trashëgiminë e vërtetë të sundimit komunist, kombi shqiptar ka shumë pak mundësi që të mënjanojë një të ardhme të zymtë” (Frank Shkreli. “Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit të Enver Hoxhës”. Citohet sipas: “Tribuna Shqiptare”. 21 nëntor 2014).
Mbi bazën e dokumenteve arkivore, Enver Lepenica ka nxjerrë në spikamë dy figura emblematike të Ballit Kombëtar: Kryetarin e Ballit Kombëtar Mitat Frashëri dhe Komandantin o forcave të Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica. Në një letër që i ka pas dërguar kryeministrit Fatos Nano më 14 mars 2003, zoti Rrahman Perllaku, gjeneral leitenant në pension, hero i popullit, si njëra nga figurat e mirënjohura të kohës së luftës, jep vlerësime mjaft objektive për figurën e Hysni Lepenicës, të këtij pionieri të shquar të shqiptarisë.
Ky libër është një enciklopedi e vërtetë e historisë së Ballit Kombëtar, e këtij formacioni politik që u krijua në Shqipëri fill pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, të cilit Partia Komuniste e Shqipërisë, si zgjatim i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në kuadrin e luftës civile, i shpalli luftë të pamëshirshme, ia pushkatoi me tërbim shumë figura të njohura të tij në vitet e luftës dhe pas përfundimit të saj, duke e shndërruar në objekt të luftës së egër të klasaeve gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, duke e zhveshur nga të gjitha pronat, duke e varfëruar në maksimum dhe duke e katandisur në një kufomë mbi dhe. Pasojat e vajtueshme të këtij qëndrimi barbar të Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj Partisë së Ballit Kombëtar, si një parti me orientim demokratik perëndimor dhe nacionalist, e cila kishte në programin e saj ribashkimin e trojeve tona etnike që nga Preveza deri në Tivar, sot duken açik: sot s’ka më Parti të Ballit Kombëtar. Atë e shfarosën pothuajse krejtësisht organet represive të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë, në vitet e luftës me armën e luftës civile dhe pas luftës me armën e luftës së klasave, duke i lënë të pashkolluar breznitë pasardhëse të këtij formacioni politik. Në kohën e Luftës, Partia e Ballit Kombëtar dhe Partia e Legalitetit përfaqësonin gati gjysmën e popullsisë, kurse sot këto dy parti janë krejtësisht të rrëgjuara, madje deri në atë masë, saqë nuk janë në gjendje të nxjerrin dot qoftë edhe një deputet të vetëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, ky libër është edhe enciklopedi e urrejtjes komuniste që, si në asnjë vend tjetër të botës, u shfaq me gjithë tërbimin e saj kundër nacionalizmit, kundër ideologjisë nacionaliste, e cila kombit shqiptar i duhej dhe vazhdon t’i duhet edhe sot si buka e përditshme, për shkak të copëtimit të trojeve të tij etnike prej shovinizmit evropian, me shovinizmin rusomadh në krye.
Që lexuesit e nderuar të binden për natyrën egërsisht terroriste të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë kundër forcave nacionaliste, le të lexojnë citatet mjaft kuptimplote që autori ka radhitur në faqen e pasme të kopertinës së këtij libri. Këtu unë po citoj vetëm dy prej tyre. Në të parin bëhet fjalë për një krim barbar të kohës së luftës, kurse në të dytin për një krim jo më pak barbar pas viteve të luftës, të periudhës së luftës së egër të klasave:
“Çeta komuniste e Agush Gjergjevicës, kapi në Melçan të Korçës Bexhet dhe Xhevdet Bulgarecin. Këta u masakruan në mënyrë barbare të pashembullt, duke u prerë hundën dhe veshët, duke u nxjerrë sytë, duke u thyer nofullat dhe krahët dhe duke u prerë organet seksuale”.
“Në kampin e Tepelenës: brenda 6 muajve, një nëne nga Elbasani i vdiqën 5 nga 6 fëmijët e saj… Një nënë tjetër, komunistët e detyruan të dilte në punë, duke lënë në kapanon vajzën me temperaturë. Kur u kthye e gjeti të vdekur”.

Mendoj se mbarë lexuesit me formim nacionalist, i janë shumë mirënjohës Enver Lepenicës, autorit të këtij libri të vëllimshëm prej 576 faqesh, për informacionin shterues që ka sjellë në të për Partinë e Ballit Kombëtar, të mbështetur tërësisht në dokumente arkivore. Do të ishte me shumë interes që historianët t’i rekomandojnë Ministrisë së Arsimit që ky libër të përfshihet në listën e librave shtesë, në ndihmë të studimit të historisë së Shqipërisë të periudhës së luftës antifashiste.
Me këtë libër, i katërmbëdhjeti në korpusin e veprave të botuara deri tani, të cilat zënë një vëllim të përgjithshëm prej 5300 faqesh, Enver Lepenica ka dhënë një kontribut të shquar për sqarimin e shumë të vërtetave në lëmin e historiografisë shqiptare që prej shpalljes së pavarësisë e deri në vendosjen e pluralizmit dhe pas tij.

24 nëntor 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 50 vizitorë
Lexuar: 1,486 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi